TOLA I ÇIDHNËS, kullë e nacionalizimit


Shaqir Tola me te vellain Sadinin

Të shkruash për Tolën e Çidhnës, të pasqyrosh fisnikërinë e unitetin, mençurinë, trimërinë e qëndresën e tyre nuk do të mjaftonin dhjetëra shkrime a libra. Janë dëshmitë, provat e qëndresës të bujarisë, të urtësisë, të shëmbëllimit në epoka, të cilat flasin me gjuhën e fakteve. Mustafa Tola (i riu) një nga pinjollët e kullës së Tolës në Çidhën është sinonimi i të parëve, intelektuali, organizatori, studiuesi, veprimtari e njeriu i thjeshtësisë që mban mbi supe, por edhe që justifikon historinë e ndritur të të parëve të vet.
Në fakt në Çidhën tek cilido fis e kullë që të “gërmosh” gjen mineralin e çmuar të qëndresës, mençurisë e të fisnikërisë. Por këtë radhë po shkruajmë për Tolën.

***
Çidhna si njëri nga 9 malet e Dibrës (Mali i mençurisë), Mia e Çidhnës siç i thonë prej lashtësisë krahas shumë e shumë atdhetarëve ka edhe Taf Taf Tolën. U lind më 1854 në Çidhën. Më 23 maj 1978 shpallet Dëshmor i Atdheut. Taf Tola i parë u rrit dhe edukua në një familje me tradita. U edukua me kulturën e odave, me mençurinë çidhnake. Ishte prijës popullor me emër në Malin e Çidhnës, pjesëmarrës në rezistencës dhe luftërat kundër turqve dhe në kryengritjen e vitit 1912 në Arras. Taf Tola përfaqësoi Çidhnën në zgjidhjen e konflikteve territoriale që lindën me Pashën e Matit (Haxhi Pashë Sakatin). Me ekonomi të mirë dhe shumë autoritet, impulsiv dhe bujar ndërtoi në fshat një kullë tre katëshe në vitet 1880-1890 me gurë gëlqere që edhe sot qëndron madhështore si për të sjellë peshën e kohës gjurmët e qëndresës nëpër vite, fisnikërinë e bujarisë e të krenarisë legjitime. Në vitin 1916 arrestohet nga austriakët dhe dërgohet tek kisha e Lurës e prej atje internohet në Xhurë të Prizrenit ku për rezistencën e kundërshtimet ndaj pushtuesit mbytet me tortura. Sot është pa varr. Taf Tola është në historinë e në zemrat e brezave në kujtimet e këngët e trimërisë, sepse për të flet vepra prej prijësi popullor, qëndresa dhe heroizmi në emër të atdheut e të lirisë kombëtare.
… Çidhna vatra e mençurisë / Me plot bij trima, sokola / T’ndrit n’altar të historisë /Prijsi i rrallë çaj Taf Taf Tola…

***
Kulla e Tolës në vite e dekada nxori breza të traditës, të urtësisë e atdhetarisë. Ndër pasardhësit e prijësit popullor Taf Taf Tola ishte edhe Sadin Tola. U lind në Çidhën në vitin 1904. Provat e jetës e të
punës flasin shumë për Sadin Tolën. Ai ishte zv. Komandant Poste në Tropojë, Gjirokastër dhe Zerqan, xhandar në Durrës. Ishte njeri me intelekt, me mençuri të rrallë, i matur, i thellë në mendime, me alegori të hollë dhe vizion, i respektuar shumë në odat e mexheliset dibrane në Çidhën e krahinat fqinje si Lura, Dardha, Reçi, Muhurri, Selishta (Katër-Grykët) etj. I këndshëm në biseda me të gjitha moshat e nivelet intelektuale, një filozof popullor i lindur. Në vitin 1948 i hiqet triska e frontit dhe dërgohet në hekurudhën Tiranë-Durrës, në punë të detyruar. Më pas Sadin Tola kreu detyrën e kryetarit të këshillit të fshatit Çidhën dhe prokuror popullor duke qenë se mbajti një ekuilibër të admirueshëm në heshtje e kujdes në biseda. Vdiq në vitin 1983 në moshën 79 vjeçare. Edhe sot përmendet si model e simbol i mençurisë dhe i alegorisë çidhnake.


***

Një epope qëndrese, vuajtje e fisnikërie përbën jeta dhe vepra e Shaqir Tolës. Ai u lind më 1908 në Çidhën. U rrit jetim nga nëna. U shkollua, edukua e burrërua në “parlamentin” e odave çidhnake e atë të kullës shekullore të Tolës. Më 1921, kur ishte vetëm 13 vjeçar, merr pjesë me armë në dorë në luftimet kundër serbëve në Mallë të Hoxhe duke zëvendësuar vëllain Sadinin që kthehet në fshat për varrimin e Hasan Tolës vrarë po në Mallë të Hoxhe në Muhurr gjatë luftimeve. Shaqir Tola shquhej për zgjuarsi, kulturë popullore, për peshën e fjalës, për zellin dhe guximin prej çidhnaku të urtësisë. Më 1936, pas mbarimit të shërbimit ushtarak në gardën mbretërore, emërohet n’oficer dhe zv.komandant në Baterinë e Artilerisë në Burrel. Më 7 prill 1939, me baterinë që komandonte mbërrin në Brra të Tiranës për të luftuar kundër italianëve, por mëson që Mbreti kishte ikur dhe i gjen armët e reparteve ushtarake që kishin mbërritur më parë, të kulmuara, të grumbulluara për dorëzim. Në këtë kohë Shaqiri ngarkon 2 (dy) mushka me armë dhe 1 (një) mitraloz dhe kthehet në vendlindje në Çidhën, ku qëndron 6 muaj i arratisur në mal deri në dhjetor 1939. Njeri i lidhur me vendlindjen, me familjen, me fisin, me karakret e traditat ndaj në vitet 1933-1937 u zgjodh edhe kryeplak i fshatit Çidhën. Shaqir Tola, në dhjetor 1939 pak ditë pasi ishte dorëzuar prefektit të Dibrës, arrestohet në një ceremoni fejese në Kishavec dhe bashkë me Osman Bashën, Adem Hoxhën, Idriz ZImorin etj., dërgohet në internim në ishullin Ventotene të Italisë si i burgosur politik ku qëndroi plot 3 vjet. Në vitin 1942 kthehet nga internimi me 5 shqiptarët e fundit si Abas Ermenji e Izet Belezigi. Në vitin 1941, kur kishte filluar lufta italo-greke në një anije lufte ngarkuar me armatime që vinte në Shqipëri konfliktohet me një oficer italian në Portin e Brindizit dhe rikthehet në Ventotenie përsëri, pasi ridënohet edhe 5 të tjera nga një gjykatë ushtarake në Bari. Në vitin 1944 merr pjesë në luftime kundër partizanëve në Brezhdan, Fushë-Alie dhe Sinë. Në vitin 1946 burgoset dhe dënohet për fshehjen e armëve të marra në prill të vitit 1939 me dy mushkat. Shaqir Tola, me mençurinë e çidhnakut përballoi sfidat e kohës. Në vitin 1990 i dërgon letër Ramiz Alisë për t’i njohur të drejtën e pjesëmarrjes në luftën antifashiste për periudhën e internimit dhe marrë 100 lekshin e luftës, por merr përgjigje refuzuese: “ky problem është mbyllur që në vitin 1973. Burrë i sedrës, i mençurisë dhe vendosmërisë për atdheun, për jetën, familjen dhe kohën Shaqiri ka gjurmë në kohë, gjurmë të cilat janë modeli i atdhetarisë, pasionit e traditave.
Mëson autodidakt të shkruajë e të lexojë shqip. Në internim mëson italishten dhe merr kontakte me studentët shqiptarë dhe politikanë të kohës midis të cilëve Ibrahim Dervishi, Sadik Bekteshi, Xhemal Ponavija, Zef Mala, Abas Ermenji etj. Për rezistencën e fortë dhe qëndrimin burrëror në internim në Ventotenie merr vlerësimin dhe respektin e shokëve të internuar. Burrë me shpirt vetmohimi, me krenari legjitime për Çidhnën, Dibrën e kombin, për udhën e nacionalizmit ishte dhe mbeti çidhnaku i qëndresës Shaqir Tola. Për mospajtime me idetë komuniste si nacionalist dhe fetar që falej 5 herë në ditë tërhiqet dhe jeton në fshatin Çidhën në kushte të vështira dhe nën trysni e presion të vazhdueshëm i ndjekur vazhdimisht nga agjentët e sigurimit të shtetit dhe spiunët në fshat. Një jetë me plot sakrifica e rezistencë, një jetë burrërore dhe me plot besim e vendosmëri prej çidhnaku të pamposhtur, vizionar të qartë në udhët e vështira e plot sfida.
Në kushte shumë të vështira gjatë viteve të regjimit komunist shkollon me shumë sakrifica tre vajzat Alltanen, Kadën dhe Mihanën dhe djalin Mustafën që për arsye politike i dërgonin në shkollat që nuk kërkoheshin shumë, degët e dorës së dytë. Bashkëshortja e Shaqirit Sulbije Tola, grua e urtësisë dhe e lerave të rralla e lindur në Arras në vitin 1926 i erdhi në krah e hijeshoi dhe nderoi derën, kullën bujare të Tolës. Kjo grua dhe nënë burrëreshë, deri sa u nda nga jeta në vitin 1983 i qëndroi në krah, rriti dhe edukoi fëmijët si s’ka më mirë, bëri emër me virtytet, bujarinë dhe kulturën që i rrezaton e do t’i rrezatojë tek pasardhësit, farefisi, nipërit e mbesat e saj. Nga çfarë kemi dëgjuar e mësuar për të paharruarën Sulbie Tola vërtet ishte e jashtëzakonshme, punëtore e rrallë, shumë e dashur për fëmijët e lagjes, bujare e zemërgjerë e pakrahasueshme në kushtet e varfërisë së madhe. Ka mbetur si testament urtësie fjala e dhimbjes me ngushëllimin e të birit, intelektualit virtuoz e të talentuar Mustafa Tola: “Nuk ka vdekur vetëm nëna jote, por edhe nëna jonë, nënë për të gjithë ne, e kemi bashkë dhimbjen…
Shaqir Tola, pasardhësi i kullës së nderuar çidhnake la gjurmë të pashlyera në kujtesën e brezave. Udhët e provat si atë të këtij burri të qëndresës janë rrezatimi i mirësisë, krenarisë dhe i fisnikërisë dibrane e mbarëkombëtare. Në këtë udhë ecën edhe Mustafa Shaqir Tola. Fati më bëri që të gjej e lexoj edh enjë poezi (baladë) shkruar nga e bija e Shaqir Tolës, Kada më 1996, “Jam krenare për ty baba”. 23 strofa. E 23-ta thotë: Dhe mbeti kujtimi prapa / Vepra dhe burrëria jote / Kështu e kanë lënë stafetën / Gjithë brezat e kësaj bote…
Provat dhe jeta, puna dhe përkushtimi, lufta prej atdhetari e nacionalisti, familja e fisnikërisë, gjurmët në breza dëshmojnë për të paharruarin Tola. Tola i Çidhnës – kullë e provave të atdhetarisë në brezni.