SABRI ABDIU, meteori i sportit dibran!


Ka qenë një ditë e ftohtë dhjetori ajo që mori një jetë, aty në zyrën e tij ku punonte me aq pasion, në klubin “Studenti”, klub që e kish kthyer në një model sportiv në vend. Ishte Sabri Abdiu, një drejtues i aftë, por edhe një njeri tepër fisnik, që transmetonte te njerëzit cilësi të rralla volitive. Kanë kaluar afro 13 vite nga ai moment fatal, por kujtesa mbetet e freskët, ashtu si pasioni i tij i jashtëzakonshëm, për të bërë sportin e ndershëm. Dhimbja është bashkudhëtare në familjen e tij, por edhe te secili nga ne, që arriti ta njihte nga afër këtë meteor të sportit dibran dhe shqiptar…

BULQIZA, QYTETI KU HODHI THEMELET
E PARA TË SPORTIT

Dhjetor 1971. Sabri Abdiu, emërohet mësues i edukimit fizik në shkollën “Xhevdet Doda” në Bulqizë. Ky misionari i madh i sportit, e nisi udhëtimin e madh të jetës pasiononte nga ky qytet i minatorëve, aty ku ndërtoi edhe të parën skuadër të futbollit, “18 Shkurti”,duke treguar se sporti kishte nevojë edhe për atë qytet, sepse edhe aty kishte djem pasionant, që iu bashkëngjitën dëshirës së mësuesit dhe trajnerit, që sapo kish veshur kostumin sportiv të trajnerit të futbollit. Sabriu, ishte bere personi më i dashur ne Bulqizë, në jo pak, por nje dekadë, nga viti 1972, deri në vitin 1982… Përveç ekipit të futbollit, Sabriu ngriti edhe ekipet e basketbollit, por edhe mundjes. Tashmë Bulqiza ishte realiteti më i ri dhe i bukur i sportit shqiptarë dhe në këtë qytet, vinin e luanin edhe skuadra të tilla si Laçi, Rrësheni, Puka, Gramshi, Burreli, Kruja, Peshkopia, por edhe Durrësi me Lokomotivën e famshme në një ndeshje miqësore… Lëvizja e madhe fiskulturoro-sportive në Bulqizë, ishte tashmë fryt i padiskutueshëm i kryetarit të fizkulturës e sporteve, Sabri Abdiu. Për 10-të vjet me radhë, Bulqiza gumëzhinte nga një jeta e gjallë sportive, aktivitete masive, por edhe kokurime lokale e kombëtare në sporte të ndryshme. Aftësitë e tij drejtuese dhe organizative, pasioni dhe puna e përkushtuar i dhanë tjetër dimension dhe personalitet mësuesit, trajnerit dhe drejtuesit Sabri Abdiu. Ky respekt u shtua, sepse aty njohu edhe njeriun e jetës, një mësuese dhe veprimtare e pashoq në atë qytet, Elida Daci Abdiu. Ata tashmë së bashku, formonin duetin ku njerëzit kishin një model për jetën…

PESHKOPIA AFIRMOI TRAJNERIN
DHE DREJTUESIN MODEL

Por rruga e bukur e njeriut pasionant, vijoi në një tjetër qytet, ne Peshkopi, fare afër fshatit ku kish lindur, Sohodollit. Sabriu këtu në dhjetë vite punë, arriti të ishte jo vetëm njëri nga mësuesit më korrekt dhe punëtorë, por edhe si trajner i shkëlqyer, që solli modelin e tij të korrektesës dhe punës, tashmë duke drejtuar jo vetëm skuadrën e te rinjve, por edhe ekipin e parë të Korabit. Rezultatet e tij ishin optimiste dhe cilësore, madje skuadra e parë, pë një rezultat të fundit nuk arriti të ngjitej dot në kategorine e parë të asaj kohe, që sot njihet si superliga. Në vitet e fundit, Sabri Abdiu drejtoi edhe klubin sportiv Korabi. Në vitet që ai drejtoi klubin sportiv Korabi, ushtroheshin 15 lloje sporti, me 53 ekipe konkurrente, të rinj dhe të rritur. 48 ishte numri i konkurrimeve kombëtare në kategorinë e dytë, ndërsa 12 ishte ne elitë. Njeriu vizionarë dhe largpamës, ishte koherent edhe me ngjarjet politike dhe ndryshimi i sistemit krijoi mundësinë e një bashkëpunimi te klubit sportiv Korabi të Peshkopisë, me klubin sportiv të Dibrës së Madhe. Për herë të parë pas përpjekjeve të zotit Abdiu dhe autoriteteve vendore u arrit që me 20 deri më 25 maj 1991, me ftesë të klubit të Korabit të Dibrës së Madhe, të zhvillohej i pari manifestim madhështor mes dy klubeve sportive. Pas 44 vjetësh, u ringjall një bashkëpunim sportiv, mes vëllezërve të përmalluar nga ndarja e padrejtë. Akujt tashmë ishin shkrirë dhe zemrat e vëllezërve dhe motrave u ngrohën edhe në fushën e sportit…

KRYEQYTETI RINGRITI EMRIN E NDERUAR TË TIJ

Pas vitit 1992 ai nuk është më drejtues i klubit Korabi dhe bashkë me familjen, vjen në Tiranë. Edhe këtu pas disa vitesh, rigjen vetveten, madje si drejtues në klubin sportiv Studenti. Është viti 1998. Tashmë Studenti nis ndryshimin e madh dhe bëhet një nga klubet cilësore në vend. Deri në vitin 2004, për pra për gjashtë vjet me radhë, klubi që ai drejtonte shpallet kampion në disa sporte, si volejboll meshkuj, volejboll femra, gjimnastikë, xhudo, basketboll, ping-pong, qitje, shah, mundje, peshëngritje, etj. 9 lloje sportesh me 27 ekipe sportive, përfaqësonin këtë klub sportiv në vend, duke u ngritur ne elitën e sportit shqiptarë. Merita ishte e padiskutueshme edhe e drejtuesit të aftë dhe kurajoz, Sabri Abdiu. Jo pak, por gjashtë vite me radhë, ai nuk rreshti së punuari për ta lartësuar emrin e një klubi sportiv që kish mbetur në hije, krahasuar me Tiranën, Partizanin, Dinamon, etj. Tashmë Studenti, ishte afirmuar edhe në mjaft ndeshje dhe gara ndërkombëtare. Arritje të tilla, por edhe mënyra e menaxhimit profesionist që i bënte klubit, krijuan një emër dhe personalitet të padiskutueshëm, saqë mediat shpesh herë kishin të ftuar special, këtë drejtues të zot, që po sillte një risi të punës dhe marrëdhënies në grup…

ABDIU, VLERËSIME EDHE NË MUNGESË

Sabri Abdiu, vërtet nuk jeton prej dhjetorit të vitit 2004, por vlerësimet për këtë figurë dhe personalitet të sportit nuk kanë munguar në vite të ndryshme. Qyteti i Bulqizës pas vdekjes i ka akorduar titullin e lartë: ”Qytetar Nderi”, ndërsa klubi sportiv Korabi në 75-vjetorin e tij, ka nderuar me titullin e lartë “Nderi i klubit Korabi” zotin Sabri Abdiu. Ndërkaq që federatat e basketbollit, mundjes dhe peshëngritjes e kanë vlerësuar me titull “Nderi i Federatës”, pa harruar edhe urdhrin olimpik dhe memorialin dhënë nga KOKSH. Presidenti i Republikës Bujar Nishani me 15 pill 2016 e nderoi me titullin më të lartë “Mjeshtër i Madh”, për merita dhe kontribut të shquar të dhënë në sport.

FAMILJA, FRYMËZIMI I JETËS

Asnjëherë suksesi i një individi, s’mund të kuptohet pa mbështetjen e familjes së tij. E tillë ka qenë edhe familja Abdiu. Vëllezërit dhe motrat e Sabriut, Nuriu, Ismeti, Fehmiu, Shahja, Kujtimja, Metapja, pa harruar prindërit e shtrenjtë të tij, Hazisi dhe Gjulja, kanë qenë dhe mbeten mbështetësit e parë të realizmit të ëndrrave për shkollën, por që më pas, kur ai ngriti dhe ndërtoi familjen e tij të ngushtë, suksesi i jetës shënoi kulme. Bashkëshortja Ida, por edhe fëmijët, Genta dhe Ridjan Abdiu, ishin shtyllat, ku mbështetej puna dhe misioni i jashtëzakonshëm i një bashkëshorti dhe prindi model, që arriti të shijonte vetëm lindjen e nipit të parë të tij nga vajza Genta, Marini. Ida, ishte dhe mbetet, zonja e rrallë e një njeriu, familjeje, por edhe qyteteve ku punoi dhe tregoi vlerat e saj. Ajo vazhdon edhe sot, bashkë me vajzën, djalin, nipërit dhe mbesat, ta lartësojë emrin e “meteorit” që kurrë nuk shuhet në sportin dibran dhe shqiptar, i pavdekshmi Sabri Abdiu….