Dibër, tokë e trandur


Bulqize

Kisha një javë pushime dhe u nisa për në Dibër, vendlindja ime. Që kur rrotat e automjetit nisën të lëvizin drejt një krahine disi të fjetur, menjëherë sikur në mjegullnajë më erdhi ndërmend libri i Albert Kamy: “Njeriu i parë”. Kamy në këtë libër dëshmon në një mënyrë të qetë dhe natyrale për vitet e para të jetës së tij, për vendlindjen Mondovi në Algjeri, pasi atdhe kulturor i ishte bërë Franca. Ja kështu më ngjante pak a shumë vetja. Po kthehesha në një vend që e njoh shumë mirë, deri në qelizën e vet më të humbur, por se nga ana tjetër më duket shpesh i ftohtë, i shkretë, një shkretëtirë që ashtu çuditërisht natyralisht nuk e ka shkretëtirën.

Për në Dibër thua se je drejtuar menjëherë pasi fillon dhe merr udhën përtej Milotit e Mamurrasit.

E pashë sërish këtë rrugë kthese, që duket e veçantë nga të gjitha udhët e kësaj republike paçavure, që gropën e vet më të madhe, zullumin e vet më madhor e ka ngritur në pietestal në rrethin e vendlindjes sime. Në udhën që merr kthesën fillon e hyn në atë që unë e konsiderova shkretëtirë, vendin ku dhe lulet kanë frikë të mbijnë. Përballë të shfaqet një shtëpi e vjetër, si tip kulle, që nuk është shkatërruar, edhe pse në fakt aty duket se nuk ka njeri, nuk është as biznes, por qëndron ndërtesa stoike nga kohët, a thua se është ndonjë thesar për këtë zonë, kur në fakt arsyeja mund të jetë bajate, se atë mund ta ketë ndonjë i fuqishëm, që s’ka pushtet që e rrëzon një shtëpi të përçunduar në atë mënyrë, sikur të jetë kuçedër me shtatë gjuhë. Kjo është përshtypja e parë që kam dhe e dyta që më vjen ndërmend është se shumë kohë ka kaluar, qysh kur isha fëmijë dhe rrallë i merrja këto udhëtime të gjata, njerëzia ka evoluar, kohët kanë ecur dhe kulla famoze në sytë e mi, ka ngelur ashtu, apoteozë e mjerimit të djeshëm e të sotëm, e zonës që edhe në republikën e varfër, ka mbetur jetime e një nëne që se di në ka nënë a ka lindur prej asgjëkundi. E rrotat e kamionit vijojnë e ecin, duke e pasur mendjen te ajo ndërtesë, tek ajo frikë, te ai mister, që nuk gjen zgjidhje, edhe kokën tel ta bësh.

Rruga vijon me lumin Mat, bukuria e madhe e një lumi të gjelbër, me kreshta shumë, që fatkeqësiosht ka mbetur në një zonë të varfër e të vakët, ku dhe shteti nuk ka bërë ndërhyrjet e duhura. Po këtu jo vetëm që s’ka gjë të përbashkët me shtete të Europës, po këtu nuk gjen as realitetin e Mirditës, as të Kukësit e ndoshta as atë të Pukës, që deri dje mbaheshin se ishin të varfëra. Kjo sepse në rrethet që lartpërmenda ka kaluar ndonjë projekt, si Rruga e Kombit, që me ato problemet e veta, sërish i ka sjellë ca hov zonës. Po këtu është lemeri.

Në kohën që e gjithë Shqipëria nuk vuan për rrugë të shtruara, në mes të Klosit, qyteza që vështirë se meriton të jetë e tillë, nën zhurmat bajate të këngëtarëve hip-hop të zonës, nën benzonatë të derdhur në udhë, makina nis e “kërcen” nëpër gropa të mëdha, që duket sikur kanë hapur gojën e të thonë se ne nuk mundëm t’i bëjmë ballë kushteve atmosferike, se ashtu i ka hapur dielli i fortë e se i ka shkatërruar njeriu, ky kafshë që brenda lëkurës ka shumë kafshë. Po habitesh me vete se këta politikanët i shohin gropat, kur kalojnë? A habiten se njerëzia dergjen rrugëve? Këta me helikopterë lëizivin kështu? E rëndë është ta thuash, e vështirë ta shpjegosh, por rrugë si në Afrikë mundesh me gjet në republikën, që Zoti për ata që besojnë e natyra për ata që nuk besojnë e ka bekuar me qenë në Europë, që ashtu me fat qëllon të jetë ndër kontinentët më të mirë të kësj bote që e jetojmë.

Lashtësi e vdekje

Po më tej ka varre, po po janë varreza ku prehen njerëz që janë ose në rrugë kur i ka shtypur makina aty në mes të xhadesë ose janë pak metra më tutje, se janë varreza të fshatrave afër. Aty merr me mend se njeriu qenkërka një hiç, sidomos ai i këtyre zonave, që jeton për me pas trashëgimtar dhe atë pastaj me e lënë shëndetshëm se “kaq e ka kismetin” e të tilla shprehi arkaike përdoren në zonë. Po varret janë dëshmi lashtësie, janë fundi i një dhimbjeje që kalon përmes malesh vigane të zonës së quajtur Martanesh e zbret tëposhtë në Valikardhë. Po Valikarda çfarë është dhe ajo fushë ku afër gjendet Bulqiza e kromit me dy “qytetet” e saj? Valikardha është fusha ku ndër faqe të historisë na është mësuar se ka luftuar Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, se këtu pikërisht i ka kryer betejat e veta më të mëdha, e kjo ndoshta edhe prej faktit se turqit vinin ndër këta anë se është terreni i përshtatshëm për këtë punë. Në atë fushë të Valikardhës, kishin vendosur edhe një statujë të Skëndërbeut, si dëshmi e kohës së tij, që mbahet si e lavdishme fort. E këtu më lind dyshimi. Të kisha jetuar në kohë të tij, a do ta kisha dashtë a do ta kisha urryer? A mundet me qenë një zonë edhe historike njëkohësisht edhe e varfër? A mundet që të ushqehesh prej historisë e të vdesësh prej realitetit? A mundet me qenë pa rrugë të premtuar e të jetosh, për bukë të përditshme, ndër male të qytetit të kromit të madh, që deng e varg shkon në Durrës, e prej andej kalon Oqeane e nuk dihet se ku përfundon? A mundet?…

Bulqiza, jetë e mortje

Një natë e kalova në Bulqizë, qytetin që ndahet më dysh si dy të afërm që kanë varret ngjit e ngjit, se kështu thuhet se janë më afër emocionalisht. Kur shkon nga Tirana, në të djathtë gjendet Qyteti i Vjetër, një mal me krom e punëtorët që disa punojnë me kushte dhe disa pa kushte. I vjetri qytet është i minatorëve. Së paku kështu thuhet se dhe këtu ka ngjarë ai fenomen që ngjan në tërë republikën e absurdit që jetojmë përditë, se minatorët e vërtetë kanë ikur prej aty e banorët e fshatrave përreth kanë ardhur e janë bërë minatorë. Këtu është një qendër e vogël, një ose dy klube e ku pinë cigare rëndë e bisedojnë minatorët me njëri – tjetrin, në mëngjes pa nisur punë, që në varësi të stinës shohin ose jo diellin dhe në darkë që prapë në varësi të stinës, mundet me e përcjell perëndimin e diellit me sytë e vet, në dalçin gjallë.

Aty afër ndodhet policia, se duhet sigurisht nëse thyejnë turinjtë minatorët, plagosen ose vriten, i marrin direkt, me ca autoambulanca, që ngjajnë sikur je në Irak a në Libi, të pluhurosura rëndë e me dyer nga mbrapa që ka raste hapen vetë ose i gjen edhe të shkatërruara. Po këta autoambulanca ose të tjera marrin me vete edhe në rastet kur përplasen banda të kromit me njëra – tjetrën, se policia a hyn a nuk hyn në punë kjo nuk është e sigurt. Në fakt, ndryshe nga autoambulancat në Irak për shembull këtyre iu mungon gjysmëhëna, edhe pse janë myslimanë kaq shumë, sa shumica e banorëve mbajnë Ramazan, në kontrast të thellë me historinë që e kanë, se kanë luftuar një armik që vinte vurishëm me flamuj gjigandë që ngrinin gjysmëhënat në qiell. Po Qyteti i Vjetër i tillë është, më shumë i ngjan mortjes, vdekjes për së gjalli. Mundesh me qenë pak më mirë në Qytet të Ri. Këtu për shembull me kushëririn luajtëm bilardino, bilardo, në një vend që ishte si bodrum, edhe lokale me muzikë gjeje dhe kjo është pjesa ku ky vend ka vërtetë jetë, në kontrast të thellë me Qytetin e Vjetër. Në Qytetin e Ri ka edhe loto, të gjitha që gjen kudo, tërë bajgat e kapitalizmit mbledhur aty, që përzier me llomin e Qytetit të Vjetër krijojnë një gjendjeje të fikti, që e mban vendin ashtu si njeriu në koma, që hera – herës i lëshon pak ujë e mundet të ngjallet.

Rrugë e pashtruar

Po do ecja në pikë të diellit, në atë diell që mua atje verës më duket më i nxehtë se në Tiranë. Do hidhja hapat në një udhë pesë kilometra të gjatë, për të shkuar në vendin ku kanë origjinën të parët e mi, që këtu edhe kur banoja në Dibër, kështu vinja. Ti ke hapin e madh tani, por thuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Ka vapë, ka qetësi, ka kanale anash me ujin e Gurrës, lumth ky që thonë se derdhet në Drinin e Zi, që është prezent në këtë zonë. Po ecën dhe sheh fabrika të vjetra të kohës së monizmit, që kanë funksionuar në atë kohë apo të tjera objekte, që janë shkatërruar, a thua se ka ndodhur ndonjë sulm nuklear. Në fakt, unë edhe nuk i njoh fort traditat e zonës, por se çdo makinë që kalonte, shumica më përshëndesnin me dorë, se kështu e kanë zakon, çdokënd që kalon në rrugë e që me siguri është nga ai vend, e përshëndesin. Në rregull, shumë përshëndeta. Po si mund ta përshëndesje një djalë të ri, sa unë ose më i ri, ndoshta 20 vjeç, që me dum dum, kishte hyrë në mes të pyllit, i kishte prerë pemët më të mira aty, lisa që sapo kishin çelur filiz dhe ecte pa pikë meraku?

A e dinte ai se ishte fill e për burg për atë krim që kishte kryer? Se ai krim që kishte kryer ishte njësoj sikur të vrasësh në djep foshnja të porsalindura? Epo e habitshme, thashë dhe dorën as që e ngrita fare. Vazhdova në atë udhë me pluhur plot, që ka këtu e vite e dekada që as nuk e ka shturar njeri e as ka ndërmend ta shtrojë askush. Dhe nga aty, në mes të rrugës pashë qytetin që mbahet si krenaria e zonës, atë që në zhargonin popullor njihet si Dibra e Madhe. Shtrihej ashtu në mes të malit të Deshatit sikur kishte zënë rrënjë buzë atij mali e mendoja thellë: Të duash historinë kaq shumë a ia vlen? A ia vlen historia të duhet e të përbuzësh gjendjen katastrofike, ku gjendet ai vend? E prapë në mes të madhështish në dukje, ngrihej varfëri e madhe, realitet maskaradë e një zone që e kam njohur si të tillë nga afër. E kam njohur aq nga afër, sa fytyra pa makiazh e saj është vërtetë e rëndë, por preferoj të mos gënjehem.

Maqellara, sa shumë për të thënë…

E kështu, e bëra udhëtimin dhe qëndrova edhe një natë në fshatin e të afërmve të mi, nga ku kam origjinën me pak fjalë. Por zemra s’më bëhej pa shkuar në Maqellarë, që është një qytezë që gjendet në mes Dibrës së Madhe dhe Peshkopisë e se jam rritur këtu dhe se njeriu ndoshta do më tepër atë vend ku ka më shumë kujtime. Duke qenë se është zonë kufitare, ka edhe doganën shumë pranë, ka një lloj gjallërie që rrallë e gjen në vende të tjera, së paku në Dibër. Nëse e quajta Dibrën një tokë të trandur, Maqellarën do ta quaja si vendin ku tronditja ka më pak magnitudë. Këtu kam dhe shokë shumë e takova disa prej tyre. Në fakt, nëse ke para në Maqellarë ia kalon mirë, nëse ke biznes ose punë për të qenë, pasi kështu kishin disa nga ata që kam arritur të takoj. Njerëzit janë vërtetë të mirë dhe punëtorë e jo më kot mbahet si zonë që thuhet se personat punojnë fuqishëm. Këtu thuajse nuk mungon asgjë nga Tirana, e ka edhe lokalin, edhe internetin, edhe freskinë, edhe shkollën. A po shkolla. Pasi bisedova me ca miq, u drejtova për nga shkolla që ka qenë e imja dikur, kështu e quaja. Sot është ndryshe. Shkolla 9-vjeçare ishte ndarë nga ajo e mesme.

Te e para luanin fëmijët në oborr, kurse te e dyta adoleshentët, që kanë ardhur shumë edhe nga fshatrat përreth mbanin veten thua se je në një vend të mirëqenë. Nuk është tërësisht e vërtetë se kanë këtë mirëqenie, por se ndjekin si të thuash modë a trend, që vënë re nëpër internet, që ka hyrë kudo. Afër shkollës kishte edhe një lokal, edhe ky kopjim total thuajse i atyre që gjenden në Tiranë. Në fakt, Maqellara në thelb duket tepër urbane disi, por se edhte ketë urbanizim e ka një kopje të shëmtuar të perëndimit e të qyteteve të mëdha të Shqipërisë. Pashë edhe pallatin tim, ku kam pasur shtëpinë, një zonë e qetë shumë, ku mundeshe të flije në drekë dhe të çoheshe për makiato pasdite. Po atë ditë rastësisht në Maqellarë u gjenda kur erdhi edhe kryeministri i vendit, që ishte sikur të jetë një ufo në mes të njerëzve, e se lëvizte duart duke mos iu dëgjuar zëri, a thua se ishte një i marrë në mes të turmës. Do të ndërtonin spital të ri më duket, edhe shkollë, diçka e tillë. Ishte së bashku me Ilir Beqajn që është edhe i pari në listë për të qenë deputet në Dibër. Se ç’lidhje ka Beqaj me Dibrën dhe me problemet e kësaj zone, unë për vete se di. Janë shumë gjëra për të thënë për Maqellarën që i kam më tepër në trajtën e kujtimeve të fëmijërisë, por se edhe i kam thënë e se janë gjëra që thuajse bëhen nga të gjithë fëmijët e botës e mbeten si hekur në bark në kujtesë e kanë lidhje me futbollin, shakatë, hidhërimet. Maqellara është pranë doganës, e besoj se kaq mjafton për të thënë se këtu ndodh çdo gjë që mundet të rrokë mendja njerëzore, por në sipërfaqe ka dritë, jetë, lumturi.

Ikje nga shkretëtira

Në fakt, unë e dua vendin tim, por edhe kur kalon caqet bëhesh me një mendje, aq sa fillon e refuzon edhe vendet e tjera. Ç’është e vërteta nuk jam i tillë, por thjesht shpjegova udhëtimin në pak rreshta në vendlindjen time. E, metafora më e denjë është se ajo është shndërruar në shkretëtirë, si pasojë e politikave, të veglave të pushtetit, të lloj -lloj mënxyrash, që atë vend, si çdo vend të republikës absurde e kanë kthyer në një kufomë, duke shkatërruar, rrënuar e vjelë prej Shqipërisë edhe atë pasuri që kishte në bark, duke na lënë sot pa hiçgjësend, sa duket ndonjëherë se mirë është se njerëzve nuk iu ka ikur mendja akoma!