Dita e Shëngjergjit


“Kërcunën më të madhe, ruaje për Natën e Shëngjergjit”, thoshte zakonishti im gjysh. Nëse do zbërthejmë kuptimin e kësaj sentence popullore, do kuptojmë se kemi të bëjmë me diçka që i vë kapakun dimrit, dhe pas saj pritet të kemi të ngrohtë të sigurt. Pikërisht ky kapak është festa e Shëngjergjit.
Etimologjia e kësaj fjale është e besimit katolik (shën- shenjt) Duke qenë se kjo festë festohet edhe në zonën e Dibrës, e cila është e një shumice kryesisht myslimane, dëshmon qartë harmoninë fetare dhe njësimin që kanë këta njerëz me njëri tjetrin.
Por si lindi kjo festë dhe si erdh deri në ditët tona? Festa e Shëngjergjit i ka rrënjët që në kohën e Ilirisë dhe është festë tipike Ballkanase. Shën Gjergji pretendohet që është një nga shenjtët më të mëdhenjë krishterë. Ai mendohet të ketë lindurë në Azi dhe të ketë jetuar mes viteve 200-300 e.s, dhe nga nderimet që iu bënë atij, duke qenë se u flijua në emër të fesë, lindi vetiu festa e Shën Gjergjit.
Lidhja më e fortë kuptimore që i bëhet kësaj feste me Shqipërinë është mendimi se Skënderbeu, lindi më 6 maj 1405 dhe duke qenë se lindja e tij përkoi me festën e Shën Gjergjit, ia vendosën emrin Gjergj.
Në Dibër festa e Shëngjergjit festohet në datën 5 maj ku është Nata e Shëngjergjit dhe me 6 maj ku është Dita e Shëngjergjit. Qasja kundrejt kësaj feste është e ndryshme prandaj edhe mënyrat e festimit nuk janë kudo të njëjta dhe fikse.
Ato që këtë festë ia atribuojnë blegtorisë, që më 5 maj, “fryjnë” kripë dhe jua japin bagëtive të nesërmen në mëngjes, me pretendimin për t’ju ec mbarë dhe me plas syun e keq. Në fakt “fryrja” është e njohur në Islam, por jo duke ja atribuar kësaj feste. Të tjerë ose bëjnë truska, ose ju vendosin bagëtive drynj të vegjël dhe hudhra në kokë . Edhe këto bestytni që medohet se sjellin mbarësi dhe largojnë mësyshin.
Mëngjesi i 6 majit duhet ta gjej një qingj të therur, atë më të mirin e tufës, i përcaktuar kohë më parë, dhe që flijimi i tij mundet të jetë ogur i mbarë për të gjithë tufën. Mandje ky qing, ose dash, iu shpërndahet një pjesë prej tij të varfërve dhe të afërmve. Kujtojmë këtë rast frazën popullore “Je bërë si dash shëngjergji”, ku mbikuptohet këtu, që qingji ose dashi i Shëngjergjit rritet dhe mbahet veçan tufës.
Ndërsa një palë tjetër këtë festë ia atribuojnë natyrës, dhe lahen me ujë në të cilin kanë kanë hedhë petale lulesh nga më të ndryshmet. Natën e Shëngjergjit, vajzat, përgatisin thërrime buke me vezë të thërrmuata dhe shkojnë grupe-grupe të ushqjenë mizat e tokës (thënglat). Ndoshta në shenjë falenderimi për atë çka natyra na fal.
Sidoqoftë për Shëngjergj të gjithë zgjohen herët, dhe kjo ndodh zakonisht me gratë, bëjnë punët e shtëpisë dhe i përqëndrohen gatimit. Nuk mundet të mungojë flija, petullat, jukat dhe petat e ndryshme.
Zakonisht gjyshja, mbaj mend të bënte petë misri me hithra çdo Shëngjergj, pasi këtë kohë hithrat kishin një gjethe të butë por edhe shumë të shijshme. Kuleçë të ndryshëm dhe gatime të tjera të llojeve dibrane e jo vetëm.
Dita e Shëngjergjit në Dibër, festohet thuajse si festa të tjera, me një rëndësi gati të njëjtë me Ditën e Verës dhe me Ditën e Sulltan Novruzit. Vendosja e Perandorisë Osmane në Shqipëri, dhe veçanësisht në Dibër, ndërtoi veç xhamive edhe tyrbe e teqe të ndryshme. Pak nga mosdija fetare dhe pak nga ndikimi turk, dibranët filluan ti frekuentonin teqetë dhe tyrbet por edhe “varret e mira” në mënyrë sistematike thuajse çdo festë. Kështu që edhe në përafri të festës së Shëngjergjit, dibranët (një pjesë e mirë prej tyre) vizitojnë këto vende me shpresën që të gjejnë paqe dhe mbarësi në të ardhmen. Në Shqipëri, kjo festë mori konotacione të ndryshme dhe mënyra ndryshe festimi. Duke parë mënyrën se si festohet sot, mund ta konsiderojmë në trupin vet si një festë pagane.
Nëse natyra premton një kohë të çelët të rinjtë dhe të rejat në zonat rrumbullak Dibrës, nuk e lënë të shkojë dëm dita e kësaj feste. Nga paraditja e hershme dhe deri në pasditen e vonë ata pushtojnë lëmat. dhe në mungesë të tyre sajojnë ndonjë arë apo djerrinë dhe lluajnë lojra nga më të ndryshmet. Në lojra nuk ngelet jashtë asnje grupmoshë.
Në fshatin tim (Sohodoll), mbaj mend që 10 ditë para ardhjes së Shëngjergjit të rinjtë e dy lagjeve të Sohodollit të Vogël dhe Atij të Madhit, “ziheshin”, me fjalë e bejte të trashëguara nga më parë ose të sajuara aty për aty dhe me kapsolla të llojeve dhe madhësive të ndryshme.
Nata e Shëngjergjit vjen me fundin e “luftës” mes lagjeve, deri në vitin tjetër por çuditërisht pa asnjë fitues e humbës.
Dikush kësaj “beteje” i jep konotacion të tillë që: kjo i referohet Ditës së Dëshmorëve të Kombit. Ndërsa të tjerë thonë ka ekzistuar me kohë. Por gjithsesi vitet e fundit është zbehur, për të mos thënë, harruar. Kështu në fshatin tim dita e Shëngjergjit i vë kapak “luftës” dhe “dimnit”.
Kjo mënyrë të festuari të kësaj feste nuk është pos tjetër kujtesa ime, e gjyshërve të mi dhe ajo çka mund të gjenden tek-tuk të shkruara nga ndonjë studiues. Por sigurisht që kjo festë do jetë ndërkallur nëpër trajta dhe regjime kohërash të ndryshme duke na e sjell në të tillë formë të sotshme.
Duke qenë se po kalojmë një prill disi të ftohtë, le ta mbajmë “kërcunën më të madhe për Natën e Shëngjergjit”.