DO TË ELIMINOHESHIN NË KAMPE SHFAROSËSE…


Duke lexuar ngjarjet e qershorit 1948 tronditemi nga torturat dhe nga reprezaljet që ka bërë regjimi komunist në fillimet e vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri. Dihet se regjimi komunist ishte i egër, i pamëshirë dhe kishte në planet e tij shfarosjen e njerëzve gjoja “tradhtarë”, “kundërshtarë” të tij. Si në gjithë Shqipërinë edhe në Dibër u bënë arrestime të mëdha dhe të shumta për të eliminuar të gjithë njerëzit që mendohej se ishin të rrezikshëm, dhe që origjina dhe mendimi i tyre ishte e kundërt me regjimin.
Nga zona e Lurës, u vranë trimat nga shtëpia e Bajraktarit të Lurës (Menës) dhe jo pak, por edhe ai që mbeti gjallë dhe u burgos, Mexhiti, u vu në listën e vdekjes që një ditë të afërt regjimi i asaj kohe do ta eliminonte si kundërshtar i regjimit. Po kështu dhe pas eliminimit të Preng Gjergj Rajtës, ishte vënë në listë për shfarosje dhe Martin Prengë Rajta nga Krej-Lura. Lista e vdekjes, që u mbush me emra të atyre që u ishin vrarë apo burgosur baballarët. Në këto lista ishte Baftjar Hajredin Buci nga Vlashaj Lurë. Sikur nuk mjaftoi vdekja në burg e Hajredin Bucit dhe Baftjar Buci vendoset në listat e vdekjes, që do të eliminoheshin në një moment të volitshëm për regjimin. Krahas fshatrave të Lurës edhe në Lurë të Vjetër vdekjet dhe reprezaljet nuk kanë pas fund. Ishte operacioni i qershorit që burgosi të nderuarin, të mençurin, trimin dhe njeriun shembull, Sulë Gjoçin, i cili vuajti dhe u izolua nga regjimi, por me gjithë vuajtjet ai shkëlqeu si drita e diellit dhe mbylli jetën në moshë të madhe duke lënë kujtime e mbresa te të gjithë. Mençuria e tij, trimëria dhe lufta që i bënte regjimi, lanë pasoja dhe për djalin e tij, Daliun i cili për moshën që pati gjatë regjimit komunist vuajti aq shumë sa kur e shikojmë sot mund të pyesni: Sa forcë qëndrueshmërie tregoi Daliu për të përballuar atë regjim shumë të egër. Edhe Daliu për të përballuar atë regjim shumë të egër. Edhe Daliu u vendos nga ish-regjimi që një ditë të bukur sipas komunistëve, do të arrestohej dhe do të eliminohej në Selishtë të Dibrës dhe së basku me 136 dibranë do të shfaroseshin si kundërshtarë të regjimit komunist, dhe në malet e Selishtës do të bëhej një varr masiv si i bënë në vende të tjera, por dhe Daliu ishte në listat e vdekjes. Në këtë grup lurasish siç ishin Mexhit Mena, Martin Rajta, Baftjar Buci, Dali Gjoçi që ishin regjistruar nga regjimi komunist si kundërshtarë, ishte dhe Lekë Doçi, i cili nuk u përkul para luftës klasore që u bëhej për hir të babës, Llesh Doçi që u arrestua në qershor 1946 dhe për disa ditë tortura në kampin famëkeq të Pollozhanit, duke treguar trimëri të lartë, vendosmëri të veçantë për luftën kundër komunizmit, Llesh Bibë Doçi edhe në momentin e fundit të jetës së tij la këtë amanet:
“ Kush të rrojë torturat e komunizmit të mos i harrojë. Përfitojë nga momenti i kujtesës të kujtojë me respekt aktin e të gjithë të burgosurve politike në atë kamp, për ndihmën që i thanë Llesh Bibë Doçit në momentin e fundit të jetës dhe për respektin që i bënë, duke e nderuar me ngritjen në këmbë në momentin e marrjes së trupit nga salla që për këtë veprim ata u torturuan. Sikur të mos mjaftonte ekzekutimi i Llesh Bibë Doçit, regjimi komunist kishte vendos që dhe Lekën ta ekzekutonte një ditë bashkë me shokët e lartëpërmendur si “Kundërshtarë” të regjimit komunist.
Ishin përgatitur mënyra e arrestimit, mënyra e grumbullimit, mënyra e dërgimit në Selishtë dhe atje në prezencë të forcave të ndryshme t’i ekzekutonin dhe t’i futnin në një varr masiv si armiq. Pra të bën përshtypje se regjimi të bënte armik dhe të luftonte brez pas brezi (d.m.th.) nuk mjaftohej vetëm me babain por dhe me djalin.
Por lind pyetja: Kush ishin Mexhit Mena, Martin Rajta, Baftjar buci, Dali Gjoçi, lekë Doçi? Në përgjithësi ishin në kohën e partisë së punës, njerëz të rinj, punëtorë, të urtë, të ndershëm, djem të familjeve të mira, të veçanta për të cilat krenohej dhe Lura. Kudo që punonin lanë përshtypje të mira, por kurrë nuk u mposhtën, nuk u gjunjëzuar. Nga këta 4 nuk jetojnë, por vetëm Dali Gjoçi jeton dhe gëzon respektin e popullit të Lurës, njerëzve që e njohin shokët e miqve të tij që i ka të shumtë kudo.
Këta persona do të eliminoheshin në kampe shfarosje, një ishte në Selishtë të Dibrës që e kishte planifikuar regjimi komunist. I përmenda këta emra, për të kujtuar veprën e nderuar të baballarëve që u dënuan dhe u ekzekutuan në burgjet e komunizmit, pro përmenden dhe djemtë e tyre të cilët vetëm se erdhi demokracia se dhe këta do të burgoseshin dhe do të eliminoheshin bashkë me dibranë të tjerë që ishin jo më pak se 136 vetë.
I kujtojmë me respekt të veçantë qëndrimet e këtyre burave të vërtetë që s’i trembi burgu, as plumbi për lirinë dhe demokracinë. Këto lloj veprash do t’i kujtojmë gjithmonë me respekt dhe përulemi para qëndrimit të këtyre burrave.
Duke folur për torturat e ushtruar ndaj njerëzve “kundërshtarë”, të regjimit në kohën e diktaturës, autori i nderuar Ramadan Sulë Ajazi në librin e tij.
Lura, kështjellë lavdie, shkruan:
Po torturave në qelitë e errëta,
Cili burrë u përball?
Llesh Bib Doçi, kapedani,
Komunizmi jetën ia mori.
Diktatura komuniste vriste e priste vazhdimisht familjet e mira, ajo i eliminonte brez pas brezi, babë e bir.
Ja çfarë shkruan Ramadan Ajazi për babain e tij Sulë Ajazi:
Mulliri i kafes ngjyrë ari
Pronari i tij, Sul Ajazi
Diktatura, armik e shpalli
Babë e bir në burg i futi.
Nga familjet më kundërshtarë ndaj regjimit të diktaturës komuniste në Lurë, në Dibër dhe në Shqipëri, është familja e nderuar e Menës në Fushë-Lurë. Diktatura i vrau familjarisht, qëndrimi i tyre burrëror do mbetet i paharruar në shekuj. Me të drejtë Ramadan Ajazi shkruan për njërin nga trimat e Meneve:
Trim me fletë
Ish Isa Mena
Djalë petrit
E kish lindur nana.
Nga shembujt e shumtë të eliminimit dhe të shfarosjes së kundërshtarëve të regjimit komunist del se Lura e pagoi shumë shtrenjtë, 34 viktima të pafajshme vetëm se ishin trima, familje të nderuar, të shkolluar dhe donin një regjim ndryshe e mendonin ndryshe të ardhmen, mendimet e të cilëve, dolën në ditët tona që ata kërkonin liri e demokraci.
I kujtojmë me respekt këta të nderuar që s’e trembnin për të drejtën dhe lirinë. Të mos i harrojmë asnjëherë kampet e shfarosjes dhe listat e vdekjes, por të mos marrim hak. Historia të shpalosi të vërtetat dhe ato që u flijuan të nderohen dhe të respektohen.