Rruga e Arbërit do t’i shërbejë njohjes së mëtejshme të historisë


Pamje e Urës së Brarit. Foto © Bashkim Lleshi 2004

Rruga e Arbërit do t’i shërbejë jo vetëm zhvillimit ekonomik të vendit e rajoneve nga do të kalojë, por do t’i shërbejë edhe njohjes së mëtejshme të historisë së lashtë të vendit tonë. “Rruga e Arbërit ka qenë rruga kryesore e vendit, krahas rrugës Egnatia që në lashtësi. Kjo rrugë lidhte perëndimin me lindjen, ku në Iliri hynte nëpërmjet Durrësit, aty ku e ka zanafillën edhe edhe “Via Egnatia” e shekullit të II-të para erës sonë e ndërtuar në kohën e perandorisë së fuqishme Romake… Degë e Via Egnatias ishte rruga e rëndësishme Tiranë-Dibër që njihet me emrin “Rruga e Arbërit.” Nëpër këtë rrugë strategjike lëvizte nga Kruja në Petralbë Gjergj Kastrioti. (Valter Shtylla,1998)

Ruga Tiranë-Dibër ka qenë një aks i rëndësishëm ekonomik. Karvanet tregtare nga Dibra sillnin poshtë prodhime bujqësore dhe merrnin nga Durrësi e Tirana vaj, sheqer, kripë, vajguri dhe metrazhe . Në aspektin teknik duke ndjekur aksin e kësaj rruge takon mjaft objekte publike mbrojtëse dhe inxhinierike si hane, kroje, karakolle, shpella të fortifikuara, ura, kalldrëme, etj. Pasi kalon fushën e Tiranës, në hyrje të fshatit Brar shkëputet një degëzim për në këtë fshat i cili e hedh lumin e Tiranës mbi Urën e Brarit. “Në gjendjen e sotme Ura e Brarit është ndërtim i fundit i shekullit të XVIII-të fillimi i shekullit XIX-të ndërsa faza e herëshme me strukturë druri i takon shekujve XVI-XVII-të.” (Valter Shtylla,1984)
Ura e vjetër e Brarit e ndërtuar qysh në kohërat e vjetra ka rëndësi historike, se dëshmon për lëvizjet e kësaj rruge qysh në kohë të lashta, por ka edhe rëndësi turistike, sepse është ndërtuar mbi një kanjon shumë të bukur të shkëmbinjve gëlqerorë, me gjerësi të ngushtë 1-2 m. dhe thellësi 8-10 m. e më shumë. Pasi len Urën e Brarit majtas rruga e karvaneve fillon ngjitjen e Shkallës së Tujanit duke arritur majën në Qafën e Lajthizës, një grykë natyrore mjaft piktoreske që çan vargmalin e gëlqerorëve të Dajtit nëpërmjet një kanjoni shumë të thellë e të bukur, mund të themi mahnitës. Në shpatin karshi , djathtas lumit ndodhet një shpellë shkëmbore me frëngji që ruante karavanët me mallra që nuk ishin pak por mbi 300 kafshë ngarkese në ditë. Në zbritje të Qafës së Lajthizës drejt Zall Dajtit ruhen gjurmët e qarta të kalldrëmit me gjatësi 40m. e gjerësi 1,4m. I mbrojtur nga ana e lumit me një mur mbajtës me blloqe gurësh të ç’rregullt. “Trakti i kalldrëmit të Lajthizës, duket si ndërtim para turk, i shekujve XII-XIII-të. ” (Valter Shtylla 2007)
Pas qafës Rruga e Dibrës hyn në fshatin Zall Dajt ku 4-5 hane dhe hane shtëpi u shërbenin udhëtarëve për të pushuar. Prej Zall Dajtit rruga ngjitej në Qaf Murrizë, ku ruhen gjurmët e një karakolli, konstruksione mbrojtëse rrugore, të cilët në periudhën osmane shërbenin për mbrojtjen dhe funksionimin normal të karvaneve mesjetare me kuaj.
Rruga e re do t’a kalojë Qafën e Murrizës me një tunel të gjatë mbi 3000m. Sapo të dalë në luginën e bukur të Matit në horizont të del përpara Kalaja e vjetër e Petralbës, në shpatin e së cilës vendoset fshati turistik i Gurit të Bardhë, fshati i Kalasë së Petralbës, e ndërtuar nga Skënderbeu në mbrojtje të kësaj rruge, fshati i atdhetarit e letrarit të njohur shqiptar të mesjetës Pjetër Budi, fshati që ka qenë Stacioni kryesor i rrugës Dibër Tiranë, fshati i urave të herëshme, kalldrëmeve, karakolleve e haneve, do të jete nga Tirana vetëm 36 km. larg.
Në hyrje të Gurit të Bardhë ndodhet Ura e vogël e Gurrës. Në fshat ndodhen edhe dy ura të tjera për lidhe të brendshme, Ura e Hoxhës, mbi përroin e Almetës, që lidh lagjen Hoxhaj me qendrën e fshatit dhe Ura e Kulmares që lidh lagjen Hoxhaj me malin. Në dalje të fshatit janë varret e Murgetas, pranë të cilave ka qenë një han dhe një teqe , gjurmët e të cilave ruhen edhe sot.
Guri i Bardhë ka qenë një stacion pushimi i karvaneve, dëshmi e të cilit janë numri i 8 haneve, kryesisht hane – shtëpi që prisnin e përcillnin karvanet e shumta. Në fshat ruhen gjurmë të banesave të vjetra të cilat bashkë me banesat e tjera karakteristike të fshatit përbëjnë vlera për arkitekturën tonë tradicionale. Në dalje të Gurit të Bardhë, rruga e kalon Përroin e Allmetës nëpërmjet Urës së Skurës me një hark rrethor me hapësirë 7,5m. “ Ura e Vashës mbi lumin Mat e ndërtuar mbi një qemer të madh segment rrethor me hapësirë drite 12m., gjatësi 18m. e gjërësi 3,4m. me gurë gurë të skuadruar, ndërtuar nga fundi i shekullit XVIII-të fillimi i shekullit XIX-të,” (Valter Shtylla 2007) është ndërtimi më i rëndësishëm i kësaj rruge në zonën e Gurit të Bardhë.
Në gazetën Rruga e Arbërit të muajit mars 2017, Adi Darsi boton artikullin “Për në Petralbë, një rrugë drejt historisë” ku përshkruan Petralbën si shtëpinë e dytë të Skënderbeut dhe përpjekjet e kreut të Bashkisë së Klosit Basir Çupa për ndërtimin e rrugës për në këtë kala të vjetër historike, i cili e sheh ndërtimin e kësaj rruge si nisjen e një projekti të madh kulturor. Është për të përshëndetur edhe përpjekja tjetër e Bashkisë së Klosit që në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës të hartohet një projekt restaurimi për të mundur të kthejnë disa nga vlerat e kësaj kalaje të braktisur, që për nga rëndësia është, e dyta pas Kalasë së Krujës. Megjithëse rruga automobilistike për Gur të Bardhë kalon fare pranë kalasë së Petralbës, në rrugë nuk ka as edhe ndonjë tabelë anës rrugës që kalon fare pranë këtij objekti historik të rëndësishëm. Me ndërtimin e rrugës së Arbërit dhe rrugës lidhëse të Kalasë ajo do të jetë vetëm 35 km. larg Tiranës, duke u bërë e vizitueshme nga vendësit dhe të huajt e në këtë mënyrë, “Ajo nuk mbetet më një legjendë e cituar në “Historinë e Skënderbeut” të Marin Barletit por do të bëhet një realitet i prekshëm për gjithë banorët, pse jo të mos e themi edhe për brezat që do të vijnë.”(Adi Darsi 2017).
Kalaja e Petralbës ku sot nuk duket asnjë shenjë kalaje. Foto © Bashkim Lleshi 2013.

Bashkia e Klosit, do të jetë vetëm gjysmë ore larg Tiranës, rrjedhimisht mund të nisesh në një ekskursion nga Tirana jo vetëm për të shijuar bukuritë turistike të kësaj zone por edhe për t’u njohur me historinë e lashtë, të mesjetës e më të vonshme të të këtyre trojeve dhe me monumentet e tjera të trashëgimisë kulturore e historike të kësaj zone si: “ Kalaja e Xibrit, banesat e Veli Domit, Elmaz Dezhgiut e Xhelal Bodës (Guri i Bardhë), Ura e Halilit e banesa e Rexhep Karait (Dars), banesat e Bajram Allushit e Rexhep Lleshit (Klos Katund), Kalaja e Cërrujës, banesa e Hysen Dodollit (Bejn), Kisha e Varri monumental (Suç), kulla e Çelës (Patin), Kullat e Abdulla Zylfit e Ali Selës (Kurdari), kullat e Emaz Muharemit e Sul Lëkursit (Gurrë e Madhe), banesat e Asllan Hutës e Jakup Kurtit (Plani i Bardhë) (Adi Darsi 2017) dhe shumë monumente të tjera të trashëgimisë historike në Bashkinë e Burrelit si, Përmendorja e Kuvendit të Dukagjinit (dhjetor 1601-shkurt 1602) në Qafën e Shën Kollit ku muarën pjesë 2656 delegatë nga 14 krahina të vendit dhe dhe Përmendorja e formulës së pagëzimit ( 8 nëntor 1462) në Qaf Kishë (Macukull), ku shkruhet : “ Këtu më 8 nëntor të vjetit 1862 në kishën e Shën Trinisë, nga Pal Emgjëlli, Kryepeshkop i Durrësit, këshilltar i Skënderbeut, shkruhet formula e pagëzimit, “UNTE PAGHESONT PEREMENIT ATIT ET BIRIT ET SPERTIT SENT,” Pal Engjëlli.”, etj. Udhëtimi në këtë zonë më prill 2011 dhe njohja me dy përmendoret e mësipërme në zonën e Macukullit, të ndërtuar nga njësia vendore e kësaj zone, me gurë natyrorë të gdhendur të zonës, u bënë shkas që unë të shkruaj një artikull në gazetën Rruga e Arbërit, për të ngritur zërin lidhur me mungesën, apo gjendjen e mjerueshme e të masakruar të shumicës së objekteve e monumenteve të trashëgimisë historike në rrethet e Dibrës e të Bulqizës. (Bashkim Lleshi 2011 )
Dibra (përfshirë edhe Bulqizën) nga Qafa e Buallit deri në Kala të Dodës, vetëm gjatë rrugës kryesore për në Peshkopi e Kukës, në çdo pëllëmbë të saj ka nga një ngjarje historike të vjetër ose më të re, që i njohin vetëm një pjesë e banorëve të krahinës, ndërsa udhëtarët, apo turistët e ardhshëm që mund të vizitojnë luginën e bukur të Dibrës e të Drinit të Zi, pak njohuri kanë për këtë luginë të bukur me një trashëgimi të pasur kulturoro-historike.
Sapo të kalosh Qafën e Buallit të del përpara Fusha e Vajkalit e Gurët e Skënderbeut dy toponime të rëndësishme historike që tregojnë për luftërat e Skënderbeut kundër turqve për të cilat edhe një lapidar që ishte pranë Gurëve të Skënderbeut u shkatërrua kur u zgjerua rruga në vitin 2008. Pasi kalon Fushë Bulqizën të del përpara Kepi i Qytetit poshtë të cilit ndodhet Ura e Qytetit, e në krah të saj Qyteti i vjetër i Valikardhës, ku ndodheshin tre hane që sot quhen Hanet e Qytetit, nga të cilët ruhen rrënojat e Hanit të Letit e në vendin e quajtur Fusha e Qytetit bëhej një Pazar që quhej Pazari i Qytetit. “Sipas gojëdhënave në qendër të qytetit me 12 000 shtëpi sundimtari romak kishte ndërtuar një statujë ku paraqitej një kalë me fre me kalorësin sipër… Kalanë e qytetit e ka përdorur Skënderbeu për t’u zënë pritë turqve që donin të kalonin Qafën e Buallit. Për këtë në anën tjetër të lumit ndërtoi një pikë vrojtimi nga ku mbante nën kontroll luginën e Bulqizës e të Zerqanit. Në këtë zonë janë toponimet, Kalldrëmi i mushkave, Kulla e Skënderbeut, Shkëmbi i Kullës, etj. Me këtë histori lidhet edhe emri i fshatit Peladhi. Sipas legjendës Skënderbeu rrethohet nga turqit në pikën e vrojtimit. Ato synonin që duke e mbajtur të rrethuar të dorëzohej për bukë, ujë e ushqime, por Skënderbeu ushqeu një pelë me grurë dhe e hodhi nga shkëmbi. Kur ra në rrugë ajo ishte tjetërsuar dhe në barkun e plasur turqit panë se ishte ushqyer me grurë dhe nuk e kuptuan në se është pelë apo di dhe fshatit ngjitur i ngeli emri Peladhi. (Destan Rama 2014)
Rruga kalon nëpër luginën e lumit të Bulqizës në krahun e majtë të rrjedhjes fare pranë fshatrave Godvi, Krajkë e Sofraçan. Në kohët e vjetra ajo mbrohej nga qytezat e Krajkës e të Sofraçanit. Sipas Iljaz Kacës, “ nga qyteza e Sofraçanit kishte një rrugë që lidhte këtë qytezë me Xhitecën (qytezën) e Sute në Zogje dhe Xhitecën (qytezën e Gjurasit) e në vazhdim deri tek Kalaja e Stelushit.” (Iljaz Kaca 2003)
Po të nisesh në ekskursion për gjatë kësaj rruge njihesh me qytezën e hershme të Sofraçanit, me betejën e Sofraçanit të Luftës së Dytë Botërore, me Gropën e Ukut ku në fillimin e muajit maj 1910, patrioti Mersim Dema mblodhi krerët e Grykës së Vogël, të Grykës së Madhe dhe Bulqizës për ti ardhur në ndihmë me vullnetarë Kosovës, ku me 2000 vullnetarët e kësaj zone dhe 3000 vullnetarët e Dibrës së Poshtëme u nisën 5000 vullnetarë. Edhe në nëntor të vitit 2010 këtu janë mbledhë krerët e Dibrës për organizimin e çetave kryengritëse dhe në mars 2012 u organizua Kuvendi i Dheut, po nën drejtimin e Mersim Demës me 5000 vetë nga e gjithë Shqipëria. (Moisi Murra 2003) Për të gjitha këto po të kalosh kësaj rruge nuk gjen asnjë gjurmë të këtyre tubimeve të mëdha kombëtare.

Kulla e Sal Markes Zogje Foto © B.Lleshi 2005

Në vazhdim të rrugës njihesh me Kovashicën, me Lisin e Madh të Kovashicës pranë xhamisë, kalon në Gropën e Zogje (fshat i cili deri në rregjistrimin austrohungarez të vitit 1916 ka patur emrin Gropë), ku të del përpara kulla 4 katëshe e pariotit Salë Markja (monument kulture), Pisha e Zogje (Vishkulli, monument natyre), kodra e Kishës, Lisi i Kishës(Kodras e Mali i Kishës dhe mbi fshat njihesh me rrënojat e Qytezës së herëshme të Sute. Në vazhdim pasi kalon Gropën e Zogje ngjitesh për në Qaf Mollë, në Arën e Palit (ndoshta e Pal Gropës) e në Xhitecën (qytezën) e Gjurasit ku ka qenë e ndërtuar edhe kisha e Shën Kollit Gjuras (e ndërtuar para kohës së Skënderbeut ), ku janë themelet e Kishës dhe të Kalasë së vjetër dhe poshtë tyre Shpella e ftohtë e Gjurasit (gjeomonument). Vazhdimi i rrugës në drejtim të Pratit, Selishtës e Qaf Murrës të çon në Kalanë e Stelushit.Pasi kalon Shupenzën në drejtim të Maqellarës e Peshkopisë në mes të Homeshit e Gjoricës, ndodhet Meja e Kalasë ku janë mbledhur krerët e Dibrës në Xhelisin e Gjoricës kundër turqve më korrik 1844 e në Vaun e Kojnarës në Drinin e Zi, vendi ku ra heroikisht plaku i maleve Cen Leka bashkë me të birin dhe në Bllatën e Epërme ndodhet Gjuri i Shpuar ku më 1855, krerët e Dibrës Salë Markja, Rahman Dema, Sal Demiri, Elez Murrja, etj. çarmatosën Hysni Pashën bashkë me ushtrinë dhe e përzunë nga Dibra në drejtim të Prizrenit. (Munir Shehu 2010),
Në krah të Urës së Topojanit të ze syri një lapidar të vogël kushtuar plagosjes së Heroit të Popullit Haxhi Lleshi në vitin 1942, por nuk ka as edhe një shënim se këtu janë bërë disa përpjekje me serbët, ku në kryengritjen e Grykës së Vogël më 1913 janë vrarë mbi 70 luftëtarë nga e gjithë Dibra. Në vazhdim fare pranë rrugës ndodhen vendbanimet e herëshme të Topojanit, Allabejgisë (Burimit) e Pesjakës të cilat përshkruhen me hollësi nga arkeologu i shquar dibran Prof. Adem Bunguri, në veprën e tij shkencore “Prehistoria e Dibrës, etj. ” (Adem Bunguri 2010)
Rruga automobilistike për në Peshkopi kalon mbi themelet e Kalasë së Grazhdanit (pranë qytetit të vjetër Uskania), një nga më të mëdhatë e vendit tonë, e pa zbuluar plotësisht për shkak të punimeve të pakta të kryera deri tani. Me pak punime që janë kryer vitet e fundit kufijtë e saj janë zgjeruar poshtë, duke iu afruar lumit të Drinit.
Gjatë gjithë këtyre itinerareve nga Sofraçani deri në Stelush e nga Shupenza deri në Peshkopi nuk gjen jo përmendore por as edhe ndonjë tabelë ku të shënohet se në këto vende janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme historike apo ka qenë një objekt i rëndësishëm i trashëgimisë historike, kulturore apo fetare, përveç 3 lapidarëve të masakruar, një në Sofraçan për betejën e Sofraçanit, një në Zogje për Çetën e parë partizane të Dibrës, një në Homesh për Brigadën e parë partizane, të cilëve u kanë hequr edhe pllakat e mermerit, ndërsa në hyrje të Peshkopisë edhe një lapidar i ngritur për luftën me serbët nën drejtimin e gjeneralit popullor Elez Isufit, apo “Gjeneralit me Shajak” siç e ka emërtuar shkrimtari i njohur dibran Xhafer Martini, para disa kohësh u hoq se duhej ndërtuar një objekt i “rëndësishëm”.
Shumë shtete të Europës, në kryeqytetet dhe qytetet e mëdha të tyre, kanë ngritur buste ose kanë emërtuar sheshe me emrin e heroit tonë legjendar, Skënderbeut, bile ka shtete pranë nesh që edhe përpiqen ta bëjnë të tyrin, ndërsa Dibra, vendlindja e Skënderbeut, përveç shtatores të ngritur në vitin 2010, në qytetin e Peshkopisë, me nismën dhe kontributin e biznesmenit dibran Zaim Korsi, sot nuk ka as edhe një muze, se edhe ai i ashtuquajturi muze i ngritur në Sinë para viteve nëntëdhjetë, që vetëm muze për Skënderbeun nuk mund të ishte (një ndërtesë e vogël një katëshe) është bërë i pavizitueshëm pas viteve nëntëdhjetë. Ndërsa në Dibër të Madhe shtatorja e Skënderbeut u rivendos në vitin 2003 me kontributin e komunës Dibër, qytetarëve e mërgimtarëve të Dibrës së Madhe.
Menjëherë më kaloi nëpër mendje një kronikë e dhënë para dy-tre vjetësh në Top Chanel ku një gazetar i këtij televizioni shkoi në Sinë për të përgatitur një kronikë në Muzeun e Skënderbeut, por nuk arriti të gjejë as çelësin e derës së jashtme, sepse ishte mbërthyer me dërrasa të vjetra dhe u fut në muze nga dritaret e shkatërruara pa xhame ku gjeti brenda vetëm mbeturina e disa relike dokumentesh të hedhura për tokë.
Me përfundimin e Rrugës së Arbërit, Dibra e Madhe do të jetë larg Tiranës vetëm një orë me makinë, kështu do të bëhet e mundur që edhe shumë objekte të rëndësishëm historikë, kulturorë e fetarë të qytetit të Dibrës së Madhe si, “shtëpia e vjetër e Suri Veliut, objektet religjioze si xhamia e Inqarit, Xhamia Bajram Beg, Kisha e Shën Mërisë, Manastiri Bigorski, Kisha Shën Jovan Preteça, Manastiri Shën Gjergji fitimtari, Ura e Kaprollit dhe shumë vende të tjera historike në Banjisht, Dibër e Kosovrast, etj.” (Shuip Marku,2016) të bëhen të vizitueshme nga qytetarët shqiptarë e të huajt që do të vizitojnë Shqipërinë e Maqedoninë. Nga Tirana do të vizitohen edhe Kështjella e Qyteti i Sfetigradit, Kalaja e Modriçit, etj. (Qeram Lleshi 2003) dhe shumë objekte të tjera historike, kulturore e fetare iliro-shqiptare, të lëna në harresë ose të tjetërsuara nga ish Jugosllavia e para viteve nëntëdhjetë dhe pushteti Maqedon i pas viteve nëntëdhjetë, në rrethinat e qytetet e Dibrës, Ohrit, Kërçovës, Rekës, Manastirit, Gostivarit, Tetovës, Shkupit e deri në Kumanovë, për të cilat ditët e fundit u dha një emision i posaçëm nga gazetari i Top Canel Marin Mema. Po të vazhdosh udhëtimin poshtë Peshkopisë dhe të shkosh në Kastriot apo në Çidhën, Sllovë e Kala të Dodës, Muhur, Selishtë, Dardhë, Reç e Lurë, në çdo vend, lagje, përrua, zabel apo kodër ka një ngjarje historike.
Në gazetën e Rrugës se Arbërit të muajit mars 2011, Dr Selman Mëziu, përshkruan deri në detaje toponimet e vjetra si : Ferra e Pashës, Përroi i Kastriotit, Bregu i Mullirit, Guri i Luftës, Mazreka, Troja, Kisha e Gjonit, Ara e Gjegjes, Ograja e Gjonit, Gjurët e Zes, Zabeli i Gjegjës, Zabeli i Kukës, Kulla e Gjonit, Hambarët e Skënderbeut, pranë Arës së Trojës etj etj. një kompleks muzeal natyral i “varrosur” që duhet “ç’varrosur ” . (Selman Mëziu,2011)
Aty ku ka qenë Kisha e Gjonit, ti kërkohet ndihmë komunitetit fetar katolik të Shqipërisë, etj., për të na siguruar fonde, që me madhësinë e atyre gurëve të mëdhenj të gdhendur me të cilët janë mbushur themelet e shtëpive për rreth tyre, ndër të cilat sipas pohimeve të tij edhe themelet e shtëpisë së shkrimtarit të shquar Ramiz Gjini, të ndërtohet një Kishë muze, dhe tek vendi ku janë shenjat e murit të trashë me gurë të mëdhenj të Kullës së Gjonit, të ndërtohet një kullë me gurë të gdhendur të paktën dy katëshe dhe kjo të shërbejë si Kulla muze e Kastriotëve.(Bashkim Lleshi Rruga e Arbërit prill 2011)
Është për t’u vlerësuar puna e Shoqatës Etnokulturore “Çidhna dhe Kastriotët” e cila në bashkëpunim me Bashkinë e Peshkopisë dhe pushtetarët vendorë vendas, të cilët më 23 nëntor 2014, bënë të mundur inagurimin e Përmendores kushtuar Betejës së Torviollit dhe luftërave për liri, në Kodër Laçes të Fushë Çidhnës duke i dhënë fund dilemave se kjo betejë është bërë në Fushën e Domodovës, Valikardhës, apo diku tjetër. Historiani i shquar dibran Ali Hoxha i cili ka luatur një rol të rëndësishëm që kjo përmendore të ngrihej në Kodër Laçes në përshëndetjen e tij theksoi: “…Emri i Dimitër Kastriotit, si banor i Sinës së Poshtëme në defterin kadastral të vitit 1467, vërteton jo vetëm origjinën e Skënderbeut në këtë krahinë, por edhe praninë e gjakut e të fisit të Kastriotëve këtu në Çidhën. Fakti historik që pikërisht këtu në Çidhën të Dibrës së Poshtëme, ku janë origjina, trojet dhe gjaku e farefisi i Skënderbeut, përbën argumentin se nuk ka qenë i rastit planifikimi që nga Stambolli, për t’a filluar sulmin e parë, ushtria osmane kundër shtetit shqiptar të formuar nga Skënderbeu…” (Ali Hoxha, 2014)
Ish ushtaraku dibran Hysen Repa në një shkrim të botuar në gazetën “Rruga e Arbërit” për betejën e Torviollit thekson se : “Kjo përmendore nuk është vetëm e krahinës së Çidhnës. Aty janë mbledhur bashkë 9 malet e Dibrës, Topalltia, Dibra e Madhe, Golloborda. Kjo është përmendorja e gjithë luginës së Drinit të Zi nga nga Struga deri në Shkodër. Ajo është dhe përmendorja e Kosovës, pasi në fushën e Torviollit luftuan bashkë nën komandën e Skënderbeut, Topias, Muzakët, Dukagjini, Zaharia e dibranë.” (Hysen Repa, 2014).
Kontribut të rëndësishëm në ngritjen e kësaj përmendoreje kanë dhënë Kryetari i Shoqatës “Çidhna dhe Kastriotët” Muhamet Bitri, ish kryetari i Bashkisë Peshkopi Ilir Krosi, historiani Ali Hoxha, si dhe Mustafa Tola, Hysen Repa, Huzri Hoxha, Haki Përnezha, etj. të cilët kanë qenë më të prokopuarit gjatë kohës së ndërtimit të përmendores, për t’a përfunduar në kohë dhe me cilësinë e kërkuar, si dhe mbi 50 kontribuesit dibranë, biznesmenë e jo biznesmenë që kanë ndihmuar me fondet e tyre për ndërtimin e kësaj përmendoreje.

Kështjella e Sfetigradit Foto © Q. Lleshi 2003

Sa mirë do të ishte që në krye të kësaj kodre të ngrihej madhështor busti i heroit kombëtar Gjergj Kastriotit që të shihte fushën ku ka zhvilluar betejën, apo busti i tij të ngrihej në Sukë të Arrasit, të propozuar në një shkrim të Abdurahim Ashikut, “në atë kodër që i qëndron gjithë luginës së Dibrës si far, që djathtas të ketë Shëgjethin, majtas Çelinë, poshtë fushën e Torviollit dhe përpara Dibrën mbarë” (Abdurahim Ashiku 2017)
Historiani i vjetër Kristo Frashëri mbështetur në dokumenta shkruan se : “Në Dibër vendet ku mblidheshin kuvendet e Maleve ishin Katundi Zogaj (Zogje B.Ll.)në Dibër të Epërme dhe Arrasi në Çidhën”(Kristo Frashëri 2012 faqe 302) por as në Zogje as, në Arras nuk ka qoftë edhe ndonjë përmendore të thjeshtë për të përjetësuar këto ngjarje të rëndësishme historike.
Po të shkosh në Çidhën të del përpara Gryka madhështore e Setës. A ka vend më të bukur turistik se Gryka e Setës (gjeomonument natyre) e cila sipas Abdurahim Ashikut ka në vetvehte edhe një “Monument bukurie dhe trimërie, Kanalin e Çidhnës, të piketuar me karabinë gjermane nga heroi i veprave ujore Gani Tuçepi e me mjete të kohës nga lauranti i çmimit të Republikës Beqir Kalia . ”(Abdurahim Ashiku 2017)
Në çdo krahinë të Dibrës mund të organizohen guida turistike jo vetëm për t’u njohur me bukuritë turistike të kësaj treve të pasur me gjeoparqe, gjeomonumennte, bio monumente e hidromonumente, (Perikli Qirjazi, Skënder Sala 2006, Vesel Hoxha, etj.2007) por edhe për t’u njohur me objektet e rëndësishme historike, kulturore e fetare, për t’u njohur më tej me historinë e kulturën e lashtë e më të vonshme iliro-shqiptare të kësaj treve të lashtë me histori të lavdishme. Për të realizuar këto guida turistike duhen që në rradhë të parë këto objekte t’i njohin administratorët e njësive vendore të cilët të kujdesen me mundësitë e tyre dhe më pas me fonde të shtetit nga komunat për ruajtjen, restaurimin e mirëmbjtjen e këtyre objekteve, për përmirësimin e rrugëve që të çojnë në këto objekte, në ngritjen e funksionimin e bujtinave, shtëpi-hotele për fjetje e ushqim të turistëve, si dhe përgatitjen e kuadrit të nevojshëm që të njohin historinë e vjetër e të re të krahinës, për udhëheqjen e këtyre guidave historiko-turistike. Atëherë do të jemi gati për të organizuar guida apo ekspedita të mirëfillta turistike për t’u njohur jo vetëm me bukuritë por edhe me historinë e lavdishme në shekuj të Dibrës.
Le të shërbejnë këto shembuj si dhe përpjekjet e mërgimtarit dibran Isa Elez Ndreu (nipit të luftëtarit të madh, Gjeneralit të pamposhtur popullor, Heroit, Eles Isuf Ndreu) me shokë dhe të revistës “Koha Jonë” për ti vënë emrin e Skënderbeut një sheshi në Paris, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij, të cilën e realizuan para 31 vjetësh, të shkruara në artikullin e Kristo Zharkalli, thirrja e Dr. Selman Mëziut “Të gjallët grishin gërmadhat” (Kristo Zharkalli 2011) shtatoret e Skënderbeut në Dibër e Peshkopi, përmendorja e Betejës së Torviollit në Çidhën dhe dy përmendoret e dy ngjarjeve historike në Macukull, si një mesazh që na bëhet gjithë intelektualeve dibranë, për ti “zhvarrosur gërmadhat”, për të mbështetur përpjekjet këmbëngulëse të intelektualit Abdurahim Ashiku (“Po Dibrës!, Jo Skavicës!”, 2009-2010) dhe historianit e gjuhëtarit Ali Hoxha me “Shoqatën për mbrojtjen e pellgut të Drinit të Zi”, për të mos e varrosur më tej historinë e Dibrës.
Për të arritur ta realizojmë në vazhdimësi këtë objektiv, në këtë fushatë zgjedhjesh parlamentare, si fillim, mjafton ti kërkojmë çdo kandidati për deputet, dhe çdo kryetari bashkie, të marrë përsipër, që në bashkinë e tij, për 4 vjet, të ndërtojë nga një përmendore në vit, për një ngjarje të rëndësishme historike, me gurë të skalitur të vendit, me shpenzimet minimale me fondet e vetë komunës, duke i bërë një shërbim jo vetëm komunës së tij, por gjithë Dibrës dhe me vonë të hartojmë projekte e të kërkojmë fonde, nga shteti ose organizma te tjera, që i gjithë territori i Dibrës, që Dibra e kuvendeve historike, e prijësve popullorë, e heronjve legjendarë, të kthehet në një muze ku vizitorët të njihen jo vetëm me bukuritë e natyrës së kësaj lugine të mrekullueshme por edhe me historinë e saj të lavdishme.

REFERIMET

Abdurahim Ashiku – “Po Dibrës !, Jo Skavicës !” Tiranë 2010
Abdurahim Ashiku – “Natyra dibrane, “guaska” që mban perlën e bukurisë shqiptare”
Gazeta “Rruga e Arbërit” nr.3(131) mars 2017
Adem Bunguri – “Prehistoria e Dibrës” Tiranë 2010
Adi Darsi- “Për në Petralbë, një rrugë drejt historisë” Gazeta “Rruga e Arbërit” nr.3(131) mars 2017
Ali Hoxha(2014) Kjo përmendore na kujton se të parët tanë këtë truall e kanë mbrojtur me gjakun dhe
jetën e tyre. Gazeta Rruga e Arbërit nr. 11 (103) Tiranë nëntor 2014
Iljaz Kaca – “Rrugët e vjetra të Dibrës” Tiranë 2003
Bashkim Lleshi – “Rruga e Arbërit i shërben edhe zhvillimit më të shpejtë të turizmit malor dhe njohjes së mëtejshme të historisë” Gazeta “Rruga e Arbërit” nr.6 tetor 2006
Bashkim Lleshi-“Macukulli fshati i historisë së vjetër dhe investimeve të reja” Gazeta “Rruga e Arbërit”, prill 2011
Destan Rama-“Peladhia, një emër që vjen nga legjenda” Gazeta Rruga e Arbërit nr.7 (99) korrik 2014
Hysen Repa -“ 470 vjetori i Betejës së Torviollit“Gazeta Rruga e Arbërit nr.6 (98) qershor 2014
Kristo Zharkalli – “Takim me Isa Elez Ndreun”, Gazeta “Rruga e Arbërit” Mars 2011
Moisi Murra-“ Mersim Dema, Mbreti i Maleve”, Tiranë 2003
Munir Shehu – “Dibra I në vitet 1840-1860”, Tiranë 2010
Perikli Qirjazi, Skënder Sala –“Monumentet e natyrës së Shqipërisë” Tiranë 2006
Qeram Lleshi- “Përshkrime dhe konstatime mbi Sfetigradin nga burime historike dhe gjurmime në terren”
Sesion shkencor “Skënderbeu dhe Dibra “ faqe 195-214, Dibër mars 2003
Selman Mëziu – “Të gjallët grishin gërmadhat”, Gazeta “Rruga e Arbërit” Mars 2011
Shuip Marku – “Uji dhe mali aty ku shërohet trupi dhe shpirti” Gazeta Rruga e Arbërit nr.7 (123) korrik 2016.
Valter Shtylla- “Rrugët dhe urat e vjetra në Shqipëri” faqe 19, Tiranë 1998
Valter Shtylla- “Rruge eArbërit rruga kryesore e vendit krahas rrugës Egnatia që në lashtësi”
Kuvendi Tekniko-Shkencor për Rrugën e Arbërit, faqe 5-19, Tiranë maj 2007
Vesel Hoxha etj.- ”Pasuritë minerale të rajonit të Dibrës që mund të vihen në qarkullim ekonomik me ndërtimin e Rrugës së Arbërit” Kuvendi tekniko-shkencor për Rrugën e Arbërit“ maj 2007.