Le të ma tresë trupin tim, dheu i Sofraçanit


Këto ishin fjalët e fundit të Xhelal Roçit. Xhelali u lind në fshatin Sofraçan Njësia Administrative Zerqan, rrethi Bulqizë në një familje atdhetare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje , ndërsa atë 7 vjeçare në Shupenzë. Në vitet 1957 – 1962 punoi në ndërmarrjen e grumbullimit Shupenzë. Në vitet 1962 – 1965 kreu shkollën e Bashkuar të Oficerëve të Ministrisë të Punëve të Brendshme në Tiranë me rezultate shumë të mira. Në periudhën gusht 1965 – 1992 punoi oficer i Sigurimit të Shtetit, kryesisht në rrethin e Dibrës dhe ka kryer detyra të ndryshme. Gjatë kësaj kohe, pa u shkëputur nga puna, dha provime plotësuese dhe mbaroi kështu arsimin e lartë në degën përkatëse. Por arsimimi i tij nuk merr fund këtu. I ngacmuar nga etja për dije, bëri që në vitin 1976 të mbarojë edhe Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër në degën Histori Gjeografi dhe u diplomua mësues i Histori Gjeografisë. Në vitet e punës së tij si oficer i sigurimit të shtetit, Xhelali u vlerësua si kuadër me moral të lartë, korrekt në detyrë, i thellë në mendime i zgjuar, dhe i vendosur ne zgjidhjen e situatave të ndërlikuara dhe me kompetencë, i përpiktë në zbatimin e ligjit, gjithmonë i dashur dhe i sinqertë me popullin.
Pasi e kreu me sukses detyrën si oficer i sigurimit të shtetit , në vitin 1997, Xhelali nisi rrugën e bukur të mësuesisë . Emërohet mësues i historisë e gjeografisë në shkollën 8 vjeçare Katund i Ri Luzni dhe një vit më pas në shkollën e mesme Gjergj Kastrioti, Kastriot të Dibrës dhe në vazhdim në shkollën e mesme Pedagogjike Peshkopi. Pasi doli në pension punoi në shkollat 8 vjeçare “Demir Gashi” Peshkopi dhe në Dovalan. Xhelalit i pëlqente shumë profesioni i mësuesit, e veçanërisht ai i histori gjeografisë. Gjithmonë i dashur me nxënësit, korrekt në shpjegimin e fakteve historike, i saktë në përcaktimin e atyre gjeografike. Në odat dibrane ku ai ndodhej shpesh herë, ndiqte me vëmendje bisedat dhe dialogët e burrave të mëncur. Alegoritë dhe metaforat që përdoreshin aty, i sherbyen për thellimin e arsyetimit e të gjykimit për dhënien udhë problemeve që i dilnin përpara në jetë.
Po ashtu u tregua i palodhur në mbledhjen dhe studimin e pasurive gjuhësore , historike dhe folklorike të rrethit. Xhelali shkëlqeu edhe në fushën e krijimtarisë. Botoi disa shkrime në organet e shtypit të kohës, si; “ Ushtima e Maleve’’, “Luftëtari’’, “ Në shërbim të popullit’’, “Zëri i Popullit’’, “Bashkimi’’, në revistat, “ Ylli’’, “Nëntori’’, dhe pas përmbysjes së diktaturës, brenda dhe jashtë vendit; “Kushtrim Brezash’’, “Rruga e Arbërit’’, “ Magazina Familjare e Shkupit’’. Ka botuar librin ’’Mision i Posaçëm’’. Faqosi dhe bëri gati për botim monografi për Faik Shehun e Peshkopisë si dhe libra me karakter historik për organet e zbulimit, dhe të kundrazbulimit gjatë kohës së Zogut, gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare , lufta me bandat dhe mbeturinat e reaksionit, një libër me tregime, beri gati për botim ditarin; Me detyrë në Mirditë; la në përfundim; Monografi për vendlindjen, Sofraçan. Por një pjesë e mirë e këtyre krijimeve për arsye të ndryshme, nuk e panë dritën e botimit, me gjithë dëshirën e madhe të tij, mbetën vetëm dorëshkrime.
Xhelali ka mbajtur për disa vite postin e sekretarit të komitetit të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në çdo mbledhje që zhvillonte ky komitet, ai ka mbajtur kumtesa, referate, ka shkruar informacione, portrete për luftëtarë trima e të zgjuar , të cilët janë botuar kryesisht në gazetën Kushtrim brezash. Ka marrë pjesë në veprimtari të përbashkëta me Lidhjen e Luftëtarëve të Dibrës së Madhe. Këtu ai ai ka treguar vlerat e tij si historian i kohës. Xhelali qe një kryefamiljar model, një bashkëshort i devotshëm, një baba i mrekullueshëm, një edukator i pazëvendësueshëm, një shok i dashur, gojëmbë, i sinqertë e tolerant dhe i papërtueshëm. Por ja që 24 shkurti u tregua i pabesë, ashtu siç thuhet, në mënyrë krejt të papritur e mori.
Xhelali banonte në Peshkopi prej shumë vitesh, por malli për vendlindjen e ngacmonte vazhdimisht, ndaj dhe dëshironte që trupi i tij të prehej në Sofraçan. Dhe kështu ndodhi. Varri i tij ndodhet në verilindje të fshatit, poshtë Majës së Qytezës së Sofracanit , aty ku kalonte rruga e vjetër e karvanëve; Dibër e Poshtme Gropat e Ujkut Qyteza e Sofracnit dhe më në jug bashkohej me Rrugën e Arbërit. Lamtumirë Xhelal. Ti ike , por ne na le mallin Tu bëftë shpirti dritë, se dritë ishe. Ngushëllime familjes.