Skënder Farrici, njeriu i kontributeve dhe i vlerave qytetare


Skender Farrici

Ish-mjeshtri duarartë, Skënder Farrici, banor i qytetit të Burrelit është njëri nga më të njohurit e shumë i respektuar për banorët e gjithë grupmoshave në rrethin e Matit. Ai në vite deri sa doli në pension punoi në repartin e Shërbimeve Komunale Burrel për prodhimin e këpucëve me porosi.
Skënder Farrici është lindur më 13 prill 1942 në qytetin e Tiranës në një familje me tradita të hershme atdhetare, patriotike, luftarake, punëtore e bujare. Babai i tij, Hasan Farrici, nga fshati Vinjoll i rrethit Mat ka qenë një kuadër ushtarak me karrierë në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare dhe pas çlirimit në Ushtrinë Popullore, i arsimuar në Akademinë Ushtarake në Itali nën specialitetin e xhenierit.
Pushtimi i Shqipërisë më 7 prill 1939 nga Italia fashiste e gjeti jashte vendit, në Itali, ku po ndiqte një kurs specializimi ushtarak për oficerët me perspektivë për të punuar në shtabe të shtabmadhërisë. Pushtimi i vendit e indinjoi shumë dhe menjëherë u pozicionua në rreshtat e kundërshtarëve midis studentëve shqiptar në protesta e demonstrate të organizuara posaçërisht, duke iu bërë krah patriotit matjan, Shahin Toçi nga fshati Urxallë i Matit, i cili u vra me pabesi, pas shpine nga forcat e milicisë italiane (SIMI), sepse ai nuk pranoi të bënte betimin për flamurin dhe mbretin italian. Për këtë akt patriotik të studentëve shqiptar edhe Hasan Farrici u ndëshkua me internim në një ishull të Italisë. Pas lirimit nga internimi kthehet në atdhe dhe menjëherë u lidh ngushtësisht më lëvizjen dhe më LANÇ, duke kontribuar në këtë luftë deri sa u arrit përfundimi, fitorja e lirisë. Këto veti e cilësi të larta që Hasani kishte, me shumë kujdes e me shumë këmbëngulje ia transmetoi dhe ia brumosi edhe të birit, Skënderit, i cili kur e kujton të atin shkrehet në lot dhe me zë të ngjirur thotë: “Ne, unë dhe babai, përveçse ishim babë e bir, ishim me njëri-tjetrin edhe shokë shumë të mirë”.
Skënderi tashmë një pjesë të jetës së tij si banor e kalon në qytetin e madh e të bukur të Torinos, sepse atje nga e ëma është nip. Babai Hasani kur ishte me studime në Itali, në Akademinë Ushtarake, u njoh me një vajzë me emrin Karolina (Nini) Festi, nga Piemonti, me të cilën u dashurua dhe më pas u martua duke krijuar familjen e re nga e cila rrjedh edhe vetë Skënderi, me vëllain Ideali dhe motra Donika.
Skënderi jo vetëm si një punonjës, aktivist i dalluar, ai shquhet si një familjar e prind shembullor. Lidhja dhe krijimi i familjes me Naxhien, bijë kjo te një derë e nderuar e familjes Valteri në Vinjoll, lindën, rritën dhe edukuan mrekullisht 6 fëmijë, respektivisht djemtë: Viktorin, Robertin, Maksin dhe vajzat: Majlindën, Aurorën, Xhulia, të cilët sot janë në emigracion, të integruar plotësisht në Itali. Atje ata kanë krijuar familjet e tyre dhe kanë demonstruar vlera të larta qytetarie në qendrat e punës e shoqëritë e tyre. Ai u gëzohet shumë nipërve dhe mbesave: Agron, Mateo, Alesandro, Vivjana, Klevia, Gabriele, Trevis, Tomas, Davide, Karola, Matias, Gaia, që aq shumë e duan dhe e respektojnë.
Për kontributin e veçantë që Skënderi ka dhënë ndër vite, Këshilli i Bashkisë i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi i Bashkisë Burrel” me motivacionin si organizator shoqëror dhe si qytetar me vlera të larta civilizimi e qytetarie. Po ashtu është vlerësuar me çërtifikatë mirënjohje nga Shoqata Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë, dega Mat.
Atje në Torino është bukur, shprehet Skënderi, por këtu në Burrel unë kam kaluar 60 vjet, eshte edhe me bukur, eshte mrekulli e madhe, prandaj vendbanimi im i përhershëm është dhe do të mbetet ky qytet dhe ruaj shumë kujtime të bukura që nga fëmijëria ime e hershme.
Ajo që na bëri përshtypje për të shkruar këtë shkrim janë disa episode interesante dhe humane. Në vitin 2013 në bashkëpunim me Bashkinë Burrel dhe Fondacionin “Peaçe Corps Albania” dhe me Kryqin e Kuq Shqiptar Mat, Skënderi ndihmoi me bazë materiale për mobilimin e qendrës së trajnimit për grupmoshën e tretë, e cila u hap afër Pallatit të Kulturës Burrel.
Gjatë ceremonisë që u mbajt pranë kësaj qendre përshëndetën e falenderuan disa pjesmarrës. Në mnëyrë të veçantë për aktin human të Skënder Farricit u ndal dhe ish-kryetarja e Bashkisë znj.Adelina Farrici. Ajo vlerësoi aktin e tij si një vlerë njerëzore e humane. Z. Skënder Farrici vazhdon ta thellojë aktin e tij human. Para disa kohësh qytetarit Ahmet Kola iu dogj shtëpia me të gjitha pajisjet, duke e lënë në qiell të hapur së bashku me familjarët e tij. Kjo preku thellë të moshuarit e qytetit Burrel. Për të mbledhur ndihma për familjen Kola u ngrit një komision i posaçëm. Ndër të parët që kontriboi qe Skënder Farrici. Ai nuk është biznesmen, por është human e njerëzor, si i tillë mundohet të bëjë mirë dhe të ndihmojë njerëzit në nevojë.
Dhe së fundmi ajo që ka rëndësi është sponsorizimi në vlera të konsiderueshme financiare në rreth 2 milion lekë të reja për rikonstruksionin e godinës së banimit familjar me një grup prej 4 familjesh duke e përshtatur atë me kërkesa bashkëkohore të një vendi të zhvilluar europian. Këtë sponsorizim e bëri nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë e humanizmit dhe e dëshirës për të patur një shije estetike ku dhe vetë është banor i saj. Jo vetëm financimi, por ai tregoi dhe tërë kujdesin për sigurimin cilësor të materialit të punimit me cilësi të lartë, duke e shoqëruar mjedisin jashtë me gjelbërim, lulishte në funksion të çlodhjes së banorëve.
Me këtë rast të gjithë banorët e këtij pallati të mëdhenj e të vegjël e urojnë z.Skënder në këtë 75-vjetor të lindjes, të ketë jetë të gjatë e të lumtur familjarisht, duke i premtuar se akti i tij human jo vetëm do të mbahet mend gjatë, por do të kujtohet e respektohet gjithmonë si një vlerë e shtuar qytetarie në qytetin e Burrelit, që figura e tij do të jetë pikë referimi ndër breza.