PROF. DR. HASAN ÇIPURI – TERMINOLOGU I SHQUAR USHTARAK


Gjeniu është titulli i librit shkencor-popullarizues të Enver Kaloshit. Gjeniu është profesor doktor Hasan Çipuri. Titulli është i spikatur. Hasan Çipuri ka shkruar e ka botuar 32 560 faqe shtypi. Ka udhëhequr 24 vepra kolektive (fjalorë terminologjikë ushtarakë shqip-anglisht-rusisht etj.). 32 fjalorë shqip-gjuhë e huaj mbajnë emrin e Hasan Çipurit si autor, si bashkautor e si drejtues shkencor (kryeredaktor). Ka hartuar 160 zëra enciklopedikë. Ka shkruar 350 artikuj shkencorë e shkencorë-popullarizues. Ka përkthyer e ka botuar 14 libra historikë e ushtarakë. Ka drejtuar rreth 400 bashkëpunëtorë të jashtëm të Sektorit shkencor të Akademisë Ushtarake – tani, Akademia e Mbrojtjes. Ka hartuar e ka botuar 6 tekste mësimore universitare. Ka redaktuar 34 libra të fushave të ndryshme. Ka qenë pedagog në Universitet e titullar i serbokroatishtes. Flet e shkruan në pesë gjuhë të huaja. Ky është profesor Hasan Çipuri. Ky është shkencëtari me uniformë, – siç thotë kolegu i tij i nderuar, dr. Vangjel Kasapi, ish-shef i Sektorit shkencor të Akademisë Ushtarake. Ky është Hasani, anëtari i Institutit Biografik Amerikan (American Biographical Institute); “Personalitet ndërkombëtar i vitit”, 2001 (Kembrixh, 2002), një ndër “2000 intelektualët e shquar të shekullit XXI” (Kembrixh, Angli, 2001); një ndër “Europianët e shquar të shek. XXI”, (Kembrixh, 2003); “Drejtor i përgjithshëm nderi për Europën” i Qendrës Biografike Ndërkombëtare të Kembrixhit, Angli. Ky është gjeniu.

Enver Kaloshi e ka përshkruar me shumë respekt e me shumë dashuri tërë jetën dhe veprën e profesor Hasan Çipurit. Po me kaq respekt e dashuri kanë shkruar edhe të tjerët – dr. Vangjel Kasapi, Xhafer Martini, Shaqir Skarra, Fluturak Gërmenji, Hamit Vata etj. Të bukura janë kujtimet e vetë Hasanit për shkollën “Skënderbej”, për ishullin e Sazanit, për punën.

54 vjet punë – një jetë njeriu. Në 54 vjet punë, profesor Hasan Çipuri ka pasur 12 detyra të rëndësishme funksionale. Këtu është shkencëtari drejtues. Është Hasani, i ditur dhe i dashur me të gjithë. I veshur bukur e i mbajtur bukur. Me zërin e tij karakteristik e me fjalën e tij aq prekatare. Tërë këtë punë të profesor Hasanit dhe të Akademisë e kam parë nga afër.

Nuk dua t’i dal përpara kureshtjes së lexuesit. Lexuesi ka librin – një botim mjaft i mirë nga Shtëpia Botuese M dhe B. Por dua të cilësoj punën e profesorit në fushën e fjalorëve. Nga 12 detyrat funksionale të profesor Hasanit, njëra ka qenë: Shef i Sektorit (më pas – Departament) të Terminologjisë dhe të Enciklopedisë Ushtarake në Akademinë Ushtarake, tani, Akademia e Mbrojtjes (1980-2002). Në vitet ’80, me vendim nga Ministria e Mbrojtjes, më kalojnë në zbor nga reparti i Zall-Herrit në Akademinë Ushtarake në Sektorin e fjalorëve terminologjikë. Kërkesa dhe këmbëngulja qe e profesor Hasanit. Për mua ishte nder se doja të isha ndihmëtar i komandant Hasanit e bashkatar me profesor Hasanin në aq punë hartuese e redaktuese sa për 12 ditë të zborit. Nderi tjetër qe se më hoqi nga stërvitja e vështirë në terren e më pruri në zyrë, në tryezë, me libra e me fjalorë. Kati ku punohej për fjalorët terminologjikë ushtarakë, zyrat, mjedisi ishin një Institut i dytë Gjuhësie. Bashkëpunëtorët e jashtëm – ish-komandantë e specialistë të shquar ushtarakë – punonin krejt të përqendruar mbi skeda e libra. Punonjësit e brendshëm – kolegë të Hasanit, po kështu. Më ka mbetur në mendje puna zelltare e të gjithëve. Dhe e bibliotekares. Vargëzimi (konvejeri) ishte i përkryer. Atje punohej, vërtet me ritëm e temp ushtarak.  Kryeorganizatori ishte profesor Hasani. Profesorin e pyesnin. Profesori jepte përgjigje. Për gjithçka. Këtë “humbje kohe”, profesor Hasani do ta kompensonte me punë pas orarit. Deri kur? Deri në orën 9-10 të natës. Jam një ndër dëshmitarët e asaj kohe e të atyre orëve. Për këtë punë vigane të Sektorit të Terminologjisë dhe të Enciklopedisë të Akademisë Ushtarake flasin Fjalorët e botuar dhe të gjithë librat e tjerë.

Profesor  Hasani ka shkruar historinë e terminologjisë ushtarake të shqipes. Terminologjia është tërësia e termave të një fushe të shkencës, të teknikës etj. Termi është fjalë a tog fjalësh për një koncept shkencor, teknik, ushtarak etj. Historia fillon me Rilindjen, vijon me Pavarësinë, me Ushtrinë Mbretërore, periudhën 1939-1944, periudhën pas Çlirimit e deri në kohët e sotme. Kjo terminologji ka qenë dhe është pjesë e rëndësishme e ushtrisë shqiptare, sepse siç dihet, ajo ka të bëjë me komunikimin ushtarak – aq i rëndësishëm në të gjitha kohët e në të gjitha momentet. Ajo ka qenë dhe është pjesë e rëndësishme e gjuhës sonë të përbashkët, jo vetëm se është ndër terminologjitë më të mëdha të shqipes (ushtria ka shumë shkenca, teknika, teknologji, armë, aparatura, pajisje etj. – çdo repart ushtarak ka armën e vet e teknikën  e vet – e rrjedhimisht, edhe terminologjinë e vet), por edhe sepse përdorimi i dendur  e thuajse i përditshëm i mjaft termave ka bërë që ata ta kalojnë kufirin e tyre (si term) e të përdoren edhe si leksik i përgjithshëm (le të themi, shënjestër, qitje, urë e varur etj.) në mjediset tona ushtarake, në stërvitjet ushtarake – më herët, edhe në fshat, në shkolla e në universitete. Gjuha është dukuri shoqërore, që do të thotë se ajo ekziston, ruhet e zhvillohet veçse në shoqëri. Por është edhe dukuri historike, sepse zhvillohet e pasurohet sipas zhvillimit të kësaj a të asaj bashkësie që e flet atë. Këtë ruajtje dhe këtë zhvillim na e përshfaq brenda parametrave të saj edhe monografia e profesor Hasanit për historinë e terminologjisë ushtarake të shqipes. Vetëm një shembull: Në Shtabin Madhor të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare u ngrit për herë të parë në historinë e Forcave tona të Armatosura një komision i terminologjisë ushtarake dhe togë, epror, këmbëz (e shkrepjes), siguresë, gatitu!, qetësohu!, eja në radhë! etj. janë krijuar nga ai komision. Shumë terma të tjerë si këta janë qëmtuar, vjelë e pasqyruar në fjalorët terminologjikë ushtarakë e më së pari, në disertacionin e profesor Hasanit për doktoraturë.

Profesor Hasani është themelues i terminologjisë së sotme ushtarake të shqipes, mbështetur fort mbi baza kombëtare e mbi parime krejt shkencore. Vetë profesor Hasani thotë: Terminologjia jonë ushtarake, tashmë është formuar e funksionin si sistem. Janë diferencuar, qartësuar e saktësuar konceptet në përputhje me zhvillimin e mendimit dhe të praktikës ushtarake shqiptare. (Për konceptet në terminologji do të themi diçka më poshtë). Këtë thënie e vërtetësojnë një varg studimesh teorike në fushën e terminologjisë së shqipes e veçmas, të terminologjive ushtarake. Në terminologjinë ushtarake, ai që ka spikatur është profesor Hasani. Krahas  studimeve teorike në fushën e terminologjisë në vitet ’80 të shekullit të kaluar, në Akademinë Ushtarake (sot, Akademia e Mbrojtjes) filloi puna e organizuar shkencore për përpunimin sistemor, shqipërimin dhe kodifikimin tërësor të terminologjive tekniko-ushtarake. Ideatori dhe kryeorganizatori i kësaj pune kaq të gjerë ishte profesor Hasani. Për këtë qëllim u vol letërsia ushtarake (rregullore, tekste mësimore, udhëzues, revista e gazeta  ushtarake e joushtarake etj.) nga Rilindja deri në ditët tona dhe u krijua një kartotekë terminologjike shkencore me rreth 200 000 skeda. Kartoteka është si puna e miellit të situr hollë, pa të cilin nuk mund të bësh gatesa të mira, ose si puna e arkivit, pa të cilin nuk mund të bësh histori. E gjithë kjo punë është bërë nën drejtimin dhe mbikëqyrjen shkencore të profesor Hasanit. U krijuan komisione specialistësh ushtarakë e gjuhëtarësh. Edhe komisionet kishin në krye profesor Hasanin. Aty diskutohej shkencërisht dhe vendosej për termin e caktuar. Unë kam pasur nderin dhe kënaqësinë të jem edhe bashkëpunëtor i jashtëm i Sektorit të fjalorëve të Akademisë Ushtarake në ato vite. Gëlonin zyrat nga diskutimet. Shkruhej, punohej, skedohej, kërkohej barasvlerësi në gjuhë të huaj (në parantezë: fjalorët ishin shumëgjuhësh, disagjuhësh ose dygjuhësh dhe gjuhë e parë ishte shqipja, sepse fjalori ishte për shqipen e për terminologjinë ushtarake shqipe). Ajo punë më ka lënë mbresa e dua ta përsëris thënien time: Sektori ishte si një Institut i dytë Gjuhësie. Falë lëndës së vjelë e organizimit të përsosur, u hartuan 25 fjalorë, me rreth 67 000 njësi terminologjike. Besojmë që pjesa më e madhe e tyre janë në dorë të përdoruesve. Shifrat nuk kanë nevojë për koment. Gjithë kësaj pune shkencore, kaq vëllimore, i ka paraprirë kryeredaktori i fjalorëve, profesor Hasani dhe studimi monografik, gjithashtu i profesor Hasanit: “Terminologjia ushtarake e shqipes” (botuar më pas / 1993 si libër më vete). Ja disa nga ata fjalorë: Fjalor i termave gjitharmësh, (1989) (hartuar nga një grup i gjerë ushtarakësh, specialistësh e gjuhëtarësh, nën drejtimin e profesor Hasanit. Aty bëhet përpunimi tërësor e sistemor i terminologjisë tekniko-ushtarake. Ai përfshin 11 000 terma); Fjalor i termave të topografisë ushtarake (shqip-anglisht-rusisht), 1985; Fjalor i termave të artilerisë (shqip-anglisht-rusisht), 1987; Fjalor i termave të zbulimit (shqip-anglisht-rusisht), 1989; Fjalor i termave të shërbimeve të prapavijës (shqip-anglisht-rusisht), 1987; Fjalor i termave të armatimit dhe të municioneve (shqip-anglisht-rusisht), 1989; Fjalor i termave të mbrojtjes kundërajrore (shqip-anglisht-rusisht), 1990; Fjalor i termave të armës së xhenios (shqip-anglisht-rusisht), 1990; Fjalor i termave të armës së tankeve (shqip-anglisht-rusisht), 1990; Fjalor i termave ushtarakë të NATO-s, 1997; Fjalor i shkurtesave  dhe i akronimeve të NATO-s  (anglisht-frëngjisht- italisht-gjermanisht-shqip), 1999; Fjalor i termave të ndërlidhjes  (shqip-anglisht-rusisht), 2000; Fjalor i detarisë (anglisht-shqip), 2000. Një punë, vërtet vigane. Kryeredaktor – profesor Hasan Çipuri. Profesor Hasan Çipuri ka hartuar vetmorisht edhe dy fjalorë të mëdhenj terminologjikë ushtarakë (me 20 000 terma), botuar më 1990 dhe 1993 – “Fjalor ushtarak serbokroatisht-shqip” dhe “Fjalor ushtarak italisht-shqip” dhe një Fjalor të përgjithshëm shqip-serbisht (me rreth 45 000 fjalë dhe me mbi 25 000 shprehje e frazeologjizma”, 2008.

E tërë kjo punë gjigante mjaftonte që profesor Hasani të siguronte një emër shumë të nderuar në shkencën shqiptare: si gjuhëtar, si terminolog, si terminograf, si leksikolog e si leksikograf i pazëvendësueshëm. Por profesori nuk mund të mjaftohej vetëm me kaq. Edhe tani ai është në punë e mbi libra. Recensionet për fjalorë të të tjerëve e oponencat për mbrojtje doktoratash, përkthimet e puna mësimore universitare si titullar i lëndës “Gjuha serbokroate” në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë i kanë kërkuar kohë, por, gjithsesi, kanë qenë veprimtari shumë e dashur për profesor Hasanin dhe shumë e vlerësuar nga të tjerët. Por as me kaq nuk është mjaftuar profesor Hasani. Ai ka shkruar dhe botuar disa artikuj për terminologë ushtarakë, por edhe artikuj për strategë ushtarakë – Skënderbeun, Aleksandrin e Madh, Napoleon Bonapartin, Xhingis Khanin, Zhukovin etj. Këta janë qershia mbi tortë. Ushtria ka shumë armë, shërbime e specialitete; rrjedhimisht, ka edhe shumë terminologji e shumë terma. Ka terma të teknikës e të strategjisë, të organizimit e të drejtimit të trupave, të teknikës së armatimit, të shërbimeve e të strukturës së forcave të armatosura. Ushtria ka edhe terma politiko-ushtarakë e historiko-ushtarakë. E, edhe terma të tjerë. Dhe nuk është e lehtë të veçosh e të pranosh aksh term kur ai shënon realie të disa armëve, shërbimeve e specialiteteve. Pra, nuk është e lehtë të përcaktosh vëllimin e konceptit dhe vëllimin e termit sipas tiparit të ngushtë tematik. Nuk është e lehtë të dallosh e të veçosh as leksikun e përgjithshëm ushtarak nga leksiku ushtarak special. Ka edhe shumë koncepte që lidhen tërthorazi me ushtrinë. Kjo do të thotë, më në fund që nuk ka qenë e lehtë të bëhej inventari i termave teknikë, shkencorë etj. dhe brenda kësaj kornize të ruhej simetria e fjalorëve. Por në gjithë atë punë është bërë  një sintezë e përgjithshme e terminologjive ushtarake të shqipes dhe janë harmonizuar fusha e nënfusha të saj të veçanta dhe me kënaqësi kemi vërejtur se zgjedhja dhe përzgjedhja e termave është bërë siç duhet dhe është ruajtur simetria në fjalorë. Siç do ta sqarojmë pak më tej, terminologët, në vend që të nisen nga fjalët për të hetuar kuptimet, nisen nga përkufizimet e koncepteve për të gjetur fjalët (= termat), që i emërtojnë ato. Por shkenca e teknika ecin e zhvillohen shpejt. Atëherë, një fjalor terminologjik i kësaj a i asaj dege të shkencës a të teknikës duhet të jetë bashkëkohor edhe në koncepte, edhe në fjalë (= terma); ndryshe, konsiderohet i vjetruar e i pavlefshëm. Fjalorët terminologjikë, me kryeredaktor profesor Hasan Çipurin  kanë qenë gjithnjë të kohës. Edhe konceptet, edhe termat kanë qenë të besueshëm, sepse kanë ardhur nga burime të shkruara bashkëkohore – rregullore, tekste mësimore, broshura, artikuj etj. (shih, p.sh., ndërlidhje videotelefonike, tank urahedhës, bombë neutronike etj.). Kësisoj, fjalorët kanë qenë për çdo dije ushtarake, tekniko-ushtarake e tekniko-shkencore, madje, edhe për njëfarë profesionalizimi të punës së ushtarakut. Në parantezë: Nëse do të dish, p.sh., për aerodromet dhe llojet e aeroplanëve, shko te Fjalori i termave të mbrojtjes kundërajrore.

Fjalorët ishin kryesisht shqip-gjuhë të huaja. Kësisoj, ata ishin fjalorë ndërkombëtarë. Gjuha shqipe përballej me gjuhë të mëdha të lëvruara. Dhe në këtë përballje ajo ka qenë e suksesshme. Por ne duam të dalim diku tjetër. Lexuesit mund t’i shkojë në mendje që në këtë lloj pune kemi të bëjmë me përkthim. Si veprim gjuhësor, përkthimi është shumë i ndërlikuar, sepse transformimet gjuhësore nuk janë paralele të përkryera si ato të matematikës a të alfabetit Mors. Por, në terminologji barasvlerësi (ekuivalenti) në gjuhë të huaj (ose anasjelltas, në gjuhën shqipe, kur fjalori është gjuhë e huaj – shqip) nuk përkthehet. Edhe përkthimi – nëse dikush do ta quante përkthim – nuk është transferim fjale, por transferim koncepti. Atëherë, barasvlerësi në gjuhë të huaj nuk përkthehet, por kërkohet e gjendet. Është si puna e njësive frazeologjike ose e fjalëve të urta a proverbave – ato nuk mund të përkthehen. Barasvlerësi terminologjik është “përkthim” koncepti e pastaj gjetje e termit (fjalës) – një punë fort e vështirë. Atëherë, dija për degën e shkencës a të teknikës, dija për temën, dija për gjuhën amtare e dija për gjuhën e huaj na japin një fjalor terminologjik të kënaqshëm. Falë formimit të tij ushtarak, shkencor e intelektual dhe njohjes së shkëlqyer të shumë gjuhëve të huaja (anglisht, rusisht, italisht, serbisht, kroatisht etj.), profesor Hasani e zgjidhte nyjën gordiane, kur aksh komision terminologjik ngecte diku.

Në gjuhën shqipe, siç dihet, ka gjithnjë proces krijues dhe risimtar në punë të fjalëkrijimit e të fjalëformimit, sidomos në gjuhën e shkencës dhe të teknikës. Pra, në terminologji mund  të krijohen fjalë të reja. Por me kusht që: a) ta japin të saktë konceptin a nocionin; b) të jenë krijuar sipas rregullave e gjedheve fjalëformuese të shqipes. Autoritetin për të krijuar e pranuar një term të ri e kanë më së pari terminologu e specialisti. Por nuk mjafton krijimi i termit të ri. Duhet një strategji që të sigurojë vlerësimin dhe pranimin e aksh risie dhe në përgjithësi, zhvillimin e gjuhës speciale të aksh dege të shkencës, teknikës etj. Kjo strategji është ndërtuar edhe me fjalorë të tillë terminologjikë ushtarakë. Me kënaqësi kemi vërejtur që në këtë strategji, përpjekja e profesor Hasanit dhe e komisioneve terminologjike, të drejtuara prej tij, për ta pasuruar gjuhën shqipe me fjalë të reja e për ta ruajtur të pastër gjuhën shqipe, duke shmangur fjalë të huaja të panevojshme, ka qenë e vijueshme dhe e suksesshme. Shih, p.sh., rrugështruese, urdhërveprim, gjurmëtí, ujëveçues, pikëlidhje, dritëmatës, vetërregullues etj. Në to mund të shihet fare qartë modeli i shqipes, çka i bën më të pranueshme (siç ka, p.sh., shenjëtari, ka edhe helmueshmëri, siç ka i kapshëm, ka edhe i mbartshëm etj.). Çndotje dhe çndotës janë formime shqipe të profesor Hasanit. Janë gjurmuar dhe gjetur terma edhe me formim popullor (tipi kushtrim, shpatinë dyjare, aeroplan bukël etj.), duke synuar kështu demokratizimin e mëtejshëm të terminologjive shqipe ushtarake e të vetë ligjërimit ushtarak.

Është synuar me të drejtë fjala shqipe e formimi shqip në terminologjitë shqipe të ushtrisë, por pa rënë në nacionalizëm gjuhësor. Nacionalizmi gjuhësor – pastrim i gjuhës nga çdo huazim është, natyrisht i papranueshëm. Gjuhët marrin e japin. Gjuhët marrin për të plotësuar ndonjë qelizë të zbrazët në strukturën e tyre. Gjuhët marrin fjalë ndërkombëtare (ndërkombëtarizma). Gjuhët nuk marrin fjalë të huaja të panevojshme,  ose fjalë a formime me prejardhje të huaj, gjithashtu, të panevojshme, që bëhen si rriqra në trupin e saj të shëndoshë. Prandaj profesor Hasan Çipuri nuk i do fjalët bocman, difensivë, dislokim, eksploziv, paramilitar, oksidim, plasdarm etj. Prandaj ai kërkon shenjëtar e jo snajper, pamor e jo vizual, dyluftim e jo duel, denduri e jo frekuencë, nxënësí e jo kapacitet, njehsim e jo kalkulim, qëndresë e jo rezistencë, nismë e jo iniciativë. Prandaj profesor Hasani ka shkruar rreth 20 artikuj për shqipërimin e shumë termave ushtarakë.

Të gjithë fjalorët terminologjikë synojnë të jenë normativë, sepse e kanë për detyrë të japin termin që duhet përdorur. Kjo do të thotë që ata e ndihmojnë përdoruesin të zgjedhë atë term a togfjalësh terminologjik  që e ka pranuar (ose që mund ta pranojë) gjuha shqipe standarde. Fjalorët e autorit, bashkautorit dhe kryeredaktorit Hasan Çipuri janë normativë në të gjitha elementet e në të gjithë treguesit. Të tillë janë edhe barasvlerësit e gjetur në gjuhë të huaj. Në këtë mënyrë, përdoruesit i jepet mundësia edhe të lexojë, edhe të përkthejë literaturë të huaj.

Terminologjia ushtarake pasqyron zhvillimet që kanë ndodhur a që ndodhin në fushën e mbrojtjes në kushte të caktuara ekonomiko-shoqërore e politike. Ajo pasqyron shkallën e modernizimit të Forcave të Armatosura. Prandaj sot, puna me terminologjinë ushtarake, – vëren profesor Hasani, – nuk duhet konsideruar e përfunduar. Edhe pse ajo po merr karakter të qëndrueshëm, ka raste luhatjeje e mosnjësimi. Por, siç dihet, luhatjet në fushën ushtarake janë me pasoja. Prandaj, me të drejtë profesor Hasani sugjeron të ndiqet terminologjia ushtarake e NATO-s, pjesë e së cilës jemi edhe ne, për ta përfshirë atë në fjalorët terminologjikë ushtarakë përkatës. Sepse standardizimi i koncepteve (brenda NATO-s) sjell edhe standardizimin e termave ushtarakë e të terminologjive ushtarake.