Dilemat e mëdha tonat dhe rrugës së Arbrit


Rruga e Arbërit nuk arriti të bëhet nga qeveritë që kanë ardhur njëra pas tjetrës në këto vite të tranzicionit demokratik, përfshirë edhe premtimin më të fundit të bërë nga qeveria aktuale. Dibranët, dhe jo vetëm ata, janë zhgënjyer shumë nga këto premtime dhe janë tashmë shumë mosbesues nëse kjo rrugë do të bëhet ndonjëherë. Mosbesimi është edhe më i madh përsa i përket përmbushjes së standardeve të nevojshme të Rrugës, edhe sikur ajo të mund të bëhej.
Në një takim që organizoi këto ditë grupi i Peticionit per ndërtimin e Rrugës së Arbërit ,u hodhën disa mendime se ç’mund të bëjnë veçanërisht Dibranët në këtë situatë. Mendimet u fokusuan kryesisht në tre drejtime: së pari, përkundër përpjekjeve të pandershme se ndërtimi i i Rrugës nuk është fizibël, duhen përsëritur pa u lodhur analizat dhe argumentat për vlerat e mëdha ekonomike dhe përfitime të tjera të mëdha që ajo ofron për Dibrën, për Tiranën e më gjërë; së dyti, duhet të rritet me të gjitha format presioni ndaj qeverive për ndërtimin e saj, përfshirë përdormimin e pjesëmarrjës në zgjedhjet parlamentëre; së treti, të zyrtarizohet me transparencë projekti i Rrugës, së bashku me financimin e saj dhe sigurinë që ajo do të përmbushë standardet e nevojshme.
Vetë pjesëmarrja e pakët në takimin e lartpërmendur ishte një tregues se lojërat me ndërtimin e Rrugës kanë vënë në dilemë besimin e njerëzve për ndërtimin e saj dhe kanë dekurajuar shumë prej tyre për efektin e çdo presioni të mundshëm ndaj politikës. Pa u treguar pesimist, mendoj se presioni popullor mund të ketë efekt vetëm kur ai organizohet mirë dhe shkund indiferencën e njeëzve. Megjithatë, mendoj se dilemat për ndërtimin e Rrugëssë Arbërit do të mund të zgjidhen bashkë me hapat reale të progresit të vendit tonëpër tëzgjidhur tre dilemat e saj mëtë mëdha, të cilat përfshijnë:

1. Dilema për qeveri dhe forca politike të përgjegjëshme dhe të moralshme.
Premtimet nga partitë politike gjatë fushatave zgjedhore dhe mosmbajtja e premtimit kur ata kanë ardhur në qeverisje, tregojnë për papërgjegjshmëri të tyre. Madje, morali politik i tyre gjatë qeverisjes është rënduar më tej sepse ata kanë mbajtur të gjallë shpresën e popullit për ndërtimin e Rrugës duke hedhur shpesh për konsum informacione për bisedime “të suksesshme” me financues të huaj të këtij projekti, afate për fillimin “patjetër” të punimeve etj. Por, të gjithë këto informacione kanë rezultuar të pavërteta më pas, shpesh duke u justifikuar me lloj-lloj pengesash që gjoja dolën dhe bënë të pamundur ndërtimin e Rrugës, megjithëse vullneti politik ekziston! Në fakt, nuk jemi më të sigurt nëse ekziston ky vullnet !
Si zgjidhet kjo dilemë e parë ?
Për t’i bërë të përgjegjshme forcat politike dhe qeveritë, populli duhet të ndërgjegjësohet për të mos votuar ato forca politike që mendon se janë kompromentuar më shumë në qeverisje, përfshirë edhe kompromentimin për mosndërtimin e Rrugës së Arbërit. Dilema për qeverisje të përgjegjëshme zgjidhet duke rritur përgjegjshmërinë e zgjedhësve për të zgjedhur kandidatë të moralshëm.
Zgjidhja e dilemës së parë varet edhe nga dilema e dytë që vijon.

2. Dilema për konsolidimin e vërtetë të demokracisë.
Dikush mund të pyesë: po çfarë lidhje la konsolidimi i demokracisë me ndërtimin e Rrugës së Arbërit ? Unë argumentoj se ka shumë lidhje, madje më shumë nga sa mendohet. Logjika e këtij argumenti mund të shtjellohet si vijon: papërgjegjmëria e klasave politike e ka burimin e saj më të madh tek mekanizmi i demokracisë së dobët që funksionon tek ne, duke filluar nga kompromentimi i zgjedhjeve parlamentare apo vendore, që fillon me përzgjedhjen nga kryetari i partisë i mjaft deputetëve të korruptuar e të pakualifikuar, por që i sheh si më besnikë ndaj ndaj tij, dhe përfundon me një proces votimi e numërimi tëmanipuluar të votave. Pas kësaj, me deputetë qënuk guxojnë të dalin jashtë orkeseve dhe interesave të kryetarit, çdo program dhe politikë e përcaktuar nga ai mbetet pre e orekseve të kryetarit. Dhe, siç duket, Rruga e Arbërit ndodhet në një cep të padukshëm të menusë qeverisëse të kryetareve të partive ! Ja pra që konsolidimi i demokracisë ka shumë lidhje me hapa konkretë në konsolidimin e demokracisë.
Si zgjidhet kjo dilemë e dytë ?
Së pari, duhet pastruar sistemi gjyqësor në mënyrë që të përcaktohet saktë pastërtia e figurës së çdo kandidati për deputet. Së dyti, duhet rinovuar elita politike dhe duhet riformatuar morali politik i partive. Së treti, duhet të forcohet integritet i përcaktimit të deputetëve cilësor dhe i gjithë procesit zgjedhor, si kushte që do të garantojnë më tej një qeverisje shkencore e të përgjegjshme të vendit. Një qeverisje e tillë do të përcaktonte prioritete të peshuara drejt edhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Dhe Rruga e Arbërit nuk kishte si të mos përfshihej midis këtyre prioriteteve.
Edhe zgjidhja e kësaj dileme të dytë varet nga dilemë e tretë si vijon.

3. Dilema e konsolidimit të një shoqërie tëqytetëruar.
Asnjë nga dy dilemat e mësipërme nuk mund të zgjidhet nëse në vendin tonë nuk do të bëjmë hapa konkrete në konsolidimin e shoqërisë civile, të organizuar për të reaguar aktivisht në nënyrë demokratike për t’i dhënë fund deformimeve të demokracisë dhe të qeverisjeve. Një shoqëri e vërtetë civile është garancia më e madhe për të mbrojtur popullin nga plotfuqishmëria e shtetit, sipas një përcaktimi themelor të terorisë së demokracisë.
Nëse partitë nuk do të zgjidhin procesin e përzgjedhjes së deputetëve me integritet, atëhere duhet të shfrytëzohet një klauzolë që përcakton Kushtetuta e Shqipërisë për përcaktimin nga një grup zgjedhësish të kandidatëve të pavarur për deputetë. Deputetë të tillë, të përzgjedhur nga populli ndërmjet njerëzve më të ndershëm e intelektualë të spikatur, të pavarur nga kryetarët e partive, do të ngrinin pa frikë zërin në Kuvendin e Shqipërisë për çdo problem që përbën prioritet të vërtetë për të mirën e vendit, përfshirë edhe për Rrugën e Arbërit. Madje, po të mund të kishte në Kuvend një numër deputetësh të pavarur, ata do të kishin forcë të bllokonin realisht politika të padrejta si dhe të ndërmerrnin nisma ligjore dhe programore në dobi të zhvillimit të vendit, ndërmejt të cilave edhe garantimin e ndërtimit të Rrugës së Arbërit. Natyrisht, kryetarët e partive dhe deputetët që kanë zënë rrënjë në listat e partive dhe në Kuvend do të bënin gjithçka munden për të minuar procesin e zgjedhjes së kandidatëve të pavarur.
Por, përveç politikës, mbase edhe në si popull nuk kemi arritur në atë stad zhvillimi që të shfrytëzojmë mekanizma të tillë që jep Kushtetuta demokratike. Kam përshtypjen se, po të hynte në garë një kandidat i pavarur për deputet, vota e zgjedhësve do të përçahej sepse mjaft zgjedhës janëtë lidhur për interesa pas partive tradicionale. Madje do të kishte probleme që në momentin e përcaktimit të kandidatit të pavarur, sepse do të hynin në veprim preferencat krahinore e farefisnore. Kështu që votë për kandidatin e pavarur do të përfundonte si kokoshi një thelë. Për të mos thënë pastaj se kandidatë të tillë, edhe po të kishin siguruar votat në kutitë e votimit, nuk do të kishin të garantuar se ato do të numëroheshin drejt.
Si zgjidhet kjo dilemë e tretë ?
Pjesa më progresive e shoqërisë, intelektualë dhe njerëz të ndershëm duhet të rrisin rolin e tyre aktiv për të konsoliduar shoqërinë civile, si dhe për ta aktivizuar atë në aksione që i bëjnë presion politikës, që garantojnë proces zgjedhor të besueshëm, duke filluar me një kod zgjedhor të qartë e demokratik, që siguron edhe numrimin e saktë të votave. Nga ana tjetër, vetë ne si popull duhet të pastrojmë veten nga interesa të ngushta dhe të mendojmë më tepër për të mirën e përbashkët sepse vetëm arritja e standardeve më të larta në shoqëri mund të garantojë perspektivën e secilit prej nesh, dhe veçanërisht atë të fëmijëve tanë e të brezave që vijnë.
Historia e vendeve më të zhvilluara e të qytetëruara dëshmon se progresi në zgjidhjen e kësaj dileme të fundit të qytetërimit të shoqërisë do të hapte një autostradë të sigurt në zgjidhjen e dilemave të tjerave drejt demokracisë, mirëqeverisjes dhe të progresit të gjithanshëm të vendit tonë, përfshirë garantimin e realizimit të projektit të Rrugës së Arbërit dhe të projekteve të tjerë të rëndësishme kombëtare.