Dibra në gusht: Qyteti zhurmon nga dasmat, pyjet shkrumbohen nga zjarri


Malet përreth fshatit Vajkal, pranë Liqenit të Zi në Bulqizë, edhe këtë vit u përfshinë nga zjarret që dyshohet se janë të qëllimshme.  Zjarret këtë  vit rrezikuan shtëpitë e fshatit dhe u desh ndërhyrja e banorëve që ato të fikeshin. Foto personale: Facebook/donika.hysenaj.

 

Kthimi i emigrantëve…

 

Erdhi vera dhe mbi të gjitha erdhën njerëzit. Qyteti që dikur mbytej në monotoninë e tij, sot mbushet përplot si asnjëherë me njerëz që kishin vite pa e ndier erën fantastike të blirëve. Pa shijuar drekat, darkat aromën dhe mallin e të afërmve që prej vitesh nuk shohin. Mëngjeset tashmë janë ndryshe dhe pse e dimë se për pak kohë, sa të mbarojnë pushimet pastaj çdo gjë do jetë si më parë. Disa prej tyre nuk dinë shqip pasi kushtet erdhën kështu. Disa ikën dhe erdhën duke mos gjetur të gjallë personat që i rritën e që në zemër malli i djeg për to. Disa u martuan matanë, krijuan familje dhe po punojnë dukë lënë këtu të shkuarën, fëmijërinë e një pjesë të zemrës dhe ndjenjave të tyre, që prej kohësh janë larg Dibrës tonë të dashur. Por vera i mblodhi prapë ato duke bërë që ajo të shijohet më shumë se çdo stinë. Atmosfera ndihet kudo. Që herët në orët e para të agimit automjete me targa të huaja qarkullojnë duke krijuar si rrallë herë trafik në qytetin tonë. Lëvizjet shtohen ndjeshëm duke bërë që ditët të jenë më ndryshe. Vapa përvëluese e korrikut nuk pengon aspak xhirot në bulevard, duke shijuar kafetë nën shoqërinë e miqve, familjarëve dhe pse jo duke vizituar të afërmit e tyre duke qenë se koha e emigrantit nuk pret shumë. Teksa përpiqesh të çash me vështirësi përmes bulevardit tashmë të rikonstruktuar, shpesh të ndodh të shohësh fytyra “se ku i ke parë”, të takosh njerëz që prej vitesh nuk i ke takuar apo në raste të veçanta të kërkosh dikë që duhet të takosh patjetër. Bulevardi “maskilist” nuk ekziston më, të paktën për pak ditë duke bërë atë të ndryshëm nga monotonia e tij e zakonshme. Kafetë, restorantet, qendrat estetike, klinikat dentare apo edhe trafiku në rrugë funksionojnë në kapacitet të plotë duke bërë të ndryshme atmosferat.

 

Dasmat…

 

Dasmat janë një ndër aktivitetet kryesore jo vetëm në rrethin e Dibrës por në të gjithë Shqipërinë. Ardhja e emigrantëve ndikon ndjeshëm në numrin e madh të ahengjeve. Kudo dhe gati çdo natë dëgjohen miksime të ndryshme, DJ që pothuajse luajnë të njëjtën muzikë në të gjithë dasmat. Valle, lodhje, pagjumësi, argëtim pa fund e ca para të harxhuara duke ruajtur akoma traditat dhe duke shijuar në maksimum atë. Traditat akoma ruhen me fanatizëm dhe pse jo aq të theksuara sa disa vite më parë. Ardhja e dajave akoma shoqërohet me muzikën tradicionale të daulleve, marrja e nuses me makina të shumta që me thënë të drejtën krijon një atmosferë me të vërtetë të jashtëzakonshme. Netët e banketeve që kulmon dasmën janë më interesante. Është pikërisht vendi që dasma bëhet më e modernizuar e caqet e tradicionales ndryshojnë disi. Gjatë stinës së verës emigrantët sjellin një frymë pozitive në qytet. Dasmat janë më të shumta në këtë stinë dhe përveç atmosferës pozitive ato sjellin edhe përfitime ekonomike. Lokalet, banketet, marketet, qendrat estetike e shumë biznese të tjera këto muaj kanë lulëzimin ekonomik të tyre. Pra dasmat përveç faktorit social japin ndihmën e tyre dhe në faktorin ekonomik ne disa biznese.

 

Problemet me vapën dhe zjarrin…

 

Vapës marramendëse dhe jo të zakonshme nuk i kanë shpëtuar as emigrantët dhe as qytetarët e Dibrës. Gjatë muajit korrik dhe në fillimet e gushtit temperaturat e mëdha mbërthyen të gjithë Europën. Shërbimet meteorologjike thonë ky vit ka qenë një ndër vitet më të thata dhe më të nxehtë krahasuar me disa vite që kemi kaluar. Si rezultat i kësaj temperature zjarre të mëdha shkrumbuan hektarë të tërë me pyje në fshatin Bllacë të Maqellarës, në fshatrat dhe pyjet e Bulqizës, në Muhurr dhe në pyjet e parkut kombëtar të Lurës. Prefekti i qarkut Dibër zoti Ardit Kaja është shprehur për mediat që zjarret janë të qëllimshme. I vendosin barinjtë që të ripërtërijnë kullotat ose firmat që kanë licencë për shfrytëzimin e pyjeve. Punonjësit e pyjeve, shtabi i emergjencave civile, policia dhe forca zjarrfikëse kanë dhënë ndihmën për shuarjen e zjarreve duke qenë që ato po rrezikojnë banesat. Helikopterët po japin ndihmën e tyre në zonat me terren të thyer pasi shërbimet zjarrfikëse nuk kanë mundësi të kryejnë këtë mision. Ky problem shqetëson të gjithë qeverinë shqiptare pasi dihet që i gjithë territori është përfshirë nga zjarri. Autoritetet tona kanë kërkuar ndihmën e fqinjëve për të dalë nga kjo situatë.

 

Mungesa e ujit të pijshëm…

 

Problemi që temperaturat e larta ka sjellë në vendin tonë nuk kanë qenë vetëm zjarret. Peshkopia prej disa javësh po vuan problemin e furnizimit të qytetarëve të saj me ujë të pijshëm. Qytetarët ankohen të revoltuar se pavarësisht pagesës korrekte të faturave të ujit, në çezmat e tyre nuk po pikon as dhe një pikë e ujit që ato po e paguajnë. Kjo është situata që mbizotëron në qytet ku dhe pse temperaturat rreth 40 gradë, qytetarët nuk kanë ujë. Vetëm dy orë në ditë dhe rreth 80% të banorëve nuk kanë akses pasi në katet e larta as që është e mundur që uji të ngjitet. Ndërmarrja e ujësjellësit Peshkopi po kryen kontrolle rutinë në tubacione ku krahas temperaturave të larta, ndërhyrjet në tubacione nga persona për interes vetjak çon qytetin në këtë situatë. Punëtorët e ndërmarrjes së ujësjellësit kryejnë çdo ditë kontrolle dhe në lavazhet e gjithë qytetit duke kontrolluar nëse ka persona që keqpërdorin ujin e pijshëm. Nuk dihet akoma se kur situata të jetë normalizuar dhe kur qytetarët të mos dalin me mjete primitive për të siguruar lëngun më të rëndësishëm të jetës. Deri atëherë na mbetet të presim…

 

Kujtohet dita e çlirimit të Dibrës

 

Përkujtohet 23 gushti, dita e çlirimit të Dibrës. Bashkia Peshkopi nuk mund të linte pa kujtuar dhe festuar një nga festat më të rëndësishme që ka qyteti i Peshkopisë. Në ceremoni mori pjesëe dhe perfekti i qarkut Dibër zoti Ardit Kaja i cili ka mbajtur fjalën e rastit në nder të sakrificave sublime të të gjithë atyre dëshmorëve dhe veteranëve që kontribuan me luftë dhe gjak për çlirimin nga pushtimi i tmerrshëm Nazifashist. Aktivitete përkujtimore, parada, fjalime dhe vizita në varrezat e dëshmorëve kanë qenë pjesë e kësaj dite kaq të veçantë për Dibrën dhe Dibranët. Bashkia u kujdes edhe për pamjen vizuale duke vendosur përgjatë bulevardit kryesor pankarta ku shkruanin falënderime për dëshmorët dhe brigadat që bënë të mundur që Dibra të çlirohej nga zaptuesit që prej vite me radhë kanë pushtuar jo vetëm Dibrën por të gjithë Shqipërinë.

 

Turizmi në Lumin Drin & në

Malin e Korabit

 

Sezoni turistik pothuajse është në kulmin e tij. Qytetarët dibranë dhe jo vetëm, janë drejtuar drejt brigjeve të deteve për të kaluar disa ditë larg zhurmave dhe streseve të jetës së përditshme. Por a kanë mundësi financiare të gjithë qytetarët të kalojnë pushimet verore në det? Kësaj pyetje i jep mjaftë mirë përgjigje natyra kaq bujare me Dibrën dhe qytetarët e saj. Brigjet e lumit Drin pothuajse gjatë gjithë shtrirjes gjeografike në territorin tonë ka shërbyer si alternativë mjaft optimale për zhvillimin e disa ditë pushime. Uji mjaft i pastër dhe mundësia ekonomike ka qenë një arsye përse këto brigje kanë qenë të populluara gjatë pothuajse gjithë verës. Muhurri, Luznia, Selania apo Potgorca kanë qenë destinacionet më të frekuentuara, pavarësisht sistemit rrugor mjaft të amortizuar që këto fshatra kanë. Banorët e këtyre fshatrave dhe jo vetëm janë munduar të krijojnë disa kushte minimale për banorët që kanë zgjedhur t’i kalojnë pushimet pranë bizneseve provizore të tyre. Turistë të shumtë të huaj dhe shqiptarë preferojnë edhe turizmin malor. Guida turistike janë përgatitur për t’u ardhur në ndihmë turistëve duke vizituar atraksionet më të bukura që natyra e pakursyer i ka dhënë Dibrës. Mali Korabit, Bjeshkët e Radomirës, Parku Kombëtar i Lurës e shumë vende të tjera janë pika kyçe të turizmit malor që turistët kanë mundësi të kalojnë në Dibër.