Letër nënës nga shumë larg


Mentor Faik Hoxha ka një karrierë të spikatur si poet, gazetar dhe studiues. Ka botuar në shtypin ditor dhe në revista ta njohura me qindra artikuj politikë e social-kulturor, mbi 500 portrete dhe intervista ekskluzive me figurat më të rëndësishme politike, artistike, kulturore shkencore e sportive të 27 viteve të tranzicionit shqiptar, si dhe 12 libra të gjinive të ndryshme letrare; poezi, reportazhe, studime letrare e historike, intervista me personazhe VIP të politikës, skenës dhe ekranit shqiptar. Shumica e intervistave, e artikujve dhe e studimeve letraro-historike të tij janë publikuar në faqet e para të gazetave dhe revistave të njohura.

Nga përmbledhjet e tij poetike përzgjodhëm disa poezi ku ndihet malli dhe dhimbja e madhe e autorit për vendlindjen dhe bashkëkombasit e tij, për djalin e tij të vetëm 8 vjeçar, Marion dhe për bashkëshorten, të cilët ka një vit pa i parë, pasi jetojnë në dy shtete të ndryshme evropiane. Mjaft prekëse është poezia “Lamtumirë Atdheu im! dhe “Letër nënës” (kushtuar nënës së tij 85-vjeçare). Tek e para përshkruhet me një ndjenjë të fuqishme dhimbjeje dhe malli ikja e tij nga vendlindja për të mos u rikthyer më kurrë, kurse te vjersha “Letër nënës” tregon artistikisht shkakun e kësaj ikjeje dhe pikëllohet shumë për fatin e tij të zi dhe për nënën e tij 85-vjeçare, pasi, në rrethanat që i janë krijuar ka mundësi të mos e shohin më njëri-tjetrin për së gjalli. Një poet i njohur dibran, Maliq Bitri, shumë vite më parë, e ka cilësuar si “Esenini i Dibrës”. Poeti Mentor Hoxha na zbulon në këto poezi mjaft prekëse, jo vetëm fatin e tij, por edhe edhe fatin e rreth një milionë shqiptarëve të ikur nga Shqipëria. Fati i tij ngjason me ikjen e poetit të madh anglez George Gordon Byron (Xhorxh G. Bajronit) i dëbuar nga Dhoma e Lordëve anglezë, të Fan Nolit i dëbuar nga Mbreti Zog dhe të e shumë e shumë poetëve të tjerë të dëbuar apo të larguar nga vendlindja e tyre.

 

 

…LETËR NËNËS NGA LARG

 

…Vetëm ti mojë Nënë shpirtin ma kupton

Lindëm në një vend, fati na largon.

 

Ti në dheun tënd, unë larg nëpër botë

Si dallga në breg, ashtu endem sot.

 

Por dhe pse aq larg, udhëve të botës

Si zgalem mbi dallgë qëndoj midis shqotës.

 

Nuk më tremb stuhia, as bota e madhe

Por ah, largësia më mbyti në malle.

 

Më ndau nga Ty, nga djali dhe gruaja

Ndaj më treti dhimbja në udhët e huaja.

 

…Siç ka nisur jeta, mbase dhe një ças’

Do na marri vdekja pa u parë bashkë.

 

Mbase nuk di shihemi, as ditën e vdekjes

Si qiri do shkrihemi nga zjarri i dhembjes.

***

Vetëm ti moj Nënë me shpirtin kristal

Si zjarri në votër, ngrohtësi më fal.

 

Por ta dish moj Nënë brenda shpirtit ç’kam

Më dhemb ajo votër kur aty nuk jam.

 

Më ther ai prag me zjarrin e shuar

Kur i Zoti larg ngroh tokën e huaj.

 

…Dhe mbase përjetë do qëndroj kështu

Si zogu pa fletë harruar diku.

***

…Sido që të jetë fati im i krisur

dua zjarr të ketë votra ku kam lindur.

 

Mos e lër të fiket emri im i mirë

Por si zjarr të ndrijë në votrën e ngrirë.

 

Ta shohin të gjithë që unë jam gjallë

Dhe pse larg i dergjur në zjarrminë mall.

***

Nënë moj, e dashur Nënë!

Shpirti im buçet nga larg

Në Atdheun tim kam lënë

Shumë kujtime edhe plagë.

 

…Prandaj sot nëpër udhë

Birin tënd e mundon brenga

Porsi hëna edhe unë

Nëpër botë shumë renda.

 

…Por tani i lodhur jam

Llamba e shpresës është shuar

Mijra djem pa nëna janë

I tret ikja e mallkuar.

 

I tret ndarja pak nga pak

Djemt’ dhe nënat shqipëtare

Det i dhimbjes tokën lag

Se u shua shpresa fare.

 

***

Nënë moj! E dashur nënë!

Zëri im thërret nga larg

Për çdo mbrëmje porsi hënë

Buzagaz më del në prag.

 

Ta ndjej zërin tënd të bukur

Ti shoh sytë ëngjëllorë

Trupi yt i leht’ si flutur

Zbukuron trullin arbnor.

 

…Të ka mundur pleqëria

Keqas po të mundon ndarja

S’po i sheh dy ditë të mira

Se në votër ra murtaja…

 

Ballërrudhur, trup kërrusur

Në vetmi i kalon netët

Syri yt qerpikëvyshkur

Qan për bijt’ që morën detet.

 

I shkon lotët çurg për mua

Keqas shpiti t’u zhurit

Por ta dish në sytë e tua

Forcë marr për çdo ditë.

 

….Edi malli të ka marrë

Për mua që rrugët mora

Shkuan muaj pa u parë

Ndaj më dridhet sonte dora.

 

Pleqëria dhe zhgënjimet

Të kanë mbushur plot me plag’

Prandaj sot moj nëna ime

Mall e dhimbje kam në varg.

***

Nënë moj, e dashur Nënë!

Shpirti im thërret nga larg

Që Ty vetëm të kam lënë

Zemra ime kullon gjak.

 

…Eh, moj Nënë hallemadhe

Krejt kërrusur nga lëndimet

Djali yt, udhës së madhe

Kërkon shpresën tek mërgimet.

 

Ma fal nënë ikjen time

Por nuk kisha rrugë tjetër

Në çdo anë gjeja rrethime

…Më donin disa të vdekur.

 

Ika nënë…, nuk më mbajti

Vendi im kockë-lëkurë

Dhe nuk dihet ç’më sjell fati

…Ndofta trupin në qivur.

 

Ti mos qaj për fatin tim

Por qëndro e fort si burrë

Se atje dhe në mërgim

Të këqija s’bëra kurrë.

 

Në hak kujt nuk i hyra

Nuk i shita miq e shokë

As njeri me dy fytyra

Por i ndershëm dhe i fortë.

***

Nëse Nënë të kam lënduar

M’i fal fajet dhe lëndimet

Se këtu në dhe të huaj

Tok me Ty i pres agimet.

 

Nëse Nënë të kam lënduar

Falmi fajet dhe mëkatet

Se këtu në dhe të huaj

Birit tënd i ndahen fatet.

 

LAMTUMIRË ATDHEU IM!

 

…Po largohem sonte i vetmuar

Larg vendlindjes sime, shumë larg

S’do ta gdhi mëngjezin përqafuar

Nga mikesha ime ndezur flak.

 

S’do më ngroh më dielli i vendlindjes

Shqipërinë më nuk do ta shoh

Porsi bari do vyshkem prej ikjes

Nëpër udhë që fare si njoh.

 

S’do ta pi më kafen e mëngjesit

Te “Europa” brenda në Tiranë

Krejt të huaj do më duken njerëzit

Diell tjetër do më gjendet pranë.

 

Për atdhenë, shokët dhe familjen

Mallin prush do ta kem në shpirt

Rrugëve të botës do të sillem

Si i verbri që do pakëz dritë.

 

…Shumë vjetë zemra ime priti

Por në fund shpresa krejt u shua

Ndaj po lë vendin që më lindi

Djalin, nënën dhe fatkeqen grua.

 

Por e di…, Do rikthehem prapë

Në vendlindjen time të nxirosur

Por në trup do kem qindra plagë

Nga ndarja e zezë dhe e pasosur.

15 qershor 2016

 

BASHKË ME GRUAN RRUGËT MORA

 

…Kur shpirti im qante nga dhimbja

Askush për mua s’u përlot

Si re më dukej dhe vendlindja

Si korb i zi e imja port’.

 

Ndaj bashk’ me gruan rrugët mora

Kërkova fatin diku larg

Por ish i zi dhe dheu i huaj

Me brenga mbushur rreth e qark.

 

Kur rrotull votrës bridhja unë

I dëshpëruar dhe mërzitur

Nga brenga ime s’bënte gjumë

Dhe nëna ime shpirtzhuritur.

 

Përveç asaj s’u brengos tjetër

Pse keq më shkuan punët mua

Madje, dikush, si ujk vjetër

Për ikjen time u gëzua.

 

Kjo botë e keqe, e pashpirt

Në xhungël kthehet shpesh për ne

Si ujk të ndiqka vendi yt

Dhe grushtin miku yt ta ngre.

 

Kur shpirti im klithte nga plagët

I mbyllën veshët që të gjithë

Prandaj tani udhës së largët

Me gruan time kërkoj dritë.

 

Por kush për mua nuk mendon

Për dhjetra plagë që kam në trup

Veç nënës loti i shkon çurg

Dhe shpirti keqas iu bë shkrumb.

 

FSHATLINDJES BLLIÇE

 

…Brodha shumë nëpër botë

Pashë vende të magjishme

Por askush s’më ngrohu dot

Si vendlindja, fshati Blliçe.

 

Molla, kumbulla dhe rrushi

Si gjerdan Blliçes i rrinë

Vajzat faqet kuq si prushi

Djemtë porsi yje ndrijnë.

 

Në çdo vend ku qëndrova

Londër, Bruksel dhe Berlin

Asnjë femër nuk shikova

Si vajzat e fshatit tim.

 

Eh t’i shihni sa të bukura

Ç’nur e gas u ndrin në faqe

Belkëputura, buzpaputhura

Si lule mbirë në pragje.

 

Armiqtë porsi kuçedra

Katër herë fshatin ma dogjën

Por lirinë zjarr përbrenda

Dot blliçjanit s’ia morën.

 

Shumë rrebeshe edhe dallgë

E përgjakën fshatin tim

Por Blliçja u ngrit mbi valë

Si zgalemi mbi stuhinë.

 

Thesaret e fshatit tim

Kush si njeh e kush s’i di

Ndaj është kaq e magjishme

Ndjenja që më vlon në gji.

 

Madhështinë e fshatit tim

Qindra vargje nuk e nxënë

Aty kombi im rilind

Demokracia ka rrënjë.

 

***

Nëpër botë e nëpër brigje

Pashë mrekullira shumë

Por mallin për fshatin Blliqe

Nuk ma shoi asnjë lumë.