Ali Abas Buci, drejtuesi e kryetari që mbahet mend për mirë


Kur radhis figura të nderuara të Lurës, nuk mund të lë pa përmendur dhe emrin e veprën e nderuar të Ali Abas Bucit, burrë trim, organizator dhe drejtues i talentuar, i lindur dhe i dalë nga Kulla e nderuar e Bucit në Fushë-Lurë. Ky burrë i zoti, i mençur shquhej për patriotizëm, burrëri, bujari dhe besnikëri. Nga kjo kullë dolën njerëz të nderuar të cilët mishëronin tiparet e të parëve të tyre dhe bënë gjatë jetës së tyre punë e vepra të mira që janë vlerësuar nga populli i Lurës. Aliu ishte drejtues i familjes së madhe të Kullës së Bucit, aftësia, respekti, puna e palodhur, besnikëria e shumë cilësi të mira e të veçanta që kishte ky njeri, ranë në sy për mirë jo vetëm në fisin e tij por dhe në gjithë Lurën. Aliu kishte shokë e miq të nderuar, në Lurë e jashtë saj.
Buci, fisi i Aliut, ka bërë emër për mirë, ky fis nuk ka kursyer edhe djalin për mikun, ka luftuar dhe ka kontribuar edhe në luftëra për atdhe e për liri. Është Buci i Lurës që krahas timave të bajraktarit, ka marrë pjesë në luftë dhe ka ruajtur flamurin dhe e ka sjellë në Lurë. Ali Buci ka drejtuar një familje shumë të madhe, me respekt, me ato cilësi të larta të malësorëve të Bucit, bujarë dhe të drejtë. Në drejtimin e familjes së madhe të Bucit, binte në sy organizimi, drejtësia në familje, respekti për njëri-tjetrin e shumë cilësi që duhen përmendur dhe të merren shembull frymëzimi për njerëzit edhe në ditët e sotme.
Në Kullën e Bucit nderoheshin miqtë, dera e Bucit ishte e hapur si për fukaranë dhe për të pasurit. Me bujarinë e madhe të kësaj shtëpie nderoheshin të njohur e të panjohur dhe urimi i njerëzve e vizitorëve për këtë familje ishte i madh. Nga kjo kullë dolën burra të zotë, trima e punëtorë. Aliu ndihmoi me familjen e tij për çlirimin e vendit, sjellja dhe puna e këtij personi admirohej nga të gjithë. Për cilësitë e tij, për vendosmërinë që kishte, për ndihmën që dha gjatë luftës për liri, Aliu zgjidhet kryetar i parë i Këshillit në Fushë-Lurë në këtë fshat të nderuar dhe patriot. Në atë kohë edhe në Lurë të vjetër e Bovie-Lurë u vendosën kryetarë të nderuar si Hasan Batalli dhe Liman Dullë Hoti.
Në ditët e para të çlirimit Aliu ndihmoi në Fushë-Lurë po dhe në Lurë dhe merrte vendime të pjekura dhe ruante gjithnjë figurën e nderuar të tij për të mos i bërë keq askujt, ai jepte garanci për njerëzit në qeveri dhe i ndihmonte ato që të ruanin veten nga rreziqet që mund t’i vinin çdo njeriu, sepse ishte koha e turbullt.
Besnikëria e kësaj familje ra në sy për mirë si për qeverinë e asaj kohe por më shumë për Lurasit. Janë burrat e Kullës së Bucit që nuk i bënë keq askujt dhe gëzuan respekt. Ata ishin patriotë por dhe njerëz gjigantë, punëtorë, pasqyronin kudo dhe kurdoherë figurën e malësorit me Kostum Kombëtar, me pastërti shembull në veshje, në shtëpi e kudo. Shtëpia ku jetonte Aliu me vëllezër shkëlqente si bora e pastër dhe Kulla e Bucit binte në sy jo vetëm për pozicionin që kishte, por edhe pamjen që jepte. Në atë kullë jetonin njerëz fisnikë.
Nga kulla e Ali Bucit dolën njerëz të nderuar, por dhe njerëz që kanë shërbyer si kuadro në Lurë e në vende të tjera. Të tillë përmendim kuadrot si Hamit Buci, Hysen Buci, Faik Buci, Idris Buci, Xhavit Buci etj. Këta dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje punuan me devotshmëri dhe jepnin figurën e nëpunësitë të nderuar me të gjitha cilësitë e mira. Nuk lihet pa u përmendur puna e Hysen Bucit, nëpunës i përpiktë, korrekt, i cili ka drejtuar për një kohë të gjatë sektorin e mirëmbajtjes së rrugëve në Lurë. Cilësitë e tij prej organizatori, drejtuesi i rregullt dhe i përpiktë binin në sy, por duhet theksuar se duke qenë nga Kulla e Bucit që kanë dhënë kontribute për liri e demokraci, figura e Hysenit nuk u vlerësua nga sistemi i parë. Hyseni kishte një humor të veçantë, sarkazëm (figurë letrare) që përdorte Hyseni vinte në lojë drejtuesit e paaftë të asaj kohe. Pra Hsyeni ishte inteligjent, trim i zgjuar dhe e mbylli jetën e tij shembull i njeriut punëtor i arsimuar dhe prind model, ku dhe djemtë e tij manifestojnë ato cilësi bujare e të mira të Hysenit. Me gjithë luftën që iu bë në kohën e diktaturës, ai me zgjuarsi e me punë të ndershme i shpëtoi atij regjimi që shumë herë e luftonte. Xhavit Buci, punoi e jeton në Tiranë për shumë vite, duke ruajtur cilësitë e Ali Bucit dhe duke ruajtur vlerat e asaj familje.
Të rinjtë e Kullës së Bucit sot punojnë e jetojnë më së miri kudo që janë brenda e jashtë vendit. Duhen përmend për mirë të gjithë vëllezërit e Ali Bucit, por dy fjalë po shkruaj për shumë të nderuarin Seit Bucin, njeri i rregullt në paraqitje, në veshje e pastërti model. Edhe kur shkonte diku jepte figurën e njeriut estetik, me humor e delikatesë, ku dallohej e çmohej nga njerëzit. Për Kullën e Bucit duhen shumë rreshta, por me këto pak fjalë, shpreh atë respekt për këtë familje të nderuar në Lurë. Është detyrë e institucioneve që krahas vlerësimit të figurave të tjera në Lurë, të vlerësohet e të nderohet figura e nderuar e Ali Bucit të Fushë-Lurës si këshilltar i zoti e i pari.