Tradita dhe prodhimet bio të Dibrës e Matit surprizojnë banorët e kryeqytetit


Në qendër të sheshit, njëjtë si në mesin e një ode, priste e përcillte një sofër. Historikisht shtëpitë njiheshin prej oxhaku e prej sofre, kështu që edhe tani Dibra e Mati po identifikoheshin me sofrën. Ajo ishte e drunjtë, siç ishin sofrat dibrane e matjane në kohë të mëparshme, e rrethuar me “shkàma”, stola, edhe këto prej druri, në lartësinë gati sa
të sofrës, të cilët shërbejnë për t’u ulur. Në mes të sofrës një pjatë gjizë me speca, një tas kos, bukë misri, pjata me hallvë…

Për dy ditë me radhë Pazari i Ri në Tiranë njohu Dibrën
me përfaqësimin më të mirë të saj: traditën, historinë, turizmin dhe prodhimet bio …

Pasdreke sheshi u stërmbush me njerëz. Përplot me njerëz që takoheshin, flisnin qeshnin, kujtonin dhe jepnin përshpypje rreth gjithë po ndodhte…

I gjithë organizimi u bë për promovimin e kulturës, traditës, historisë dhe të gjithë atraksioneve turistike që bartin këto treva përreth tyre. Kështu që ne duhet të bëjmë atë mundemi dhe dimë për Dibrën e Matin, dhe të mos presim vetë Panairet, sepse kjo është detyra jonë së pari, dhe pastaj detyrë e instancave qeverisëse, si në plan lokal dhe në atë qendror.

Dita e parë: Një sukses i pamenduar

Në mungesë të shkuarjes së Tiranës dhe vendeve të tjera të Shqipërisë në Dibër dhe rrethina, për dy ditë me radhë erdhi Dibra me vëllezërit e saj në Tiranë. Ata erdhën me gjithë çfarë mbartin, vlera dhe tradita të shumta, me produktet tipike vendase dhe me gjithë historinë çka mbartën ndër vite.
E shtuna e datës 8 prill mblodhi në sheshin e Pazarit të Ri Dibrën, Matin, Bulqizën dhe Klosin, që erdhën në mesin e Tiranës, me qëllimin kryesor: prezantimin e të shkuarës dhe të tashmes së tyre. Ora 1100 i gjeti ata tok së bashku si në kohët e vjetra. Fëmijë, të rinj, të rritur dhe pleq u mblodhën në “konakun” e Dibrës dhe Matit, të hapur në Tiranë dhe pritën e u përcollën nga dibranë, tiranas e matjanë, deri edhe të huaj.
Nuk kishte se si të niste ndryshe, veçse me këngë e valle të zonës, së pari me këngën matjane dhe mandej me valle. Sapo kishin filluar të mblidheshin njerëzit, ndërsa stendat kishin sos parapërgatitjet e tyre. Përfaqësuesit administativë nuk mungonin dhe vendi po mbushej pak nga pak.
Në stendat e Peshkopisë nisje me mjaltë, tek në sfond të shoqëronte një muzikë çiftelie, sinkron me shijen e mjaltit. Mandej, kishte djathë, i zbritur nga bjeshkët e Gramës, të shquara për freski dhe produkte tërësisht natyrale dhe barin e pashkelur. Pak më tutje gjeje gatime: fli, sarmë, peta e byreqe prej misri e gruri. Dibranët e matjanët nuk pyesnin, thjesht përgëzonin, ndërsa të tjerë bombardonin me pyetje dhe zonjat përgjigjeshin me një farë krenarie, ndoshta mburrje nga vëmendja që iu kushtohej punëve të bëra nga duart e saj.
Pak më tej gjeje jufka dibre, ato që nënat dhe gratë dibrane shquhen që bëjnë më së miri. Duke ecur më tej, ndeshesh me një enë epike, vorbën. Kjo enë, para shumë vitesh gjendej në çdo shtëpi dhe përdorej kryesisht për zierjen e groshëve. Si e tillë, kjo enë, qëndronte gjithëherë, nga mëngjesi deri në darkë në zjarr. Pas rënies së përdorimit dhe thuajse humbjes së tyre, këto vorba i ka sjellë në jetë Marigleni, i cili e trashëgoi këtë zanat nga gjyshi i tij dhe me dëshirën, vullnetin dhe pasionin e tij, e zhvilloji më tej.
Ndërsa për të kaluar në krahun tjetër duhej të çaje, ku të tjerët të shtyrë nga kureshtja, ndërsa dibranët dhe matjanën të shtyrë nga nostalgjia dhe nga ndjenja e dashurisë kundrejt kulturës së tyre, ishin të gjithë në lëvizje.


Nga gratë dibrane nuk është lënë në harresë “punëdorja”. Ato kanë thurur copa të ndryshme, çentro, lloj-lloj çorapesh e shallesh prej leshi e materialesh të tjera dhe kishin ardhë për t’i ekspozuar punimet e tyre para banorëve të Tiranës dhe jo vetëm.
Në mesin e njerëzve që shoshisin nostalgjitë dhe kureshtitë e veta, gjenden të huaj deri edhe nga Azia e Largët, të cilët fotografojnë ato që brezat tonë i patën përditshmëri. Gjithçka po fotografohej e po filmohej. Njerëzit secili me nga një celular në dorë, të rinj e pleq, fotografonin mbi traditën shumë shekullore dibrane dhe matjane.
Madje kishte nga ata që fotografonin fotografi të kullave, liqeneve dhe urave, fotografi të cilat qëndronin ndanë stenave. Në kokat e njerëzve dalloni shpesh kësula Dibre, të cilat dëshmojnë një ekzistencë të lashtë të një kujtese që jeton dhe një trashëgimi që përçohet.
Në stendën e Matit qëndronte Dinastia Muharremi, e cila rrëfente një kohë të shkuar për t’u mburrur. Mati ka ardhë në Tiranë me çajra e ilaçe bimore, edhe me përpunimin e drurit, skulpturë prej druri: të gjitha me motive patriotike, ku në mes tyre spikat portreti i Heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, dhe bri shpatullës së tij një shqiponjë që veç ato male mund ta rrisin dhe ato duar t’i përpunojnë.
Në qendër të sheshit, njëjtë si në mesin e një ode, priste e përcillte një sofër. Historikisht shtëpitë njiheshin prej oxhaku e prej sofre, kështu që edhe tani Dibra e Mati po identifikoheshin me sofrën. Ajo ishte e drunjtë, siç ishin sofrat dibrane e matjane në kohë të mëparshme, e rrethuar me “shkàma”, stola, edhe këto prej druri, në lartësinë gati sa të sofrës, të cilët shërbejnë për t’u ulur. Në mes të sofrës një pjatë gjizë me speca, një tas kos, bukë misri, pjata me hallvë, etj
Krahas Matit, Klosi dhe më tutje Bulqiza, ashtu siç i ka vendos fati në pozitë gjeografike, ashtu siç kanë bërë në të shkuarën, po ashtu edhe sot bri njëra-tjetrës. Ndërkohë edhe grupet e tyre përkatëse folkorike nuk e ndalën vallen dhe këngën, duke promovuar bashkë me produktet e zonës edhe pasuritë etno-folkorike. Kulmi u arrit pasdreke, sheshi i stërmbushur me njerëz. Përplot me njerëz që takoheshin, flisnin qeshnin, kujtonin dhe jepnin përshpypje rreth gjithë po ndodhte. “U knaqëm” – thoshte dikush, “Vallahi po”-, ia priste tjetri. “Pse nuk asht bà ma para ky panair?”, – pyeste një tjetër.
Ndërsa dikush tjetër nuk mbetej me kaq dhe thoshte: “Sa mirë që po promovohet pasuria jonë!”
Çdo gjë shkonte për së mbari, shumë stenda u boshatisën, sepse gjithçka u shit, madje që ditën e parë. “Më duket se s’do kemi për të nesërmen” – thoshte ditën e parë të panarit Emrie Lata, zonja nga Peshkopia që në stendën e saj kishte reçel dhe komposto. Tërësisht me molla, kumbulla, qershi dhe thana, të cilat janë bio dhe të pakonservuara.
Stendat ishin të bllokuar nga njerëzit të cilët shikonin, pyesnin, blinin dhe në më të shpeshtë bënin foto.
Ora eci shpejt, sikur ta zhvendoste dikush dhe pasditja filloi t’i shpërndante njerëzit nëpër punët e veta. Sheshi filloi të zbrazej, stendat të boshatiseshin dhe siç pritej nga ora 4:30 u mbyll edhe dita e parë.

Dita e dytë: Traditë,
turizëm dhe histori

Edhe e diela e 9 prillit në sheshin e Pazarit të Ri ishte e dibranëve dhe matjanëve. Në të hyrë të sheshit, vargun e stendave e hapte Shtëpia botuese M&B me tituj të autorëve dibranë. Bri saj, Noka desing me kulla të ndërtuar në minaturë dhe më tutje punimet e të vetmes shkollë profesionale në qarkun e Dibrës, shkolla “Nazmi Rushiti”. Kështu vazhdonte vargu si një ditë më parë, duke kaluar tek stendat e Bulqizës, Matit, Klosit e së fundmi ato të Peshkopisë.
Në të njëmbëdhjetën e paradites sheshi filloi të mbushej sërish, por këtë herë diç më dendur. Kjo ndoshta, për faktin se ishte e dielë dhe të gjithë janë pushim. Sërish u mblodhën njerëz nga gjithë vendi. Sërish sofra në mes të sheshit me stolat përreth që kurrë nuk mbetën bosh. Çohej një dhe ulej një tjetër.
Edhe të dielën erdhën disa televizone, me ç’dukej panairi kishte tërhequr vëmendjen e duhur, dhe ndjehej interesimi jo vetëm i njerëzve të thjeshtë, por edhe i mediave kombëtare.
Afër në një mbajtëse fotografish, e ndërtuar posaçërisht për këtë rast, qëndronte mburrshëm Kulla e Zunës, ose ndryshe, siç njihet zyrtarisht “Baneza e Reshit Zunës”.
Dhe kur rrekeshe të shihje fotot, syri të ndeshte dhe foto nga Ura e Vashës, nga ku pritet të kalojë e famshmja mitike Rruga e Arbërit, aty pranë foto të bëra në Shkopet, në lumin Drin etj.
Në podium u ngjitën e performuan shumë të rinj nga Bulqiza, në fizarmonikë, flaut e kitarë, duke dëshmuar kështu se janë një brez që nxënë shpejt dhe kanë shpirt në art.
Më vonë u dëshmua se Dibra zhvillon edhe sporte të rralla, siç është tajkonodja, ku performun të rinj të moshave nga 6 deri në 15 vjeç.
Rrotull vështroje fëmijë të vegjël që kërcenin në ritmin e melodisë dibrane dhe zërin kumbues të këngëtarit Lirim Hoxha, i cili mbajti shumë njerëz para podiumit. Ndërsa tek të gjithë fëmijët mbanin në duar një smartfon ose një tablet, në një qoshk si për habi, një djalë i moshës 5-vjeçare mbante në duar një kalli misri të bardhë. Dhe që sot fëmijët as që dinë se kjo bimë për breza të tërë ka mbajtur gjallë shpirtin e paraardhësve.
Të tjerë të rinj silleshin rrotull kur hapësirat po liroheshin dhe dikush mbante në dorë një çifteli, dikush tjetër fletëpalosje për vendet turistike të Bulqizës, një tjetër të Matit.
Tek pasditja erdhi dhe sheshi sërish nisi të zbrazej, tek-tuk filluan të zbrazen edhe stendat, madje edhe të shkrehen dalëngadalë. Kështu u sos edhe dita e dytë e Panairit të ditëve dibrane dhe matjane në Tiranë.

Pas panairit

Shumë u shitën në dukje, por shitja mbetet vetëm në panair, sepse më tej gjërat vështirësohen. Produktet dibrane nuk gjejnë treg masiv dhe kështu tregtarët dhe prodhuesit dibranë e matjanë përgjunjen. Kjo për arsyen kryesore sepse produktet fabrikate dhe produktet e importuara i konkurrojnë në çmim ato vendase dhe bio. Faktor tjetër vendimtar bëhet edhe distanca fizike që zona e Dibrës ka me metropolin, shto këtu edhe prodhimin me pakicë të prodhuesve të vegjël, duke mos pas guximin ose kapitalin për investime më të mëdha. Kështu nuk munden të bëhen marrëveshje bashkëpunimi ose kontrata si afatgjata apo afatshkurtra.
Kur fillon e bën disa bilance, gjërat nuk duken syresh edhe aq bukur. Panaire janë bërë, por jo në këto përmasa, kështu që le të shpresojmë se mund të ndryshohet diçka.
Në të vërtetë potenciali është, por investimet janë të pakta, si në aspektin zhvillimeve të zejeve, po ashtu edhe në zhvillimin e sektorëve turistik edhe në marketingun që iu bëhet atyre ekzistuesve.
Edhe për turizmin gjërat vështirësohen kur është i papromovuar. Turizmi nuk është në nivelin e dëshiruar ose më saktë nuk iu përgjigjet pritshmërive. Përgjatë panairit u shpërndanë broshura dhe fletëpalosje, duke bërë kështu një hap përpara në këtë aspekt. Por mosndërtimi i Rrugës së Arbërit e ka aneksuar larg turizmit verilindjen e Shqipërisë.
Pas diskutimit ditëve të fundit për ndërtimin e kësaj rruge, disa ekspertë përfolën që kjo rrugë nuk i shërben ekonomisë shqiptare. Nëse do të gjesh një vend ku i ka të gjitha llojet e turizmit, veç atij detar, është pikërisht kjo zonë. Duke nisur kështu me turizëm të gjelbër, të bardhë, alpinizëm, ujëra kurativë, monumente të shumta kulturore dhe natyrore, që zotërinjtë, nëse i kanë vizituar dikur, duhet ta bëjnë sërish, e nëse jo, duhet patjetër ta bëjnë herë para ndërtimit të Rrugës së Arbrit dhe kështu të do ua dinë kimetin.
I gjithë organizimi u bë nga Agjencia për Zhvillim Rajonal 2, Connecting Natural Values & People, Sweden, dhe katër bashkitë e qarkut të Dibrës për promovimin e kulturës, traditës, historisë dhe të gjithë atraksioneve turistike që bartin këto treva përreth tyre.

Flavia Goleci, më e vogla që përfaqësonte Dibrën në Tiranë

Flavia Goleci ishte më e vogla që përfaqësonte Dibrën në Panairin e Ditëve dibrane e matjane në Tiranë. Ajo është nxënëse në klasën e tretë në shkollën “Demir Gashi”, vetëm 10-vjeç, dhe bëri disa role shumë të bukura. Ajo jo vetëm recitoi shumë bukur, por edhe këndoi, kërceu, duke rënë në sy për talentin dhe dashurinë për kulturën dhe traditën dibrane.
Flavia u pa herë pas here edhe me një shportë në dorë, mbushur me karamele, me të cilat qeraste vizitorët, duke ëmbëlsuar kështu pjesëmarrësit në panair.