Berishët e Muhurrit, si rast unikal  në historinë Skënderbegiane


Romani i Naim Berishës “Të jetosh në paqe”, me bazë historike të vërtetë, është sa tërheqës dhe intrigues

Botime të tjera nga i njëjti autor

“Vjershë e ndaluar”

“Pengu i nëndheshëm“

“Shpirt i heshtur”

“Sagë e vjedhur kohe”

“Hiri i frymës”

“Lejlekët e lumit tim”

“Grindja e skeleteve”

“E drejta, e padrejta dhe kadiu”

“Kur grinden skeletet”

“Gjindja kishte ngrënë egjër”

“Dashurinë ta lë në shpirt”

“Sythi i paçelur“

“Vdekja e deles”

“Zëri i malit të Shënmërisë”

“Shpresa”

“Të jetosh në paqe”

“Sonete 1, 2” William Shakespeare

“154 sonetet e Shekspirit”

“Kashta e Kumtrit”

“Kaleidoskop” (mozaik)

“Luleçelur në degë të mollës”

Të gjitha këto botime i gjeni pranë librarisë M&B në Tiranë, Fleta XXI në Peshkopi ose mund ti porosisni pranë rrjetit të librarive Adrion në Tiranë

 

Barleti, Franku, Sokoloski, Pall, Stort, Stojanovski dhe shumë të tjerë biografë dhe studiues vendas dhe të huaj të Skënderbeut, evidentojnë Berishët e Muhurrit të Dibrës, si një rast unikal në historinë skënderbegiane. Madje Marin Barleti te “Histori e Skënderbeut” – (faqe: 314, 315, …) shkruan se Ndër fisnikët më të mirë të atij vendi (në Dibër) ka qenë familja e lashtë e Berishëve. Dy vëllezërit, gjeneralë të Skënderbeut dhe, njëherësh, kryetrima të rinisë dibrane, Dhimitri dhe Nikolla, ndihmën e të cilëve Skënderbeu e kishte të dendur dhe të shënuar, kur dëgjuan për fatkeqësinë e ushtrisë sonë dhe për përfundimin e rrethimit të Beratit, kur morën pastaj vesh për rebelimin dhe pabesinë e Moisiut, nuk u vonuan aspak, por vrapuan fluturimthi për tek roja dhe kryeporta e mbretërisë, të trembur se mos roja atje shpërndahej nga frika apo ngaqë s’kishte kush e frenonte dhe se mos vendi mbetej pa mbrojtës, sidomos kur vinin lajmet se Sebalia ndodhej, ende, në Epir. Dhe kështu Dhimitër dhe Nikollë Berisha me plot arsye, u kujdesuan, së pari, për të kërkuar ushtarë dhe, kështu, e rritën rojën, u dhanë zemër burrave me fjalë dhe me vepra, duke ua shtuar, me çdo mënyrë, dashurinë për Skënderbeun, si dhe duke shfaqur simpatinë e tyre për fatin e tij dhe urrejtjen për pabesinë e Moisiut …”. Duke shkruar për këtë familje, (ftilloj:”Familja e Lashtë të Berishëve” sepse në gjithë librin voluminoz të tij për Skënderbeun, Barleti, çuditërisht, vetëm këtë familje, në ndryshim nga gjithë të tjerat, e specifikon kështu: “të lashtë”) është e pamundur të mos përmendësh Kastriotët dhe Skënderbeun. Kjo sepse, këto dy familje, u ngjizën në të njëjtën trevë të origjinës, në Masrekat e Dibrës së Poshtme, për të cilën kanë shkruar jo pak historianë vendas dhe të huaj. Edhe nga burimet arkivore, edhe nga ato gojore vërtetohet se këto dy familje qenë jo vetëm bashkëkohës dhe bashkëfshatarë, por, njëkohësisht, dhe bashkëluftëtare. Qyshse Kastriotët u shfaqën për herë të parë në skenën politike të kohës, Berishët bëjnë krushqi me ta dhe që nga ajo kohë, familja e lashtë e Berishëve, do të mbetet në historinë skënderbegiane si njëra nga familjet bashkëluftëtare më besnike e kauzës së Kastriotëve.

Masrekat dhe Gardhi, treva në të cilat,  ekskluzivisht, identifikohet Muhurri

Të shkruash për Berishët, më së pari, do të thotë të shkruash për Masrekat, të Epërmet dhe të Poshtmet, si dhe për Gardhin e Poshtëm (të Dibrës së Poshtme), treva në të cilat, ekskluzivisht, identifikohet Muhurri, ky shtrat i rralle shtrëngatë i origjinës së lashtë të Kastriotëve.Të shkruash për Berishët e kohës së Kastriotëve do të thotë të hedhësh një dritë të re mbi qytezën e lashtë ilirike të Hurdhë-Muhurrit dhe Mazrekave të Epërme vend ku u ngjizen dhe u formuan në shekuj Kastriotët, të cilët i dhanë kombit tonë të shqiponjave pavdekësinë. Të shkruash për Berishët e Skënderbeut do të thotë të farkëtosh dhe një të vërtetë më shumë se Gardhi i Poshtëm, (vendlindja e dy gjeneralëve të Skënderbeut, Dhimitër dhe Nikollë Berisha), ishte ashtu siç pohon Gjon Muzaka, njeri prej dy katundeve që pati në zotërim Pal Kastrioti, gjyshi i Skënderbeut. Dhe, më në fund, të shkruash për Berishët e Skënderbeut do të thotë të shkruash për një rast unikal në historinë skënderbegiane dhe jo vetëm. Do të thotë të shkruash për dy vëllezër, secili më i zoti se tjetri, që të dy gjeneralë të Skënderbeut, luftëtarë të ekselencës, njerëz të elitës sunduese skënderbegiane, nënkomandantë nga më të rreptët e Skënderbeut dhe, njëherësh, nga më të besuarit e tij, personazhe historike të veprës së madhërishme të Skënderbeut shkruar nga Barleti, vepër e përkthyer në shumë gjuhë evropiane dhe që qarkullon prej më shumë se 500 vitesh në gjithë botën. Kur shkruhet dhe flitet për Berishët e kohës skënderbegiane, s’do mend që flitet e shkruhet për Berishët e Muhurrit të Dibrës së Poshtme. Asnjë historian apo kronikan, asnjë burim arkival apo gojor nuk na bën të njohur ekzistencën e ndonjë fisi a familjeje tjetër “Berisha” në gjithë trevën autentike arbërishte të epokës së Kastriotëve. Në se ka sot familje Berishësh, gjithkund, në hapësirat etnike shqiptare, ato, dihet, kanë divergjuar përgjatë harkut kohor të këtyre pesë shekujve të fundit, pra, fill pas MOTIT TË MADH nga e vetmja pikë: Familja e Lashtë e Berishëve të Masrekave dhe Gardhit të Poshtëm, përndryshe, nga Muhurri i sotëm i Dibrës së Poshtme, pikërisht, aty ku e kanë gjenezën, aty kanë dhe trojet e tyre të vjetra e të pakontestueshme Kastriotët tanë të madhërishëm.

Referuar këtyre kolosëve të historisë sonë kombëtare, por dhe në të dhëna arkivore e gojore, poeti, romancieri, përkthyesi dhe, njëherësh, kantautori muhurrak Naim Berisha, autori i më shumë se 30 librave artistikë, (vetëm në këta 23 vitet e fundit), ka botuar së fundmi romanin e tij të gjashtë, të cilit i ka vënë titullin e bukur dhe kuptimplotë, “TË JETOSH NË PAQE”. Ndryshe nga pesë të parët, ky i fundit i përket zhanrit historik.

  • Në këtë libër, ai trajton temën e qëndresës së popullit të arbërit në kohën e Skënderbeut. Duke glorifikuar familjen e lashtë të Berishëve të Mazrekave në Gardh të Poshtëm, dmth, në Muhurrin e sotëm të Dibrës së Poshtme dhe të dy gjeneralëve të Skënderbeut, vëllezërve Dhimitër dhe Nikollë Berisha, djem të Gjergj Berishë Mazrekës dhe Majra Kastriotit) ai, në të njëjtën kohë, glorifikon gjithë qëndresën heroike të Arbërisë nën udhëheqjen e Skënderbeut kundër tiranisë së pashembullt turke.

    FRYMA POLEMIZUESE E AUTORIT DHE  BESUESHMËRIA NË PËRSHKRIMIN E PERSONAZHEVE

    Duke vazhduar me vlerat e romanit, nuk mund të mos nënvizoj frymën polemizuese të autorit me ata që u përpoqën të anashkalojnë qëllimisht Muhurrin dhe Berishët, edhe pas mbledhjes së dëshmive të pleqve të urtë muhurrakë Lam Mziu e Fali Rama. Ndërkohë që ka edhe të tjerë që ndonëse botuan libra rreth gjurmëve të kastriotëve në Sinë e Muhurr, megjithe kontributin studimor nuk arritën të orientohen nga figurat e kryetrimave Nikollë e Dhimitër Berisha, siç bëjnë H.Koltraka, S.Mziu e F.Daci. Romani historik i N.Berishës bëhet më i besueshëm kur iu referohet studjuesve të mirëfilltë të Historisë së Muhurrit, Hilmi Sadikut e Ilvi Shehut, apo edhe Hysni Bruçit e Hysni Milloshit si promovues të vjershë së tij të parë dhe të studimit për Berishët e Muhurrit të botuar në revistën “10 korriku”.

    Një figurë interesante është dhe ajo e Liman Berishës, për bëmat e të cilit në betejat kundra turqve e serbëve, deri në kryengritjet e viteve ‘20-21 unë kam shkruar që para 30 vitesh reportazhin “Muhurri në breg të Drinit”, botuar në gazetën “Ushtima e Maleve”, dhe ku ndoshta për herë të parë sjell referenca nga Barleti e Noli për gjeneralët trima të Skënderbeut, Dhimitër e Nikollë Berisha

    Tërheqës janë edhe profilet e Xhemalit, Osmanit e hallë Miles, që Gjorgu, mjeshterisht i viziton, qoftë dhe vetem si inkurajues të krijimtarisë së tij. Po në këtë këndveshtrim përfshihen në romanin historik “Të jetosh në paqe” dhe xhaxhallarë e autorit, Ramazani, Haliti e Lika sidhe kushurinjtë, Arbeni, Limani e Bardhyli, si pasardhës të denjë të Dhimitrit e Nikollës. Pikërisht edhe për hedhjen dritë rreth këtyre figurave e personaliteteve të shquara, ky roman i N.Berishës zë vend të veçantë ne analet e historisë sonë kombëtare.

    “TË JETOSH NË PAQE” një roman i zhanrit historik

    Duke u mbështetur në mendimet e konsulentevë dhe të recenzentëve, emrat e të cilëve janë të shkruar në faqen e parë të librit, kemi mbërritur në një akord se ky libër i veçantë i Naimit, më shumë se një libër monografik për familjen a fisin, është një roman i zhanrit historik, sepse i gjithë libri është nën ndikimin e parimit artistik dhe estetik të historisë.

    Ky parim, siç dihet, e sheh historinë edhe si art, njëherësh, i përcakton asaj edhe qëllime të tjera, veç tregimit objektiv të ngjarjeve. Romani “Të jetosh në paqe” mendoj se e prek lexuesin dhe, në të njëjtën kohë, e kënaq atë përmes rrëfimit interesant dhe stilit konciz, të trajtave të larmishme të tregimeve impresionuese, të vrullshme e plot ngjyra.

    Natyrisht, parimet dhe tiparet e mësipërme letraro-artistike bien disi në kundërshtim me karakterin e rreptë shkencor të historisë, por ato, në roman, kombinohen aq bukur dhe aq bindshëm ashtu siç shkrihet, në një të vetme, forma artistike me përmbajtjen e romanit.

    Edhe fakti se në libër janë përdorur mjaft mjete stilistikore, si digresionet, retrospektiva, harmonizimi i kujdesshëm i kësaj të fundit me realitetin e sotëm, ruajtja dhe sigurimi i vazhdimësisë së amaneteve, i kumtit të tejçuar oral nëpër brezat pasardhës të Berishëve të vjetër, në të njëjtat troje (të Muhurrit) deri në ditët tona, kombinimi i të vërtetave historike që përcjell Barleti dhe të tjerë biografë të Skënderbeut me gojëdhënat që janë shumë të njohura në Muhurr edhe sot e kësaj dite për fisin e Berishëve dhe lidhjet e tij shumë të afërta dhe tejet besnike me Skënderbeun, gërshetimi i linjave themelore të ngjarjeve historike me detajet konkrete të luftës dhe të jetës së dy vëllezërve gjenerala, Dhimitër dhe Nikollë Berisha, ingranimi me këto linja, që mbajnë në këmbë librin, i tregimeve të Babës së Madh, i cili jetoi aq gjatë si për të treguar …, “Rrnoj për me tregue” dhe që, çuditërisht, na kujton plakun Balë të De Radës tek “Këngët e Milosaos”, dhe, më në fund, rrëfimet në vetën e parë të Gjorgut, (që është vetë autori i librit) të cilat shfaqen, mjeshtërisht, në trajtën e kujtimeve, e të tjera, e bëjnë këtë libër që të anojë më shumë si një roman, sesa një libër, thjesht, jetëshkrimor.

    Gjithëçfarë thamë më lart, mendojmë se justifikohet edhe me atë që pohon autori, se letërsia, për të, është e pandarë nga historia.

    Ky roman historik, shprehim bindjen se i bën nder sa historiografisë skënderbegiane, aq dhe letërsise artistike që evokon atë epokë të lavdishme.

    “Të jetosh në paqe” që i dedikohet familjes së lashtë, të vjetër dhe të re të Berishëve të Muhurrit dhe jo vetëm, është një kontribut i ri si në thesarin e historiografisë skënderbegiane, ashtu dhe për letërsinë që i korrespondon asaj periode legjendare e të papërsëritshme.

    Ky roman me bazë historike të vërtetë është sa tërheqës dhe intrigues, aq dhe me interes e domethënës. Si i tillë, ai lexohet me një frymë. Dhe ne besojmë se do lexohet kështu për shumë e shumë kohë, si brenda, edhe jashtë kufijve të atdheut dhe se do zërë vend të merituar në mjaft biblioteka personale të shqiptarëve.

    Për shkrimtarin, poetin, përkthyesin, hajkistin, romancierin dhe kantautorin, bashkëfshatarin tonë të dashur muhurrak Naim Berisha, urojmë nga zemra veç të mira në jetë dhe suksese të mëtejshme në krijimtarinë e tij të bukur artistike.