Me Duli Demën në një bisedë në hapësirën e 26 viteve larg


Duli Dema

Duli Dema nga Amerika dhe gjipset e virgjëra të Dibrës

Për një çast ai emër në faqet e facebook-ut do të më kthente 26 vjet pas, në vitin 1991 kur në Shqipëri çdo gjë shkatërrohej kurse ai kërkonte të ngrinte një fabrikë për shfrytëzimin e një ndër pasurive më të mëdha në Dibër, gipset e alabastrat që shtrihen nga Kalaja e Dodës e përfundojnë tej kufirit shqiptaro-shqiptar, në Dibër të Madhe.

Kur pashë fytyrën e tij u befasove dhe në mëdyshje, pasi e bëra “shok” i shkrova:

Përshëndetje Duli. Në vitin 1991 kam takuar dhe biseduar me një person që ka emrin tuaj. E kam takuar tek turizmi i Peshkopisë ku më paraqiti një projekt për shfrytëzimin e gipseve dhe alabastrave të Dibrës. Asokohe bëra një shkrim për këtë, shkrim që e kam botuar dhe e kam edhe në arkivin tim. Unë jam Abdurahim Ashiku nga Brezhdani, gazetar që tash 21 vjet banoj në Athinë. Po qe se jeni ju do të desha të këmbejmë kujtimet, mbase ta ripërtërijmë bisedën e asaj kohe. Sidoqoftë ju uroj shëndet dhe gëzime.

E menjëhershme ishte përgjigja:

Shumë të faleminderit. Unë jam ai dhe momentalisht gjendem në Tiranë. Jam në disponimin e juej me u takue në çdo kohë

Të fala tëpërzemërta. Duli Dema.

U gëzova. U ndjeva mirë për kulturën e tij të komunikimit, kulturë e fisit të tij larguar (siç më shkruan më poshtë) para pesëdhjetë vjetësh dhe kulturën që kishte marrë në një vend demokratik si Amerika.

Kishte moshën time, një vit më i vogël. E shkruante gjuhën shqipe si të kishte mbaruar universitet në Shqipëri e si të kishte qenë gjithnjë në Dibër.

Vazhduam komunikimin atë ditë dhe në ditët e ardhshme…

A. Ashiku: Gëzohem jashtëzakonisht shumë. E kam ëndërr të takohem edhe një herë me ju. Unë ndodhem në Athinë dhe e kam të vështirë të vij para muajit gusht në Shqipëri. Po kërkoj shkrimin që kam bërë atëherë kur u takuam bashkë dhe do tua dërgoj.

D. Dema: Unë sigurisht do te jem deri me 23 gusht. Po ta dish se ajo puna e Gipsit ne anën e Peshkopisë kërkon mjaft dollarë për tu ndertue…

Të fala të përzemërta.

A. Ashiku: E di i nderuar por mua më ka pëlqyer dashuria, gatishmëria juaj për të bërë diçka për Dibrën. Do të komunikojmë dhe shpresoj të takohemi.

D. Dema: Po ty nuk je i lirëpërkëtë se kjo asht nji projekt nobel dhe shumë i komplikuem dhe donëshumë para: Arapet thuejn “ishalla” eh me ate fjalëvetëm nji i dogmatizuem nuk han bukë në realitet. Unë jam i lirë me u takue sa ma shpejt.

A. Ashiku: Edhe unë dëshiroj të takohem sa më shpejt por jam larg dhe nuk më le puna. Megjithatë them se mund të takohemi kur të vij në fillim të gushtit.

Duli Dema: Në dashtë perëndia.

A. Ashiku: Pa tjetër që do të dojë. Respekt të lartë për ju. Kur të takohemi do të jap 6 librat e mi, njeri prej të cilëve ka titullin “PO DIBRËS ! JO SKAVICËS” ku kundërshtoj ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës që shuan përgjithmonë luginën e bukur të Drinit të Zi duke e mbytur atë në ujë.

D. Dema: Çfarë me ba. Kjo jetë asht me hile, ku dominojnëkriminelët sidomos ne vendin tonë.

A. Ashiku: Natën e mirë i nderuar. Do të komunikojmë vazhdimisht.

D. Dema: Natën e mirë.

A. Ashiku: Përshëndetje Duli Dema. E gjeta në arkiv dhe po jua dërgoj shkrimin tim rrjedhë e takimit me ju 26 vjet më parë…

DULI DEMA NGA AMERIKA DHE GIPSET E VIRGJËRA TË DIBRËS

Një pasuri e madhe që pret të shfrytëzohet.

E takova përpara turizmit, ulur në një karrige tek gjerbte kafe ekspres me një shokun tim. Fliste një dibrançe të pastër, të hareshme, me një theks paksa të dallueshëm amerikan.

Më tha se është nga fisi i Demeve të Shupenzës dhe quhej Duli.

Ishte vjeshtë e vitit 1992, fund shtatori…

Rrahëm kohën, tranzicionin, politikën. Unë i rezervuar, Ai pa dorashka. I kishte hedhur dorashkat tutje dhe me prakticitetin karakteristik amerikan më dilte në shtigjet e mija, në ato shtigje ku unë kisha kaluar duke “bërtitur”, duke thirrur për të mos shkatërruar, për të mos mbyllur minierat e prerë pemëtoret, për të mos shembur fabrikat e mbyllur shkollat, për të parë përpara dhe jo prapa.

I fola për pasuritë e Dibrës, për të njohurat në shfrytëzim dhe të njohurat në potencë, për të nëntokës dhe të mbi tokës, për njerëzit e saj punë dashur.

Nuk e di por më duket se i kisha gjetur zemrën ndaj e pashë të ngrihej, të më kapte krahun e të më merrte në dhomën e tij në hotel. Më uli në kolltuk dhe në tavolinën e vogël më shprazi një çantë me disa dosje të vogla. Kapi njërën dhe e hapi me të shpejtë.

– Këtu, më tha ke projektin e një fabrike për përpunimin në cikël të mbyllur të gipseve. Edhe gazi që del nga djegia e gipsit nuk humbet por në një cikël të mbyllur kthehet në vlera materiale tepër të nevojshme.

I thashë se gipse-alabastrat në Dibër janë në rezerva të pambarueshme. I thashë se sikur tërë teknika moderne e shfrytëzimit të inerteve të Amerikës e të botës të vihej në shfrytëzimin e alabastrave të Dibrës edhe për njëmijë vjet nuk i mbaronte dot. I thashë se vetëm “maja e bishtit” të tyre (duke e përshkruar si një “kalë” 40 kilometra të gjatë me kokën në Kala të Dodës, trupin në Vranjt e majën e bishtit në Radikë të Dibrës së Madhe (në anën tjetër të kufirit zyrtar) është në shfrytëzim. Kombinati “Radika” i Dibrës së Madhe prej më se 30 vjetësh shfrytëzon këtë “bisht” pa arritur ti shkulë një “qime”.

Ulur mbi projekt, midis vizash që flisnin për një dëshirë të madhe për t’iu qepur një pasurie të madhe, ndenjëm deri vonë.

U ndamë për tu takuar pas disa ditësh.

Më tha se kishte ndërmend të  shkonte në Tiranë dhe të takohej me ministrin e ndërtimit. I thashë se kur të vinte do ta takoja me një mikun tim inxhinier specialist për gipse-alabastrat, aktualisht i papunë, i cili do ti jepte hollësi për gjithçka që i duhej…

Nuk u takuam më. Më thanë se pas takimit me ministrin ka ikur në Amerikë. Mendova se do të kthehej…

Nuk u kthye. Për katër vjet sa kanë kaluar që kur u njohëm, edhe sikur në këmbë të ishte nisur nga Amerika do të kishte arritur.

Megjithëse e marr me mend skenën me ministrin e ndërtimit përsëri pyes: Pse nuk erdhi Duli Dema në Peshkopi? Çfarë mali më të lartë se Korabi i ka vënë ministri që nuk e kaloi dot?

Pse nuk erdhe Duli Dema?

24.9.’96, Athinë

Duli Dema: Zoti Ashiku, letrën e juej historike sa e lexova.Tëfaleminderit, por duhet ta dish se ato tëTiranës nuk deshën me dijt përprojekte Dibrane….

Kjo ishte arsyejaqëunë u solla në atëmënyrë, asht njësoj si puna e Rrugës së Arbrit. Në kohën tonë asht zorqë tëndërtohet…

Të fala te përzemërta.

Duli Dema ka ardhur përsëri në Shqipëri. Ka ardhur me të njëjtën dashuri për Dibrën, për shfrytëzimin e burimeve të mëdha në nëntokës e mbitokës së saj, për ti dhënë asaj frymë nga fryma e tij dhe e të gjithë dibranëve larg tej Atlantikut.

Duli Dema erdhi në atdhe në kohë të vështira. Dje dhe sot…

Do të doja ta pi një kafe me të, thjesht “kafe dibrane” me zemër në dorë. Kaq më mjafton se vetëm kaq mund të bëj.

Mundësia për ta përqafuar dhe për ta vënë në krye të një bisede të gjatë sa udhëtimi “Kala e Dodës-Dibër e Madhe” për një burim të madh pune e të ardhurash për Dibrën dhe Shqipërinë, u takon pushtetarëve.

Duli Dema ka ardhur në një kohë të vështirë, kohë zgjedhjesh, kohë riformime pushteti e shteti, kohë me porta zyrtarësh të lartë të mbyllura…

Duli Dema duhet takuar. Ka kohë deri më 23 gusht…

1991-2017