Seta dhe Spree, dy qëndrime të kundërta me natyrën


 

Kjo foto është e lumit Spree (Shpree) në Beeskov, një qytezë e vogël me rreth 8 mijë banorë në Gjermaninë Lindore. Ky lum është i gjatë mbi 400 km dhe në pjesën më të madhe të tij është ruajtur në gjendjen natyrale, ashtu siç është në këtë foto. Ky lumtërheq shumë turistë gjatë gjithë vitit. Vetëm qytezën e Beeskovite vizitojnë çdo vit mbi 1.5 milionë turistë nga gjithë Europa. Kur unë isha në fillim të gushtit, më kafshoi një mushkonjë e madhe, sa kur e vrava, gjithë dora m’u bë me gjak…

Në vendlindjen time është një lum i vogël që quhet Seta. Nga fëmijëria ime e mbaj mend për ujin e ftohtë brisk dhe troftën e mrekullueshme. E mbaj mend edhe nga një hidrocentral i vogël, për të cilin ruaj kujtime jo shumë të mira, pasi ishte aq i vogël, sa nuk ishte në gjendje të na furnizonte me drita kur ato ndërpriteshin!. “Kur nuk prodhon dritë për fshatin tonë, pse duhet të krehohemi me atë hec”, kam menduar gjithmonë.

Sot, në Shqipëri, është shndërruar në epidemi fakti që ku rrjedh një ujë prej maleve të ndërtohet një a më shumë hidrocentrale, dhe prej kësaj sëmundje nuk ka shpëtuar as Seta. Janë ndërtuar tre dhe një i katërt ka filluar të ndërtohet. Për këtë shkak, 25 kryefamiljarë të fshatit Çidhën janë në ndjekje penale sepse kanë kërkuar ndalimin e punimeve për ndërtimin e HEC të katërt. Arsyet janë të shumta, por mjafton vetëmm tre pyetjet më poshtë fakt që këto punime të ndalojnë:

1-A janë pyetur këta banorë për ndërtimin e këtij HEC?

2- A rrezikon ky HEC të zhduke një nga pasuritë më të mëdha ujore të ujit të pijshëm, burimet e famshme të Sopanikës, të cilat janë të rregjistruara edhe si pasuri natyrore?

3- A kanë firmosur banorët e ketij fshati dhe fshatrave të tjerë në një dokument që lejon dhënien e lejes për ndërtimin e këtij HEC?

Banorët që po ndiqen penalisht thonë se nuk kanë firmosur, madje edhe akuzojnë se dikush ka firmosur në emrin e tyre. Kur këlthasim e bërtasim për reforma e për drejtësi, a nuk do ishte e udhës, që përpara se të hetohen 20 kryefamiljarë, të verifikohen nëse firmat e vëna në dokumentacionin për marrjen e lejes janë ose jo të fallsifikuara? N.q.s. ato rezultojnë të tilla, a nuk duhet që drejtësia të merret me ata që kanë fallsifikuar firmat dhe dokumentacionin?

Të kërcënosh kryefamiljarët e një fshati me ndjekje penale nuk është drejtësia e duhur. Ky është vetëm një mekanizëm presioni e frike, që edhe diktatura që përcollëm në vitet ’90 ishte e kujdesshme kur e përdorte.

Ndaj është kohë që institucionet të veprojnë. Së pari, deputetët e Dibrës duhet të shkojnë dhe ti takojnë këta 20 kryefamiljarë. T’i dëgjojnë ata, sepse ndonjëri prej tyre e ka marrë votën e tyre. Është koha që kryetari i bashkisë, institucionet e shoqatat në mbrojtje të mjedisit e zyrtarë qëmbajnë përgjegjesi për mjedisin në Shqipëri, të shkojnë në terren, të dëgjojnë dhe të mbajnë qëndrim. Duhet të ikë sot koha kur thoshim se “me dokumentet janë në rregull”. Sepse në rregull janë kur të jenë në rregull me njerëzit dhe me natyrën…

Mund ta zgjasja më shumë këtë koment, por po e mbyll sërish me lumin Spree.

Fan Noli, kur e ka shkruar vjershën “Anës Lumenjve”, me siguri ka qenë ulur buzë këtij lumi:

Arratisur, syrgjynosur,/ Rraskapitur dhe katosur,/Po vajtoj pa fund, pa shpresë,/Anës Elbës, Anës Spree-së…