Arif Vladi, zëri i këngëve lapidare


Arif Vladi lindi më 3 shtator të vitit 1956 në Lurë ku kreu shkollën fillore, për të vazhduar Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe Akademinë e Arteve – dega kanto (1980). Si nxënës i klasës së gjashtë, u ngjit për herë të parë në skenë, në festivalet e zonës, për të vazhduar pa shkëputje në të gjitha festivalet folklorike të Rrethit, ndërsa kënga e parë e kënduar nga ai para publikut ishte “Djemtë e Lumës, hiç s’kanë dert”. Fama e tij artistike nisi në fillim të viteve të ’80-ta, ku pas mbarimit të Akademisë, dy vjet punoi si këngëtar në Ansamblin Shtetëror të Këngëve e Valleve dhe pastaj në Estradën e Peshkopisë (deri në vitin 1989), kurse kulmin famës e arriti në vitet e fundit të shekullit XX. Përhapja e famës së Arif Vladit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e diasporë, u bë me punimin e këngëve “O prite Azem Galicën”, “Hajredin Pasha”, “Jakup Ferri me bajrak”, “Sefë Kosharja i pari i fisit”, “Jam Kosova e shqiptarisë”, “Marshi i UÇK-së”, etj. Si talent i rrallë i këngës shqipe, me popullaritet të pazakonshëm, merr pjesë në shumë turne ndërkombëtare, ku këngët e tij ishin “ajka” e repertorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, si në Francë (1980), Zvicër (1981), Gjermani Perëndimore (83), Algjeri-Tunizi (1984), Itali-Austri (85), Egjipt (89), etj. Në sirtarin e tij artistik rradhiten këto albume muzikore: “Arif Vladi këndon”, “Kënga ime për shqiptarët”, “Unë dhe këngët e mia”, “Jam Kosova e shqiptarisë”, “Marshi i UÇK-së”, etj.
Arif Vladi me këngën e tij të kënduar me profesionalizëm dhe përkushtim të pashoq, u bë “pushka” atdhetare e shqiptarisë, krisma e të cilës u dëgjua në luftën heroike çlirimtare të UÇK-së së Kosovës, për çlirimin njëherë e përgjithmonë nga regjimi i Serbisë. Sot ai bashkë me familjen jeton e vepron në Belgjikë, por kohë pas kohe vjen në Shqipëri e Kosovë, ku me bashkëpunëtorët e tij: tekstshkruesin Agim Doçi, kompozitorët Edmond Zhulali e Përparim Tomçini, me këngëtarin që kanë realizuar disa hite kushtuar heronjve dhe kombit shqiptar Ilir Shaqiri, punon projekte të reja. Sivjet, për personalitetin dhe veprimtarinë e tij artistike, të pazakontë deri më tani, është realizuar një film dokumentar nga kolegu i tij Ilir Shaqiri, regjisori Blerdi Malushi,e gazetari Besart Galica, i titullluar “Arif Vladi – Zëri i këngëve lapidare” u shfaq në Muzeun Historik në Tiranë dhe në Qendrën për Kulturë “Haki Stërmilli” në Peshkopi. Emri i Arif Vladit do të përmendet gjithnjë, asnjë kohë nuk do të kalojë pa e kujtuar këtë këngëtar brilant, dhe do ngrihet në krahët e kujtesës për të fluturuar në fushat e mbjella me histori e kultura të reja të së ardhmes. Tre bashkëpunëtorët, njëherit dhe miqtë e Arif Vladit që i kemi përzgjedhur për të shprehur vlerësimet për të, na veçojnë:

HAXHI MAQELLARA (këngëtar dhe kantautor): “Të flasësh për Arif Vladin, këtë figurë markante të muzikës shqiptare dhe asaj dibrane, duhet të mendohesh mirë. Këngëtar si Arif Vladi, Shqipërisë dhe Dibrës, i vijnë njëherë në 100 vjet! Unë jam krenar që e kam shok e mik të ngushtë dhe po ju them me plot gojën se përulem deri në pafundësi përpara emrit të tij të madh. E kush përfaqësoi Dibrën më mirë se ai?! Kush i këndoi “Kosovës Martire” dhe Epopesë së lavdishme të UÇK-së më bukur se ai?! Përsëri me plot gojën po them – askush! Ai është NDERI i kulturës shqiptare dhe asaj dibrane, ndaj uroj , me shpirt e me zemër, që të ketë jetën e gjatë e të lumtur dhe të na freskojë shpirtin edhe me shumë këngë të tjera”.

LIRIE RASHA (këngëtare): “Me Arifin kemi punuar bashkë që nga vitet ‘80 e deri në vitin 1994, në trupën e Estradës Profesioniste të qytetit të Peshkopisë. Arifi ka spikatur gjithmonë për vlerat e tij vokale dhe interpretative. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar për artin dibran, si dhe ka elaboruar mrekullisht zhanrin e këngëve patriotike, sidomos ato kushtuar luftës në Kosovë. Karriera e tij ka qenë e suksesshme dhe me një trend vazhdimisht në rritje. Përveç pjesës së muzikës, Arifi është një koleg shumë i shoqërueshëm që sjell humor në tryeza miqsh”.

AVNI NDREU (koreograf e valltar): “Arif Vladi pa dyshim është një ndër zërat më brilant të këngës e muzikës kombëtare. Ai gurgullon me zërin e tij të papërsëritshëm si ujëvarë, në flladin e bjeshkëve. Me interpretimet e fuqishme të tij, ai e ka ngjitur këngën shqipe në majat më të larta duke bërë që të shpaloset plot dinjitet edhe në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, Arif Vladi mbetet gjiganti i këngëve hymn kushtuar patriotizmit e atdhetarizmit e të luftës së UÇK-së. Pa mëdyshje mund të themi se ai ishte kolona zanore dhe shpirti i UÇK-së. Zëri i Arif Vladit mobilizon, por edhe flladit, të bën krenar por dhe te hedh në valle, është zëri që i kishte munguar këngës shqiptare e tani siç e thashë edhe me lartë, e ka ngritur në majat më të larta. Unë jam shumë i vlerësuar që në dhjetra koncerte të tij kam qenë pjesëmarrës si koreograf dhe valltar, duke u rreshtuar përkrah këtij artisti të madh e të papërsëritshëm, ku padyshim muzika e këngëve të tij ka qenë edhe muzika e koreografive të krijuara nga unë. Arif Vladi është artist human që e do vendlindjen, i don njerëzit, i dhimbset kombi kur vuan, por ngazëllen kur sheh që shqiptarët kudo që janë ndjehen mirë. Kjo e bën më dimensional si artist, duke i dhënë dhe tagrin e zëvendësit të kombit me këngët e tij”.