Liman Hoxha, njeriu i punëve dhe jo i fjalëve


Fundi i pranverës erdhi mjaft i bukur dhe i veçantë për shkollën jo publike “Sarina 2002” . Viti shkollor po mbaron, matura e angazhuar totalisht për provimet e vetë e gjithë shkolla në festë. Një festë e madhe kolektive kjo që i ka kaluar përmasat e festave të zakonshme. Nuk paska nevojë për komision, protokoll e organizim. Çdo gjë shkon jashtë çdo lloj parashikimi. Kanë ditëlindjen e pesëmbëdhjetë të shkollës e ndaj janë bërë bashkë mësues, prindër e nxënës. Pesëmbëdhjet pranvera në arsim dhe dije nuk i thonë pak kur llogarit maturat e intelektualët që kanë dalë në këto vite nga shkolla “Sarina” ndaj bindesh plotësisht se kjo shkollë ka bërë një revolucion në arsimin shqip.
U desh ky përvjetor i shkollës jo publike “Sarina” e unë t’i kthehesha edhe njëherë portretit të administratorit të kësaj shkolle Liman Hoxhës.
Kam patur fat që me Limanin të njihem herët. Fshatrat tonë janë afër, kufitarë me njeri tjetrin e një përrua i keq në stinën e dimrit me reshje të mëdha na ndan.
Babai i Limanit, Vexhiu, ndjesë pastë njihej mirë në fshatin tim, njihej si burrë i mirë, i drejtë, bujar e mjaft fetar. Njihej në fshatin tim edhe vëllai i Limanit, Ramazani i cili punonte si veteriner në ish Ndërmarjen bujqësore, edhe ky ndjesë pastë pasi humbi jetën në një aksident vite ma parë.
Limani në ato vite i ri por gjithë ëndra e dëshira të mëdha për jetën. Kishte ambicie për të bërë gjëra të mëdha por as vendlindja nuk ia jepte këto mundësi dhe as periudha e asaj kohe .
Në vitin 1989, Limani së bashku me vëllezërit shkëputet nga vendlindja e tij e dashur Blliçe e vendoset me banim në Tiranë për një jetesë më të mirë por edhe me realizuar ato që kishte ëndërruar vite më parë.
U deshën vetëm pak kohë që të triumfonte demokracia ku u hapën dyert edhe për ata të rinj e të reja që thurnin ëndra të bukura natën e nuk kishin mundësi ditën t’i realizonin.
Në fillim filloi të merrej me tregëti e cila i krijoi mundësi për të investuar edhe më shumë. Dëshira e Limanit ishte të hapte një kopsht e një shkollë fillimisht për fëmijët e dibranëve që banonin në Tiranë.
Ndërtimi i një vepre të tillë nuk erdhi rastësisht. Limani u thoshte shpesh vëllezërve : “Na ka lënë një amanet baba: Kush ndërton një shkollë, ka ndërtue një xhami. Ne jemi një familje që e kemi dashur arsimin. Kjo zonë ka nevojë për një shkollë. Pse të mos investojmë në arsim!?”.
Kaq u desh dhe Liman Hoxha një mëngjez u drejtua për në Ministrinë e Arsimit, ku titullari e priti me dashamirësi dhe i premtoi gjithë mbështetjen e dikasterit. Me paratë e fituara, ai mund të hapte një biznes tjetër, nga ku mund të fitonte dhe më shumë, por amaneti i babës së tij, imam Vexhi Hoxhës, do të bëhej realitet vetëm 3 vjet pas vdekjes. Vexhi Hoxha ishte ndër nxënësit e parë të Internatit të Kastriotit, madje ka qëndruar në një bangë me aktoren e madhe dibrane, Besa Imami. Imam Vexhiu nuk u nda nga librat deri në momentet e fundit të jetës së tij. Sot në shtëpinë e Limanit është një bibliotekë e pasur me libra, që ka lexuar në vite Vexhi Hoxha. Kjo edukatë dhe dije që kishte përfituar në Internat, bëri që ndjenjën për arsim dhe kulturë ta kultivonte dhe tek djemtë, të cilët të gjithë u diplomuan.
Të gjithë ata që e njohin dhe që e kanë njohur Liman Hoxhën, flasin me plot respekt për të. Por ajo që zotëron tërë qenien e tij është guximi dhe iniciativa “e çmendur” për të ndërmarrë iniciativa të mëdha, që për shumë njerëz dukeshin ëndrra të pa realizuara .
Limani në fillim e nisi me një kopësht, pastaj hapi shkollën jo publike “Sarina 2002”, me një emër tepër njerëzor, duke bashkuar germat e fëmijve të tij dhe tashmë ka hapur dhe shkollën e mesme të përgjithshme, të profilizuar. Dhe kishte besim në vetvete se e ardhmja do të flasë krejt ndryshe. Limani edhe pse sivjet feston bashkë me kolektivin e shkollës 15 vjetorin e kësaj shkolle jo publike përsëri ka ambicje në fushën e arsimit, kërkon më shumë nga vetja dhe asnjëherë nuk kënaqet me aq sa ka arritur ku edhe pse shkolla radhitet ndër më të mirat në të gjithë Qarkun e Tiranës. . Megjithëse investimi në arsim është një biznes human, elitar Limani është i bindur se duke investuar bindshëm bëhet më i dobishëm për Dibrën dhe dibranët.
Shtatëdhjetë vite më parë, etja e dibranëve për t’u arsimuar u kurorëzua me sukses me hapjen e Internatit të Kastriotit, ku nga bangat e saj dolën shumë personalitete të shquara të kombit shqiptar. Dhe ja para pesëmbëdhjetë vitesh Liman Hoxha do të përsëriste të njëjtën histori, por tashmë jo në fshatin Kastriot, ku u hap Internati, por pikërisht në kryeqytetin shqiptar, ku ka shumë dibranë. Madje, ky bir nga fshati Blliçe pinjoll i një familje arsimdashëse, jo shumë larg fshatit Kastriot, ku u ndërtua Internati, është i pari biznesmen nga trevat tona, që hapi një shkollë të tillë në Tiranë.
“Do të hap dhe një Universitet. Ky duhej të ishte ndërtuar në Dibër, por tani dhe unë djalë dibre jam dhe do ta hap në metropolin shqiptar”. Dhe Liman Hoxha si njeri me vullnet dhe kurajo nuk ka dështuar asnjëherë.
Limani është krenar për veprat e mëdha të dibranëve. Duke qenë se është shumë i pasionuar pas historisë së Shqipërisë dhe veçanërisht pas historisë së popullit të Dibrës, ai ndjehet tepër i lumtur për ata që kanë lënë paraardhësit e tij, por ai dëshiron që brezat e nesërm të krenohen me veprat që do të lëmë ne sot. Të mburremi me atë që bëjmë ne, jo me ato që bënë të parët tanë.
Ndaj, mesazhi i tij është: “Çdo dibran, kudo që ndodhet ta ngrejë më lart emrin e Dibrës dhe të dibranëve, përmes veprave me vlerë që në thelb të kenë bujarinë dhe humanizmin, dijen dhe shkencën. Mjaft dibranë kanë bërë emër edhe jashtë trojeve tona. Ne kemi vlera. T’i ruajmë pra ato, të mos i humbasim. Vetëm kështu mund ta nderojmë Dibrën”, -përfundon ai.
Liman Hoxha ka lindur në fshatin Blliçe, në një familje me dije dhe kulturë, nga e cila ka përfituar shumë dhe Limani. Në vitin 1989 mbaron Shkollën e Mesme “Myslim Shyri” në Fushë-Çidhën. Në vitin 1989-1990 mbaron kursin e Ushqimit në Tiranë. Më 1990-1993 punon në Gardën e Republikës së Shqipërisë. Pas kësaj kohe është marrë me tregti, duke qenë mjaft i suksesshëm. Në vitin 1999 emigron në Angli për t’u kthyer në atdhe në vitin vitin 2001 dhe në vitin 2002 hapi dyerët shkolla Jopublike “Sarina 2002”. Është i martuar dhe ka dy vajza dhe një djalë, Sarën, Rominën dhe Samelin. Janë pra bashkimi i germave të fëmijve të tij, që është emërtuar shkolla”Sarina”, një emër tashmë që ka krijuar identitetin e saj. Dhe sot në pesëmbëdhjet vjetorin e shkollës “Sarina” Limani i kthehet kujtesës.
– E nisa para pesëmbëdhjetë vitesh me 53 nxënës gjithsejt e me ambjente të pakta, afro 240 metra katror, – nis e tregon Limani, – por pa menduar se ja sot do të arrija këtu ku jam. Në fillim kishim 6 mësues, ku drejtoreshë ishte Rudina Maksuti e nëndrejtor Mentor Hoxha.
Në këto pesëmbëdhjetë vjet shkolla jo publike “Sarina”, nuk është ajo e vitit 2002 me 53 nxënës, por ka shtatëqind e ca nxënës. Nuk ka 240 metra katror, por ka gjithsejt 4000 metra katror ndërtim, si dhe po 4000 metra katror oborr, palestër, fushë futbolli etj. Sot nuk kemi vetëm gjashtë mësues, por kemi një personel prej shtatëdhjet vetash. Nga maturat e shkollës “Sarina” po thuaj të gjithë kanë vazhduar studimet e larta, përjashto ndonjë rast të rralë ku thjeshtë për arsye ekonomike nuk kanë dashur vetë.
Limani zakonisht flet pak për vete por më shumë flet për shokët, kolektivin e mësimdhënjes në shkollën “Sarina” për nxënësit e talentuar, për prindërit e shumtë që zgjedhin këtë shkollë për të arsimuar fëmijët e tyre, dhe ndjehet borxhli karshi tyre që i kanë besuar arsimimin dhe edukimin e fëmijëve. Dhe Liman Hoxha, njeri punë shumë fjalë pak nuk i ka zhgënjyer e nuk do t’i zhgënjejë asnjëherë.