Hajri Hoxha në kujtimet për Brigadën e xviii Sulmuese


I ka kaluar të nëntëdhjetat. Varka e jetës së tij mbushur me një jetë përkushtimi atdhetar udhëton drejt shekullit.

Qetë, qetë, me diellin në zenit.

Ka një kujtesë që e lakmoj. Jam i sigurt se kur të lexoni emër për emër shokët e tij në betejat për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë, pjesëmarrës aktiv në Luftën e Madhe Antifashiste Shqiptare, do ta lakmoni e nderoni më shumë se unë.

Shënimet e mëposhtme, ende në dorëshkrim, janë vetëm një fragment i vogël i një libri të tërë kujtimesh fëmijërie, rinie, lufte e pune të palodhur kudo që koha e vendosi të jetë në krye të aksioneve në një kohë të artë për një brez njerëzish që e deshën vendin me shpirt dhe punuan e dhanë sa mundën…

Ky është HAJRI HOXHA…

Me lejen e tij po shkëpus nga arkivi im një fragment që lidhet me krijimin e një prej formacioneve me emër në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, Brigadës së XVIII Sulmuese.

 

Athinë, 23 gusht 2017

 

* * *

 

Brigada e 18-të Sulmuese është krijuar më 18 Gusht 1944 në Sllatinë të Sllovës. Kështu u bë realitet porosia e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇ e personalisht të Komandantit të Përgjithshëm, shokut Enver Hoxha drejtuar shokut Haxhi Lleshi nga fundi i vitit 1943 që “në një të ardhme të afërt në Dibër të punohet për formimin e një formacioni: Brigadë partizane”. Pas fjalës përshëndetëse  bërë nga shoku Haxhi, ishin zgjedhur kuadrot drejtuese të Brigadës: shoku Esat Ndreu –Komandant dhe shoku Miço Kallamata –Komisar të cilët ishin ndër kuadrot më të vjetër në Dibër dhe Korçë.

Të dy me Haziz Asllanin të ardhur nga spitali i Maqedonisë më 28 Gusht, u inkuadruam në Batalionin e parë të Brigadës me komandant trimin dhe kuadrin me përvojë ushtarake shokun Gafur Korça ndërsa komisar po një ndër kuadrot dhe partizan i vjetër shokun Hilmi Çausholli. Hazizi u caktua komisar i Kompanisë së dytë të këtij batalioni kurse unë Përgjegjës Rinie i Kompanisë së Parë.

Në Brigadë pothuajse gjeta shokët partizanë që u bashkuam në Gramë të Korabit apo të ish Batalionit të Dibrës: Prokop Mura, Rexhep Doda, Beshir Laçi, Emin Agolli, Adli Dibra, Ismete Baholli, Veli Zogu, Montaz Kodra, Ramiz Agolli, Mehmet Hajrullaj, Pal Cavapuli, Sali Hoxha, Sefer Musa, Qatip Cala, Miftar Koltraka, Maliq Noka, Sami Spahiu, Xheladin Krifsa, Shuaip Baruti, Demir Leka, Kalosh Daci, Ferit Muha, Mojsi Kukeli, Ajet Simitxhiu, Uke Cani, Ferit Muha, Abaz Vargu, Ismet Sula, Hysni Deda, Selim Pira, Asllan Keta, Beqir Brata, Isuf Sula, Hasan Laçi, Destan Meta, Ferit Alimani, Man Jella, dhe ish pjesëtari i çetën territoriale të qendrës Peshkopi Nexhmedin Shehu. Pothuajse të gjithë shokët e shoqet e mësipërm ishin emëruar në postet drejtuese të kompanive të Batalioneve: komandantë, komisarë e zëvendës si dhe përgjegjës rinie. Po ashtu në Brigadë kishin ardhur edhe të rinj pjesëmarrës në LANÇ, por tani të radhitur në Brigadë si: Shemsi Hoxha, Adil Shehu, Tahir Haxhiymeri, Sinan Osmani, Ahmet Kullaverja, Faik Ashiku, Destan Laçi, Ahmet Shehu, Ahmet Stojku, Hilmi Kuska, Sami Shehu, Nexhmi Melani, Skënder Shehu, Hysen Mata, Izet Vraniçi, Myslym Vraniçi e të tjerë. Veçanërisht kujtoj takimin përsëri motër e vëlla, Eshref dhe Hibe Palikuqi që me ta kishim një aktivitet të përbashkët me Grupin e të Rinjve në Dibër të Madhe, vajtjen dhe ardhjen si korrier Dibër-Tiranë e kthim dhe tani Hibja në ditën e inaugurimit të Brigadës ishte emëruar z/komisare kompanie në Batalionin  IV të Brigadës.

Brigada që në fillim, sipas detyrave që kishte marrë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇ, nën drejtimin e komandës sonë veproi së bashku me Brigadat e I, IV, e të V Sulmuese për asgjësimin e sulmeve që ndërmerrnin forcat gjermane e bashkëpunëtorët e tyre, si ajo e mësymjes së tyre nga Hilmia, por u shpartalluan dhe më 23 Gusht 1944 u çlirua Peshkopia dhe gjithë Dibra dhe kjo ditë u shpall dita e çlirimit të Dibrës.

Pas 30 Gushtit Brigada veproi në luftimet kundra gjermanëve e bashkëpunëtorëve të tyre në Lumë, Kukës e Prizren…

Kukësi u çlirua më 18 Nëntor 1944 dhe së bashku me forcat e Brigadës V-të Sulmuese u çlirua Prizreni më 17 Nëntor 1944. Pas kësaj Brigadës iu caktua detyra për asgjësimin e mbeturinave të mercenarëve dhe bashkëpunëtorëve me okupatorët nazifashistë në zonën Mirditë-Pukë.

Për të gjitha këto luftime e aksione të Brigadës është botuar Historiku i Brigadës së 18-të Sulmuese (të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare), 18 Gusht -25 Prill 1945, në vitin 2008.

Megjithatë ruaj me nostalgji:

E para:

Pothuajse çdo natë Batalionet e Brigadës zinin pusi në istikamet e improvizuara rreth rrugës Prizren – Kukës, poshtë fshatit Bardhoc e të tjerë deri në afërsi të Kukësit që prisnim autokolonën gjermane të tërhiqeshin nga Prizren-Kukës-Pukë-Shkodër. Po ashtu kishte javë që në ditë të caktuara për afro dy muaj batalionet me radhë ndërmerrnin aksione kundra forcave gjermane në qytetin e Kukësit. Këto jepnin rezultate në dëmtimet që u bënim si në njerëz e materiale autokolonave gjermane apo atyre të vendosura në qytet. Dhe ne të gjithë partizanët në këtë rast ruajmë pritjen që si para apo pas aksionit të fshatrave të Kukësit që nga Bicaj e Morina ndanin bukën e tyre me ne e çfarë kishin në shtëpi si groshën, dhallë e sidomos turshitë dimërore, sepse po të mos ishte kjo nga do t’i merrnim ne bukën etj.  mos kishim magazinat me miell apo të tjerat? Jo, “magazinë” ishte zemra bujare e fshatarësisë si kudo në gjithë popullin shqiptar e sidomos të fshatarësisë edhe në të Dibrës-Krumës-Kukësit-Pukës e Prizrenit.

E Dyta:

Ruaj trimërinë e njërit prej partizanëve të Kompanisë sonë të Batalionit të I të Brigadës, atë të Elez Simo Mema prej fshatit Zogjaj të Dibrës.

Kishim zënë pusinë dy tre gurë më poshtë fshatit Bardhoc mbi një cep të rrugës automobilistike. Shikojmë autokolonën gjermane, dy-tre qerre, dy automobila e motoçikleta që u paraprinin 2-3 tankeve. Fillojmë të qëllojmë me zjarr të dendur, nga një pozicion mbi ne me mitralozin “Breda” dhe ne me mitralozin dhe automatikët e breshërive të markës angleze e hedhim granata mbi xhade. Gjermanët çorientohen. Disa prej tyre zbresin me shpejtësi nga automjetet e disa hidhen në ujërat e Drinit të Bardhë. Por pak nga ata e marrin veten e të prirë nga një tank i tyre që po vjen drejt pozicionit tonë duke shtënë pa ndërprerje. Në këtë rast shikojmë Elezin me mitralozin ndër duar duke zbritur në xhade drejt tankut gjerman. Vendos dy gurë i shtrirë në xhade dhe duke bërtitur me zërin e fuqishëm “para partizanë” hedh granatat drejt zinxhirit të tankut dhe duke i ndjekur disa gjermanë të tjerë i mbarohej fishekët e mitralozit. E shikojmë që atë e kap breshëria e fishekëve të armëve që pak më larg tij ishin ata. Kështu na u vra Elez trimi për të na shpëtuar neve. Dhe trimëria e gjithë partizanëve e veçanërisht e Elezit, sipas komunikatës së Shtabit, gjermanët e paguan shumë shtrenjtë: me 45 gjermanë të vrarë, 15 të tjerë u zunë rob dhe shkatërrim automjetesh, motoçikleta si dhe një tank. Ndërsa për trimin, Elezin, sot e kësaj dite këndohet:

“U hyn dridhma gjithë gjermanëve,

Me mitraloz në dorë

Shoku Elez bie dëshmor.”

Kështu luftuan trimërisht ish komandanti i Batalionit IV, trimi Gafur Mehmeti nga Lushnja si dhe partizanët Hysni Krusa, Rahman Doda, Idriz Kaba e të tjerë. Dhe ndër ta kujtoj Heroinën e Popullit, vajzën 17-vjeçare e z/Komisaren Hibe Palikuqi.

Batalioni i IV  mori detyrën për të shkuar në ndihmë të forcave partizane shqiptare-maqedonase për çlirimin e mbrojtjen e Kërçovës, por marrim informacion se në një përleshje me mercenarët bashkëpunëtorë me gjermanët, duke luftuar trimërisht ishte vrarë Hibja. Njiheshim porsa kishim ardhur nga Gushti 1943 nga Tetova. Bënim jetën në Organizatën e Rinisë të qytetit të Dibrës së Madhe e veçanërisht kujtoja e kujtoj ditën kur ajo u takua me Haki Stërmillin kur u formua Batalioni i Rinisë “Nazmi Rushiti”.

Ajo u bë dhe ishte frymëzim për të rinjtë sidomos të rejat e Dibrës. Me të kishin luftuar trimërisht edhe partizanët: Vera Myrtezai, Xhemal Zuna nga Pesjaka, Zenel Sadik Puci nga Cereni, Haki Bajram Xhika nga Mustafaj, Haxhi Agush Xhediku nga Sollodolli. Dhe për të nderuar Hiben Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Socialiste të Shqipërisë i ka dhënë titullin “Heroinë e Popullit” e gjithashtu edhe Republika e Maqedonisë i ka dhënë të njëjtin titull “Heroinë e Popullit”.

Për trimëri në luftimet që ka bërë Brigada jonë dhe janë plagosur, janë shquar z/Komandanti i Batalionit Mehmet Hajrullaj, Haziz Asllani –i plagosur dy herë në 1943 dhe 1944 në Dibër të Madhe, Mustafa Bunguri –i cili vdiq pas disa ditëve në spital, Hysni Krusa, Fejzulla Doda e të tjerë.

E treta:

Me çlirimin e Kukësit dhe Prizrenit u bënë ndryshime në udhëheqjen e Shtabit të Brigadës. Esat Ndreu u caktua me forcat e ndjekjes në Shkodër dhe Komandant erdhi shoku Petrit Dume, ndërsa Komisar Hilmi Çausholli, sepse Miçua u caktua Komisar në një brigadë shqiptare në Maqedoni.

Në Kompaninë e Shtabit të Brigadës  u emërova Komisar i kësaj Kompanie. Në këto ditë çlirimi të Kukësit kujtoj ardhjen në Brigadën tonë të 112 shokëve e shoqeve që kishin shpëtuar nga kampi nazist gjerman  i Prishtinës, ku disa prej tyre u rreshtuan në Brigadën tonë si i paharruari Kin Dushi që arriti të emërohet edhe Komandant Batalioni.

Ai ka shkruar dhe botuar në libër vuajtjet dhe pushkatimet e 105 të rinjve shqiptarë në këtë kamp më 23 Tetor 1944. Po ashtu Kini na tregoi trimërinë e gjithë shokëve që ishin pushkatuar e në mes tyre na tregoi për ish partizanët e Batalionit tonë të Dibrës: për Spiro Velkon, Musa Agollin e të rinjve të tjerë dibranë si: Bilal Konxhollin, Tasim Shehun, Hamza Shehun.

E katërta:

Në këto ditë në Kukës u sëmura, mu ënjtën të dy këmbët dhe pjesa e pulpave mu nxi. Më pa shoku im Sotiri dhe lajmëroi Komandantin e Brigadës, Petritin. Ai erdhi, më pa dhe i thotë Sotirit: niseni për në spitalin e Prizrenit. Me kalin e komandantit më shoqëroi z/komandanti i Kompanisë sonë, Hilmi Kuska. Mbërritëm në spital pas 3-4 orëve. Mbaj mend dhe kujtoj kujdesin e një doktori italian dhe infermieres që shërbenin aty. Për tre javë rresht më mjekuan me ilaçe dhe më bënin gjilpëra. Aty njoha edhe 6-8 partizanë të plagosur të Brigadës V shqiptare e ndër ta ishte i plagosur rëndë Kadri Azbiu. Nuk mund të harroj edhe  vizitat herë pas here të qytetarëve të Prizrenit që na jepnin kurajë e veçanërisht ata na sillnin edhe byrek në tepsi të bërë nga nënat dhe motrat bujare të Prizrenit.

Me çlirimin e Atdheut më 29 Nëntor 1944 Brigada jonë sipas Urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇ, veproi deri në Mars 1945 për asgjësimin e disa bandave mercenare të mbetura në zonat e Krumës, Mirditës dhe Pukës. Kemi ndenjur  për disa kohë në Fushë-Arrëz. Pas kësaj në udhëtimet Lumë, Dibër, Gollobordë, Librazhd, Gramsh, Përmet, po sipas Urdhrit të Shtabit të Ushtrisë NÇ mbërritëm në Gjirokastër ku më 23 Prill 1945 Brigada jonë u bashkua dhe u rreshtua në një Brigadë me brigadën e 20-të Sulmuese.

Riorganizimi në Brigadën e 20-të Sulmuese më la mbresa. U njoha me një nga partizanët e vjetër të kësaj krahine e kuadër me përvojë nga Libohova, Komisarin e Brigadës Luto Haxhiun që kur na njohu me radhë neve kuadrove na thotë: “Hajri ishe Anëtar i Partisë Komuniste që në Gusht të 1944-trës”. “Po, -i them, -shoku Komisar.”

E njohëm qytetin mikpritës me tradita patriotike si përpara edhe tani në LANÇ, ku bijtë e saj Heroinat e Popullit Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima ranë heroikisht. Dhe për këtë demonstratë të ish gjimnazistëve të Gjirokastrës, i njohuri, ish oficer në Brigadën e Dibrës pas çlirimit Lame Çekani më ka treguar edhe me një shkrim për ish bashkënxënësin e tij nga Dibra, për Riza Dodën që në këtë demonstratë kur pa dy trimëreshat që valëvitnin flamurin kombëtar dhe dy italianët u lëshohen atyre duke i kapur edhe në gjoks, atëherë Rizai me atë trup gjigand malësori i kap për zverku ata milicë fashistë me ato duart e tij i lëshon në shesh duke bërtitur me atë zë të fortë “shporruni, shporruni”.

Kujtoj takimin në Qershor të vitit 1945 në Gjirokastër me Komisarin e Divizionit të I-rë, shokun Bajram Sionoimerin, që pasi na përshëndeti e foli për detyrat, na komunikoi gradat “Mua Nëntoger” dhe rrogat që do të merrnim. Por të gjithë sa ishim bërtitëm me një zë “Pse për rroga paskemi luftuar?” Përsëri Komisari e mori fjalën: “Po, po nuk kemi luftuar për rroga, por tani detyra të reja na presin si në ushtri e në terren, në drejtimin e punës në organet drejtuese të shtetit. Tani jemi në pushtet dhe secili që punon apo drejton do të marrë rrogën mujore me atë takat që kemi tani në fillim.” U shpërndamë dhe mua më caktuan Komisar në Postën Kufitare të Peshkëpisë të kufirit me Greqinë dhe qëndrova aty deri në Gusht të vitit 1945. Përsëri më thërret Komisari i Divizionit së bashku me shokët e mi të Brigadës, Adli Dibrën dhe Rahman Hankun. Na sqaron dhe komunikon largimin nga Brigada sepse ka nevojë puna në terren që këtë kërkesë e kanë bërë edhe shokët që drejtojnë dhe kështu “Ti Adli do të shkosh Sekretar i Rinisë së Qarkut Kukës, ti Hajri Sekretar i Rinisë të Rrethit të Dibrës, ndërsa ju Rahman me që keni kërkuar të vazhdoni shkollën do të shkoni me studime në Shkollën Teknike të Ndërtimit në Korçë që e latë përgjysmë kur dolët partizan.”

Dhe sipas këtyre detyrave e lamë Gjirokastrën mikpritëse, këtë qytet antik dhe shkuam e filluam punët në detyrat e mësipërme. Kështu, si i gjithë populli shqiptar e veçanërisht rinia e tij edhe ajo dibrane kryen me nder dhe me sakrifica të mëdha shporrjen e okupatorëve fashisto-nazistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre duke e çliruar Atdheun më 29 Nëntor 1944.