Për një Dibër të bashkuar


Përçarja, ndasia, përjashtimi, mosdurimi i tjetrit, ja çfarë janë gjërat të cilat kultivojnë vetëm shije të së keqes e se nuk lënë shteg për të triumfuar e mira e përbashkët. Po janë këto dukuri që shfaqen thuajse kudo, në vendin tonë në radhë të parë, në krahinën tonë ta themi më shkoqur. Edhe pse një krahinë që për fat të keq ashtu bujarisht e krenarisht ka mbetur e braktisur goxha nga njerëzit e vet, brenda saj ka përçarje, një ndasi që ka kuptimin më negativ të mundshëm. E kisha në dorë gazetën gjatë muajit që lamë pas dhe se aty vura re dy artikuj.

Në gazetën “Rruga e Arbrit” të muajit qershor 2017, në faqen 19 ishte artikulli me titullin “Çeta e shpresës” me bashkëautorë Xhevat Jella e Sabit Lleshi. Kurse në faqen 23 të gazetës lexova artikullin: “Do të eliminoheshin në kampe shfarosëse” me autor Dedë Doçi. Autorët personalisht nuk i njoh. Por çfarë vura re në këto dy artikuj? Të dyja flisnin për fatin e dibranëve gjatë kohës së vështirë të Luftës së Dytë Botërore, kur ishte një nga kohërat e trishta dhe njerëzimi ishte ndarë në dy kampe, si me thikë, ku njerëzit vriteshin e priteshin për çështje ideologjike. Në artikullin e parë vura re një fryrje tepër të madhe të luftës partizane, që ngritur me heroizma, vetëm dëshmonte se veç ky mjet na qenkërka më e mira e të gjithëve. Ndërkaq, në artikullin e dytë shfaqej ana tjetër e medaljes dhe se bëhej fjalë për vuajtjet e dibranëve nën pushtetin e komunistëve, që me gjak erdhën në pushtet dhe se në fund rezultoi se vranë njëri-tjetrin vetëm për çështje të karriges.

Dy artikuj diametralisht të kundërt. Mundet që secili të ketë të drejtë. Te e para mbrohet lufta për liri dhe te e dyta del në pah dhimbja njerëzore, njeriu që përballet me një pushtet të egër, gjakatar që tashmë është bërë sistem. Po a ia vlen të ndahesh, të përçahesh, të hysh brenda labirinteve të vëllavrasjes, të përçarjes mes si vëllezërve të tu? A ia vlen të thuash se një palë qenka e mirë dhe tjetra qenka e keqe? Në fakt, bashkimi është vlera që rrit dibranët, shqiptarët, për të qenë në ballë të problemeve të përditshme, që na “hanë” çdo ditë e më pak. Kur të përbashkon e mira, vlera, mendësia se tjetri kur nuk bën gjë është njëjtë me ty, kur e sheh tjetrin si të barabartë me veten, kur në përpjekjen për të mposhtur tjetrin të mundohesh të jesh në rolin e tij e të kuptosh se ç’do të thotë të të vënë tëposhtë, pa pasur mundësi as të flasësh fjalën tënde,a tëherë je brumosur me vlera njerëzore.

 

Kohë e largët, ndarje e padobishme

Dy artikujt në fjalë flasin për një kohë relativisht të largët, më 1945 diku ose përpara se të vinte ky vit, që për disa konsiderohet si çlirim dhe për disa si fillimi i robëtimit prej një pushteti që rropati shumë njerëz nëpër kampe e burgje, vetëm e vetëm se kishin ide të ndryshme nga aparati shtetëror i kohës. Në fakt, koha lë gjurmë, lë plagë në zemra dhe se ajo sidoqoftë është burim nga rrjedh urrejtja. Por kjo gjë nuk duhet lejuar. Koha ecën dhe se e shkuara gjithnjë e gërryen të ardhmen, kur kemi ndërmend se çfarë kemi kaluar.

Ndarjet nuk janë të mira, as të dobishme, aq më tepër për një zonë të varfër e të vuajtur si Dibra, ku si të mos mungonte gjë tjetër duhet edhe filizi i një kohe që nxjerr duf e mllef për tjetrin si individ, të cilin duhet ta respektosh aq sa veten. E liria ka vlerë kur mirësia del në pah e bashkimi e rrit mirësinë, për të ardhmen e shëndritshme. Plagët shërohet duke u munduar t’i mbyllësh në forma të ndryshme, nga koha, nga tik taket e orës që rrjedh papushim dhe jo duke e treguar fare hapur se plaga ime është shkaktuar prej teje, aq më tepër prej paraardhësve të tu, që lidhje me mua apo tjetrin nuk kanë. E kështu, vetëm me bashkim mundet që ai pak zell i mirë që ekziston për të bërë punë të hajrit e të shëndetshme të vihet në ingranazh të jetës së përditshme. E keqja gjithsesi duhet anashkaluar më e pakta dhe duhet luftuar nëse ajo na mbulon të gjithëve.

E më mirë se një Dibër e bashkuar nuk mund të ketë, që bën bashkë pjesë të ndryshme të një zone që historia e ka ndarë, copëtuar dhe bërë përshesh me fate të trishta në rrjedhën e një kohe që ka kaluar plot dhimbë. E dhimbja duhet çuar tutje, fshehur përpara tjetrit për të mos e lënduar se litar në shtëpinë e të varurit nuk përmendet, me qëllim që me personin tjetër të gjesh rrugë të komunikimit aty ku janë të përbashkëtat, ku mundesh të lidhesh, pa dëmtuar asnjëri – tjetrin. E bashkimi, vëllazërimi, liria mbi të gjitha janë principe që ngrenë në këmbë zemra kombesh të qytetëruara të Europës, njerëz nga mbarë kulturat e rruzullit dhe sigurisht që mund të bëjnë bashkë edhe zemrat e dibranëve.