Musa Osmani, mendimtari dhe filozofi popullor


Lura, kjo mrekulli e natyrës  shqiptare, kjo perlë e rrallë që do ta kishin zili edhe mjaft vende europiane ka parë figura të njohura të shkencës, politikës, artit, kulturës, albanologjisë  nga mjaft vende të ndryshme të botës. Kaluan këtej dhe u mahnitën me këtë bukuri të natyrës shqiptare që perëndia ua kishte bërë dhuratë shqiptarëve.

Në Lurë ka kaluar  Baroni Franc Nopça, Edit Durham, Zef Valentini, Hugo Adolf  Bernatzik ,Antonello Biagini etj.  E sot po të shfletosh  materiale në dorëshkrim, libra të botuar që flasin për Lurën, gjejmë dhe ato fjalë të bukura e plot ndjenjë njerëzore që lanë këto studiues e albanolog të njohur.

Në Lurë erdhën figura të njohura edhe nga Shqipëria. Edhe Gjergj Fishta erdhi në Lurë, i pa nga afër këto mrekulli, bujti në kullat e Lurës. Thonë se ka ardhur rreth vitit 1922 . E pyetën  poetin e madh Gjergj Fishtën  kur u largua se çfarë i kishte bërë më shumë përshtypje në Lurë, ai u përgjigj: ” Në Lurë pashë e gjeta tre mrekulli të cilat nuk i kam gjetur në asnjë vend të Europës. Mrekullia e parë janë liqenet e bukura të Lurës .Mrekullia e dytë është se kam gjetur në këto kulla të moçme të dyja besimet fetare. Dy vëllezër jetojnë bashkë e në harmoni të plotë, njeri katolik e tjetri musliman. Në Lurë gjeta një plak të moshuar i cili edhe pse e kishte kaluar shekullin, kishte një memorje të kënaqëshme, ishte një filozof pa shkollë  por që  emri i tij ishte përhapur jo vetëm në Lurë por edhe jashtë sinorit të saj. Ai quhej Musa Osmani, një arkitekt i fjalës së mençur ku në raste hasmërish, gjakmarrjes, ngatërresash  ishte i kudo ndodhur e fjala e tij kishte forcën  e kanunit”.

Të shkruash sot për Musa Osmanin e Lurës nuk do të mjaftonin këto radhë, duhej më shumë punë e kohë por kjo le të mbetet një temë e hapur për të ardhmen, por mjafton edhe me kaq duke shkruar e vlerësuar figurën e  këtij njeriu të matur në fjalë dhe gjykim, bujarë dhe fisni , pastrohet sado pak ai pluhur që ka rënë nga  vitet e haresës, vendoset deri diku dinjiteti i tij aty ku duhej të ishte vendosur vite ma parë. Për Lurën bëri aq sa mundi.Lura për të ende nuk ka bërë asgjë.Musa Osmani është një emër sa i njohur, aq edhe i venitur. Ka lindur  në fshatin Arrmallë të Lurës, një fshat ky i vogël por mjaft i bukur, piktoresk dhe i veshur me shumë  pemë të ndryshme , në  fisin Vlade ,në mëhallën që sot quhet Osmane rreth  vitit 1812 dhe vdiq në vitin 1926 duke jetuar plot 114 vjeç, një rast unikal ky. U fut i vogël në odat e burrave, dëgjonte  e mbante vesh e kurrë nuk i dilte para fjalës  që shprehnin të tjetër.Dëgjonte gjithmonë  se çfarë flitej e për çfarë ngjarjesh e ndodhish flisnin më të moshuarit. Musai  i  vogël veshët pipëz,  por më të moshuarit shpesh e kuptonin se ky djalë që po rritej do të bëhej një zë i forte i kanunit jo vetëm në Lurë por dhe jashtë saj. Filloi kështu në moshë të re  duke e ndjekur odën e duke shkuar aty ku bëhej  muhabeti i burrave ku debatet ishin nga më të ndryshmet por çdo gjë vendosej në bazë të kanunit. Lura në ato vite kishte 12 pleq ku ,dy nga këto ishin nga fisi i njohur Vladi. Qysh në moshën 15 vjeçare Musa Osmani u caktua si  plak i Lurës, pra u fut në të dymbëdhjetëshen e njohur të Lurës të cilët me votat e tyre ndanin pleqëri nga më të ndryshme por gjithmonë në mënyrë të drejtë e të pa anëshme. Megjithëse ishte një rast i veçantë ku një djalë pesëmbëdhjet vjeçarë bëhej pjesë e pleqve të Lurës, vota e tij  ka qenë gjithmonë nga e drejta. Edhe më të moshuarit filluan ta vlerësojnë  për gjykimin që bënte në raste të vështira dhe komplekse. Filluan jo vetëm Lura por dhe nga zona të tjera ta marrin  Musën me nda pleqëri pasi ishte i drejtë,i saktë dhe gjykonte në mënyrë të përkryer.

Në shtëpinë e tij filluan të vijnë edhe patriotë e atdhetarë të njohur. Nikollë Kaçorri   ishte nip tek Vladet dhe vinte shpesh e për çdo gjë konsultohej me Musa Osmanin, merrte mendime por kur ishte nevoja kërkonte dhe ndihma duke marrë djem të rinj e  trima që  ndoshta një ditë do të duheshin të luftonin edhe me armë në  dorë në mbrojtje të fateve të vendit.

Musa  ishte një njohës i mirë  i kanunit dhe njeri tepër i drejtë,i saktë në vendime dhe i pa anshëm. Kur kishte raste të rralla mosmarrëveshjes dhe nuk i ishin ulur gjykimit popullor të Musa Osmanit, ishin të detyruar të shkonin për pleqëri tek shtëpia e Kapedanit të Oroshit. Këtu shkonin  jo vetëm zona e Lurës  dhe e Mirditës por edhe mjaft fshatra të Matit. Kapidani  i pyeste në fillim se a kishin qenë më parë tek Musa Osmani në Lurë dhe kur bindej plotësisht si e kishte ndarë Musai i  Lurës, edhe ai po ashtu e vendoste.

Mësuesi i parë i shkollës shqipe në Lurë, Musa Kuçi do të shprehej:” Edhe në moshën 123 vjeçare, Musa Osmani ishte një plak i zgjuar ku kujtesën e kishte të freskët e llogjika e tij ishte po ajo e moshës së dikurshme”

Ende sot e përdorin shprehjen Lura se Musa Osmani e ndante pleqërinë majë kalit. Inteligjenca e tij popullore dhe shprehjet filozofike që përdorte në raste kritike e bënë këtë figurë një ndër  arkitektët më të njohur të gjetjes së fjalës dhe shprehjes filozofike popullore  dibrane.  Dibra kishte mjaft njerëz të tillë, të zgjuar dhe filozof popullor si Dine Hoxha, Selim Sula, Mane Kacani,Bajram Skura, Tafë Kola,  por duhet theksuar se Murat Osmani i Lurës bënte përjashtim nga të gjithë. Ai nuk ishte vetëm një mendimtar, një filozof popullor por ishte më së shumti plaku i kanunit dhe i zbatimit   të tij. Shprehja e fjalës dhe forca e çekiçit të tij kishin forcën dhe  ligjin e kanunit. Nuk fliste shumë, nuk fliste shpesh por kur fliste Musa Osmani të tjerët  dëgjonin dhe askush nuk i dilte para fjalës së tij. Mbante lidhje me dyert e para e të njohura si në Lurë, Dibër, Mat por edhe te Markagjonët e Oroshit të Mirditës.

Hasmëritë, gjakmarrjet, grindjet dhe ngatërresat e çastit në Lurë , në ato vite po thuaj ishin minimizuar. Musa Osmani i Lurës fliste në emër të kanunit, në emër të së drejtës popullore dhe njerëzit ishin të  bindur kur drejtoheshin për diçka tek ky  filozof popullor se e drejta do të anonte andej nga do të peshonte fjala e Musa Osmanit. Është shkruar e folur shumë, janë mbledhur vargje e   fjalë të tij filozofi popullor por që të gjitha deri tani kanë mbetur në arkivin e familjes, ndaj për ta përjetuar më mirë, më bukur, më saktë portretin e tij si njohës i kanunit, filozof popullor, arkitekt i fjalës  së mençur dibrane janë vargjet e më poshtëme, në formë bejtesh por që në fakt në biseda të shpeshta  me kapedanin e Oroshit i bënte në sarajet e tij.

Dikur ka patur burra zamani,

Që e ndanin gjyqin n’kalë,

Ky na ish Musa Osmani,

Lind e rrit në Arrmallë.

 

Sa i zgjuar ish Mus Osmani,

E merr vesh dhe kapedani,

Kur e thirri për ta pyetur,

Ngeli krejt i çuditur.

 

 “Kam dëgjuar se ke dije,

Për ta ndarë gjyqin në kalë,

O mo burrë sa të paska hije,

Kështu zani të ka dalë.

 

Si i ndanë ty kur  zihen dy të zgjuar?,

Të rinjtë  apo të vjetrit.

Këto i ndaj pa u menduar,

Se i ikin njeri tjetrit.

 

Po një i zgjuar e një budallë,

Si i ndanë Musa t’i ?,

Po u zunë në mes t’mëhallës

Unë i ndaj për bukuri,

se i zgjuari i ik budallës.

 

Po kur zihen dy budalla?

Kur zihen dy budalla,

Bëhet luftë e bëhet nam,

Aty  unë ndoshta nuk jam

Po ma  mirë  ndodhsh ty kapidan.

 

Musë Osmani njeri i zotit,

Shumë  i ditur e filozof,

Rrënjët kish në zemër t’ popullit,

Brez pas brezi u kujtoftë.