Sulejman Istrefi, shpirti stoik


Sulejman Istrefi lindi në Ploshtan të Kalasë Dodës më 1949. Prindërit e tij kanë qenë bujq. Ata kanë pasur një shtëpi dy katëshe guri në krye të fshatit me një çezmë ujë të ftohtë e të kulluar. Shtëpia ka pasur oborrin e gjerë, me pemë frutore përreth, ku dalloheshin dardhat erëmia e të shijshme dhe kumbullat e panumërta. Pak më tutje ka qenë kopështi i perimeve. Arat e të mbjellat ishin jo larg. I ati, Ramizi, ka qenë mezin në xhaminë e fshatit. Familja Istrefi vlerësohej në komunitet e sojit të mirë. Ajo ka ardhur në Ploshtan para 100vjetësh nga fisi i lavdruar Istrefi i Kalisit me kontribute atdhetare. Tafil Istrefi është dëshmor i Atdheut, i cili ka rënë në luftë kundër ushtrisë pushtuese serbe më 1912. Ai ka qenë i internuar së bashku me Maliq Kokën nëTurqi nga ushtria osmane.
Sulejmani ka pasur një trup të drejtë, mesatar të gjatë, i dobët, me raport harmonik mes pjesëve të fytyrës. Ka pasur flokë të zeza të parëna gjatë gjithë jetës. Lëkura me pak pigment. Ai ka qenë më shumë shpirt se trup, ose më shumë shpirt se materie. Pa shtiratje. Dashuronte vyrtytin. Ai shkollën shtatëvjeçare e ka kryer në vendlindje. Më pas ka shkuar në gjimnazin e Durrësit. Kjo ka qenë dalja e tij e parë jashtë familjes. Ky moment ka qenë ballafaqimi i parë me jetën dhe formatimi i vetvetes. Prurjet e nxënësve kanë qenë nga gjithë vendi. Durrësi , qytet, ka civilizim përpara Romës. Të mësoje këtu ka qenë fat. Mësuesit kanë qenë nga më të mirët që ka pasur Shqipëria. Djaloshi i ri me shpirt vlues gjen vetvetën. Nga ana tjetër ka pasur ndërtim vetjak të njohurive nga ana e Sulejmanit. Ndërtimi e nxjerrja e kuptimit nga informacionet që merrte ka qenë detyra që i kishte vënë vetës. Mendja e adolishentit zgjohet. Ndërveprimet sociale me bashkëmoshatarët e tij e bëjnë të komunikojë e të lidhet me të tjerët. Gjatë shkollës mesme te Sulejmani vërehet zhvillim konjitiv , ndryshime pozitive në mendime e sjellje, shkëputje befasuese nga një fazë piazheriane zhvillimi në një tjetër. Ai ka një koncept të gjërë për identitetin, vetëkoncept që e ruajti gjatë gjithë jetës. Ndjesinë e përgjithshme që kishte për vetvetën , së bashku me bindjet , qendrimet e sjelljen i formoi në shkollën e Durrësit dhe i përmirësoi më vonë. Mjedisi social dhe nxitja që mori ndikuan në zhvillimin intelektual.
Njerëzit janë produkte të konteksteve shoqërore ku rritën dhe edukohen. Pas mbarimit të shkollës mesme ka vazhduar studimet në Insitutin “Luigj Guarkuqi” në Shkodër për matematikë-fizikë. Është diplomuar mësues i këtyre lëndëve. Disa herë ka kërkuar për ti zgjeruar dituritë, të studionte në UT dega fizikë. Kjo kërkesë nuk iu plotësua . Në Shkodër Sulejmani mësoi edhe letërsinë e madhe të këtij qarku, Fishtën, Migjenin, Mjedën, Rozafën, Teutën e Dhimitër Farin, Oso Kukën, ”Bardhën e Tejmalit”. Kjo e fundit i shfaqej shpesh, papritmas para syve si hije a fantazmë.
Por më shumë se gjithçka e ka habitur historia e Skënderbeut , bëmat e lavdia e tij. Sulejmani ka qenë njohës i gjithçkaje që është shkruar për kryheroin tonë kombëtar, që nga Marin Barleti e deri më sot. Citonte vargje pafund. Shpesh bënim konkurs mes kolegësh për Skënderbeun, dhe gjithnjë fitonte Sula. ” E dua atë që jeton për të ditur”. (Friedrich Nietzsche, Kështu foli Zarathustra, Tiranë, 2001, f. 15)
Sulejmani ka punuar gjithë jetën në vendlindje mësues i matematikës e fizikës. Ka qenë i përpiktë ashtu si shkenca që u mësoi nxënësve të tij. Ka edukuar breza të tërë nxënësish. Matematika, geni, mësimet pitagorike e kishin shtyrë drejt logosit. Dhe këtë të fundit e ndan një hap nga filozofia. Pyeste vetën mbi enigmat që shfaqen në raportet sasiore e cilësore të jetës. Herakliti na ka mësuar se shpirti është jo vetëm frymë, por përbërësi mendor i njeriut. Kufitë e shpirtit nuk do ti arrijmë kurrë sado larg të shkojmë. Sula- siç e thërrritshim shpesh ka qenë dy herë drejtor i shkollës në Ploshtan ku shquhej për stilin demogratik të drejtimit. Ka qenë i zgjedhur në organet e qeverisjes vendore. Ai ka dashur të bëhej gjeolog. Donte të zbulonte xeherorë të dobishëm për vendin tonë. Fati nuk ja plotësoi këtë dëshirë rinore.
Sulejmani dinte të kuvendonte dhe shpesh e merrnin për miqësira. Fjala e tij ka pasur vlera ligjërimore, prurje të freskëta dialektore. Ai ka qenë përdorues i kuptimit të dytë të fjalës, të fjalës së thukët e urtake, shpesh me shpotitje. Gjërat për të cilat fliste të dukeshin të pranishme sado abstrakte të ishin, se i sqaronte me imtësi. Për çdo argument kishte një argument tjetër të barasvlefshëm për të kundërshtuar. Gjykime përballë gjykimeve. Ajo që përbën thelbin e personalitetit tij dinjitoz edhe të çdo njeriu, është karakteri i mirë. Prova më e mirë për Sulejmanin janë sjelljet e mira.
Në shkollë mesuesit tregonin histori e barsoleta të ndryshme. Pas disa ditësh Sulejmani u ndryshonte personazhet, i shtonte ose i hiqte diçka fabulës dhe i ritregonte. Subjekti ishte real , por më shumë i krijuar. Ata që ja kishin thënë e dëgjonin dhe qeshnin me shpirt nga mënyra e deklamacionit , fjalori e konteksi i situatës. Atij i punonte fantazia. Nga gjëra të thjeshta i bënte njerëzit të qeshnin, duke improvizuar nga hiçi.
Personaliteti tij kërkonte Po-në ose Jo-në të madhe, por kurrë mes këtyre të dyjave. Vinte në dyshim atë që e dinin të gjithë. E shikonte tjetrin në sy. Nuk i ka ulur sytë e ndritshëm asnjëherë poshtë. Ka pasur zë të ëmbël, me timbër të veçantë, vende-vende me tejkalim të vetës , duke ngelur mik i së vërtetës. Ka pasur koncept stoik për jetën të cilën e përballoi me sjellje stoike e kohëzion moral. Koha në të cilën jetoi ka pasur kufizime e mospërmbushje të vetvetes. Jetë jo shpërblyese. Por ai pranoi fatin që i dha ajo dhe kufizimet kohësore. Nuk po krijoj një legjendë për mësues Sulën. Këto rreshta janë vetëm përafrime për të përshkruar përsonalitetin e tij. Pasi jo vetën Sula , por çdo mësues është një libër i hapur , që kurrë nuk arrihet të lexohet deri në fund.
Sula ka jetuar 64 vjet. Ai ka qenë fëmijë i zgjuar , djalë i zgjuar dhe burë i matur e me gjykim të mprehtë. Punën e merrte pa ngutje, por e çonte deri në fund. Nuk ka qenë i fizikshëm, por këmbëngulës. Vitet e fundit të jetës shëndeti iu rëndua nga sëmundja, e cila e kishe kapur që në rini. Por asnjëherë nuk e mposhti. Durimtar. Nuk ankohej, nuk i mërziste njerëzit duke treguar sëmundjet e veta. Raporti që ka pasur me sëmundjen pesëdhjetëvjeçare do ti shkonte mirë togfjalëshi –përballje siziftiane. Bënte humor të këndshëm. Trupi u kthye kundër vetvetes.
Por jo kundra shpirtit, se shpirti ishte më i madh se qenia e tij. Kodi gjenetik nuk e kontrolloi shtimin e përshpejtuar të qelizave të liga. Por Sula i shpëtoi ankthit të vdekjes. Nuk ka pasur frikë për tu frikësuar, por vetë frikën. Ai ka pasur koncept stoik për shpirtin, ardhjen e ikjen në jetë të njeriut. Kjo dukej në sjelljen dinjitare, pasi veprimi i shpirtit është të drejtojë e të rregullojë sjelljen e përditshme të njeriut. Afro dhjetë vjet jetoi në liri, në Tiranë. Ka rritur e edukuar pesë fëmijë , dy vajza e tre djem. Secili është qytetar shembullorë. Të shkolluar në universitetet më të mira të vendit e Londrës. U ndezi një flakë në zemër për punë të nalta e atdhedashuri.