Profilet e inxhinierëve që ndërtuan Shqipërinë


Njeriu në jetën e tij njeh mjaft njerëz të tjerë. Këta janë patjetër familjarët, shokët e fëmijërisë, të shkollës, rinisë etj. Një vend të rëndësishëm zënë patjetër shokët dhe kolegët e punës. Në këtë libër kam përshkruar jetën dhe punën e 50 kolegëve të mi ndër vite. Në fakt, në libër janë 51, sepse njërin, z.Izet Dibra, për vetë kohën, është i vetmi që nuk e kam e kam njohur. Me ata kam ndarë gëzimet e hidhërimet e punës dhe të jetës. Puna është pjesë e pandarë e jetës e unë mendova të përshkruaj në disa radhë për secilin se çfarë kanë bërë ata në jetën profesionale. Kërkova prej secilit prej tyre një jetëshkrim të shkurtër dhe pastaj unë i plotësova ato me njohjet që kam pasur ndër vite. Kështu, krijova një profil për secilin, duke shpresuar t’i jem afruar së vërtetës.

Po t’i përmbledhësh të gjitha objektet që kanë ndërtuar dhe projektuar kolegët e mi inxhinierë ndërtimi, nuk do të mjaftonin qindra fletë. Janë dhjetëra fabrika, hidrocentrale, porte, banesa, objekte sociale, rrugë automobilistike, ura, hekurudha, kanale ujitës, bonifikime etj. Përveç këtyre janë teste mësimore, tekste teknike me autorë ata, janë qindra kuadro të lartë dhe të mesëm, të edukuar e të mësuar nga ata. Këto ditë, gjatë përgatitjes së librit, jam takuar me disa nga “heronjtë e mi”. Më ka vlejtur takimi, së paku për t’u çmallur. Ata janë treguar tepër modestë. Të gjithë kanë qenë në merak se mos po mburren me jetëshkrimin e tyre profesional, duke më dhënë CV e tyre. I kam bindur se ato do të shkruhen dhe do të plotësohen me njohjet nga unë dhe për këtë të jenë të qetë. Megjithatë, mendoj se ata kanë shkruar pak për vete dhe unë kam treguar pak për ta.

Këtyre 50 kolegëve u shtohen edhe kolegë të tjerë për të cilët kam shkruar më parë në librin “Homazhe dhe Mesazhe”, botuar në vitin 2011. Ata janë: Sali Angoni, Faik Kërçiku, Hajri Mezini, Petraq Kolevica, Tarabosh Çarcani, Genc Balla, Dhimitër Kosta, Xhavit Sallaku, Sopot Haci, Koço Miho, Feri Dishnica, Enver Faja e Lek Dizdari.

Me përjashtim të Kolevicës, kolegët e tjerë nuk jetojnë më, bile që në botimin e librit në vitin 2011.

Një vepër më shumë mund të quhet ajo që është në natyrë, që shihet e preket nga të gjithë në dhjetëra e më shumë vite. Kur viziton një qytet të ri thonë: Shkojmë e vizitojmë së pari rrugën e ndërtesat, ku do s’do, je i detyruar të kalosh, pastaj muzetë. Këto vepra i kanë projektuar dhe ndërtuar kolegët e mi.

Ali Podrimja ka thënë diku: “Bir, njerëzit nuk i ndan vdekja, por harresa”. E unë në libër jam munduar të zhduk pluhurin e harresës, sidomos për kolegët që nuk jetojnë më. Dhe ata janë jo pak, por 16 ndër 50. Me familjarët e tyre ka qenë shumë emocionues takimi për të dhënat e tyre. Shpresoj të kem arritur diçka që të vlejë sadopak, për të nxjerrë në dritë punën e madhe të tyre.

Mendoj se për shumë kolegë për së gjalli e jo më tani kur nuk janë në jetë, të kenë shkruar një rresht për ta. Mbase këta janë rreshtat e parë dhe unë krenohem për këtë. Krenohem, sepse e di se në çfarë konditash materiale dhe shoqërore ata kanë projektuar e punuar.

Kolevica në shkrimet Zëri im shkruan: “Kur (në shekullin e XVIII) princi japonez Tashihito e pyeti arkitektin Enshu Kobori se ç’kërkon për t’i ndërtuar pallatin, ky i vuri tre kondita: Të mos caktohet afati i ndërtimit, të mos kufizohet financimi, të mos shihet vepra gjatë ndërtimit”. Kondita ideale për projektuesin, por që kurrë nuk i kanë pasur në asnjë kohë. Aq më shumë tek ne.

Në shumicën e veprave të tyre ata kanë projektuar me parullën: shpejt, mirë dhe lirë. Afati i dorëzimit ishte që përkonte me ndonjë festë ku nuk mund të lëvizje, financimi shikohej me mikroskop dhe mbyllja as që mund të mendohej.

Megjithatë “heronjtë” e mi kanë nxjerrë vepra që i qëndrojnë kohës sot e kësaj dite. Ata i janë përmbajtur parimit të arkitektit Wright që: ‘Form follows function’ (Forma ndjek funksionin).

Qëllimi i librit nuk është analiza profesionale e krijimtarisë së tyre për secilin, sepse kjo do të kërkonte kohë dhe grup autorësh për larminë e fushës së ndërtimit. Qëllimi është t’i përmend objektet kryesore ku ata kanë projektuar ose e zbatuar. Këtë e kam pleksur edhe me njohjen personale, kryesisht gjatë punës.

Madje, ky ka qenë dhe si parim paraprak; shkrimet do të jenë për inxhinierë, arkitektë, gjeodetë të fushës së ndërtimit, të cilët i kam njohur dhe bashkëpunuar. Kjo më duket do ta bëjë librin më njerëzor dhe do t’i shpëtonte standardit historik. Në libër është shkruar për 50 personazhe, por janë përmendur së paku edhe 100 kolegë të tjerë, që janë pjesë e pashkëputur e jetës dhe veprimtarisë së tyre.

Veprimtaria e tyre më e madhe është kryer para vitit 1992, por ka prej tyre që arritën të projektojnë dhe ndërtojnë edhe në kohë të demokracisë, duke bërë edhe kompani private. Ata arritën t’i shohin “hajrin’ profesionit.

Kur më kanë dhënë jetëshkrimet kolegët, dhe për ata që nuk jetojnë, familjarët më kanë thënë se mund të shtoj dhe të heq çfarë të dua. Jam munduar të përshkruaj më të mirën e tyre. Nuk e di nëse ia kam arritur qëllimit, por besoj që të mos i zhgënjej. Më së paku tani kanë në dorë diçka sado të vogël për të dashurit e tyre. Së fundi, këta janë kolegë, që janë sot në orbitën më të afërt, në kuptimin që kam mundur t’i kontaktoj për arsye afërsie.

Me siguri kam edhe kolegë të tjerë, të cilët, megjithëse i kam njohur, nuk përmblidhen në këto faqe. I siguroj se gjithçka është e paqëllimtë. Nuk i dihet, nëse Zoti më jep jetë, do të shkruaj edhe për kolegë të tjerë.