Tre ditë në bjeshkë: nga Ilnica në Radomirë


dav

Endrit Shima nga kompania Zbulo.org më njofton për një tur katër ditor nëpër vargmalin Korab- Koritnik në data 17-20 qeshor. Piknisja do të ishte në Fshatin Pupinarë në zonën e Maqellarës dhe pika finale e mbërritjes që do të shoqëroja grupin ishte Fshati Radomirë. Gjithashtu, më informuan për përbërjen e grupit ishte Ervin Lani, guidë turistike nga Shkodra, Jim dhe Joe çifti nga Anglia si dhe Camel një studente nga Australia. Unë do isha në rolin e guidës lokale në Dibër ndërsa Ervini do t’i shoqëronte deri në Valbonë. Me të marr kontaktet e nevojshme, fillova përgatitjen e bazës material për ditët e turit.
Më datën 17 qershor në orën 8:30 të mëngjesit, në rrugën hyrëse të fshatit Obok, Pocest dhe Kërçisht takohem me grupin që vinte nga Fushë Bulqiza ku kishin kaluar natën. fillojmë rrugëtimin me makina drejt fshatit Pupinarë. Pasi lamë fshatin Obok u përballëm me një rrugë të ngushtë e të lodhshme, të cilën vështirësonte akoma më shumë mungesa asfaltit. Në fshatin Pupinar, si pika fillestare e turit, lartësia ishte 1100m metra mbi nivelin e detit. Në orën 09:00 fillojmë ngjitjen me këmbë drejt bjeshkëve të zonës me drejtim nga bjeshkët e fshatit Ilnicë.
Ngjitja filloi të dukej e lehtë sepse gjatë rrugës, përveç burimeve të shumta të ujit dhe pyjeve që krijonin një pyll të mahnitshëm, prapa krahëve tanë kishim edhe një pamje të mrekullueshme. Në horizont kishim malet që shërbejnë si kufij natyral për zonën e Dibrës, pastaj ishte fusha e Maqellarës që gjithmonë është përmendur për si një ndër zonat kryesore të bujqësisë. Në horizont dukej Dibra e Madhe dhe Radika që mbartin historinë dhe janë atraksione turistike interesante për tu vizituar.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

E gjitha kjo pamje ishte shumë e qartë në lartësinë 1700 metra mbi nivelin e detit, që është mbi Gurin e Erebarës. Pasi ngjitemi në nivelin 1950 metra mbi nivelin e detit, për ne mbeteshin 2 opsione si ngjitja drejt majës së Velivarit (lartësia 2400 metra) ose të vazhdonim në atë lartësi me një kalim rrëzë majës Velivarit. Por preferuam ngjitjen drejt majës që të ndiheshim më të frymëzuar për arritjen tonë. Rreth orës 13:00 bëjmë pushimin e drekës pranë majës, ku diskutonim me miqtë dhe shijonim ndërkohë natyrën dhe peisazhin. Pamja që kishim para, na dukej akoma më qartë dhe më e bukur në atë lartësi ku ishim. Aty ishin bjeshkët e Erebarës, Herebelit dhe Grazhdanit.
Si një zonë kufitare, përveç staneve dukeshin qartë edhe gjurmët e postës verore të ushtrisë. Pasi lëmë këto Bjeshkë dhe duke kaluar tek Livadhet e thata takohemi dhe me një nga çobanët e zonës, Dirlon Gjonin. Ai na shoqëron deri në Kurrizoren e Trepçes (bjeshka e Trepçes) që shërben si pjesë ndarëse e bjeshkës së fshatit Ilnicë me bjeshkët që lamë pas. Çdo gjë aty dukej si në ballkon ku në horizont dukej Peshkopia por dhe fshatrat si Ilnica e Melani.
Dalëngadalë pas 8 orë rrugëtim zbresim tek stanet e Adi Fidës. Aty gjetëm mikëpritjen dhe dashamirësinë e të zotit të shtëpisë që na bëri të ndjehemi mirë. Madje për miqtë e huaj ishte me të vërtet kënaqësi, sepse përveç mikëpritjes dhe produkteve të zonës e kushteve të mira, u pëlqeu edhe bashkëpunimi im dhe i Ervint me të zotin e shtëpisë që gjithçka të ishte në mënyrën e duhur.
Data 18 qeshor ishte dita e dytë të turit. Nisjes e grupit u bë nga stanet në bjeshkës Ilnicës në lartësinë 1710 metra mbi nivelin e detit. Pasi hëngrëm mëngjesin dhe përshëndetëm të zotët e shtëpisë, nisëm ecjen në drejtim të fshatit Zagrad, që ishte destinacioni ynë i radhës.
Gradualisht ne fillojmë ngjitjen drejt pikës ndarëse mes bjeshkës së Ilnicës dhe Bjeshkëve të Randishtit dhe Zagradid. Në lartësinë 2078 metra mbi nivelin e Detit ishte pika kufitare me Rep. e Maqedonisë, njëkohësisht shërbente si rrugë drejt majës Velivarit, në të majtë ishte qyteti i Peshkopisë, fshtrat Rabdisht, Bellovë dhe Cerjan e në horizont dukej Lugina e Drinit të Zi.
Në krahun e djathtë të kësaj pike dukeshin bjeshkët në Maqedoni, dhe në horizont majat e maleve dhe kreshtat të mbuluara me pisha. Pra, kjo në një rrotullim 360 gradë të ofronte pamje të ndryshme dhe të frymëzonte maksimalisht. Duke vazhduar drejt vijës kufitare mes 2 shteteve kaluam në bjeshkën e Zagradid.
Të rrethuar nga një pyll dushku dhe pishe pas 4 orë ecje dhe 9 kilometrave të përshkuara bëjmë një ndalesë të shkurtër për tu frymëzuar nga mjedisi që na rrethonte. Pasi u mbushëm me energji pozitive akoma më shumë nga panorama rreth nesh, nisemi drejt fshatit Zagrad, tek shtëpia e Xhavit Fetës. Po ashtu edhe aty gjetëm një mikpritjen dhe ngrohtësinë e familjes duke treguar respekt për mikun sipas traditës dhe kulturës së zonës. Pas një pushimi të shkurtër në shtëpi bëjmë një vizitë të shkurtër në fshat ku grupit u bëri përshtypje arkitektura e shtëpive dhe historia që po u tregoja.
Gjithashtu, intersimi i banorëve dhe veçanërisht kureshtja e fëmijëve iu bëri përshtypje dhe në disa momente grupi u ndalua për të diskutuar me banorët, ku më interesant dhe gazmor ishte plaku Hajrulla Sefa me batutat e tij. Gjatë darkës patëm biseda të ngrohta me pjesëtarët e familjes, sidomos me të zotin e shtëpisë Xhavitin.
Me datën 19 lëmë fashtin Zagrad, ku na shoqëruan deri në dalje të fshatit djemtë e Xhavitit, Besmiri dhe Sajmiri. Nga niveli 1200 m ku ishte fshati ne marrim drejtimin për në bjeshkën e Zagradid që na zgjati rreth 40 minuta.
Në pjesën mbi stane drejtohemi drejt kufirit ndarës mes bjeshkës së Zagradit me atë të Cerjanit, ku ndodhej një qafë e pjerrët që për një pjesë të grupit e vështirësoi pak ecjen. Kjo gjë u favorizua nga një erë e fortë që na shoqëronte gjatë gjithë kohës. Megjithatë, ne arritëm që të ngjiteshim me sukses pas asnjë lloj problemi, duke kalaur në krahun tjetër të qafës. Me të vërtetë përjetuam në emocion të madh nga fakti që gjithë grupi kaloi me sukses dhe që arritëm të sfidonim pjerrësinë e qafës dhe erën pa menduar opsion tjetër. Dalëngadalë afrohemi drejt Gurit të Kuq, një pikë referimi për të gjithë banorët e asaj ane, dhe që shërbente si pikë kalimi për tu drejtuar drejt bjeshkës së Gramës. Pasi realizuam ngjitjen e kësaj pjesë bëjmë një pushim të shkurtër dreke për të rimarrë edhe pak energji. Na duheshin edhe gati 2 orë që të arrinim në bjeshkën e Derzës tek stanet e Xhemal Kaloshit.
Deri në destinacionin final të asaj dite pika më lartë e ngjitjes ishte 2334 m, ku dukej qartë në horizont maja Korabit bjeshka e Gramës, Derzës dhe e Zonjave ndërsa në të djathë dukeshin Peshkopia dhe fshatrat e Bellovës e Cerjanit si dhe Qyteza e Bellovës.
Gjatë rrugës për tek stanet takojmë Xhemali, personi që menaxhonte stacionin e qëndrimit për turistë. Pasi u rehatuam tek shtëpizat prej druri të përshtatura për turistë dhe pushimit të shkurtër shijuam kafen turke në natyrë nën blegërimat e deleve dhe fishkëllimat e çobanëve. Por akoma më bukur e bënte këtë kohë edhe freskia e ajri pastër i bjeshkës dhe lulet rreth e rrotull. Deri në përgatitjen e darkës shijuam peizazhin e mrekullueshëm, ndërthurjen e zhurmës së ujit pranë me blegërimat, ajri dhe freska, si dhe qetësia që mbizotëronte. Diskutonim me njëri-tjetrin dhe Xhemalin, bënim fotografi dhe mundoheshim të përfitojmë sa më shumë nga mjedisi sidomos në kohën e perëndimit të diellit. Edhe darka e përgatitur nga Xhemali, sipas mënyrës që përgatitej për çobanët, na pëlqeu nga thjeshtësia dhe afrimiteti që krijonte me grupin nën çatinë e çobanëve dhe rreth zjarrit.
Të nesërmen, 20 pas përgatitjes së çantave, rreth orës 09:00 lëmë stane dhe vazhdojmë rrugën drejt destinacionit të rradhës që ishte lagja Tez në fshatin Radomirë. Bëhej fjalë për rreth 14 kilometra larg nga pika nisjes, por na gëzonte fakti që nuk do kishim shumë ngjitje gjatë rrugës duke pasur një udhëtim më komod. Nisjen e filluam në nivelin 1860 m mbi det. Gjatë rrugës shikonim barinjtë e shumtë, një mjedis të mahnitshëm rreth e rrotull dhe gjithçka ishte e mbuluar nga ngjyrat e shumta luleve. Iu afruam edhe liqenit të Gramës që është rezervuari më i madh i ujit për këtë bjeshkë.
Aty bëmë një pushim të shkurtër ku Camel, vajza nga Australi preferoi të notonte aty. Në lartësinë 2051 m fillojmë duke lënë pas bjeshkën e Gramë (200 ha- sip.) dhe afrohemi drejtë bjeshkës së Shehit që është në pjesë e territorit të Radomirës.
Përveç postës verore që përdorej dikur nga ushtria dhe staneve ishte edhe rruga e makinave përdorur nga ushtria shqiptare. Ky element historik lidhet edhe me bunkierët e ndërtuar nga populli shqiptar por në këtë zonë disa kishin mbetur pa u dëmtuar. Duke iu afruar lagjes Stordok, që mbi të fillonte shtrirja e pishave, u ulëm të drekonim me ushqimet e marra me vete. Peisazhi me pisha mbi shkëmbinjtë gëlqeror e bënte më interesant këtë qëndrim. Në horizont dukej rruga Peshkopi- Kukës, lugina Drinit të Zi si dhe shumë fshatra rrëzë maleve.
Dalëngadalë afrohemi në lagjen Tez ku grupi do të qëndronte një natë. Tek Bujtina e Haxhi Himës na del përpara i biri Agroni që na mirëpret. Pasi grupi sistemohet nëpër dhoma, ulemi në lokalin e fshati dhe pimë kafenë e fundit, pasi misioni im i shoqërimit u mbyll aty dhe pjesa tjetër do të vazhdonte për me tej drejt Çajit dhe Shishtavecit të Kukësit.
Shkëmbyem kontaktet dhe mbresat për njëri tjetri. Grupi më shprehu dhe mbresat më pozitive për Dibrën, njerëzit dhe mjedisin.

Për një guidë turistike në Dibër kontakto me Gresin në email:
udhëtomegresin@gmail.com.
Telefon: (+355) 67 36 25 835
(What’s App & Viber)