Rruga e Arbrit: qeveria shpall tenderin


Ekskluzive / Qeveria vendos të shpallë tenderin për dhënien me Koncension/PPP të Rrugës së Arbrit. Përfshihet gjithë segmenti i rrugës nga Tirana në Bllatë, gjithsej rreth 69 km si dhe lidhja e me Maqellarën dhe Klosin. Përshkrimi i 8 segmenteve të rrugës, gjatësia, specifikimet teknike dhe standardi i kërkuar. Kriteret e vlerësimit për shpalljen e fituesit dhe përmbledhja e kushteve kryesore të koncesionit. Afati i mbylljes së tenderit: 2 tetor 2017. Afati i shfrytëzimit: 13 vite. Shuma në dispozicion: 33.6 miliardë lekë (pa TVSH).

Qeveria shqiptare më në fund e ka hapur tenderin për ndërtimin e Rrugë së Arbrit. Më datë 10 gusht, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës njoftoj përmes Agjencisë së Prokurimit Publik nisjen e procedurave “për dhënien me koncension/PPP të përmirësimit, ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes së Rrugës së Arbrit”.

Përtej ekzaltimit publik dhe qeveritar, gazeta disponon të gjitha dokumentet që kompanitë e interesuara për të marrë pjesë në tender kanë në dispozicion, të cilat përfshijnë dokumentet e procedurës konkurruese, njoftimin e kontratës, shtojcat e kontratës, planimetritë e të gjitha segmenteve, profilet tërthore dhe gjatësore të gjithë gjatësisë së rrugës, planimetritë e përgjithshme si dhe raportet mjedisore, sizmike, gjeologjike, klimatike, hidrologjike si dhe ndikimin në mjedis.

Dokumentet e njoftimit publik të tenderit janë në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, por dokumentet që do të paraqiten për konkurrim duhet të jenë vetëm në gjuhën shqipe. Shuma në dispozicion është 33.6 miliardë lekë ose përafërsisht 259 milionë euro. Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve do të jetë data 2 tetor, ora 12:00 dhe pas kësaj do të jetë një periudhë 60 ditore ku gjithë procedura e firmosjes së kontratës duhet të jetë e përfunduar. Më pas i  mbetet kompanisë fituese të nisë punimet.

Në kriteret e tenderit është përcaktuar se nuk do të jetë e ndarë me lote, por kompanisë fituese do ti lejohet të ketë nënkotraktorë për punimet. Gjithashtu, nuk do të lejohet edhe ofrimi i alternativave, pra ofertat do të jenë të bazuara vetëm në projektet e paraqitura nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës.

Të Dhënat dhe Informacioni mbi Projektin

 

Kompania që do të fitojë tenderin do të marrë për përmirësim, ndërtim, operim dhe mirëmbajte të gjithë Rrugën e Arbërit nga Tirana deri në pikën kufitare të Bllatës. Po ashtu, edhe segmentin që do të përmirësohet nga Bllata në Maqellarë.

Sipas Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, Rruga e Arbrit është e përfunduar plotësisht në 20.12 km, ndërsa 15.175 km janë përfunduar pjesërisht. Po ashtu, ka një projekt ekzistues edhe për 26.372 km. Në total janë 61.667 km të projektuar për gjurmën kryesore me standardin C3, nga të cilët 26.372 km nuk janë prekur me punime ndërtimi. Sipas studimit të fizibilitetit të hartuar rreth vitit 2005, thuhet në dokumentet e tenderimit,  e gjithë gjurma Tiranë-Bllatë sipas këtij varianti pritet të jetë afërsisht rreth 73.5 km e gjatë, ç’ka do të thotë që afërsisht në total 11.8 km rrugë janë ende të paprojektuar. Ky segment përfshin skajin e lidhjen me Tiranën dhe gjatësi në skajin e lidhjes me Bllatën – pika kufitare.

Në këto kushte, Projekt Ideja për “Përmirësim, Ndërtim, Operim, dhe Mirëmbajte e Rrugës së Arbrit” për kompletimin e të gjithë gjurmës së Rrugës së Arbrit që përfshin: projektet e segmenteve të pa projektuar (skajet lidhëse), përmirësimin e projekteve të segmenteve ku punimet janë ende të papërfunduar me synimin e përmirësimit të tyre nga standardit C3 të standardit të vitit 2001 në atë C2 sipas standardit të vitit 2015, përmirësimin e projekteve të zbatimit për segmentet ku ka projekt zbatim por që nuk është ndërtuar duke përmirësuar standardin C3 të rrugës sipas standardit të vitit 2001 në atë C2 sipas standardit të vitit 2015 dhe mirëmbajtjen e segmenteve të ndërtuara.

Në projekt ide, të nxitur nga rëndësia që ka segmenti Zall Bastar-Dalja e Urës së Vashës, që është sa 1/3 e të tërë Rrugës së Arbrit është studiuar dhe projektuar sipas standardit C2 të vitit 2015, ku është projektuar edhe lidhja e Rrugës së Arbrit me Klosin.

Në projekt ide është marrë në konsideratë distanca kohore më e shkurtër, siguria e kërkuar në tunele, pasi parashikon edhe një tub emergjence, krahas atij kryesor dhe aksesi me i shpejtë i rrugës nga banorët e Matit përmes lidhjes me Klosin. Kështu, në Projekt-Ide, Rruga e Arbrit nga Tirana deri në Bllatë skematikisht në mënyrë të njëpasnjëshme është e ndarë në 8 segmente.

 

Përshkrim i 8 Segmenteve të Rrugës së Arbrit

 

Segmenti 1. Fillon në dalje të Tiranës, aty ku mbaron rruga ekzistuese, dhe përfundon tek Ura e Brarit, aty ku kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës. Gjatësia e tij është 1.153 km.

Rruga ndjek një gjurmë të re, të ndryshme nga rruga ekzistuese që të çon tek Ura e Brarit. Kjo bëhet për të shmangur rrugën që përdor komuniteti, si dhe për të patur një gjurme të drejtë, duke e lehtësuar që në fillim trafikun në Rrugën e Arbrit. Ky segment përfundon para hyrjes tek Ura e Brarit, pikërisht ku ka filluar punimet për ndërtimin e rrugës në këtë gjurmë. Këtu nuk ka projekt ekzistues. Gjerësia e rrugës do të jetë: 2 x 3.5m vijë kalimi + 2×1.25 bankinë e asfaltuar + 2 x 0.75 kunete ose bankine e pa asfaltuar. Pra, kemi një rrugë 11m gjerësi, ku asfalti do të jetë 9.5m.

 

SegmenTi 2: Ura e Brarit – Zall Bastar, me gjatësi 5.46 km.

Në këtë segment janë realizuar pjesërisht punimet me fonde të buxhetit të shtetit dhe aktualisht këto punime janë në shtresë çakulli, si dhe janë përfunduar veprat e artit, mbrojtja e skarpatave dhe konstruksioni i një tuneli të shkurtër. Gjerësia e rrugës sipas projektit ekzistues është 2 x 3.75 m vijë kalimi + 2 x 1.25m bankine e asfaltuar ose kunete + 2 x 1.0m bankine e pa asfaltuar. Rruga do të jetë 12 m e gjerë dhe gjerësia e asfaltit do të jetë 10 m.

 

Segmenti 3: Zall Bastar – Dalja e Urës së Vashës, sipas Projekt-Idesë është me gjatësi  23.188 km.

Ky është segmenti kryesor i Rrugës së Arbërit, sepse është më i gjati, rreth 1/3 e rrugës, përshkon terrenin më të vështirë nga pikëpamja topografike, hidrologjike, dhe gjeologjike si dhe është tërësisht i paprekur nga ana ndërtimore.

Në projekt ide gjatësia e këtij segmenti është 23.188 km. Projekt ideja është hartuar dhe zhvilluar nisur nga: investigimin topografik, inxhinierik dhe gjeologjik të kujdesshëm të terrenit në të gjithë gjurmën e projekteve ekzistuese të Rrugës së Arbrit. Synimi i këtij investigimi ka qenë përmirësimi i mundshëm i gjurmës së Projektit te Zbatimit të arkivuar në ARRSH.

Lartësia maksimale mbi nivelin e detit ku do të kalojë rruga është 872 m, rrezja minimale e kthesave do të jetë 80 m, si dhe pjerrësia maksimale gjatësore është 6.99%. Parashikohet ndërtimi i katër urave me një gjatësi totale 1214 metra si dhe ndërtimi i Tunelit të Murrizit me gjatësi 3246 metra.

Në dokumentet e tenderit shkruhet se tuneli do të hapet sipas metodës së re austriake (NAMT) për hapjen e tuneleve, dhe krahas tubit kryesor për trafikun normal me dy korsi nga 3.5 metra, do të ketë edhe një tub emergjence paralel me atë të trafikur, në një distancë aksiale 25 m.

 

Segmenti 4: Dalja e Urës së Vashës – Bulqizë, me gjatësi 9.715 km.

Në këtë segment janë realizuar pjesërisht punimet me fonde të buxhetit të shtetit. Në një gjatësi prej 2.7745 km është hapur vetëm trasesja e rrugës (pa nënshtresat) dhe janë ndërtuar veprat e artit, si tombino e mure mbajtës. Rruga ka një gjerësi 11m me gjerësi asfalti 9m. Ndërsa për 6.94km, punimet janë në shtresë çakulli, gjerësia e rrugës është me 3 vija kalimi, 2 në ngjitje dhe 1 në zbritje, pra me 14 metra gjerësi dhe asfalt 12 m.

Në këtë segment është dhe tuneli i Qafë Buallit me një gjatësi rreth 470m, i cili duhet të plotësohet me punimet e ndriçimit, sinjalistikës si dhe të shtreses së stabilizantit dhe ato asfaltike.

Projekt Ideja ka qëllim përmirësimin e projekti të rrugës për punimet e mbetura, duke iu përgjigjur kërkesave që dalin nga volumi i pritshëm i trafikut.

 

Segmenti 5: Bulqizë-Ura e Çerenecit, me gjatësi 20.12 km.

Në këtë segment rrugor punimet kanë përfunduar në vitin 2009 dhe 2011. Gjerësia e rrugës është 11 m dhe asfalti 9 m.  Duke qenë se ky segment rrugor është realizuar vitet e fundit nga D.P.Rr, sot A.RR.Sh, punimet ndërtimore për këtë segment kanë përfunduar dhe konsiderohet se është i hapur për trafikun. Ky segment është prezantuar por nuk është pjese e Projekt Idesë.

Segmeni 6: Ura e Çerenecit – Bllatë, me gjatësi  9.111 km.

Për këtë segment rrugor nuk ka projekt ekzistues. Ky segment rrugor fillon në afërsi të Urës së Çerenecit dhe përfundon në Bllatë, në afërsi të pikës doganore me Maqedoninë. Gjerësia e rruges do të jetë si në shumicën e segmenteve të tjera, 11 m gjerësi dhe asfalti 9.5m. Në këtë segment do të ndërtohen 2 ura, një në afërsi të Urës së Çerenecit mbi Lumin Zall i Bulqizës me një gjatësi prej 212m dhe ura tjetër mbi Lumin Drin i Zi me një gjatësi prej 292 m.

 

Segmenti D (7): Bllatë – Maqellarë

Për të plotësuar nevojat e trafikut të ardhshëm, rruga ekzistuese Maqellarë-Pika kufitare Bllatë duhet të rikonstruktohet në standardin e një rruge urbane për shpërndarjen e të tërë trafikut të Rrugës së Arbrit në drejtim të Peshkopisë (Maqellarë) dhe Maqedonisë (Pika kufitare Bllatë). Ky segment lidh fshatin Bllatë me pikën doganore me gjë gjatësi prej 0.557 km, si dhe me Maqellarën me një gjatësi rreth 2.438 km. Ky segment do të jetë rikonstruksion i rrugës ekzistuese.

 

Segmenti K (8) është degëzimi Dalje Ura e Vashës – Klos.

Ky segment rrugor ka një gjatësi rreth 3.092 km dhe lidh Rrugën e Arbrit me rrugën Burrel – Klos, në dalje të Urës së Vashës. Ndërtimi i këtij degëzimi është i rëndësishëm pasi do të lidhë Burrelin me Tiranën në distancë më të shkurtër nga aksi ekzistues që është sot Burrel – Milot-Tiranë. Kjo rrugë do të ketë seksionin tërthor tip C3, gjerësi totale 10.5 m dhe gjerësi asfalti 9m.

 

Kriteret e vlerësimit

 

Janë përcaktuar pesë kritere bazë për zgjedhjen e fituesi. Pika e parë është propozimi teknik për ndërtimin e rrugës dhe mirëmbajtjes, e cila vlerësohet me 45 pikë. Kjo pikë përbëhet nga katër elementë kryesore: projekt ide konceptuale, ku përfshihen studimi topografik, ai gjeoteknik, hidrologjik, studimi për projektimin e shtresave rrugore, metodologjinë e ndërtimin, raportin e shpronësimeve, kërkesat mbi lejet dhe licensat, etj. Ofertuesi me projekt-idenë më të favorshme do të vlerësohet me 15 pikë.

Operatori ekonomik pas hartimi të projektidesë konceptuale duhet të përgatisë grafikun e punimeve dhe metodologjinë e punëve, sipas të cilave do të punojë për të plotësuar kërkesat e zbatimit të projektit në kohën, sasinë dhe cilësinë e duhur. Ofertuesi me metodologjinë e punimeve më të favorshme do të vlerësohet sërish me 15 pikë. Me 7 pikë do të vlerësohet koha më e shkurtër në planin operacional, ndërsa sinjalistika e përkohshme dhe siguria në kantier gjatë ekzekutimit të punimeve të ndërtimit do të vlerësohet me 8 pikë.

Me nga 10 pikë do të vlerësohen ofertuesit që do të paraqitet me projektin më të mirë si dhe impaktin mjedisor më të ulët. Po ashtu me 10 pikë do do të vlerësohet edhe projektin me vlerat më të larta sociale, si dhe koha më e shkurtër e arsyeshme e ndërtimit dhe vënies në shfrytëzim të kësaj vepre.

Ndërsa oferta financiare e paraqitur për mbarimin e Rrugë së Arbërit do të vlerësohet me 25 pikë.

Kujtojmë se qeveria shqiptare, me vendimin nr. 321 datë 12 prill 2017, i ka dhënë shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.a.  një bonus prej 10 % të pikëve të garës, pasi kjo kompani i ofroi qeverisë shqiptare një ofertë të pakërkuar në lidhje me ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

 

Përmbledhja e kushteve kryesore të Koncesionit

 

Objektivi kryesor i Koncesionit/PPP është Përmirësimi, Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit, sipas parimit të “Projektit me Çelësa në dorë”. Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit është 13 vjet,  në varësi të ndërprerjes më të hershme të Kontratës së Koncesionit në përputhje me kushtet e saj. Aktivitetet për t’u kryer nga koncesionari janë përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit sipas standardeve të miratuara nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës. Burimet e të ardhurave të Koncesionarit janë pagesat e disponueshmërie vjetore e pagueshme nga Ministria e Transportit, niveli i së cilës do të përcaktohet në ofertën e paraqitur nga konkurrentët.  Kontrata rregullohet nga legjislacioni në fuqi si dhe kriteri kryesor  për shpalljes e fituesit do të jetë oferta teknike më të mirë dhe pagesa e disponueshmërisë më e ulët e kërkuar nga autoriteti kontraktor.