Vepra e Naim Plakut, një testament fjale


Katër dekada pas ndarjes nga jeta të autorit të poemës së famshme “Bagëti e Bujqësi”, lindi një tjetër poet i talentuar, me të njejtin emër. Jo në Frashër të Përmetit, por në Sllatinë të Dibrës.
“Data shënonte 14 nëntor 1940. I jati, Shemsiu ishte në punë e vonë, kur u kthye, e mori vesh se ishte shtuar me një djalë….Emri Naim ishte emër i librave. Nxënësit e shkollave, ato që kishin pak klasë, e njihnin këtë emër. Ishte Naim Frashëri i Rilindjes sonë Kombëtare. Nxënësit e mësonion nëpër shkolla e të rriturit e kishin lexuar. Edhe në shkollën e Sllovës kishin mësuar e recituar poezitë e tij. Shemsiu pothuaj i kishte lexuar të gjitha poezitë e tij të botuara. Djalit që lindi këtë natë nëntori, ia lanë emrin naim. ‘E gëzoftë! – u dëguan urimet nëpër kullën që ishte mësuar të priste e të përcillte miq të shumtë, të ftuar e rrugëtarë të ndryshëm…”.
E nisëm me këtë perifrazim të autorit të librit më të ri “Dritëhijet e një poeti”, të shkrimtarit të njohur Shaqir Skarra, për të bërë një analogji të dy Naimëve, poetë, që ngjasojnë shumë në jetët dhe veprat e tyre.
Nëse rilindasi i shquar rridhte nga dega e Dakollarëve ose e Dulellarëve e Familjes së shquar Frashëri, edhe Naim Plaku, ishte pinjoll i një fisi emërndritur në Sllatinë, nipi i “gjeneralit me shajak” Elez Isufi.
Nëse Naim Frashëri u shqua për lirikën e tij patriotike me temë aktuale (vjershat “Gjuha shqipe”, “Korçës” 1887, etj.), u këndoi me pasion të rrallë mallit dhe bukurive të atdheut (“Bagëti e bujqësia”) dhe bëri thirrje të fuqishme për çlirimin e tij (krijime të ndryshme, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”), në shekullin që lamë pas, vepra e Naim Plakut, është një testament fjale.
Dhe siç shprehet autori në monografinë “Dritëhijet e një poeti”, Naim Plaku, që e konsideronte poezinë si një “zanë mali, por kryeneçe”, me mjeshtri të rrallë e ledhatoji, e përkëdheli dhe pastaj u dashura pas saj. U dashurua me poezinë që në fëmijërinë e tij, kur qau për “dhinë pikaloshe që ia hëngri ujku” dhe për “mushkën, që ia hodhi ngarkesën të gjithën në tokë, ngaqë nuk e kishte ngarkuar mirë”. Janë këto detaje nga fëmijëria e një nxënësi që shkëlqente në të gjitha lëndët, në gjuhë e lexim, në aritmetikë e gjeometri, në histori e gjeografi, në kimi e biologji…Ngaqë mbante sy e vesh te shpjegimi, si rrallë nxënës, por edhe ngaqë tek kulloste bagëtinë apo dhe kur shkonte për dru në mal, me vehte kishte edhe trajstën me libra. I tillë do të ishte ai edhe në në fidanishten e mësuesisë, siç njihej Shkolla e mesme Pedagogjike e Peshkopisë, për përfundimin e së cilës, babait të tij, Shemsi Plakut iu desh të shesë pothuaj të gjithë bagëtitë. Por edhe në Universitet, tek do të përballej e trimfonte me pedagogun e sintaksës që “dhjetën” e konsideronte pronë të veten. Ishte pikërisht N.Plaku, ndër studentët e paktë që me zotësinë e talentin e tij të rrallë e theu këtë tabu të pedagogut zemërngurtë, ashtu siç sfidoi në vitet e dekadat e jetës së tij të gjithë nihilistët e mediokrit që i shërbyen me zell sistemit të diktaturës.
Këto e të tjera detaje jetësore për këtë poet të këngës, e bëjnë më të dashur për lexuesin këtë vepër dinjitoze të publicistit, studjuesit dhe analistit tashmë të njohur, Shaqir Skarra. Me mjeshtri të rrallë ai ka ditur të “shfrytëzojë” arkivën e pasur që la si trashëgimi, poeti i këngës, Naim Plaku. Nuk është rastësi që nga kritika letrare, emri i Naim Plakut si poet kënge, radhitet përkrah Gjokë Becit e Lefter Çipës. Këtë, përveçse autorit të monografisë “Ditëhijet e një poeti”, e pohojnë edhe emra të spikatur të letrave shqipe, që e kanë studjuar hollësisht veprën e Naim Plakut. Kjo edhe për faktin se tekstet e Naim Plakut janë lënda e parë e standardit më të lartë për këngëtarët e mirënjohur Arif Vladi, Shkurte Fejza, Haxhi Maqellara, Skënder Cala, Liri Rasha, Qerim Sula, Ilir Shaqiri, Selami Kolonja, Caje Poleshi, Sherif Dervishi, Vera Laçi, Dritan Jashari etj. Mjafton të kujtojmë se si janë ngritur peshë zemrat e mijëra artdashësve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në skenat më presitigjioze të botës, kur kanë përjetuar zërin e tyre melodioz në interpretimin e teksteve të këngëve të N.Plakut: “O prite Azem Galicën”, “Një gërshët u la me gjak”, “Na knojnë pushkët nëpër kulla”, “O i madhi Skënderbe”, “Përcolla ylberin”, “Mine mori Mine”, “Tinguj krenarie”, “Fluturo shqipe ka kalaja”, etj.
“Naimi u bë gjuhëtar, punoi shumë për të, mblodhi fjalë të rralla jo vetëm të krahinës, por edhe jashtë saj…Naimi truppakët, çapitej nga Fushë Alia në Shumbat, nga Cereni në Slllovë e nga Sllova në Gollobordë…Ai çliroi shpirtin, duke tjerrë zgjuarsinë me fjalët e botës së dijes që mblodhi jo vetëm nga gjuha e mësuar e shkollës, por edhe në odat e kullat dibrane dhe nga valët e fjalës së Drinit e oshëtima e Korabit, duke i shikuar këto nga shpirti i lirisë…Pas mësimit, gjatë udhëtimeve do të nxirrte bllokun e do të shkruante toponime e mikrotoponime. Për to pyeste qoftë dhe një çoban që ishte me bagëti….Gjeti ninullat e bukura të djepit e shprehjet frazeologjike, të përdorura aq bukur në këto anë. Përpara se ti hidhte në bllok, këngë qoftë apo shprehje gjuhësore, kërkonte burimin. Kështu ai ra në gjurmë të ciklit të këngëve të Korabit, mblodhi këngën e Ymer Agë Ulqinit, “Motra me nantë vllazën”, “Balada e Rexhës” e dhjetra të tjera…I mori këto këngë nga goja e popullit, ua hoqi pluhurin dhe i bëri pronë të të gjithëve për të mbetur visare të folklorit shqiptar”. Mjaftojnë qoftë edhe këto perifrazime të shkëputa nga faqe të ndryshme të veprës së Sh.Skarrës “Ditëhijet e një poeti”, për të konkluduar në punën e mirëfilltë studimore e shkencore që ai ka bërë për të na e sjellë në mënyrë sa më origjinale madhështinë e profilit krijues e njerëzor të Naim Plakut.
Poeti që përjetoi skajshmërisht përndjekje, ishte vërtetë një poet i përmasave të spikatura. Në monografinë e sapobotuar nga Shtëpia Botuese e mirënjohur tashmë MB, evidentohen qartazi variacionet poetike në formë mozaiku brenda konstruktit poetik të poezive të tij që shkrihen në kodet nëntekstuale, të shartesave të kumteve dhe përcjelljeve të folkut. Kjo edhe për faktin se në poezinë e tij, Naim Plaku i ngre një kult botës dibrane, nderit, dinjitetit, virtytit, arketipit social, etik dhe filozofik të dibranit që motivohet nga zgjuarsia, maturia, etj. Këto, më së miri i gjejmë në veprat poetike të N.Plakut “Fllad e frullizë”, “Kreshtat e Korabit” dhe “Trëndafila mbi mermer”. Por vitet e fundit botimet e tij po lexohen e po pëlqehen nga publiku, sidomos “Krojet e zanave” e “Folklor nga viset e Dibrës”.
Qoftë edhe me një vështrim sporadik të veprës “Ditëhijet e një poeti”, lexuesi do të mrekullohej me “rrëfimet nga ditari”, të cilat autori Sh.Skarra ka patur fatin t’i ketë në dorë dhe prej tyre të përveçojë nektarin e veprës shumëdimensionale të Naim Plakut. Dhe jo vetëm kaq, por shkrimtari e studjuesi Skarra, sjell risi në “Raportet e Naimit me veprën”, duke i parë ato në një kontekst të gjerë, në fushën e gjuhësisë e letërsisë, por edhe duke na e paraqitur Naim Plakun si një figurë të shquar të folkloristikës tonë, si skenarist dhe libretist.
Dhe në vlerësimin e veprës së N.Plakut, autori i mografisë “Ditëhijet e një poeti”, nuk ndalet vetëm tek mendimi i tij analitik, mjaftë i vlefshëm, por sjell referenca të çmuara nga bashkëkohës të mirënjohur. Kështu, Prof.Dr.Shaban Sinani, përveç shumë punëve të bukura në krijimtari, veçon atë çfarë Naim Plaku i ka kushtuar traditës gojore të popullit të Dibrës, traditës etno-zakonore dibrane, studimeve me karakter historiografik dhe etnologjik, krijimtarinë letrare në përgjithësi, sidomos poezinë e tij. Ndërsa Ali Ahmeti, sjell në kujtesë këngët e mrekullueshme që këndonin Arif Vladi, Liri Rasha, Qerim Sula dhe të tjerë këngëtarë, që atij dhe shokëve të tij, kur luftonin për të drejtat e popullit shqiptar, u jepnin zemër dhe i hidhte në flakën e betejave. Por, lideri i mirënjohur historik i shqiptarëve të Maqedonisë pohon se në atë kohë nuk e dinte që tekstet e tyre aq të fuqishme i I kishte bërë Naim Plaku.
Dhe nëse për Shkurte Fejzën, poezia e N.Plakut ka shpirt dhe i jep motiv kompozitorit, që të kompozojë, por edhe këngëtarin e frymëzon për të kënduar me shpirt, për Dr.Fejzulla Gjabri, që është edhe redaktori i librit, “Në vëllimet e Naimit ka frymëzim vendlindor, dibran dhe gjithëshqiptar. Aty është lashtësia, aty burojnë mesazhet, aty ngrenë krye hulumtimet….”.