Shefqet Domi,“Ginesi” i mjekësisë shqiptare
Nga Prof. As. Nazmi Koçi


Shefqet Domi

Laboratori klinik-biokimik i unifikuar pranë spitalit Peshkopi, falë kontributit të Shefqet Domit, u bë një nga laboratorët më të kualifikuar në Shqipëri. Tashmë ai mban emrin e Dr. Shefqet Domi. Është vendosur paanësisht emri i duhur në vendin e duhur. Dr. Shefqet Domi punoi në shërbim të njerëzve plot 70 vjet, ai jetoi një jetë si njeri, por si mjek jetoi dy jetë.

Ideja e këtij shkrimi më kishte ardhur ditë më parë, kur një i njohuri im po më ankohej se vetëm për disa muaj mungesë vjetërsie pune në librezën e tij të punës, ai nuk kishte arritur të merrte pension të plotë pleqërie. Kisha dëgjuar më parë edhe të tjerë që ankohen se për pak muaj apo shumë pak vite pune nuk kishin arritur të sigurojnë pension të plotë apo qoftë edhe të pjesshëm pleqërie. Sigurisht ata janë në të drejtën e tyre dhe ankesën e tyre unë e konsideroj të drejtë. Por duke qenë se kam milituar një kohë të gjatë në punë në shërbim ndaj njerëzve, herë si mjek i thjeshtë e herë drejtues në hallka të veçanta të shërbimit shëndetësor e të arsimit, më ka takuar të njoh dhjetëra raste edhe për të kundërtën e këtij fenomeni.
Mendja më shkoi menjëherë te një miku im i vjetër, Mjeku i nderuar Shefqet Domi, që u rrit e plak në sistemin e shëndetësisë dhe ishte në shërbim të njerëzve deri në javët e fundit të jetës së tij. Vendosa të shkruaja disa radhë për të, jo thjesht si mik, por si një margaritar që ishte mes nesh dhe jo të gjithë e vinin re. Kjo se ai vetëm punonte dhe nuk donte të dukej asnjëherë. Ka dhe shume arsye të tjera perse duhet folur për këtë njeri e profesionist shembullor. Ai që si një flori i hedhur në shesh dhe kalimtarët që shkojnë në punët e tyre as që e vënë re. Ndokush mund të përkulet dhe të marrë aty rrotull ndonjë copë gazetë pa vlerë e ta kundrojë me kuriozitet, por floriri mbetet aty në shesh. Kjo deri sa të dalë dielli dhe rrezet e tij të bien mbi të, pastaj ai bëhet i dukshëm, shkëlqen e u verbon sytë indiferenteve që kalojnë pranë tij. Sulen ta marrin , por ai u rrëshqet dhe tanimë bëhet njësh me baltën përjetësisht. Por shkëlqimi dhe vezullimi i tij mbeten aty përderisa dielli vazhdon të ndriçojë e të vezullojë mbi planet.

Kush ishte Dr. Shefqet Domi?

Shefqet Domi lindi me 5 Prill 1929, në Ceren, Kala e Dodës. Është djali i arsimdashësit Harun Domi, i cili pas viteve të emigracionit në Rumani, në vitin 1923 solli me vete abetare të gjuhës shqipe, me të cilat mësonin shkollat e para shqipe, të hapura në Kalis e në Ploshtan, të dy fshatra të Kalasë së Dodës, ku ai jepte vetë mësim.
Në vitin 1946, Shefqeti ka mbaruar kursin e parë të mikroskopistëve, për luftën kundër malaries dhe emërohet në Kukës me detyrë Përgjegjës i Dinspanserisë Antimalarike të qarkut Kukës që hapet e re. Aty krijon bërthamën e parë laboratorike të shëndetësisë për qarkun Kukës.
Në vitin 1947 mbaron kursin e dytë për laborant mikroskopist e transferohet në Tropojë. Në Tropojë hap dispanserinë antimalarike që ishte e dyta në Qarkun e Kukësit si dhe hap laboratorin e parë të spitalit Tropojë.
Në vitin 1949 transferohet në Peshkopi. Që nga ky vit deri në vitin 1995 shërbeu në Dibër. Në Peshkopi emërohet në dispanserinë anti-malarike ku punon deri në vitin 1954, duke dhënë kontributin e tij në luftën kundër malarjes edhe në këtë rreth, deri në zhdukjen e plotë të kësaj sëmundjeje..
Në vitin 1954 kryen kursin e plotë për analiza laboratorike e klinike dhe sëmundjet e gjakut dhe pas këtij kualifikimi, emërohet në spitalin e Peshkopisë. Me fillimin e punës në spital ai krijon laboratorin e spitalit dhe analizat nuk dërgoheshin më jashtë rrethit (kryesisht në Tiranë) si më parë dhe gama e tyre u rrit në mënyrë të ndjeshme.

Mjekët e shërbimit laboratorik “Dr. Shefqet Domi” në spitalit rajonal të Peshkopisë

Me vullnetin që e karakterizonte ai kompletoi studimet, në fillim në Politeknikumin Mjekësor të Tiranës të cilin e përfundoi në vitin 1962 e u titullua N/ Mjek. Më pas studioi në Fakultetin e Mjekësisë dhe në vitin 1967 merr diplomën e mjekut, titullohet Mjek dhe kryen specializimin pasuniversitar për laboratorin klinik biokimik e bëhet specialist në këtë fushë. Tanimë Dr. Shefqeti emërohet mjek specialist në spitalin e Peshkopisë dhe shef i shërbimit laboratorik të spital-poliklinikës të rrethit Dibër. Punoi aty deri sa doli në pension. Ai i ngjiti shkallët në mënyrë të guximshme pa u lodhur e pa u ndalur, deri sa u ngjit deri në majën e piramidës së sistemit të shëndetësisë. Gjatë kësaj periudhe të gjatë punoi me të gjitha forcat në ruajtje të shëndetit të popullit. Dr. Shefqeti karakterizohej nga saktësia e lartë në analizat që kryente dhe nga profesionalizmi gjithashtu i lartë në interpretimin e tyre e në zgjidhjen e situatave të ndërlikuara klinike. Si mjek kontribuoi jo vetëm në spitalin e Peshkopisë por në periudha të ndryshme shërbeu me devotshmëri në zonat më të thella të rrethit Dibër.
Laboratori klinik-biokimik i unifikuar pranë spitalit Peshkopi, falë kontributit të tij, u bë një nga laboratorët më të kualifikuar në Shqipëri.
Dr. Shefqet Domi ishte nga të paktët, që në atë kohë porositi e solli nga jashtë, nëpërmjet bibliotekës së Peshkopisë, revista të huaja periodike shkencore mbi analizat dhe laboratorin, revista që gjenden edhe sot në fondin e bibliotekës Peshkopi. Ai shfrytëzonte literaturën në gjuhën ruse dhe angleze.
Gjatë gjithë kohës që punoi si mjek dhe drejtues në laboratorin e spitalit Peshkopi Ai organizonte e drejtonte rregullisht kurse periodike trajnimi e kualifikimi me punonjësit e laboratorit ku Ai vetë shpjegonte e praktikonte metodat e reja që jepte literatura botërore. Në saj të kualifikimit të Tij, trajnimeve që ai vetë kryente me personelin vartës, u bë e mundur që të aplikoheshin metoda të reja analizash që jo vetëm kishin saktësi më të lartë por edhe ishin më pak të kushtueshme. Puna e Tij krijuese shkencore e modernizimi i vazhdueshëm i laboratorit bënë të mundur të rritej ndjeshëm lloji i analizave që mund të bëheshin në laboratorin e spitalit. Kjo ishte një ndihmë e madhe për banorët e rrethit Dibër pasi u bë e mundur që pjesa më e madhe e analizave të bëhej në Peshkopi, duke ulur ndjeshëm numrin e pacientëve që dërgoheshin në Tiranë për ekzaminime laboratorike.
Dr. Shefqeti ngriti nga fillimi laboratorë në gjithë spitalet zonale të rrethit Dibër, për t’u ardhur në ndihmë mjekëve të zonave. Ai u kujdes e drejtoi vetë trajnimin e vazhdueshëm të personelit të tyre.
Ndërkohë që punonte, ai edhe eksploronte e studionte dhe kreu disa studime me vlere. Është autor i studimeve shkencore në fushën e mjekësisë, studime të prezantuara në konferenca të ndryshme kombëtare, një pjesë e të cilave janë botuar në revistat periodike mjekësore të kohës.
Përmendim studimin mbi “Ushqyerja e popullatës në Lurë e Dohoshisht”, studim i bërë me vëzhgime direkte në terren, vizita, analiza e kontrolle të ndryshme mjekësore të banorëve; studimin mbi “Sëmundshmëria në çerdhe, kopshte e shkollat e qytetit Peshkopi”; studimin mbi “Normat kliniko-biokimike të popullatës të rrethit Dibër”.
Për 15 vjet ka dhënë mësim në shkollën e mesme mjekësore të infermieri – mamive në Peshkopi, duke kontribuar në përgatitjen e gjeneratave të tëra të infermierëve dhe mamive në rrethin e Dibrës.
Në vitet 1991–1993 ka qenë Kryetar i Kryqit të Kuq të rrethit Dibër dhe anëtar i Këshillit Qendror të Kryqit të Kuq Shqiptar (krahas detyrës që kishte në spital), ku kryetar ishte i nderuari Dr. Ciril Pistoli, njëri nga figurat më të spikatura të mjekësisë shqiptare.
Në vitin 1995 pas daljes në pension vendoset me banim në Tiranë. Në vitet 1995 – 1996 punoi si mjek në klinikën mjekësore private “Jeta”, në Tiranë. Në vitin 1997, ngriti qendrën e Tij mjekësore laboratorike “Domi”. Laboratori i Tij u bë shumë shpejt i njohur e i kërkuar nga banorët e Tiranës dhe veçanërisht prej Dibranëve me banim në Tiranë. Këtu shërbeu deri sa u nda nga jeta në vitin 2016, duke mbushur 70 vjet me bluzë të bardhë në ruajtje të shëndetit të popullatës. Ai e mbajti bluzën e bardhë vërtetë të bardhë.
Arritjet e Tij shkencore, kontributi i Tij në ruajtjen e shëndetit, meritat e Tij në ngritjen e nivelit shkencor e modernizimin e shërbimit laboratorik, vlerat e Tij si njeri i thjeshtë, i palodhur e i përkushtuar në shërbimin ndaj të sëmurit janë vënë re e vlerësuar nga shoqëria, pushteti dhe media.
Dr. Shefqet Domi është dekoruar dy herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Në vitin 1955 dhe në vitin 1967, me motivacionin: “Punëtor i palodhur dhe i ndërgjegjshëm në kryerjen e detyrës. Ka treguar kujdes për t’i shërbyer sa më mirë popullit dhe të sëmurëve. Është treguar i gatshëm në çdo rast duke ndihmuar për mbrojtjen dhe forcimin e shëndetit të popullit”.
Në vitin 1995 dekorohet nga presidenti i Republikës me urdhrin “Për shërbim të mirë popullit”.
Gazeta e rrethit Dibër “Ushtima e Maleve” i ka kushtuar artikullin me titull “Mjeku me vite pune sa mosha e laboratorit”.
Kinostudio “Shqipëria e Re” i ka kushtuar kinoditarin nr. 4, në vitin 1982, film dokumentar që është shfaqur në të gjitha kinematë e Shqipërisë. Ky dokumentar evidentonte punën e pakursyer, kualifikimin e lartë shkencor dhe arritjet e Tij në futjen e metodave të reja për kryerjen e analizave, metoda që jo vetëm ishin moderne, më të sakta e më ekonomike, por në to kishte dhe anën krijuese të Dr. Shefqet Domi për t’i përshtatur ato metoda me bazën materiale dhe instrumentale që dispononte laboratori.
Dr. Shefqet Domin kam patur rastin ta njoh që në shtatorin e largët të vitit 1960 në Politeknikumin Mjekësor të Tiranës ku unë vajta për të studiuar në mjekësi. Unë isha thuajse fëmijë, vetëm 13 vjeç, ndërsa ai burrë i pjekur e i formuar. Vinim nga maje malesh, ai nga rrëza e Korabit e unë pranë malit të Kaptinës, por të dy ishim dibranë e nuk na bashkonte vetëm origjina. Na bashkonte më shumë dëshira për të studiuar sa më mirë e thellësisht mjekësinë së cilës do t’i kushtonim jetën. Kishim edhe shumë dibranë të tjerë aty si Qemal Cadri, Xhavit Myftari, Kadri Puca, Selami Nazifi , Arif Hasani e plot të tjerë.
Dr Shefqet Domi I kishte marrë kontaktet e para me shërbimin shëndetësor që në vitin 1946, kishte kryer disa kurse kualifikimi dhe po ashtu shërbimin detyrueshëm ushtarak gjatë të cilit pat ushtruar detyrën e infermierit. Në fillimet e kësaj njohjeje me impresionoi jo vetëm serioziteti e përkushtimi për detyrën që na priste, por dhe qëndrimi i tij i prerë për të mos pranuar asnjë lëshim apo favor që si rregull u bëhej atyre që vinin nga terreni në atë kohë. Unë kam ardhur të studioj dhe nuk pranoj asnjë favor, ky ishte qëndrimi i tij i prerë që e bëri të njohur e të respektuar nga të gjithë në. Bashkë ishim në shkollën e mesme dhe në atë të lartë, ai gjithmonë dy vite përpara dhe shembull pozitiv për ne që vinim pas. Ishim bashkë në Lurë dhe zona të tjera në përbërje të ekipeve mjekësore, bashkë në aksione, bashkë kur u ndërtua Kameni, kur u inaugurua spitali i Peshkopisë, po ishim bashkë. Unë u largova jo pak vite nga Peshkopia, por kur u ktheva ne ishim përsëri bashkë. Ishte nga ata që më uroi me atë sinqeritetin që e karakterizonte dhe vazhduam përsëri të punonim bashkë. Kur Dr. Ciril Pistoli më kërkoi një njeri të mirë që ta bënte Kryetar të Kryqit të Kuq, pa u menduar fare i rekomandova Dr. Shefqet Domin, shoqëria e tyre e mëparshme u forcua më shumë përmes punës, ishin prerje të një kallëpi.
Bashkë punuam edhe në Tirane, ai u orientua shumë shpejt me ndryshimet që ndodhën, u organizua përsëri edhe pse doli në pension dhe vazhdoi t’u shërbente njerëzve deri në ditët e fundit të jetës së tij. U bë i njohur , i respektuar siç e meritonte dhe e kaloi me mjaft sukses testin e Tiranës, në mënyrën më të mirë të mundshme (mjerisht nuk ka ndodhur me të gjithë kështu).
Do të isha jo i plotë në vlerësimin e tij nëse nuk prek pak edhe aspektin e tij si njeri, si qytetar, si familjar. Dr. Shefqeti krijoi një familje për t’u marrë shembull. Së bashku me bashkëshorten e tij, Zemriten, rritën e edukuan tre djem njëri më i mirë se tjetri, nga ata që populli dikur thoshte se këta nuk vriten as për gjak. Naimi, Nuriu dhe Përparimi u rritën dhe studiuan shumë mirë, si i ati. Për një rast si ky Gjergj Fishta pat shkruar: Bajm babë se të ngjas (ngjasoj) / Dhe nji pllambë ta përshqas (kaloj).
I pari, Naimi, është një inxhinier i zoti, punonjës në një nga institucionet më të rëndësishme të profilit të tij në Tirane, pedagog në Fakultetin e inxhinierisë të Universitetit Politeknik, i dyti, Nuriu, një diplomat karriere, përfaqësues i Republikës së Shqipërisë në Egjipt, tani së fundi në Brazil dhe i treti, Përparimi, ekonomist i lartë, aktualisht një biznesmen i suksesshëm në Tirane. Në mos me këtë kut me çfarë tjetër mund të matet jeta dhe kontributi i një njeriu. Me vjen ndërmend në këtë rast dedikimi i dikujt që shkruante: Në këtë jetë jetojmë, punojmë, / vetëm sa hedhim ca hapa / por puna është si na kujtojnë / dhe ç’farë emri lëmë nga prapa.
Ai njeri aq korrekt e skrupuloz ishte njëherazi i dashur, i ngrohtë dhe i dhimbshëm. Ai priste, përcillte, strehonte ,vizitonte e mjekonte ata njerëz që kishin nevoje, veçanërisht për shërbim shëndetësor. Në shtëpinë e tij hahej buka e pihej kafeja me lezet si në Kalanë e Dodës nga vinte. E donte me shpirt vendlindjen e tij, Kalanë. Ka shkruar libra e artikuj dhe ka afirmuar si rrallë kush vlerat e Kalasë së Dodës. Pati meritën që më bëri dhe mua mik të Kalasë ku shkova disa herë dhe mund të deklaroj i bindur se në mos më e mira është një nga krahinat me kulturë jetese më të mirë në të gjithë Dibrën. Me njohu me vëllezërit e tij, njëri prej të cilëve, mësuesi veteran Xhemal Domi, i ka lënë një testament të shkruar në tre vëllime arsimit dibran. Xhemali ka shkruar për arsimtarët e Dibrës, por unë nuk e di sa të tjerët kanë shkruar për të. Më njohu dhe me Tajarin, Resulin dhe shumë të tjerë. Këto konstatime e vlerësime pozitive për të i kisha thënë herët që vitet e largëta 80 të shekullit të kaluar kur punonim bashkë në Dibër, bile në mjaft raste në mungesë të tij. Ja pse ai e gëzonte dhe gëzon respektin dhe vlerësimin tim të pa diskutueshëm.
Këto ditë në Peshkopi u zhvillua një ceremoni jo e zakonte në spitalin e Peshkopisë. Autoritet përkatëse kishin vendosur që laboratorit klinik biokimik të spitalit t’i vendosej emri i themeluesit të tij, Dr. Shefqet Domi. Më ftuan dhe mua të flas në atë aktivitet. I pa përgatitur, por gjithmonë i gatshëm, u thashë të pranishmëve se është vendosur paanësisht emri i duhur në vendin e duhur. U thashë se kjo i bën nder shërbimit në fjalë, se ne kolegët dhe familjarët e tij duhet të krenohemi me të, ndërsa personeli duhet ta mbajë lart emrin e nderuar qe i kanë vendosur institucionit të tyre. Ai punoi në shërbim të njerëzve plot 70 vjet, ai jetoi një jetë si njeri, por si mjek jetoi dy jetë. Kjo ishte arsyeja pse i rekomandova djalit të tij, Nuriut, i cili na ka lënë një libër autoritar mbi nobelistët e shekullit, që të shqyrtonte dhe rekordet Gines në shëndetësi dhe atëherë me siguri ne do të kemi Ginesin tonë të mjekësisë shqiptare me një rekord të pa konkurrueshëm. Portreti dhe emri i tij janë tani të skalitura në mermer dhe qëndrojnë në hyrje të laboratorit që ai krijoi e drejtoi për 70 vjet. Po, atij nuk i mjaftuan 70 vjet. Ai do të qëndrojë aty duke pritur e përcjellë nevojtarët përjetësisht, ndërsa ne do të na udhëheqë shembulli i tij i mirë, kujtimi i tij. Njerëz të tillë nuk vdesin kurrë sepse rron emri dhe vepra e tyre. Shefqet Domi është aty.

KOMENTI JUAJ

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *