Përurohet monumenti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Vajkal të Bulqizës


BULQIZA NË FESTË
Të shtunën më 27 maji 2017, Bulqiza u gdhi në festë. Banorë nga Bulqiza dhe zonat përreth saj, por jo vetëm, që në orët e para të mëngjesit mbushin sheshin e qytetit për të festuar me rastin e vendosjes së monumentit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Vajkalin e Bulqizës, pikërisht në vendin e quajtur “Gurët e Skënderbeut”.
Kishin ardhur me këtë rast veç banorëve të zonës edhe banorë nga Kosova, Maqedonia, Tirana, Dibra, Mati etj. Morën pjesë me këtë rast edhe figura përfaqësuese nga fusha e politikës, kulturës artit etj, si ish Presidenti Moisiu, Prefekti i Dibrës, Ardit Kaja, personalitete te kultures dhe artit si: Bujar Kapexhiu, Skënder Cala, etj.pedagogë e profesorë të universiteteve të vendit etj.
Sipas programit në fillim nxënësit e shkollave 9- vjeçare të qytetit, Fushë-Bulqizës, Gollobordës, Martaneshit, të veshur me kostume kombëtare, dhanë një spektakël kulturoro-sportiv, duke zhvilluar në qendër të qytetit lojra olimpike, si dhe valle popullore, duke i dhënë kështu jetë e gjallëri atmosferës festive
Më pas eventi ka vijuar në sallën e kinemasë së Pallatit të Kulturës, ku u dha për të pranishmit një dokumentar kushtuar figurës më të lartë të historisë tonë kombëtare Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Takimin e hapi përfaqësuesi i bashkise nënkryetari Adhurim Lika, i cili uroi të pranishmit për pjesmarrjen në përurimin e vendosjes së përmendores së Skënderbeut në Fushën e Vajkalit, pikërisht aty ku Heroi jonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu zhvilloi dy nga betejat e tij të suksesshme brënda një viti, beteja këta që e lidhën Vajkalin e Bulqizës pazgjidhshmërisht me Heroin, gjë e cila është transmetuar tradicionalisht ndër breza të Vajkalorëve, për të mos u harruar kurrë edhe pse kanë kaluar dhe do të kalojnë vite e shekuj me radhë.

FUSHA E VAJKALIT- FUSHË E SKËNDERBEUT
Ish presidenti Alfred Moisiu tha në fjalën e tij përshëndetëse se nuk mund të rrija pa ardhur në këtë event të rëndësishëm, pasi kam respekt për banorët e kësaj zone, që spikasin për vlerat e tyre atdhetare.
Adem Bunguri, arkeologu i njohur dibran, tha se kujtimi i një figure të tillë epokale që nderohet në të gjithë botën, ku vijon të studiohet në shkollat ushtarake të kohës për artin ushtarak të strategut Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në planin arkeologjik mund tju them se në këtë fushë Skënderbeu zhvilloi dy beteja të rëndësishme brënda një viti..Mbi bazën e zbulimeve dhe studimeve në fushën e arkeologjisë, hedhin dritë se rrugëtimi Gryka e Radikës, Ura e Qytetit-Qafa e Buallit Bulqizë, ka qenë nga më të frekuentuarat në betejat e mësymjeve të hordhive osmane për të pushtuar vendin tonë, ku për 25 vite me radhë u ndaluan nga Skënderbeu.

Aq e lidhur është Fusha e Vajkalit me Skënderbeun sa as sot që kanë kaluar vite e shekuj, ajo ende vijon të emërtohet nga banorët me toponimin kuptimplotë “Gurët e Skënderbeut”. Është emërtuar kështu pasi mban mbi shpinë ende gurët që ushtria e Skënderbeut rrokullisi mbi asqerët e Sulltanit. Dhe vajkalorët e kohës së Skënderbeut, rrëfyen për bijt e bijat e tyre, se këta gurë prezent në fushën e tyre, janë “Gurët e Skënderbeut” të cilët ai i përdori si mjete rrethanore për të sulmuar e frenuar ushtritë që dërgonte herë pas here Sulltani, për të pushtuar vendin tonë. Ish presidenti Moisiu, si ushtarak kariere pohon se Skënderbeu i rritur dhe stërvitur si ushtarak në oborrin e Sulltanit, i njihte në imtësi dredhitë e hordhive osmane, ndaj kush më mirë se aim und tu përgjigjej kurtheve e pusive që hordhitë osmane përdornin për pushtimin e vendit tonë. Dhe pikërisht kush më mirë se Fusha e Vajkalit e garantonte këtë mundësi për të sulmuar me rrokullisje gurësh, pasi në të dyja anët e saj rrethohet me shpate të pjerrta malesh. Gurët edhe pse të heshtur, flasin dhe tregojnë mjaft me madhështinë e tyre në këtë fushë, ku bëjnë që historia e saj të mos harrohet kurrë.
Dhe me të vërtetë vajkalorët kurrë nuk e harruan këtë fushë. Kështu në këto vite të demokracisë, fillimisht fisi Tançi dhe më pas të i gjithë Vajkali nisën që mbi gurët e fushës të valvisin flamurin kombëtar në përkujtim të betejave të Skënderbeut. Kështu për cdo 17 janar në një nga shkëmbejtë e kësaj zone ata ngrinin flamurin kombëtar. Ky rit erdhi dhe u bë i përvitshëm, deri sa lindi ideja e ngritjes së një përmendoreje të Heroit në këtë fushë.

PËRURIMI I PËRMENDORES SË SKËNDERBEUT
Fusha e Vajkalit, e ndodhur fare pranë qytetit të Bulqizës vetëm rreth 1 kilometër larg tij në dalje drejt Peshkopisë, është e zbukuruar e hijeshuar si kurrë ndonjëherë. Qindra pjesmarrës nga Bulqiza e zonat përreth, por edhe nga Dibra, Mati, Tirana, Kosova e Maqedonia, kanë ardhur të marrin pjesë në përurimin e vendosjes së përmendores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Mes ovacionesh, këngësh e vallesh, ish presidenti Alfred Moisiu dhe kryebashkiaku Melaim Damzi, kanë zbuluar përmendoren e Heroit, me urimin “ta gëzoni dhe trashëgoni në jetë të jetëve këtë përmendore, ju vajkalorët dhe populli i Bulqizës, pasi e meritoni plotësisht atë”.

ALFRED MOISIU,
ISH-PRESIDENTI I REPUBLIKËS:

Ngjarje shumë e rëndësishme për zonën dhe gjithë shqiptarët. Skënderbeu na bën krenar. Vendosja e bustit të Heroit, padyshim që rrit krenarinë e zonës, të rinjve, por është edhe objektt turistik. Në këtë fushë janë zhvilluar dy beteja shumë të rëndësishme të cilat kanë demostruar jo vetëm fuqinë e trimërinë e shqiptarëve, por edhe zgjuarsinë dhe strategjinë ushtarake të Skënderbeut. Pavarësisht ndryshimeve që sjell koha, terreni nuk ka ndryshuar, por ka qenë dhe mbetet mjaft i përshtatshëm për tu shfrytëzuar për të future në kurth osmanët, gjë të cilën Skënderbeu e dinte dhe e përdorte më mirë se askush.

ASLLAN ZEMANI, DREJTORI I MUZEUT TË FORCAVE TË ARMATOSURA
Falenderoj gjithë bulqizakët që kontribuan dhe e bënë qytetar nderi Skënderbeun, i cili do kujtohet gjithmonë me vendosjen e këtij busti. Strategjia ushtarake e Skënderbeut njihet e studiohet ne të gjitha akademitë ushtarake si ata lindore dhe ata perendimore. Pikërisht këtu u përdor strategjia e futjes në kurth të ushtrisë gjermane gjë që e favorizonte mjaft mirë ky terren. Me dy betejat e Vajkalit Skënderbeu ka pasuruar artin ushtarak me artileri shkëmbore. Vendosja e bustit në vendin ku ka luftuar heroi është gjetja e duhur.

SHAHIN LEKA, HISTORIAN, ISH SHEFI I KATEDRËS SË HISTORISË USHTARAKE, NË AKADEMINË USHTARAKE
Skënderbeu është heroi ynë kombëtar dhe ka zhvilluar një seri betejash, por dy betejat e Vajkalit zënë një vend të rëndësishëm në historinë e luftrave të tij. Zhvillimi I këtyre betejave në vitin 1465, kur Sulltan Mehmeti II ndrroi strategjinë dhe tentonte që ti përgjigjej Skënderbeut pak a shumë me një natyre të strategjisë së tij, nëpërmjet luftës në prita me goditje të befaishme. Skënderbeu me organizimin e një zbulimi strategjik, të cilin e kishte mësuar që në Stamboll, siguroi të dhëna të mjaftueshme për mësymjen osmane dhe bëri që me mjeshtrinë e tij ushtarake, bëri që të fitojë dy betejat ushtarake të Vajkalit, atë të prillit dhe gushtit 1465.

PROF. BUJAR KAPEXHIU ARTIST, REGJISOR.
Kënaqësi që mora pjesë në përurimin e një monumenti të madh të një njeriu shumë të madh. Vepër e bukur e bërë me shumë profesionalizëm, ku gjej rastin të falenderoj jo vetëm skulptorin, por edhe sponsorët e Bulqizës. Përmendorja e vënë në këtë vend është shumë e gjetur pasi duket se kur kanë kaluar në këtë zonë, Skënderbeu me ushtarët e tij kanë hedhur gurë, me mesazhin se kush pushtues do kalojë kësaj lugune do ti hidhen gurët…

SKËNDER CALA – MJESHTËR I MADH,
ARTIST, REGJISOR

U kënaqëm ndjeva emocion si 40 vite më parë kur kam vënë në skenë shfaqjen e Skënderbeut në Peshkopi, po ata emocione përjetova edhe sot në Vajkal. Një ceremoni shumë e bukur, organizim shumë i bukur.

AVNI KAMISHI, BANOR I ZONËS
U kënaqa sot, u gëzova, u lumturova. Kjo na bashkon të gjithëve bashkë, duke na bërë krenar për të kaluarën e Vajkalit. Dëshiroj me këtë rast ti çoj një mesazh qeverisë aktuale asaj që ishte dhe kësaj që do vijë që të kthejë vëmendjen edhe këtej nga Rruga e Arbërit, pasi i ka vlerat për tu ndërtuar dhe duhet gjetur mënyra e mundësi financiare për tu ndërtuar, që edhe zona jonë dhe gjithë Bulqiza e Dibra të marrin zhvillimin e duhur.

ASLLAN DAXHA, NJË NGA NISMËTARËT
E PROJEKTIT.

Vendosja e memorialit të Skënderbeut në këtë fushë, pra jo vetëm në parqe e lulishte, më duket një project ambicioz realizuar nga djali i Bulqizës, Edmond Balja, me mbështetjen e biznesmenëve të zonës, kjo u bë e mundur. Ta gëzojë Vajkali, ta gëzojë Bulqiza, ta gëzojë Shqipëria memorialin e Skënderbeut. Këtij vendi i ka munguar një symbol i tillë i luftrave të Heroit tonë Kombatar, ne e sollëm atë në këtë fushën e betejës. Dhe sot më duket se edhe gurët thonë jemi gurët e Skënderbeut.