Familja Topuzi, aty ku me punë ndërtohet e ardhmja


Kur nisesh nga Maqëllara, për të shkuar për në Peshkopi, aty në të majtë, në vendin e quajtur Qenok, majë një kodrine të bukur, ngrihet një vilë. Jo shumë e madhe nga përmasat, por me njerëz punëtorë, bujarë e mikpritës, të zgjuar e inteligjentë. Bedri Topuzi, nga fshati Trepçë, një burrë truplidhur, energjik dhe me një palë mustaqe të vogla, që i hijeshojnë fytyrën, e ka shumë të limituar kohën. E takojmë në bllokun e qershive, të mbjellur bukur nëpër brezare, duke vjelur prodhimin e ri.
“Nuk është ai prodhim që shpresonim”, – sikur fsheh një keqardhje brenda në shpirt. – Duhej të kisha marrë mbi pesë ton dhe duhet të kënaqem me një të pestën e kësaj shume”. Dëmtime të ndjeshme pata dhe në arra, mollë, dardhë, pra në të gjitha kulturat drufrutore. Por Bedriu nuk është nga ata që e pranojnë humbjen kollaj. Ashtu si një sportist i mirë që synon dhe nuk ndalet për të marrë titullin, deri në arritjen e qëllimit.
Shpesh gjërat rrjedhin në një rrugë të shtruar që më parë, në një traditë të hershme, diçka e ngjizur në genet e familjes, apo fisit. Gjyshi i tij, Ademi, shquhej në fshat si një fermer dhe blektor i mirë. Familja e tij vazhdimisht i mbante tre katër lopë, një kalë dhe një ka, që e zinte në parmendë me kushëririn e tij, saherë që duheshin kryer punimet e pranverës, apo vjeshtës. Një tufë mikse me dhen e dhi mbushnin oborrin e shtëpisë me zilkat plot nuanca melodie në mëngjes dhe në darkë, kur ktheheshin të ngopura nga kullota e bollshme e malit. Ndërroi jetë diku nga vitet nëntëdhjetë, duke i lënë familjes bereqetin e punës, që s’do të kishte të sosur. Tush Topuzi, djali i tij i ngriti më lartë vlerat e punës dhe inteligjencës, kurse nipi, Bedriu, synon lartësi akoma më të mëdha.

FERMA E LOPËVE
E përmendëm që familja e tyre ka pasur vazhdimisht tre katër lopë me vlera të mira rracore. Pas viteve 2000 kjo shifër do të rritej mbi pesë, kurse sot Bedriu mbarështon dhjetë krerë lopë të rracave Holenshtjn dhe Taranteze të kuqe.
“- Nuk do të heqim dorë nga këto dy rraca, – thotë djali i tij Admiri, që ndonëse ka mbaruar për gjuhë të huaja, është i dashuruar marrëzisht me fermën që kanë ngritur. – Rraca e para, – vazhdon shpjegimin e tij Admiri, ka sasi dhe cilësi, kurse Tarantezja ka shumë rezistencë dhe një qumësht të pasur me yndyrë”. Në periudhën e verës lopët shfrytëzojnë terrenin e bollshëm rreth shtëpisë, të rrethuar me tel dhe me lera të vogla, ku mund të pinë ujë sa herë që dëshirojnë. Nuk kanë bari dhe në darkë kthehen vetë në stallë të ngopura, por gjithsesi për tu plotësuar dhe me një vakt koncentrati prej pesë kilogram secila. Stalla është e freskët, e sistemuar mirë, e pajisur me makinë mjelëse dhe një mulli me çekiç, për të bluar koncentratin.

Bedriu ka punuar mbi dhjetë vite në strukturat e policisë së shtetit. Ka mbaruar shkollën e mesme për agronomi dhe gati deri në përfundim fakultetin për gjeografi në Shkodër. Nuk e finalizoi për disa arsye dhe sot nuk ndihet aspak i penduar. Ai tregon se mbi 70 përqind të bazës ushqimore, sidomos të dimrit e prodhon vetë. Ka të mbjellë mbi një hektar misër dhe shtatë dynym tërshërë. Kur korret ajo, bëhet gati toka për misër hamullor, apo misër 86 ditësh, që do të thotë se mund të arrijë dhe pjekjen normale. Bari i shumtë i pemtores është një tjetër mundësi për të rritur rezervat ushqimore. Ferma e tyre prodhon mesatarisht 80 litra qumësht në ditë, që e ka të shitur plotësisht. 60 litra i dërgon në baxhon e qytetit, kurse njëzetë të tjera i dërgon në një pikë shitje në Bulqizë. Ka mbi dhjetë vjet që funksionon një kontratë e tillë, si një tregues i cilësisë së qumështit, i pastërtisë së tij, i seriozitetit. Është kjo kontratë e thjeshtë, një shembull dhe një model se si duhet të operojnë bizneset bujqësore dhe blektorale në ekonominë e tregut, aq shumë të pasigurtë.
Mbi një milion lekë të ardhura hyjnë në buxhetin e kësaj familje për çdo muaj. Normalisht dhe viçat janë një tjetër vlerë e shtuar. Zakonisht ata i dërgon në thertoret e qytetit, pas 6 – 7 muajsh, me një peshë mbi 300 kilogram peshë të gjallë. Kështu, të dy palët ngelen të kënaqura. Lopët me trajtimin që u bëhet dhe fermeri me të ardhurat që përfiton. Kjo është një nga arsyet përse Admiri që ka mbaruar shkollimin e lartë i qëndron aq pranë fermës dhe është i dashuruar me të. Po të shtosh pavarësinë e veprimit, menaxhimin e kohës, kënaqësitë materiale e shpirtërore që të jep një biznes i tillë, atëherë zgjedhja e djalit të ri duket vërtetë e pëlqyeshme. Ai ka vendosur të ndërtojë këtu të ardhmen, duke qenë pjesë e atyre që duan të ndërtojnë këtë vend e këtë komb. Me siguri, Zoti do ta bekojë e do ta mbështesë në punën dhe përpjekjet e tij.

PEMTARIA
Familja Topuzi bashkë me tokën që mori pas viteve nëntëdhjetë, trashëgoi dhe një sasi pemësh të vjetra, të mbjella nga N.B. ja e dikurshme. Për pak kohë u kujdesën për to, por ndihej e nevojshme një sipërmarrje e re, të cilën nuk vonuan dhe nuk hezituan ta bëjnë. Pas viteve 2000, e sidomos me futjen e skemave të subvencionit nga qeveria shqiptare, familja Topuzi filloi të bëjë një projekt të studiuar për pemëtoren e re.
U fillua me kumbull e mollë, që tradicionalisht ishin kultivuar në atë zonë. Më pas qershia, dardha, arra e të tjera kultura, sikur i dhanë një kolorit, peizazhit bosh e monoton. Të dy vëllezërit, Bedriu dhe Arturi, mbollën gjithsej mbi tre hektarë pemtore. Bedriu përpiqet që tu shërbejë maksimalisht pemëve, si të thuash, ti detyrojë ato të prodhojnë. Në 100 rrënjë të bllokut të qershive, ai dërgoi dhjetë traktora me pleh organik, të kalbur mirë. Traktori gjerman i markës “Huliman”, ka gati 20 vite që i shërben fermës me punime dhe transporte të ndryshme dhe prapë nuk jep shenja lodhje. Po Bedriu do tu paraprijë gjërave dhe po aplikon te fondacioni “Sared “ për një traktor të ri, të fuqishëm, të pajisur me të gjitha agregatet e duhura. 200 rrënjë arra janë në vitin e gjashtë të prodhimit. Themi si me shaka, se kur të rriten dhe pak, këto pemë do të japin rreth një kuintal secila. Shumëzimet bëhen lehtë duke na dhënë një shifër prej mbi 50 milion% lekë të ardhura. E gjitha kjo vetëm nga arra. Në fakt, nuk është as ëndërr dhe as shaka, por një mundësi reale që buron nga puna, pasioni dhe përkushtimi i kësaj familje, që ka vënë forcën dhe shpirtin e saj, në funksion të fermës.

INFERMIERE ANILA

Ajo nuk është tjetër, veçse bashkëshortja e Bedriut. Ajo është bashkëudhëtarja e jetës, nëna e dy fëmijëve të mrekullueshëm dhe krahu i tij i djathtë. Ka mbi 20 vjet që shërben si infermiere në fshatin e Trepçës. Sa punë e sa lodhje në këta 20 vite. Sa urgjenca e sa netë të pagjuma. Sa injeksione të kryera e sa serume të vëna, që jo rrallë kanë kthyer në jetë njeriun që lundronte në ujërat e vdekjes. Dhe sa shumë mirënjohje nën këmbim të kësaj pune titanike. Banorët dhe natën e kanë shërbimin e saj, falë dhe Bedriut që është i gatshëm të shërbejë me makinë, duke përfituar që të dy bekimet e njerëzve dhe shpërblimin e Zotit.
Në kohën e lirë Anila sillet si flutur në shtëpi. Ndihmon tek lopët, ndihmon te punimi i pemëve, pastrime dhe gatime për çdo vakt, punë që vetëm amvisat e dinë sa kohë duan. Gjatë gjithë verës e vjeshtës, ajo përpunon dhe konservon frutat dhe perimet për dimër. Miqtë e shumtë të kësaj familje të nderuar mund të shijojnë në çdo kohë turshitë, kompostot, reçelrat, nardenin e famshëm të thanës, hoshafin e kumbullës, pastërmanë e plot asortimente të tjera të këtij lloji. Pak nga pak, këto produkte po kthehen nga forma e konsumit familjar, në një mundësi reale biznesi, pasi pëlqehen mjaft nga konsumatorët. Bedriu tregon një moment nga viti i kaluar, kur një shofer shkodran i kërkoi hoshaf kumbulle.
– Më adresuan tek ti, – tha shkodrani, më dhanë numrin e telefonit. Bedriu i tregoi dy lloje të kumbullave të thata, Tropojane dhe Stanley, me 500 dhe 700 lekë çmimi. Shkodranit i pëlqeu shumë malli dhe nuk nguroi të marrë një sasi prej 10 kilogramësh nga lloji i dytë.
Ka disa kohë që Anila bashkëpunon me disa shoqata dhe organizata si C.N.V.P, Argitra dhe World Vision. Këtë vit fshati i Trepçës, i shquar në mbledhjen e bimëve mjekësore, falë një projekti të përbashkët me këto shoqata, po tenton kultivimin e tyre me sukses. Në oborrin e Anilës janë shkarkuar 4000 fidanë mëllage për mbjellje, në një sipërfaqe prej 600 metër katror. Vendi është bërë gati dhe këto ditë pritet të mbillen fidanat në tokë. Çdo gjë do të jetë bio, vetëm me pleh organik. Nëse do të ketë sukses, sipërfaqet do të shtohen vitin tjetër, akoma më shumë, duke punësuar më shumë njerëz e më shumë familje.
Nuk do të jetë çudi që pas disa vitesh, familja Topuzi të presë turistët e parë. Vetëm pak vizion dhe disa shtëpi prej druri e kashte në territorin e mrekullueshëm, që ata zotërojnë. Të gjitha ato produkte oreksndjellëse që përmendëm, mund tu vihen në dispozicion mysafirëve, pa asnjë vështirësi. Pulat që gjenden në oborrin e shtëpisë, një tufë e vogël qingjash, disa koshere bletësh, do ta bëjnë akoma më mbresëlënës qëndrimin e të huajve aty. Admiri, djali i familjes Topuzi, që ka mbaruar për gjuhët e huaja, mund të komunikojë me to, duke i lehtësuar gjërat akoma më shumë. Po pse themi vetëm të huajt? Dhe ne vendësit kemi nevojë të pushojmë. Le të konsumojmë dhe ne këto produkte aq të shijshme, bujarinë dhe mikpritjen e kësaj familje të nderuar e të respektuar nga të gjithë.