ABDURAHIM ASHIKU,
një jetë në gazetë


Ishim ulur në një stol dhe kundronim dallgët që ngriheshin, shpërthenin si fishekzjarrë stërkalash të bardha e shuheshin në bregun shtrirë mbi guralecë shumëngjyrësh. Gjiri i Sarantit i ngjan nallçës së hekurt të kalit të legjendës në hapin e parë të shndërrimit nga qenie detare në tokësore.
Pamjen e gjerbnim si ta kishim në filxhan tre vetë, sup më sup ngjeshur; unë, Shpëtimi dhe Eqremi. Ata prej Librazhdi e unë prej Dibre. Më shkon biseda me ta, më ngroh miqësia e tyre.
Sa herë takohemi kam dëshirë të gërryej në zgafellen e jetës së tyre, jetë njerëzish të punës e djersës së kulluar. Kam shkruar për ta, një libër të tërë kam botuar, “Rrëfimet e komshiut”. Mbase botoj edhe një të dytë. Tregimet e tyre janë si gurrë malesh që rrjedh e zbardh gurë.
Kësaj radhe këmbëngulshëm kërkuan të lëviz gurin që mbyll zgafellen e jetës time, asaj të lidhur me shtypin, faqeve të gazetave…
Kërshëria e tyre u zgjua kur unë u thash se këtë vit mbushen 60 vjet nga shkrimi im i parë…
Po u përgjigjem pyetjeve të tyre, përgjigje për ta por edhe për të tjerë që në jetë i desha dhe i dua. E them këtë sepse po nuk deshe, po nuk dashurove, nuk mund të lidhësh as fjalë e as fjali pa le pastaj të hapësh themele e të ngresh godina miqësie.

Shkrimi im i parë?
Shkrimi im i parë është shkruar në maj të vitit 1957 dhe është botuar më 8 maj të atij viti në gazetën “Sporti popullor”. Iu luta Ali Hoxhës, një mikut tim nga Çidhna e Dibrës që për adresë dite ka Bibliotekën Kombëtare, të kërkojë në koleksionin e “Sportit Popullor” . I dhashë si kohë pranverën e vitit 1957. Mbaja mend mirë që pikërisht në atë pranverë, nxënës i shkollës së mesme bujqësore kisha qenë pjesë e një marshimi nga Fieri në Pojan, marshim disa orë në këmbë mes fushës së bukur të Myzeqesë e kodrave që rrethojnë perlën e sotme, Apoloninë, në veçanti nga pasuria e pashoqe arkeologjike. Asokohe Apolonia ishte e fshehur nën tokë, e mbuluar me gjelbërim, e mbuluar me histori e mistere, me kujtime përcjellë brez pas brezi. Më kujtohet kisha në kodër, një kishë e vjetër në mjediset e së cilës nuk e di pse ndjeje të ftohtë. Në mes të asaj natyre të qetë, të peizazhit që të sillte në sy e shpirt fushën dhe detin, gjelbërimin me lulet e majit dhe kaltërsinë me dallgët e bardha, mu ngjall dëshira të shkruaja. Ishin fjalët e para por edhe të fundit që shkruaja për atë vend. Mund të pohoj se edhe pas 60 vjetësh në kujtesë kam tërësisht Apoloninë e asaj dite. Në udhëtimet e gjata të jetës time nuk jam kthyer asnjëherë atje, nuk e kam parë e jetuar Apoloninë e ditëve tona me mrekullitë arkeologjike.
Aliu, tepër korrekt, ma solli shkrimin tim të parë të fotografuar. E kam në kujtesën kompjuterike mes relikteve të jetës.
Shkrimi im i parë! Nga ky e nisa kërkimin, madje nga kjo nisem që ta kërkoj jetën time nëpër faqet e gazetave gjatë tërë këtyre gjashtëdhjetë vjetëve. Më mirë se sa ta shohësh veten nëpërmjet shkrimeve të tua, shkrime në kohë dhe hapësirë, nuk ka. Këtë ndjenjë e përjetova vrullshëm. Jam unë, është jeta ime, është rritja ime. Mos harro se atëherë isha vetëm 16 vjeç, më saktë 16 vjet pa tri ditë. Më 11 maj mbushja 16 vjet…

Më 8 maj 1957 u botua shkrimi im i parë…
Po e përcjell shkrimin ashtu si është botuar në mes tre shkrimesh të tjerë në faqen 2 të gazetës “Sporti Popullor”… më 8 maj 1957…

“Në Pojan. Mëngjes. Nëpër qiell enden disa re të bardha, kurse tek tuk duken disa re të zeza shiu. Në një mëngjes të tillë nxënësit e Teknikumit Bujqësor të Fierit zhvilluan një ekskursion në drejtim të Pojanit. Muzika dhe kënga ushtoi gjatë gjithë rrugës.
Arritëm në rrëzën e kodrës dhe që këndej shumë të rinj e të reja vrapuan për tu ngjitur sa më parë në majë ku shumë kohë më parë ishte ndërtuar qyteti antik, Apolonia.
Nxënësit, grupe-grupe u shpërndanë, disa shkuan për të vizituar kishën dhe zbulimet e bëra, të tjerë luanin futboll, shah, volejboll, etj., kurse amatorët e futbollit për të parë ndeshjen midis skuadrave të klasë së tretë dhe të dytë që përfundoi me fitoren e së parës me rezultatin 3:1. Mbas dite u vunë përballë skuadra e Teknikumit me atë të fshatit Avaleas. Ndeshja përfundoi me rrjeta të paprekura.
Si kaluan një ditë gëzimi dhe hareje nxënësit u nisën për në qytet.
Koresp.vull.
A. ASHIKU

Pas kësaj?
Më mirë të them diçka “para kësaj”. Kam pas që kur mësova të shkruaj e lexoj dashuri për librin. Fshati im i lindjes Brezhdan-Zdojani ishte një fshat i madh, më i madhi në të gjithë Dibrën, fshat me “Oxhak” siç dalloheshin dhe emërtoheshin dikur fshatrat e Topalltisë së Dibrës kundrejt fshatrave të “Nëntë Maleve të Dibrës”. Vetëm pesë kilometra nga Peshkopia dhe 20-25 kilometra nga Dibra e Madhe ai ishte i njohur për historinë e tij, për punën, pastërtinë, paçllëkun dhe kulturën e jetesës. Me librin e vërtetë do të lidhesha kur në vjeshtë të vitit 1953 do të nisja mësimet në shkollën shtatëvjeçare të Peshkopisë. Atje do të njihesha edhe me gazetën “Pionieri”. Një libër dhuratë për Vitin e Ri si nxënës i mbarë në mësime me një titull “Të njohësh botën rreth teje” do të bëhej libri im i parë, libër që do ta lexoja disa herë nga kreu në fund.
Por me librin e vërtetë, do të lidhesha e nuk do të shkëputesha tërë jetën time kur në fund të gushtit 1954 do të udhëtoja drejt Tiranës e do të ulesha në bankat e shkollës ushtarake “Skënderbeg”. Biblioteka shumë e pasur do më bënte të zbrisja nga raftet libër pas libri. Por mbi të gjitha nyje të ngushtë me librin do të më lidhte mësuesja e letërsisë, një vajzë me horizont të gjerë që ka hyrë në kujtesën time me emrin “Penelopa”, nofkë që ia kishin dhënë nxënësit para meje për shpjegimin e gjallë që u bënte heronjve të mitologjisë së lashtë greke e romake, heronjve të Homerit, Sofokliut, Euripidit, Aristofanit, Virgjilit …pjesë të veprave të të cilëve na detyronte jo vetëm për ti mësuar përmendësh por edhe si tema hartimesh.
Atje shpirtërisht do të lidhesha edhe me shtypin. Më tërhiqnin veçanërisht nxënës të klasave më të larta që shkruanin tregime, jepnin edhe lajme për veprimtaritë në shkollë, krijime që i lexoja në gazetat e varura në korridoret e shkollës…
Fati desh që ta lije atë shkollë, më e mira dhe më e organizuara në atë kohë, me një drejtor që më vonë do të bëhej “Mësues i Popullit” dhe me mësues nga më të mirët. Një histori më vete kjo që lidhet me “kooperativat” dhe me “Nëntë mijëshin” e vitit 1956, kohë e humbur për ta shkruar.
Në shtator të vitit 1956 e gjeta veten nxënës të Teknikumit Bujqësor të Fierit, shkolla e dytë e mesme bujqësore në Shqipëri e hapur në vitin 1952, sigurisht pas Teknikumit Bujqësor të Kavajës, shkolla veterane e bujqësisë shqiptare. Shkolla ishte një barakë e gjatë në formën e kllapës katrore, shkollë e ngrehur mbi kolona e trarë druri dhe e veshur me karton një gisht të trashë . Njeri konvikt ishte fare pranë shkollës në një ndërtesë, vilë më mirë të them, të sekuestruar nga shteti. Po aty ishte edhe mensa, infermieria dhe të tjerat. Konvikti ishte pak më larg, në një ndërtesë po të sekuestruar që një rrugicë e ndante nga fusha e vetme e futbollit ku bëheshin të gjitha ndeshjet e kohës. Në qendër të Fierit, rreth e qark sheshit ishte biblioteka, shtëpia e kulturës, spitali, komiteti ekzekutiv. Të parën vura bibliotekën, jo për radhë alfabetike por sepse me të u lidha aq shumë sa nuk mund ta përshkruaj. Librat e asaj biblioteke rrodhën e formuan lumin e dashurisë sime për letërsinë. Nga biblioteka, në bllokun tim të kujtimeve ruaj me dashuri një shënim, i korrikut 1959, me shkrimin origjinal të drejtoreshës së bibliotekës Urani Verria… Urania më ka ngelë në kujtesën time si njeriu ideal i punonjësit të bibliotekës. Do të desha të jetë gjallë e ti lexonte këto radhë. Në mos, le të krenohen bijtë, nipërit e mbesat për nënën dhe gjyshen e tyre…

Dola nga tema?
E natyrshme. Për “kohën e shkrimeve” ka shkruar edhe Kadareja, gjerë e gjatë. Çdo njeri ka “kohën e shkrimeve” të tij. Edhe pse të “vogla” janë copë e pandarë e jetës. Çdo ndërtesë ka themelet e veta, betoni si ndërtesat e sotme apo prej druri e kartoni si shkolla ime në Fier. Edhe jeta ime ka ndërtesën e vet, modeste sigurisht.
Nga Fieri u nisa për në Pojan dhe për Pojanin dhe Apoloninë bëra shkrimin e parë të jetës sime. Nuk e di sa kam shkruar nëpër faqet me vija të fletoreve që asokohe vinin nga larg, di se nga krasitjet e bëra kanë dalë ato radhë që përshkrova lart.

Si vazhdova më tej?

E vetmja përgjigje është se prej asaj dite, prej asaj pranvere nuk iu ndava shtypit. Shkrova nga Fieri, shkrova nga NB “Çlirimi” ku u shpërngul Teknikumi Bujqësore e ku është edhe sot. Shkrova për ekskursionet, për natyrën, për njerëzit, për shokët e mi të shkollës. Atje nisa edhe të fotografoj jetën. “Smena”, një aparat fotografik rus për fillestarë ishte fotoaparati i parë i jetës time, mjeti që nëpërmjet fotografive në blloqet e mia të shënimeve dhe kujtimeve më sjell kohën e bukur të jetës rinore.
Shëndëllia, një vend i bukur i zhytur mes gjelbërimit dhe mistereve të natyrës e historisë ishte vendi i piknikëve pranverorë, vend ku “Smena” ime do të mblidhte në shirit shokët, pedagogët, njerëzit e klasës dhe të shkollës sime, vend shkrimi i reportazheve të mi në drejtim të “Zërit të rinisë”. Por jo vetëm ajo, edhe shkolla jonë e re, edhe jeta rinore në atë fragment të jetës që cilësohet si koha e miqësisë së madhe, kohë që përveç shkollës së mesme nuk ta vizaton në shpirt e nuk ta merr me vete asnjë kohë tjetër. Bllokun im i shënimeve, me foto dhe fjalë plot dashuri të shokëve dhe shoqeve të mia është skica, reportazhi, përshkrimi, poezia më e bukur shkruar nga shokët e mi të shkollës së mesme.
Pas “Sportit popullor” u lidha me “Zërin e rinisë”. Shkruaja për të dhe të gjithë dërgimet e mia botoheshin gjithnjë e më me pak shkurtime. Formova, si ta quaj, portretin e parë publik timin.
Babai një ditë kish marrë rrugën e gjatë nga Peshkopia për Fier për të më parë. Rasti e kishte sjellë që në tren të ulej krahas një burri që pasi kishin hyrë në bisedë e kishte pyetur ku shkon te. I kishte thënë se shkoj të takoj djalin në Teknikumin Bujqësor të Fierit. E kishte pyetur për emrin dhe për çudi ishin bashkuar në një nyjë të vetme. Njeriu me të cilin udhëtonte babai im ishte Dhimitër Verli, kryeredaktor i gazetës “Zëri i rinisë”. Babai e kujtonte gjithnjë atë udhëtim, takimin, bisedën dhe fjalët e mira të Dhimitrit për mua. Më tha se e kishte ndjerë veten krenar…
“Zëri i rinisë” asokohe ishte gazeta më e lexuar dhe më e kërkuar nga të rinjtë dhe të rejat. Kërkohej për temat rinore. Kërkohej për fletën letrare “arën e madhe” ku u hodh fara e talenteve, shkrimtarëve e poetëve të ardhshëm. Kërkohej edhe për fletën shkencore, një dritare që e shihte botën me syrin e kohës.
Inkurajues në hapat e parë të jetës faqeve të shtypit ishin mësuesit e mi Nikolla Margilaj e Nexhip Gami si dhe shokët dhe shoqet e klasës…

Peshkopia, Dibra…?

Më mirë po them Zdojan- Brezhdani, vendlindja ime, pista e parë e jetë-punës sime. Aty linda, aty fillova për herë të parë në jetën time punën. Kthehesha në fshat pas pesë vjetësh, dy vjet shkollimi në Tiranë e tre vjet në Fier. Kthehesha si specialist, si agronom i mesëm. Isha ndër të parët bij të tij që kisha mbaruar shkollë të mesme. Atë vit në Peshkopi kishin mbaruar shkollën e mesme pedagogjike pesë vajza, pesë shoqe të miat në klasën e pestë dhe të gjashtë. Ishte një ngjarje e madhe për kohën, ishte një thyerje e degëve të pemës të zakoneve të egra për gratë dhe vajzat. Thyerje degësh thashë se sa për shkulje rrënjësh nuk bëhej fjalë. A mund ti shkulnin rrënjët e thella të obskurantizmit mesjetar pesë vajza që kapur dorë për dore hidhnin valle e këndonin…
Moj Sanie motër…oo
Hidhe vallen rrotull…oo
Se midis atyre pesë vajzave dy quheshin Sanie:
…Sanie Zeneli… Sanie Berisha…Kumrie Lahi…Hide Beqiri…Tefta Cami.

Ishte koha kur hidheshin themele të një lloji e ngjyre tjetër…
Në Zdojan ishte krijuar kooperativa në mars 1956, në Brezhdan në vitin 1957. Në vitin 1958 ishin bashkuar e bërë një. Përpara tyre fshati, Brezhdani dhe Zdojani, në vjeshtë të vitit 1955 ishin mbledhur, kishin hapur një kanal, kishin shtrirë një tub çeliku dhe u kishin dhënë të treqind shtëpive dritë elektrike. Kanali, rezervuari, tubi i çelikut kalonin një metër larg themeleve të shtëpisë së prindërve të mi, mblidhnin ujin dhe e zbrisnin poshtë nëpër vreshtin e mbjellë nga duart e babait tim shumë e shumë vite më parë kur unë ende nuk kisha mbaruar shkollën fillore. Livadhet e Frangut ku dikur shkonim për piknik ishin mbjellë me mollë. Gjorajca e Pasmari ku dikur kullosnim bagëtitë shtriheshin nën piketa e gropa pemësh frutore. Aty, në atë mjedis të bukur ku Drini plak harkon mbi kodra si të dojë të hedhë mbi ta lakun për të kapë kalin e legjendës, pikërisht aty nisi reportazhi im me vijime në kohë e hapësirë për blloqet frutore të Dibrës, një ndër dobësitë dhe dashuritë e jetës sime. Piketat e “mia” do të vazhdonin në pranverë të vitit 1960 atje, përballë Rreth-Kales për të ngritur bllokun më të madh në shkallë republike (madje edhe ballkanike) të arrave, mbi kodrën e Kubenit dhe kodrat e rrafshën e Ravnave të Grevës ku atë pranverë u mbollën rreth 100 hektarë vreshta.
Puna e dy viteve në Brezhdan-Zdojan, lokalitetin e Muhurrit dhe atë të Qendrës më dha mundësinë të njoh zona të gjera në të dy krahët e Drinit, të njoh fshatrat e Muhurrit, Luznisë dhe Katër Grykët e Murrës, madje të ngjitem edhe në fshatin më të lartë të Përtejdrinit, në Bulaç ku do të gjeja rrënjë të të parëve të mi nga ana e nënës, të organizoja në Palpus, kodrën që sheh poshtë Sinën e tutje Luginën e Drinit me Korabin kryebardhë, punën për ngritjen e një lapidari në vendin ku ra heroina e Popullit Nimete Progonati. Mund të them pa asnjë hezitim se ata dy vjet kanë qenë vitet kur shkrimet e mia erdhën duke u pjekur, morën ngjyrat e para të vendlindjes.
Shkruaja vazhdimisht gjithnjë me adresë “Zërin e rinisë”. Bëja portrete njerëzish, kronika jetësore, reportazhe e përshkrime… Shumë skeda në krahinorin e bibliotekës së Peshkopisë, vlerë e punës së shkodranit që jeta e bëri më dibran se dibranët, falë përkushtimit dhe dashurisë së tij, TEF KRROQIT, kanë tituj dhe datëshkrime të mia të viteve 1959-1960-1961.
Po ju tregoj një detaj për të qeshur nga një ndodhi e asaj kohe. Shkrimet i bëja mbrëmjeve. Shtrihesha në shtrat, vija fletoren përpara dhe shkruaja nën dritën elektrike. Hidrocentrali verës, por edhe dimrit, jepte dritë deri në orën 11 të natës. Pas kësaj ore uji, sipas një marrëveshje fshatçe, kalonte për ujitjen e tokave të Zdojanit, kalonte edhe për të vënë në lëvizje gurët e mullirit të Latifit, Rexhepit apo Maliqit në kaskadën zbritëse drejt fushave për ujitje në verë e drejt Drinit në stinët e tjera. Po shkruaja një reportazh kur… dritat u shuan. Isha aq i zhytur thellë në reportazh sa nuk desha që t’i shtyja fjalët e fjalitë për një ditë tjetër. Vazhdova të shkruaj pa parë se ku i shtrija fjalët dhe fjalitë. Shkruaja me stilograf. Mbarova, vura pikën e fundit dhe më zuri gjumi. Kur u ngrita në mëngjes u befasova. Boja e stilografit ishte mbaruar … Kuptohet u dëshpërova. Qesha me vete dhe ia nisa nga e para. Më ndihmoi paksa të mblidhja fjalët e shkruara gërvishtja e penës së stilografit…

Vitet studentore?
Në shtator të vitit 1961 u ula në bankat e Institutit Bujqësor si quhej atë vit të 10 vjetorit të krijimit të tij, Institutit të Lartë Shtetëror të Bujqësisë siç u quajt kur mbarova studimet, Universitetit Bujqësore siç quhet sot. Nga lartësia e 60 vjetëve me shtypin mund të them pa hezitim se unë mora “dy diploma”, njërën të shkruar që e ruaj në sirtar dhe tjetrën të pa shkruar që e ruaj në zemër e shpirt. Instituti i lartë Shtetëror i Bujqësisë më dha diplomën e shkruar të agronomit kurse “Zëri i Rinisë” më dha diplomën e pa shkruar të gazetarit. Në vitin e fundit të studimeve u hap pranë fakultetit histori- filologji dega e gazetarisë, degë që asokohe mori paralelisht studentë nga disa fakultete të Universitetit të Tiranës dhe të Institutit të Bujqësisë. Dega e gazetarisë ishte dy vjet çka më përjashtonte mua nga auditorët për arsye se koha e studimit tim ishte vetëm një vit. Sigurisht nga njëra anë më mbeti merak sepse të ndjekësh edhe një universitet, të marrësh edhe një diplomë në të njëjtën kohë studimi ishte një privilegj për kohën.
Ju thashë më sipër se unë mora “diplomën” e “Zërit të rinisë”. Lektorë të mi në fushën e gazetarisë ishin Dhimitër Verli- kryeredaktor, Liri Lubonja- zëvendëskryeredaktore, redaktorët Luan Dibra, Vath Koreshi, Loni Papa, Agim Cerga, Kliton Gjilani, Zef Gurakuqi, Pirro Tase, i gjithë stafi i asaj kohe i gazetës “Zëri i rinisë” deri tek Duri i korrekturës teknike. Në zyrat e “Zërit të rinisë” ulesha si të isha në zyrën time. Në korridoret e gazetës takova njerëz që më vonë do të bënin histori në fushën e letrave dhe të publicistikës shqiptare. Takova Ismail Kadarenë e madh, Eleni Gushin (Kadarenë) në gazetën “Pionieri”, Petro Markon e të shoqen, piktoren që qëndiste faqet e “Pionierit” me pikturat e saj të bukura, Safo Markon… Profesorë më të mirë se ata nuk mund të gjeja, korrigjues dhe udhëzues për shkrimet e mia më të mirë e njerëzorë se ata nuk mund të takoja.
Instituti Bujqësor, lëndët që përshkojnë programin shkencor, për mendimin tim krijojnë hapësirë njohje që nuk e gjen në asnjë degë tjetër të fakulteteve. E them këtë sepse atje je i detyruar të hysh edhe në anatomi e fiziologji kafshës, edhe në botanikë e fiziologji bimësh, edhe në mekanikë e ndërtim, edhe në biokimi e mikrobiologji, edhe në teknologji bujqësore e blegtorale, edhe në pedologji e gjeologji, edhe në eksperiment e kërkim shkencor, edhe në… Kjo hapësirë dijesh e marrë nëpërmjet më se 40 provimesh më ka vlejtur në jetë, në punën e mëvonshme si gazetar profesionist kur më është dashur të shkruaj për njerëz të punës në sektorë nga më të ndryshmit.
Tre muaj udhëtime nëpër Shqipëri në periudhën prill-korrik 1962, ishin një tjetër “shkollë” njohjeje, “shkollë” të cilën edhe sot vazhdoj ta citoj në shkrimet e mia sa herë hyj në botën e heronjve të portreteve e reportazheve të mia. Udhëtova si pjesë e ekspeditës pedologjike për studimin e tokave acide të Shqipërisë thuajse në të gjithë Shqipërinë nga skaji më jugor i Shqipërisë deri në atë më verior. Zbrita deri në Bularat të Gjirokastrës, u ngjita në Zagori për të parë një ditë maji se si “fshatarkat” e Çajupit ngisnin qetë në arë e burrat e tyre pinin raki nën hijen e rrapeve shekullorë. Ngjita Qafë Devrinë e pashë nga Gjerbësi i Skraparit luginën e Tomorricës e vargun e fshatrave Melovë, Rehovë… Isha në Shpirag e pashë nga afër se si ishte prerë mali nga shpatat e kalorësit të legjendës. U ngjita në bjeshkët e Razmës dhe pashë sa me durim ia kishin rrëmbyer malit tokën për bukë fshatarët e Vrithit duke formuar brezare të mahnitshme. U ngjita në Pukë për të zbritur nga Qerreti në Koman, nga 800 metro mbi nivelin e detit në 120 nëpër një pjerrësirë si të zbrisje e ngjiteshe shkallëve të qiellit. Vazhduam në Kukës për të marrë të përpjetat e maleve drejt Bicajt, Kolosjanit e bjeshkëve të Shishtavecit. Valbona, një banjë korriku në kthjelltësinë e ujërave të saj, lugina e Dragobisë, Kami e së fundi Kruma ishin skajet e asaj vere udhëtimesh që do të më krijonin mbresa tërë jetën e do të ishin pjesë e shkrimeve të mia dje, por edhe sot.
Një udhëtim nëpër Dibër, Bulqizë, Mat e Mirditë, një hyrje në “honet e errëta” të minierës së Rubikut e një zbritje në dishenterinë e minierës së bakrit të Kurbneshit, një udhëtim në ditën e gjeologut më 23 gusht 1964 të përpjetës së Oroshit e një grusht ujë të ftohtë në burimin në livadhet e Fushë Lugje në kapelë të maleve të Mirditës, një natë në çadrën e gjeologut Gëzim Shima në Nënshejt do të formonin rrjedhën e kujtimeve dhe reportazheve atij udhëtimi të mrekullueshëm.
Një udhëtim me Liri Lubonjën në Peshkopi më 10-11 tetor 1964 ku në festimet e 20 vjetorit të Qarkorit të Rinisë njoha shoqen e jetës, kthimi ulur në sedijen e veturës të “Zërit të Popullit” në kuvend me Javer Malon e madh të diplomacisë dhe publicistikës, udhëtim rrugës që merr ngjitjen nga ujërat e Matit në bjeshkët e Shëngjergjit dhe Bizës e së fundi një teposhte drejt Tiranës, ishin një tjetër “shkollë” e njohjes së gjeografisë fizike të vendit…
Këto e krahas tyre jeta e gjallë studentore ishin pjesë e ngjyrave të krijimeve të mia publicistike asaj kohe të bukur të viteve të rinisë sime.

Pas shkollës? Dibra, universiteti i madh i jetës sime…
Mora diplomën e agronomit më 16 shkurt të vitit 1966. E mora në një ceremoni të bukur ku ndodheshin Ministri i Bujqësisë Pirro Dodbiba, rektori i Institutit të Lartë Shtetëror të Bujqësisë Gaqo Tashko i madh i shkencës shqiptare dhe të tjerë. Pata nderin të flas në emër të të diplomuarve. Ndër të tjera në përmbyllje të përshëndetjes thashë: “Mirë u pafshim! Adresa jonë është mali dhe fusha, atje ku mbyllet dhe korret” slogan që do të ma përmendte Jorgji Muzaka si prezantim pas afro dyzet vjetësh në një veprimtari në Athinë. Gazeta “Mësuesi” bëri një reportazh në vend të kryeartikullit shoqëruar me thënien dhe fotografinë time. Ishte hera e parë që shkruanin për mua. Fatmirësisht kam disa fotografi të atij çasti të jetës sime, foto nga fotografi i Institutit emri i të cilit për momentin më doli nga kujtesa, foto të cilat do ti gjeja edhe pas dy vjetësh në sallonin e ndërtesës së vjetër të Institutit.

Diploma Agrare; 16 shkurt 1966
16 shkurt 1966

Prej asaj dite jeta dhe pena ime u ngjit për të qëndruar deri në vitin 1996 maleve, “Atje ku mbillej dhe korrej…”
U emërova përgjegjës sektori në Ndërmarrjen Bujqësore të Dibrës. Fati e solli që të punoja bashkë me idhullin tim në pemëtari, njeriun që i krijoi me shpirt të paepur dhe me teknikën më të përparuar të kohës blloqet e mëdhenj frutorë dhe vreshtat e Dibrës, me Xhavit Hysën. E bukura ishte se të dy kishim piketuar e kishim marrë pjesë në mbjelljen në mars 1960 bllokun prej 70 hektarësh të vreshtave të Ravnave. E bukura e të bukurave ishte se që të vilnim prodhimin e bollshëm na u desh të thërrisnim vullnetarë, aksionistë nga qyteti që siç thoshte me shaka pedagogu im i pemëtarisë, tash kryeagronom i Ndërmarrjes Bujqësore, Isa Shehu “punojnë me një dorë” , “Me njërën mbushin arkat e me tjetrën gojën” .Ishte me të vërtetë një kënaqësi, një përvojë e gjallë, një përjetim në kohë dhe në hapësirë tek punoja me mjeshtër të pemëtarisë si Xhavit Hysa për të cilin duhet të shkruhen libra e ngrihen monumente, me mjeshtër të fidanishtes si Sadik Papuli me shokë që shartuan qindra mijëra fidanë që populluan blloqet frutorë jo vetëm në Dibër por edhe në rrethet e tjera, me pedagogun tim Isa Shehu që në librin e ri që bëri për pemëtarinë do të pranonte mbjelljen e jonxhës mes pemëve frutore si një përvojë dibrane, mbjellje që po t’ia përmendte ndonjë student e linte për vjeshtë. Ato dy vite të punës time mes njerëzve të pemëtarisë piketuam e mbollëm mes vreshtave qershitë dhe vishnjat, brezareve lajthitë e Visokut, kodrave të Qenokut ku ndahen dy Dibrat, e Epërmja dhe e Poshtmja apo e Madhja dhe e Vogla mori formë një bllok i bukur frutor me 53 mijë rrënjë kumbulla, arra, gështenja, mollë dhe dardhë…
Pesë vjet në Teknikumin Bujqësor ishin për mua një shkollë pas shkollës, master siç ka hyrë sot me një fjalë nga fjalorë të huaj. Isha mësues por edhe nxënës, mësoja të tjerët, nxënës të shkollës së ditës dhe të shkollës së mbrëmjes, mësoja edhe prej tyre, një lloj simbioze jete që më dha edhe profesione që lidhen me mekanikën, profesione që i kam përdorur viteve të emigrimit në nxjerrje të bukës së ditës. Mbi të gjitha, për shkak të gjeografisë së madhe deri në Vermosh e Tropojë të nxënësve më dha dhe më jep kënaqësinë t’i gjej dhe të më gjejnë në komunikimin njerëzor tash edhe përtej oqeaneve.

Mes minatoreve

27 prilli i vitit 1968, numri i parë i gazetës “Ushtima e maleve” krijon një fushë të madhe ku do të mbillet, hedhë rrënjë e degë, do të lulëzojë e japë fruta krijimtaria popullore dibrane. Pa e harruar “shkollën” e madhe të jetës time “Zërin e rinisë” gazeta “Ushtima e maleve” hyn e bëhet pjesë e jetës dhe e krijimtarisë publicistike. Esat Bashari, kryeredaktori i parë, gazetar me formim të gjithanshëm, ardhur nga “Zëri i Popullit” do të na mblidhte në një diskutim krijues për emrin e gazetës. U bënë disa propozime. Unë propozova emrin “Ushtima e maleve”, madje, në numrin e parë të saj pata nderin të botoja prozën poetike “Ushtima e maleve”…
Detyra e gazetarit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare për Dibrën dhe Matin më hapi dritare të tjera njohjeje e shkrimesh të përditshme, lajme e kronika që e kalonin gjithnjë numrin tridhjetë në muaj por më tepër se ato që jepja ishin ato që merrja. Njoha Matin nga Lena e Kaptina e Martaneshit ku buronte Mati në Shkopet, Derjan , Qafë Shkalle, Ulzë, Komsi… Hyra galerive të minierës së Batrës, zonës 5 e Krastë… U njoha me Dibrën nga Llanga në Qafë-Draj, Liqenet e Lurës dhe të Kacnisë, bjeshkët e Kallkanit dhe të Korabit, zbrita deri në thellësitë e minierës së Bulqizës dhe u ngjita në Dhoks e Tërnovë ku kërkohej krom, njoha shpirtin e madh të popullit tim dibran, njohje që do të thellohej më vonë kur si punonjës aparati do të ulesha më pranë njerëzve, do të bëja vend si student i përjetshëm në Odën Dibrane që përbën auditorin popullor të “Universitetit të Dibrës”. Atje e ndjeva se sa vlerë i kishin dhënë Universitetit Popullor të Dibrës dy amerikanë të mëdhenj të diplomacisë dhe politikës. Julian Emery në “Kujtime që nuk shlyhen” shkruante:
“…Katër ditë në Dibër më kishin mësuar më shumë për thelbin e politikës, se sa të gjitha librat për teorinë e kushtetutës dhe ekonomisë politike që i kisha lexuar në Oksford…”.
Reginald Hibbert në “Albania life pohonte:
”…”Unë kam mbaruar Universitetin e Oksfordit, por mbarova edhe një Universitet të dytë, atë të Dibrës”.

Kjo jetë, këto vlera që dalëngadalë u bën gjak e mish i jetës sime ishin në thelb të reportazheve, përshkrimeve, portreteve, përvojave, studimeve që në njëzetvjeçarin e shekullit të kaluar bënë vend në “Ushtimën e maleve”, “Zërin e popullit”, “Bashkimi”, “Zërin e rinisë”, “Puna”…, në faqet e revistave “Ylli”, “Bujqësia Socialiste”, “Shqiptarja e re”…në skenarët televizivë, fotoreportazhet…

Vitet nëntëdhjetë ?…
Viti 1990 më gjeti redaktor për anën ekonomike në gazetën “Ushtima e maleve”. Në fund të qershorit 1991 gazeta u mbyll për ti lënë vetes një tjetër gazete me emrin e thjeshtë por domethënës “Dibra”. Përgatitëm numrin e parë, madje bëra edhe shkrimin pagëzues që zuri vendin e kryeartikullit, shkrimin “Dy Dibra”. Gazetën, pjesë e një delegacioni futbolli, skuadrës “Korabi” e përcolla në Dibër të Madhe ku për herë të parë u bë një ndeshje midis “Korabit të Peshkopisë” dhe “Korabit të Dibrës së Madhe”.
Më vonë, për arsye se mbajta “majtas” mbeta pa punë. Mbijetova për dy vjet me onoraret që merrja nga “Zëri i Popullit”, “Koha jonë”, “Kombi”, “Progresi”… me shkrime ku denoncoja shkatërrimin e blloqeve frutore, uzinave, fabrikave, minierave, gjeologjisë, shkollave, kopshteve, çerdheve, shtëpive të kulturës, ambulancave, spitaleve zonale… Kam ndjerë dhimbje e lot tek i shkruaja, më është shtrënguar si në mengene gjoksi kur kam parë të rrafshuar shtëpinë e kulturës në Fushë-Lurë, një nga më të bukurat e vendit, ndërtimi dhe pajisjet e së cilës ishin djersë dhe gjak i lurasve. Në vend të saj, për ironi, hodhi themelet dhe u ngrit një xhami ?!…
Shkrimet e mia nga Dibra do ti mbyllja një ditë korriku 1996 kur, pasi dy vjet të shkuara isha përgjakur brutalisht në zyrën e gazetarit profesionist të “Zërit të popullit” kur, pas ngjarjeve të njohura të 26 majit, dhunës së pashembullt mbi votën e popullit, mu dha ultimatumi: “O mbyll gojën ose do të rrëmbejmë fëmijët”. Tentuan ta bëjnë por fati kësaj radhe qe me mua dhe familjen time, u gjetën para dyersh të mbyllura.
Atëherë vendosa: “Më mirë po iki se sa t’i lë fëmijët në gjak”.
Më 21 korrik 1996, me djalin katërmbëdhjetëvjeçar për dore kalova legalisht kufirin për tu bashkuar me djalin e madh në Salaminë e një vit më vonë, pas një letre në adresë të J. Papandreut asokohe zëvendësministër i jashtëm i Greqisë erdhën gruaja dhe vajza për të nisur një jetë tjetër, jetë nga e para…
Po në emigracion ?
Emigracioni ishte një tjetër botë. E kishim përjetuar në libra, tregime, këngë. Vetëm si emigrant do ta ndjeja elegjinë e këngës… “Moj fusha e Korabit, oh e mjera unë…” shkrirë në tonet e zërit të Liri Rashës dhe në fyellin e Myfterim Kupës në ecje rrugës së kalldrëmtë, të vjetër sa njerëzimi, ngjitjen Rrafshës së Korabit, shkuljen, copëtimin, tretjen pas malit rrokullisur siç rrokullisen gurët kur shkulen vendit. U bëra si të gjithë të tjerët, varg e lot i elegjisë gurëshkulur…
Një makinë shkrimi “Omodoro”, dhuratë e mikut tim në emigracion Kristo Zharkalliu, sjellë në adresë të tij nga shoku i tij, dibrani Sohodollas Kamber Merdini nga Kanadaja më joshi ta vazhdoj rrugën e ndërprerë të gazetarit. Kam shkruar me stilograf, me laps e stilolaps, për të vazhduar më pas drejtpërdrejt në makinë shkrimi, në teleks…për të arritur në kompjuter, tastiera e të cilit tash është “ara” ime ku “mbjell” e “korr”.
Shkrimin e parë e kam botuar në gazetën “Egnatia”, gazetë e cila shpejt u mbyll e krijuesi i saj kapërceu oqeanin. Në ditët më të vështira të Shqipërisë, në kapërcyell të dimrit dhe në prag të pranverës 1997, ditë kur u mbyllën gazetat shqiptare e zëri prej andej vinte vetëm nëpërmjet televizioneve greke e “Zërit të Amerikës” dhe “BBC”, gazeta “Vëllazërimi” u bë e vetmja faqe publike ku emigrantët lidheshin me ngjarjet në Atdhe. E ndjej veten të privilegjuar që isha pjesë e kësaj gazete, gjashtë numra të gjashtë javëve që doli në qarkullim i kam në koleksionin e arkivit tim në emigracion.
Më pas do të isha pjesë e disa gazetave që shkrepën si fishekzjarrë për tu shuar shpejt si “Rilindja XXI”, “E vërteta” e të tjera për tu lidhur më pas për disa vite radhazi me “Emigranti” të Artan Kristos, gazetë në të cilën kam shkarkuar emocionet e mia, shpirtin tim nga takimet me emigrantë e emigrante, njerëz të punës e krijimtarisë, njerëz që u bënë heronjtë e mi në serinë publicistike “Njerëz që i dua”. Fatkeqësisht edhe kjo faqe e madhe e jetës së emigrantëve një ditë u mbyll ashtu siç u mbyll edhe “Vatra Shqiptare”, e vetmja librari në gjuhën shqipe në Greqi, e pafalshme për shqiptarët në Athinë që i gjen tërë ditën para gotave lokaleve të ngushta duke shitur atdhetarizëm pa blerë e lexuar një libër të vetëm në gjuhën e nënës.
Më pas gjeta një zonjë të vërtetë, ZONJË me germa kapitale që boton me përkushtim e sakrifica gazetën “PLUS GAZETA ATHINA”, gazetë e cila e mbante shpirtin tim të gazetarit në këmbë…
Erdhi një ditë që edhe ajo u mbyll. U mbyll për ta shuar fjalën e shkruar në mërgimin grek…
Keni botuar pesë libra…
Po. Kam botuar me djersën e punës së emigrantit dhe me pensionin tim dhe të shoqes së jetës, gjashtë libra me mbi dymijë faqe e qindra fotografi. Librat kanë një titull të përbashkët, bosht i dashurisë sime për njerëzit që kam njohur dhe kam shkruar për ta, boshtin shpirtëror “NJERËZ QË I DUA” . Librat kanë edhe nëntituj, apo më mirë me thënë titull të dytë që zë ballin e tyre… “Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës-Rilindësit e kohës sonë 2”, “Po Dibrës! Jo Skavicës!”, “Rrëfimet e komshiut” dhe “Shkolla shqipe e Selanikut”. Librat i gjen në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, “Bibliotekën Kombëtare të Greqisë”, dhe në “Bibliotekën e Peshkopisë”. I gjen në librarinë “Bujar dhe Miranda Karoshi” në Tiranë si dhe në shtëpinë time në Tiranë dhe Athinë. Në libra është jeta ime në kërkim e vlerësim të “Njerëzve që i dua”.

Gjuha shqipe në mërgim…
Pika më e dobët e penës së jetës time në mërgim. Mësuesit vullnetarë të gjuhës shqipe në Greqi, rilindës të vërtetë të kohës sonë, si i ka cilësuar Dritëro Agolli e që në të vërtetë janë. Zonja që tërë javën punojnë në punët më të vështira e të shtunën apo të dielën mbledhin ku mundin e si mundin fëmijët dhe u mësojnë si ta lexojnë, si ta shkruajnë dhe si ta këndojnë gjuhën e bukur shqipe. Jam shumë i nderuar që pata fatin e madh të shkruaj për ta, të shkruaj për mësuesin e parë Dashmir Zaçe të gjuhës shqipe në Greqi që më 7 mars 2001 u foli për herë të parë fëmijëve emigrantë në Selanik shqip, që u hapi një dritare nga ku mund të shohin në “ekran të madh” vendlindjen e madhe të shqiptarëve.
Janë tre libra: “Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës” dhe “Shkolla shqipe e Selanikut” ku në 1100 faqe, me 450 fotografi janë përcjellë 67 mësues që vullnetarisht u mësojnë fëmijëve si të shkruajnë, lexojnë dhe këndojnë gjuhën e bukur shqipe. Është edhe një film dokumentar që përshkruan mësuese Verën që pasi mblodhi 72 fëmijë në ishullin e Tinosit dhe u jepte mësim të shtunave dhe të dielave, kapërcej me traget për afro dy orë detin dhe bëri të njëjtën gjë me fëmijët e ishullit të Sirosit. Janë edhe një cikël i gjatë shkrimesh që kam bërë dhe bëj në vlerë të shkollimit shqip të fëmijëve në mërgim që po ti mbledhësh do të shtriheshin edhe në tre libra të tjerë,
Tash kam në dorë monografinë “DASHMIR ZAÇE-NJË RILINDËS I KOHËS SONË” kushtuar mësuesit të parë në shkollës shqipe në Greqi që ndërroi jetë në fund të shtatorit 2016.
Po e ardhmja?

E ardhmja? E tashmja në fillim, e përditshmja.
Dua t’i marr kohës në mëmëdhe një javë të tërë, të ulem në Bibliotekën Kombëtare, të gjej tërë shkrimet e mia që nga 8 maji 1957, t’i fotografoj, t’i hedh në kompjuter dhe pse jo, edhe ti botoj.
Dua të vazhdoj të skanoj filmat e jetës sime, filma që i kam ruajtur që nga viti 1964 e kam brenda Dibrën e jetës time, nga njeri skaj në tjetrin, fushës së bukur të Luginës Drini i Zi dhe maleve të Dibrës me Korabin në krye, sondave të gjeologëve e galerive të kromit…Deri tani kam zbardhur mbi gjashtëmijë negativë, i kam në kompjuter. Kam ndjerë gëzim dhe mall të jashtëzakonshëm tek shihja njerëz dhe vende fokusuar në celuloid. Më është shtuar jeta tek kaloja foto pas fotoje…
Po punoj për një libër të ri, i shtati i serisë “Njerëz që i dua”, një libër për mësuesin e parë të gjuhës shqipe në Greqi, mësuesin Dashmir Zace që iku duke lënë pas një vepër rilindëse në fund të shtatorit të vitit të kaluar. Librin e kam titulluar “DASHMIR ZACE-NJË RILINDËS I KOHËS SONË”.
Kam në zarfe kompjuterikë shkrime të shumta, midis të cilëve më josh të botoj një libër për gratë mërgimtare, këto “shpinë këputura e punë pa dukura”, që mishërojnë strumbullarin e jetës shpirtërore e materiale të mërgatës në Greqi e në mbarë botën.
Dua…
“Është një joshje e madhe të shkruaj, më thoshte Aristidh Kola në intervistën që më dha disa muaj para ikjes, por, si ka thënë Gëte , “Ndërsa arti është i pafund, jeta është e shkurtër.”
Unë e dua jetën. Prej saj kam dëshirë të ikë “në këmbë”, përcjellë nga njerëz që i dua…

Abdurahim Ashiku

Athinë, maj 2017