Sulejman Borova, artisti që i dhuroi vlera këngës dibrane


Sulejman Borova dhe Arsim Kolari

Pavarësish se vitet ikin, duket se vlerat e këngëve të tij vazhdojnë rrugën duke anashkaluar kufijtë e “Shqipërisë londineze” dhe aq më tepër qytetin e Dibrës, ku ai u lind. Me këngëtarin gjeni, me karrierë mbi 50 vjeçare, i cili prej tre dekadash jeton në Amerikë, në ditët e qëndrimit në vendlindje, kemi bërë një bisedë të lirë, i cili kujton dhe vlerëson kohën e krijimeve të tij artistike. Sulejman Borova u lind në vitin 1938 në Dibër, dhe është njëri nga ata artistë të këngës epiko-lirike dibrane i cili këngën e trashëgoi nga xhaxhai Ramadani që ka kënduar me çifteli, i ati Muharemi, dy motrat, e më në fund për ta pasuar këtë rrugë edhe djali, Muharemi. Shkollën fillore e ka kryer në Dibër, në ish Sh.F. “Skënderbeu”, ku këndonte kohë pas kohe nëpër programe për fëmijë. Pastaj, gjatë shkollës së mesme, në vitin 1954 mësuesi i fiskulturës Abedin Shehu (Dervishi), që ishte edhe përgjegjës për jetën kulturore-zbavitëse në shkollë dhe në qytet, organizoni një koncert ku ftoi të gjithë talentët e këngës dibrane, mes të cilëve edhe Sulejmanin. Në këtë eveniment u dalluan tre solistë: Emijane Baholli, Sulejman Borova dhe Niko Strashevski, e orkestrina përbëhej nga përcjellësi Sllave Mitrevski, në paterica Abdul Kërçishta, në prim Muhamed Çutra dhe klarinetist ishte Ramo Kurtishi. Pas këtij suksesi, i vjen ftesa nga Sh.K.A. “Liman Kaba”, ku në vitin 1955 fillon punën zyrtarisht si këngëtar i kësaj shoqërie, por siç rrëfen artisti, fillimet nuk i ka pasur të lehta, e përkrahjen më të madhe në këtë periudhë e pat nga muzikanti Atli Qormemeti, e kështu filloi t’i përshtatet orkestrës e ambientit. Klarinetisti i shoqërisë, një mjeshtër i vërtetë, i vetëmësuar i këtij instrumenti, Eshtref Çutra, ishte i antarësuar që nga viti 1945, ardhjen e Sulejmanit si solist nuk e pa me sy pozitiv, deri kur ia njohu talentin, për t’u bërë njëri nga përkrahësit dhe miqtë më të afërt të tij. Koncertet e para i realizoi nëpër disa fshatra: Sollokiç, Banjisht, Gajre e Llazaropole, për t’ia hapur rrugën koncertit madhështor në stadiumin e lojërave me dorë në Gjakovë, ku në maj të viti 1968 Sh.K.A. “Liman Kaba” performoi para më shumë se 10 mijë njerëzve. “Skënderbeu te guri i vashës” e komponuar nga mjeshtri i madh dibran Musa Piperku, dhe “Elez Isufi, arusha e maleve” ishin dy këngët e kënduara nga Sulejmani që u duartrokitën aq shumë, sa që në fund të koncertit një grup prej 30 të rinjsh brohoritën “Dibra, Gjakova; Sulejman Borova!”, kujtime të cilat kanë ngelur thellë në zemrën e artistit dhe i kujton me nostalgji të madhe.
Pas disa vitesh, erdhi ftesa për pjesëmarrje në Festivalin “Akordet e Kosovës”, e në edicionin e parë u paraqit me këngën “Vasha dibrane” të punuar nga Nazim Kaba dhe e kënduar duet me artisten e madhe pejane Shahindere Bërlajolli-Stafaj, duke u nderuar me çmimin e tretë si komponimi më i mirë. Në gjashtë edicione të tjera të këtij festivali, Sulejman Borova mori pjesë me këngët e punuara nga mjeshtrit e komponimeve muzikore qytetare Musa Piperku e Nazim Kaba: “Mikpritja”, “Dasma në Malësi”, “Seç festonte Dibra, ditën e çlirimit” (në bashkëpunim me artisten dibrane Violeta Turkeshin), ku fituan vendin e parë nga publiku, etj.
Gjatë organizimit të 25 vjetorit të themelimit të Radio Televizionit të Shkupit, Sulejmani merr pjesë si i ftuar special bashkë me Nexhmije Pagarushën, dhe organizatori i këtij eventi Zhivko Firov, e prezanton me këngëtarët Aleksandër Sarievskin, nga Galeçniku i Dibrës dhe Jonçe Kristovskin nga Manastiri, i cili e fton atë në koncertin e organizuar në vitin 1971 në Manastir, ku fiton çmimin “Fyelli i artë”, ndërkaq klarinetisti dibran Sabri Meçe, e fitoi çmimin “Klarineti i artë”.
Viti 1972 solli sukseset e reja si për Shoqërinë “Liman Kaba”, poashtu edhe ndritjen artistike të Sulejman Borovës, duke u lejuar që koncertet të mbaheshin në Shqipërinë “komuniste”. Koncertet nisën nga Tirana, ku në Pallatin e Kongreseve u dogjën këmisha e njerëzit vërshuan në skenë teksa këndonte Sulejmani e Violeta, poashtu me luajtjen e valles dyshe dibrane nga koreografët e shekullit dibran: Abedin Kolari dhe Refik Papraniku. Emocionet qenë të mëdha, sa që lotë, këngë e përqafime u derdhën nën këtë godinë nga publiku që shihej për herë të parë ndoshta me njeriun e gjakut të tij. Pas Tiranës, radha i erdhi Durrësit me një koncert madhështor, pastaj në Laç, Kavajë, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Burrel e deri në Peshkopi. Me këtë rrugë që e përshkoi ky ansambël, e theu “murin e shekullit”, veçanërisht kur kumbonte zëri i Sulejmanit me “Këngën e Bajram Currit”, për të ngelur sot si një emblemë e kohës.
Shoqata “Përpjekja” e themeluar nga studentët shqiptarë të Beogradit, që funksiononte në Beograd, në mesin e viteve ’70 e ftoi edhe ansamblin “Liman Kaba” të performonte nëpër ish Jugosllavinë, me çrast nami i shoqërisë u rrit edhe më gjërë. E themi kështu sepse, vërshuan vlerësimet pozitive nga kritikë të mëdhenj të Ballkanit, ishin mbi 10 koncerte vetëm në Zagreb, ndërsa në Festivalin Ndërkombëtar të Zagrebit, në sallën madhështore “Vatosllav Lisinski” shoqëria “Liman Kaba”u dallua nga më të mirat, sidomos me artisten Lejla Basha që kishte rol të trefishtë, ndaj mori “Medaljen e artë”. Publiku u ngrit në këmbë me duartrokitje frenetike kur Sulejmani mbaroi së kënduari këngët e repertuarit të tij. Emocione të magjishme kishte edhe kur anëtari i ansamblit, Muhamed Vërzivolli interpretoi me tekst origjinal “Këngën e Dedë Gjo Lulit” në mes të Beogradit. Në mbarim të këtij turneu, Remzi Kërluku përcjell se emri i Shoqërisë “Liman Kaba” është shkruar me shkronja të arta në kujtesën e gjithë atyre që qenë prezent në performimet e kësaj Shoqërie gjatë këtij turneu.
Gjatë bisedës, artisti ynë kujton edhe Gllogovcin, ku koncerti është mbajtur nën tytat e automatëve dhe për reagim, edhe pse kishte ulëse, publiku e përcolli koncertin në këmbë. Sulejmani rrëfen: -“Këtu publiku triumfoi teksa u këndua kënga “Mahmut Dac Kalisi”, e në këto momente policia sërbe nisi ta ndalojë koncertin, por me ndëryhrjen e kryetarit të sindikatës së zonës, koncerti vazhdoi. Kur mbaroi koncerti, kryetari i sindikatës më tha: -Sulejman, keni kujdes kur të ktheheni, sepse dyshohet se autobusin e kanë minuar!. Në autobus ishim rreth 50 anëtarë të ansamblit, e pa i treguar askujt, u nisëm dhe fatmirësisht nuk ndodhi ajo që parashihej”.
Inçizimet e para i realizoi në Radio Prishtinën e atëherëshme me ndihmën e të madhit Lorenc Andoni, ku ndër të parat qenë këngët “Moj e mirë e re” (punuar nga Rexhep Mynishi, me violinë Isak Muçolli), “Kosova” (punuar nga shahiri Demir Krasniqi), duke bashkëpunuar njëkohësisht me produksionin “Lyra” dhe Estradën Profesionale të Prishtinës, ku bënin pjesë violinisti i madh Qazim Uruçi, këngëtaret e mirënjohura Safete Rugova e Nexhmije Pagarusha, me të cilët punoi disa këngë. Po përmendim bashkëpunimin me ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën me këngën “Ma ke gishitin për unazë”, pas së cilës Nexhmija i dha vlerësime të mëdha Sulejmanit, si një artist me vlera kombëtare.
“Dasma në Malësi” apo “Shtatë palë lodra” lindi si ide e kompozitorit Musa Piperku, i cili këtë këngë e punoi enkas për Sulejmanin, që rezultoi të jetë njëra nga këngët më të pëlqyera që pasqyron në mënyrën më origjinale emocionet e një martese mes dy malësorësh. Sulejmani, veçanërisht kur zihet në gojë Kosova dhe populli kosovar, flet me një zë të flaktë që i buron nga shpirti, e thotë: “Vëllezërit tanë të Kosovës, kanë vuajtur e luftuar me jetën, sa s’ka ku shkon më. Me nderime u përkulem dhe gjithë ato koncerte që i realizuam bashkë, qenë –me Kosovën, për Kosovën-”.
Në Amerikë fillimisht shkon si i ftuar për të kënduar, ku ndeshet me mikpritjen e mërgimtarëve. Atje këndonte nëpër ahengje familjare, e fundjavave në Kriveland, te një lokal i një pronari strugan, mblidhte mërgimtarët për t’i disponuar me muzikën dhe zërin e tij magjik. Jo vetëm këtu, por edhe në shumë vende të tjera, nga ku u vendos përfundimisht si banor i Amerikës.
Plot 247 koncerte e festivale të mbushura me suksese e mirënjohje nga më të ndryshmet, nëpër të gjithë Evropën, e kur e pyesim artistin tonë se si erdhën gjithë këto arritje, ai thotë se sistemi atëhershëm i përkrahu vlerat tona kombëtare, të cilat gjetën vend në talentin e kolegëve të tij dibranë, artistë si: Bukurie Shemsiu, Lumturie Kuriu, Muhamed Vërzivolli, Bukurie Mezelxhiu, Violeta Turkeshi, Bukurie Kasapi, Bashkim Paçuku, Haxhi Maqellara, Bukurie Uruçi, etj. Të cilët madhështonin çdo manifestim në Dibër me prezencën e tyre. Veçanërsisht pjesëmarrja e ansamblit nëpër dasmat dibrane, që përbën një art të vërtetë, që nga dasma e parë, martesa e Gazmend Ajdaragës, e deri në vitet më të fundit, u dha motiveve të dasmës dibrane një ripërtrirje, për të cilën artisti na thotë se ndoshta mund të përsëritet pas nja 100 vjetësh. Projekti që e risolli sërish në skenë, është kënga më e re duet me djalin, Muharem Borovën, që i kushtohet qytetit të Dibrës dhe titullohet “Dibra ime, Dibra nanë”. Aktualisht jeton në Amerikë bashkë me familjen e djalit, por malli për vendlindjen dhe historinë e saj, e sjell gati çdo vit ku miqtë e vjetër e presin me padurim të kujtojnë rininë kur i dhanë Dibrës imazhin e qytetit të artit dhe kulturës.