Jeta dhe karriera ime janë frymëzuar nga Herkuli


Bisedoi: Samet Zagradi

Në qoftë se nuk do të isha marrë me sport, do të doja të bëhesha biznesmen ose politikan. Por jo politikan “Made in Albania”. Politikan që për interesin e vendit është i palodhur, aspak tolerant ndaj padrejtësive dhe i durueshëm për të mirën e vendit tim. Në qoftë se do isha biznesmen i madh që punon për familjen, njerëzit e varfër që nuk kanë mundësi pune.

 

Foto: ismail.jpg; ismail1 jpg, ismail2 jpg)

 

 

– Për një publik që di pak gjëra për ju, a mund të na flasësh pak më shumë rreth vetes tuaj?

– Në radhë të parë faleminderit që promovoni vlerat e paçmuara të Dibrës dhe dibranëve. Unë nuk di çfarë të them. Interneti tregon pothuajse gjithçka rreth meje dhe çdokujt tjetër. Unë jam thjeshtë një misionar i ëndrrave mia me profesionin, pasionin për të gjithë jetën “Sportist”.

 

– Ju jeni kampion në kategorinë tuaj. Na trego si nisi karriera dhe cilët ishin ato vështirësi që keni hasur në fillimet tuaja?

– Është një histori me të vërtetë shumë e gjatë me vështirësi dhe me plot dhimbje. Unë jam i lumtur që kam kaluar atë të shkuar të vështirë sepse më ka bërë më të fortë dhe më rezistent ndaj çdo gjëje.  Këto vështirësi më kanë mësuar 1000 mijë herë më mirë se t’i lexoja në roman apo të këshillonte një baba apo gjysh i mirë. Mund të them se karriera ime filloi bazuar në filmat e “Herkulit” më pas të “Rocky Balboa”. Unë gjithmonë kam ëndërruar që të bëhem dikushi. Sot jam 40 vjeç dhe më duket vetja si 100… Pa harruar se vetëm zoti është perfekt.

– Në qoftë se nuk do të ishit boksier, çfarë profesioni do të doni të kishit?

– Biznesmen ose politikan. Por jo politikan “Made in Albania”. Politikan që për interesin e vendit është i palodhur, aspak tolerant ndaj padrejtësive dhe i durueshëm për të mirën e vendit tim. Në qoftë se do isha biznesmen i madh që punon për familjen, njerëzit e varfër që nuk kanë mundësi pune. Por jo dembelët që për kisha dhe xhami nuk vlerësojnë historinë e Shqipërisë dhe të qenurit Shqiptar.

 

– Në karrierën tuaj keni marrë shumë trofe dhe jeni shpallur kampion. Na tregoni pak rreth këtyre ngjarjeve të rëndësishme të jetës tuaj?

– Trofetë janë një gjë që sot i marr ose i mora unë, sot ose dje e lash unë sportin dhe i merr tjetër kush. Rruga e vështirë që kam bërë nga fshati Kocaj-Bulqizë në vite ku sporti mendohej si “budallallëk”  për shumë njerëz që nuk kishin të hanë dhe kur sporti nuk bëhej nga profesionistë. Sidomos sporti i boksit që për 50 vite ka qenë sport i ndaluar nga regjimi komunist në Shqipëri. Shumë njerëz me potencial ma kujtojnë dhe më shprehin shumë  respekt për këtë dhe këtu në Gjermani. Nuk e kisha menduar që mund të arrija majën, por e dija të sigurt që do të ngjitesha në majë pasi nuk u lodha kurrë duke u stërvitur dhe duke qenë i disiplinuar.  Gjithmonë kam qenë i gatshëm që edhe të vdisja para se të humb në ring.

– Kush është Ismail Keta larg jashtë profesionit të tij?

– Jashtë ringut kam qenë dhe jam shumë i zënë, pasi ne shqiptarët jemi të edukuar me kulturën e mikpritjes, të ndjejmë përgjegjësi për fjalën e dhënë, të ndihmojmë familjen, të afërmit dhe miqtë. Mendoj që jam munduar të respektoj dhe ndihmoj çdo njeri që ka pa pasur nevojë për ndihmë. Kultura e jetës në Gjermani ku unë provova që të jetoj përbëhet nga puna dhe disiplina. Tani jam baba i dy fëmijëve, bashkëshort, xhaxha dhe dajë. Si dhe jam mësues i sportit që kërkon të jesh përveç shembull dhe mik ose prind.

 

– Je promotor i të rinjve në Gjermani dhe jo vetëm. Për të rinjtë e Dibrës çfarë do të këshilloje?

– Do e them me pak fjalë. Të rinjtë dibranë kane potenciale të pakrahasueshme, por duhet të dinë që asgjë nuk vjen duke qëndruar në vend. Më mirë të derdhin djersë kot, se sa të rrinë kot. Djersa dhe mundi juaj të dashur të rinj asnjëherë nuk shkon dëm. Tentoni tek e pamundura.

 

– Zoti Keta, kë do falënderoni për suksesin tuaj?

– Zotin për shëndetin dhe mendjen e ndarë. Prindërit e mi që më rritën me vështirësi dhe më edukuan të jem mirënjohës dhe të vlerësoj punën time, të qenurit Dibran dhe Shqiptarë. Falënderoj Shqipërinë për historinë e saj të dhimbshme por gjithnjë krenare, si dhe Gjermaninë që dhe pse me shumë mundim më dha një shans për të arritur këtu ku jam sot.

 

The pak më parë që mund të ishe bërë edhe politikan. Në qoftë se do ishe kryetar i bashkisë Dibër apo Bulqizë. Çfarë dot të ndryshoje dhe ku do ishte vëmendja juaj?

– Kudo që të isha kryetar bashkie, pik së pari do bëja atë që çdo prind dëshiron dhe ka vlerë për të ardhmen e kombit. “Do të edukoja të rinjtë me sport dhe disiplinë që sjell vetëm fryte të shëndosha për të ardhmen”. Dhe së dyti në Bulqizë çdo grami krom që del nga ajo Bulqizë e shfrytëzuar dhe e keqtrajtuar prej vitesh me radhë nuk do të kalonte qafën e Buallit pa paguar taksën e qytetit, bashkisë dhe bulqizakëve që u takon dhe Zoti i madh ua ka dhuruar.