A është “Qytetar Nderi” Xhafer Martini?!


Xhafer Martini

Para disa kohësh, në listën bajagi të gjatë “Qytetar Nderi” për Bashkinë e Peshkopisë, u shtua dhe një personalitet tjetër… E ç’rëndësi ka se ç’profesion kishte Mohikani i Fundit, se ç’farë seksi, moshë a tiparet karakteristike të fytyrës, ngjyra e flokëve apo meritat e spikatura në veprimtarinë e përditshme disa vjeçare, dhjetra vjeçare në shërbim të komunitetit, për komunitetin e në funksion të komunitetit. Veprimtaria e dhënies së titullit u zhvillua në ambjent diku në qendër të Tiranës, me jo pak të ftuar, me jo pak dashamirës, një auditor i mbushur plot me fytyra të njohura, fytyra disi të lodhura nga jeta gjithë zhurmë e strese në metropolin shqiptar, ndër të cilët isha dhe unë… I ulur diku nga fundi… Jo për faktin se shkova disi me vonesë, (atëherë kur vendet e fillimit zakonisht janë të zëna), por se më pëlqen që në raste të tilla të gjej vendin më të qetë, larg buzëqeshjeve servile, kujtesave të përkohshme, xhentilesave tipike të stisura, që në takime e festime të tilla janë të pa karar e të pa cak. Pastaj, e thënë troç, nuk më pëlqejnë salltanetet, fjalime oratorësh, mburrjet e lëvdatat pafund për titullmarrësin, tufa lulësh, familjarë të ekzaltuar… I ndodhur në rreshtat e fundit humbet disi forca shkëlqimtare e tyre, verbuese, paralizuese, elektrizuese, duke ardhur më njerëzishëm, më tokësore, më të buta e për pasojë më të vërteta, më të besueshme e veprimtaria disi më normale, më e thjeshtë e më pa salltanete.
Për çudi, në aktivitete të tilla plot dithirambe më rrjedh kujtesa si përrua për të njohurit e qytetit tim, për shumë e shumë figura të ngjashme, pafundësisht të ngjashme me personalitetin që sot merr titullin e lartë “Qytetar Nderi” Parakalojnë para kujtesës sime të vdekur e të gjallë. Njerëz të thjeshtë, punëtorë të palodhur, familjarë të admiruar. Nuk janë të gjithë mjekë, as të gjithë ish drejtorë ndërmarrjesh, as ish artistë, as ish oficerë apo policë, as ish e ish… vijnë pa asnjë cmirë që zakonisht e shoqërojnë sojin njerëzor, pa asnjë zili, kundërshti, xhelozi që zakonisht gërryejnë racën njerëzore që më së shumti zhurmojnë para dhe pas pak ditëve të aktiviteteve të tilla. Pastaj…Pastaj çdo gjë pret aktivitetin e rradhës me të njëjtin sallë, podium, pjesmarrës, rradhë pune, oratorë të ngjashëm në fizionomi, letra fjalimesh, kollare të vëna enkas, thashetheme grash nga rrugicat e kroin e fshatit…
Aty nga fundi ku zakonisht ulem unë, vijnë e ulen përkrah meje e janë në kujtesën e në vëmendje time njerëz të thjeshtë si Han Zyberi, kovaçi i talentuar që i jepte frymë hekurit, apo Ramiz Açka, çliruesi i palodhur i oxhaqeve të zëna e me probleme në tërheqjen e tymit, shpërdarësi tolonave të drurit të zjarrit, Lavdrim Selami, mjeshtri i ndërtimit, ustai, Ismet Kadria, mesuesin e paharuar Qani Pertafi apo Kujtim Leka, Met Xhombulla apo zotni Hasan Rrapi, Iljaz Kaca…nënë Xhelabie apo zonja Ramika Pitarka, Ruzhdi Shehun e Met Hajrullain të persekutuar nga rregjimi apo doktorin infermier Ziçe Kuka, drejtues të palodhur në punë e të panginjur me ndershmëri si Idris Lala, Rahman Çenga, Riza Shehu, Met Kallaverja, Ahmet Kaçori e Perleka, Myslim Koka, Qamil Ashiku, e shumë e shumë të tjerë… Të më ndjeni të dashur lexues por ju mund të rëndisni dhjetra blektorë të talentuar, fermerë të palodhur e të suksesshëm, studiues të historisë së Dibrës, shkencëtarë, doktorë shkencash, profesorë të nderuar si Shaban Sinani, apo poetë e romancierë të spikatur si Agron Tufa…
Mblidhemi andej nga fundi ku dhe bokset e mikrofonave ndihen disi më dobët, bisedojmë e qajmë derte me njëri-tjetrin, për shpërfytyrimin e qytetit tim, për shtesat e pallateve krejt pa kriter, për lulishtet e djegura e të zëna me turrat e druve ku gëlojnë vetëm minj e merimanga e për asfaltin e dalë mos më keq e për dreq…
Të them të drejtën nuk kam asnjë kundërshti, zili apo bezdi, aq më pak cmirë për Qytetarët e Nderit të qytetit tim. Përkundrazi. Si shumëkush përulem në gjunjë ndaj figurave të tilla që kanë spikatur ndër ne të tjerët, kanë dhënë kontribute të vyera, e gjithsesi kanë lënë gjurmë në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore, ekonomike, në jetën e qytetarinë e përmendur dibrane dhe më gjerë. Shumë prej tyre ende vazhdojnë të kontribuojnë me sa e si munden për vete, familjen, qytetin, fshatin, krahinën, vendin. Në këtë kuadër, a mund të bëhesh Qytetar Nderi pse ke qenë dikur për pak vite, qoftë dhe për shumë vite shef shëndetësie, shef plani, shef klinike apo pavioni, shef hipoteke, kuadri apo drejtor ndërmarrje, kryetar kooperative, kryetar dege…Po mund të bëhesh. Bëhesh kur veprimtaria jote jo vetëm ka lënë gjurmë të thella në drejtimin ekonomik të kohës, por novacioni, evolucioni, vizioni, transformimi, kultura, qytetaria, mirësia, pasioni, kompleksiteti intelektual përbën në vetvete aksin e figurës që meriton titullin e lartë të Qytetarit të Nderit. Ky aks figure, nëse mund ta quhet kështu, domosdo duhet të jetë krejt i spikatur, krejt i veçantë, krejt ndryshe nga të tjerët, nga shumica e mundshme e njerëzve të nderuar të komunitetit.
Në këtë shtrirje mendimi dua të shtoj se qëllimi i këtij shkrimi nuk është për të analizuar meritacionet e pesonaliteteve që kanë marrë deri tani këtë titull, që për hir të së vërtetës kjo listë për qytetin tim është e gjatë. Vetë kjo “listë e gjatë” sikur ja ul vlerat vetë titullit të lartë dhe akridituesit e këtij titulli. Dikush më thotë se tituj të tillë janë dhënë disi me ngut, me lobingje rastesore, në të shumtën në kohë fushatash elektorale, fill pas kontributeve partiake fill pas zgjedhjeve elektorale. Zoti më faltë por pas ndonjë titulli Qytetar Nderi fshihet një fjalë e dhënë, një pazar politik i bërë, dhjetra vota të tjetërsuara, ndere për militantë e partiakë, për dredharakë partiakë, garë e shfrenur fisesh, oxhaqesh, grupimesh, parcelizmave.
Titulli Qytetar Nderi është i larë më flori, më thotë një veteran i punës në Peshkopi. Duhet të gërmosh me vite për të nxjerrë pak flori nga toka. Peshkopia dhe treva e Dibrës ka njerëz me të vertetë që veçohen për vlerat intelektuale, akademike, krijuese, zhvilluese jo vetëm për zonën, por shumë më gjerë, duke rrezatuar me vlera të spikatura, të rralla. Shumë prej tyre janë nderuar me këtë titull të lartë dhe jo vetëm. Figura të tjera do të nderohen në të ardhmen. Do zoti kurrë në kohë fushate apo fill pas fushatave elektorale…jo me shërbime partiake e nga shpërblime partiake. Qoftë larg të vazhdohet qoftë dhe me hamendje një praktikë e tillë që ul vlerat e larta që mbart ky titull i lartë e fisnik. Kështu, lista e Qytetarëve të Nderit bëhet çarçaf, e gjatë dhe me probleme që shpesh bëhen objekt diskutimesh, kundërshtish, hamendësimeve. Ndaj duhet kujdes, paanësi, një bazë e përcaktuar vlerash, një seleksionim jashtë politikës, jashtë interesave mediokre, që në të shumtën janë edhe të neveritshme. Rujna Zot po hyri dhe ekonomia e tregut në dhënie titulli! Një titull i tillë nuk mund të blihet kursesi si titujt kalorsiakë në kohën e mesjetës! Qytetar Nderi nuk mund të bëhesh kursesi për hir të fisit, të Derës së Madhe, të Malit apo Fushës, të Pragut apo të Oxhakut. I tillë bëhesh për kontribute të spikatura vetjake në shërbim të qytetit, në shërbim të trevës, në shërbim të kombit.
Mendoj se kriteret e dhënies së titullit të lartë “Qytetar Nderi” duhet të ndryshojnë. Të mos varen thjesht tek mendja dhe dora e kryetarit të bashkisë qoftë dhe të këshillit bashkiak. I pari për interesa partiake, të fushatave para dhe pas zgjedhore mund të këtë preference, interesa të ngushta të çastit, të dytët mund të manipulohen, për t’u mos u bërë pengesë, të mos prishin qejfin qoftë të kryetarit qoftë të propozuarit. Fare mirë mund dhe duhet të tërhiqet mendimi, opinioni i komunitetit, i strukturave të komunitetit, i rretheve intelektuale, të historinëve, të me qëllim që vlerat e titullit të mos bien në kufirin e interesave e lobingjeve.
Në këto përpjekje për të çuar deri në fund arsyetimin tim, arsytimin për të portretizuar një Qytetar Nderi kontributesh mbarë dibrane, fisnik, i thjeshtë, futur në botën e tij krijuese, më shfaqet shkrimtari ndër më prodhimtarët, më cilësorët, më të spikaturit e letrave dibrane dhe jo vetëm, Xhafer Martini. Shkrimtar, studius, historian,sociolog, etnolog, gjuhëtar etj, me një kolanë të pasur veprash të botuara, si pak kush, si rrallë kush, me projekte të mrekullueshme për të ardhmen, mjafton një përkrahje modeste sponsorizimi nga Bashkia, biznesi etj. Do të ishte një fat të lumë për ne që shkrimtari e studiusi i palodhur është vital në krijimtari e i palodhur në kontribute, qytetar model e njeri që reflekton mirësi e hirësi…
Pra, ky personalitet i letrave dibrane dhe shumë më gjërë, Xhafer Martini a është shpallur Qytetar Nderi për qytetin tim, për bashkinë tonë? Me siguri, i thoja vetës. Nuk mund të ndodhë ndryshe sepse në fushën e letërsisë, në fushën e artit pak të tillë ka qyteti im dhe lista e saj nuk është kushedi se sa e gjatë. Por isha gabuar. Më përgjigjet thjeshtë, me atë buzëqeshje të lehtë që nuk i hiqet nga buzët…Nuk më ka ardhur ende rradha. Ka të tjerë, plot të tjerë. Kuptohet se arsyet krejt subjektive e ka në lënë jashtë vëmendjes njeriun e nderuar z. Martini, pos të tjerave dhe larg nga titulli, larg nga vlerësimi i një këshilli bashkiak që nis e bitis nga diktimet e politikave të çastit, sipërfaqësore e rastësore. Por unë, e shumë të tjerë si unë do të kishin dëshirë, do të kisha nder të kisha më së pari pikërisht Xhaferin Qytetar Nderi, do të krenohesha me të thjeshtë si bashkëqytetar i tij e më thjesht se tek ai kanë gjetur përkrahje me dhjetra e dhjetra krijues të rinj të artit, letërsisë, kulturës, një ndër të cilët jam dhe unë.
Me bindjen se kam të drejtë në argumentat e arsyetimet e mia pyes: Po Xhafer Martini kur do të bëhet Qytetar Nderi i qytetit tim?