Intervistë me Stine (Nesti Duka)


 

Të mbajmë njëri-tjetrin, sepse kjo na bën të paarritshëm në të gjitha fushat

 

Për rininë Dibrane kam këtë mesazh: Kudo që ato të jenë. Duhet me patjetër të shfrytëzoni pafund inteligjencën sepse ne shquhemi si një vatër e madhe zgjuarsie. Ta mbajmë njëri-tjetrin sepse kjo na bën të paarritshëm në të gjitha fushat që ne veprojmë. Të besojnë në vetvete, të punojnë fort dhe të investojnë në talentin e tyre.

 

 

 

– Nesti (Stine) ju jeni një ndër të rinjtë dibranë më të suksesshëm prej vitesh? A mund të na thuash si nisi karriera juaj si këngëtar?

– Ju falënderoj për intervistën dhe për punën që bëni. Kontaktet e mia me muzikën kanë qenë që herët në fëmijërinë time. Mbaj mend që studioja në shkollën “Ifran Hajrullaj” në lagjen Dobrovë. Për herë të parë me muzikën u prezantova aty me violinë, studiova aty për 6 vite dhe më pas u transferova në “Lagjen e Re” ku kisha shtëpinë në të cilën jam rritur. Muzika dhe kërcimi kanë qenë pasion për mua ku që në fëmijëri kam fituar çmime. Debutimi im i parë ka qenë ne vitin e largët 1997 me grupin e quajtur ETB 57. Pastaj në Top Fest 1 ku dola fitues i këtij festivali. Kam fituar shumë çmime të tjera dhe kam  dhe një studio timen.

 

– Përmende pak më parë Dobrovën, Lagjen e Re. Sa i lidhur është Stine me Dibrën?

– Me Dibrën jam jashtëzakonisht i lidhur. Edhe tani vij pothuajse 1 apo 2 herë në muaj rregullisht. Kam shumë kujtime të jashtëzakonshme nga ai vend. Një nga pjesët më të bukura të jetës time është atje, fëmijëria. Ne e mbajmë veten si brezi më i bukur rinor për qytetin e Peshkopisë. Ishim shumë aktiv dhe bënim shumë për njëri tjetrin. Siç funksionon një vëllazëri, më shumë komunikim dhe përkrahje. Sot kam shumë miq të mirë në Peshkopi, miq fëmijërie dhe jo vetëm.

 

– Rinia Dibrane të adhuron për muzikën që ti bën. Ti çfarë mesazhi ke për ta?

– Po. Për rininë Dibrane kam këtë mesazh: Kudo që ato të jenë. Duhet me patjetër të shfrytëzoni pafund inteligjencën sepse ne shquhemi si një vatër e madhe zgjuarsie. Ta mbajmë njëri-tjetrin sepse kjo na bën të paarritshëm në të gjitha fushat që ne veprojmë. Të besojnë në vetvete, të punojnë fort dhe të investojnë në talentin e tyre.

 

– Kush është Nesti në jetën e përditshme.?

– Po t’i referohem ditëve të mia aktuale me këtë pyetje them që jam në një fazë shumë kreative muzikor. Kështu që një pjesë mjaft të rëndësishme të kohës e kaloj në studio që e kam në shtëpi. Por pa anashkaluar dhe detyrimet sociale të jetës. Vizita, kohë për familjen, miq dhe takime pune kryesisht vetëm me njerëz me energji pozitive.

 

– Ku e gjen frymëzimin stine për këngët e tij kaq fantastike?

– Pa diskutim që në jetën e përditshme. Në jetën time plot ngjyra dhe aventura . Çdo ditë më ndodh diçka dhe normalisht unë kam mënyrën time të të shprehurit. Unë i shpreh emocionet me këngë apo me kompozim. Mendoj që kështu lind diçka e bukur.

 

– Kë artist Dibran do veçoje si krenari të Dibrës?

– Dibra ka nxjerrë me të vërtetë shumë artistë dhe jo vetëm që po korrin sukses kudo që ato janë. Gjithsecili prej tyre ka qenë në një farë mënyre frymëzim për mua që nga brezi i kaluar e deri tani.  Duke filluar nga artistë të mëdhenj si Liri Rasha e Arif Vladi, më pas me radhë Behar Mera etj.  Pastaj duke vazhduar me një brez tjetër si Noizy, GBMC, Tan Jashari, Komedia Dibrane (instagram), Fatma Methasani në televizioni InTv etj. Ndjesë për të gjithë emrat që nuk më kujtohen për momentin por të gjithë këto artistë dibranë kanë depërtuar në formimin tim si artist. I përshëndes.

 

– Në qoftë se do bëjë diçka për Dibrën cila do ishte ajo?

– Mendoj që Rruga e Arbërit është dhurata më e madhe për të gjithë Dibrën. Të vijmë më shpejt më Dibër. Mendoj që mund të bëj dhe një kompleks turistik për ski në “Malin e Korabit” pasi do e ndihmonte shumë turizmin atje.

 

– Për fund, na thuaj dy fjalë për lexuesit tanë.

– Për fund do t’u thosha: Për tmëjra e ngzime u takofshim. Jeni ma të mëjrët. Me respekt voci i Dibrës Nest Duka. Kalofshi mëjr…