Kalaja e Dodës  në ndarjet administrative


Dokumenti i parë i shkruar për Kalanë e Dodës është i vitit 1571. Ai është regjistrim osman. Në regjistrimet e vitit 1468 Kalaja nuk është përfshirë në defterin osman. Mendimi i studiuesve të historisë është se Kalaja më 1468 nuk ka qenë e pushtuar akoma nga osmanët. Në vitin 1571 banorët e Cerenit kanë pasur katër mbiemra të gjithë shqip, asnjë sllav. Në vitin 1591 Cereni ka pasur akoma edhe 23 shtëpi të krishtera. ”Renta feudale në akça është për Bloshtanin 1500, Ceren 1000, Shullan 1500, Shin Andrea 1000, Radomir3000, Taksa e dhenve në mallet e Sharrit ku përfshihet edhe Kalaja 120.000. Feudet hass i padishahut. (Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë, Studime historike 4, Tiranë 1973).

Në Kala të Dodës nuk janë bërë gërmime arkeologjike shkencore nga profesionistë. Në Ploshtan më 1968 u hap traseja e rrugës automobilistike. Në vendin e quajtur Ara e Vakefit u zbulua e doli në sipërfaqe një tumë, varret e të cilës i përkisnin periudhës para Krishtit. Mësuesi Shehat Palushi ka matur një rrasë varri të këtij vendi dhe i ka dalë 2m e gjatë. Më 1968 poshtë fshatit Dode, që vendasit e quajnë Llagaçe, rrëshqiti toka. Mësuesit pasionant Sulejman Istrefi e Ismet Sinani gërmuan e kanë gjetur dy enë qeramike të periudhës ilire, që nxënin afro 1.5 l secila. Njëra enë ka qene e ilustruar nga jashtë. Në vjeshtë 1968 ne Rrafshe të Dode, te vendi i quajtur Dardha, toka u punua me traktor afro një metër thellë. Në këtë vend doli një enë e madhe qeramike sa një njeri në këmbë. Afër sipërfaqes bazës kishte derë, po kështu edhe nga sipër kishte kapak. Kjo shërbente për mbajtjen e grurit. Te Dardha u gjetën tulla të holla dhe tjegulla më të holla me disa vija sipër secila. Këto gjetje u shkatërruan më 1991.

Pas viteve 1990 persona anonim kanë kërkuar për ar (florinjë) nëpër varre të vjetra si në Ceren te Kisha, në Kishën e Tallamazit, në kishën e Dërbaçit etj. A kanë gjetur ar nuk e di, por e di se zbuluan “teknologjine” e ndërtimit të varreve, që i përkasin periudhës para e pas Krishtit.

Një pyetje bëhet natyrshëm. Nga cili fis ilir ka qenë e banuar Kalaja e Dodës? Përgjigja mbart shumë diskutime. Parim Kosova, drejtor i muzeut të Prizrenit, në studimin e tij për Sharrin thotë se “dardanët shtriheshin deri në rrëzë të Korabit”. Të njëjtin mendim ndajnë edhe studiues të tjerë. Ndërsa akademik Kristo Frashëri në librin e tij “Historia e Dibrës” thotë se “Penestët shtriheshin deri në Morinë të Lumës, ku përfshihet edhe Kalaja e Dodës”. Ideja se penestët shtriheshin deri në Morinë është hedhur poshtë me kohë nga zbulimet arkeologjike në rrethin e Kukësit. Arkeologët shqiptarë kanë vërtetuar se Luma ka qenë e populluar nga dardanët. Kush ka dyshime për këtë le të vizitojë muzeun arkeologjik të Kukësit. Interesante është shpella e Imer Agës në Stogje.

Në Kala të Dodës ka shumë kisha katolike. Po kështu ka shumë emra vendeshe të periudhës katolike. Do të ishte me vlerë përcaktimi i moshës së kishës Tallamazit me metoda fizike, duke përcaktuar moshën e sakët të gëlqerës, që është përdorur në ndërtim të kësaj kishe. Te kjo kishë janë gjetur mozaik qelqi. Më 1055 kur u nda kisha katolike në të perëndimit dhe të lindjes Kalaja bënte pjesë në kishën e bizantit me qendë në Kostandinopojë. Në lagjen Kullas gjendet topononi Llaze, që i përgjigjet kësaj kohe. Në shekullin e 13-të Kalaja përfshihej në Shtetin e Arbërit.

Si njësi etokulturore e etnopsikologjike Kalaja e Dodës ka ngjashmëri më shumë me Lumën. Marin Barleti thotë se Kalaja shtrihet deri te Veleshica, (që prindërit e gjyshërit tanë e quanin Valashacë), ndërsa Gjon Nikollë Kazazi thotë se Kalaja shtrihej deri në Çidhën. Të dy këto autorë përdorin togfjalëshin “si na”. Kalaja ka qenë qendër e krahinës së Lumës. Kur perandoria osmane filloi të dobësohet, pas vitit 1878, qendra kaloi në Bicaj. Në të gjitha dokumentet osmane përmendet fjala Kala. Është e shkruar në osmanisht kështu si më poshtë po jap edhe përkthimin në shqip:

Fjalën Lumë studiusit e lidhin me praninë e shumë lumenjeve në territorin e saj. Sipas tyre, Luma shtrihej edhe në zonën e Rekës. Banorët e pjesës perëndimore, duke qenë më të varfër, kanë vjedhur në pjesën lindore të pasur. Këto të fundit ndryshuan emrin në Rekë për t’u veçuar, që shqip përkthehet lum. Ka ngjashmëri të shumta në veshje dhe në gjuhë mes Shtiravicës, Rekës e Radomirës.

Në periudhën osmane Kalaja ka qenë Kaza dhe “quhej kazaja e Radomirës” (Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Historia e Popullit Shqiptar, Tiranë, 2002, vol.2, f.44). Fjala kaza do të thotë rreth. Më 1869 Kalaja bënte pjesë në vilajetin e Shkodrës më pas në vilajetin e Prizrenit, Prishtinës e Shkupit. ”Më 1873 kufijtë e vilajetit të Shkodrës u ngushtuan në favor të një vilajeti të ri, të vilajetit të Prizrenit, i cili përfshiu gjithë Kosovën së bashku më sanxhakun e Dibrës, të Shkupit e të Nishit” (Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Historia e Popullit Shqiptar, vol.2, Tiranë, 2002, f.41).

Në Kongresin e Lushnjës, 1920, Kalaja e Luma përfshihet në prefekturën e Dibrës. Në vitin 1922 u krijua prefektura e Kosovës që përfshinte Malësinë e Gjakovës, Hasin e Lumën. Kalaja kaloi me prefekturën e Kosovës. Deputet të prefekturës kanë qenë Hasan Prishtina, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani. Kalanë e mbulonte Hasan Prishtina. “Nga viti 1922 deri 1944 Kalaja ka qenë komunë më vete. Përfshintë 16 fshatra me emrin Komuna e Ploshtanit, me qendër në Ploshtan, kategoria e dytë. Fshatrat janë: Bushtricë, Buz Madh, Ceren, Çajë, Dodaj, Fshat, Gjegjan, Kalis, Matranxh, Palushaj, Ploshtan(Q), Radomir, Shqinak, Shullan, Vasie, Vilë” (Fletorja zyrtare, qershor 1938, f.22).

Disa nga kryetarët e komunës së Ploshtanit kanë qenë: Thanas Rexha, pjesmarrës në kryengritjen e Fierit, sekretar Qerim Cani (Skeja), Fiqiri Skenderi, Hafuz Fiqiriu nga Tetova. Fatkeqësisht, një kryetar komune në kohën e Mbretërisë u vra dhe një tjetër u rrah barbarisht. Më 1945 nga komunë u kthye në lokalitet me qendër në Ploshtan dhe përfshintë 16 fshatëra. Kryetari i parë i lokalitetit ka qenë Mehmet Kupa, sekretar Sabri Potja, më pas kryetar Sami Tola, sekretar Selim Daku. Në vitin 1953, tetë fshatra nga Kalaja kalon me rrethin e Dibrës, lokalitet Sllovë. Më 1970 u krijuan këshillat e bashkuar. Kalaja quhej këshilli i bashkuar Kala e Dodës me qendër në Ceren. Përbëhej nga këto fshatra: Ceren, Radomirë, Ploshtan, Shulla, Vasije. Kryetari i parë këshillit të bashkuar ka qenë Hivzi Selmani, sekretar Hasan Skeja. Në vitin 1992 u krijua komuna Kala e Dodës me qendër në Ceren. Kryetar Fadil Daku, sekretar Shukri Lita. Që nga zgjedhjet lokale të vitit 2015, Kalaja e Dodës i përket Bashkisë Peshkopi.