A do t’ia hiqni Dibrës simbolin komunist Hero i Punës Socialiste?
Nga Abdurahim Ashiku


Të dy si një pendë qeshë vënë në zgjedhë nga dreqi me të birin janë hedhur në sulm për të ç’bërë historinë, atë histori të shkruar me gjak partizanësh dhe djersë popullore si asnjëherë në ekzistencën e shqiptarëve, si gjak e gjini, si komb e qëndrueshmëri.

Tash 26 vjet, si në atë skeçin “Hap sirtarë e mbyll sirtarë” luajtur me përsosmëri artistike nga Aleko i Korçës, nxjerrin e hedhin fletë të zverdhura  mediave të shkruara e fluturake në rishikim të kohës së diktaturës.

Kësaj radhe rihodhën atë që është hedhë e rihedhë, çuditërisht fill pas zgjedhjeve e këmbimit të vendit në kularin e zgjedhës së buajve në brazdë, heqjen e dekoratave të atyre që bënë luftën, ata që e radhitën Shqipërinë pjesë të koalicionit të madh antifashist, i vunë kockën në grykë shovinizmit sllavo-grek për copëtimin e vendit, përveshën krahët dhe ndërtuan hekurudha (a ka ndonjë hekurudhë të ndërtuar këto 26 vjet?), ndërtuan hidrocentrale të  rangut botëror, thanë këneta, e çuan arsimin e mesëm deri në skajet më malore të vendit, e…

Po zbres në Dibrën e kohës, atë Dibër që e kam në gjen të jetës, e mbaj mend mirë në etapat pas Luftës së Madhe Antifashiste, si mësonte të shkruante e lexonte për të zhdukur analfabetizmin, si punonte duke e ngritur lart traditën e njeriut punëtor sa “Po të digjej Stambolli Dibra e ngrinte të ri nga themelet…”, siç thoshte një historian i huaj, duke vlerësuar e ngritur lart një vlerë të jashtëzakonshme të dibranit e të Dibrës.

A do t’i hiqet Dibrës dekorata e lartë simbolike e Heroit të Punës Socialiste? Sipas AliBeut që kërkon të shkulë rrënjët e vlerave të mëdha të popullit shqiptar në betejën e jashtëzakonshme historike antifashiste fitimtare dhe në betejën e madhe të rindërtimit e ndërtimit të vendit, PO. Ai që Fieri i dha shuplakën më të madhe në jetën e tij, i inatosur, sulmon simbolet, kërkon t’i rrëzojë e nëpërkëmbë. Don Kishoti do e duartrokiste në mënyrë frenetike… Dibrës vlerësimin e lartë “Hero i Punës Socialiste” ia dha puna e saj, përkushtimi i mjeshtërve të dorës e të dijës në ndërtimin e veprave të mëdha, të prekshme edhe sot, edhe nesër, në të gjithë Shqipërinë.

A mund t’i hiqet titulli i lartë “Hero i Punës Socialiste” Gani Tuçepit, njeriu që “piketoi” Gjalicat me karabinë e bashkë me Çidhnakët i dha jetë heroizmit të pashoq të çarjes së tuneleve me “barut fishekësh” për ta dërguar ujin për ujitje deri në Reç e Vakuf? Njeriut emri i të cilit është skalitur në kujtesën e njerëzve në ndërtimin e veprave të mëdha ujore në Dibër, Mat e deri në Sarandë?

Po Beqir Kalisë, inxhinierit asistent, pa diplomë universitare, por me diplomën popullore të projektimit e zbatimit të veprave ujore që nga Kanali i Çishnës e deri tek vepra ujore e Liqeneve të Kacnisë, uji i të cilëve rrodhi nga Balgjaj në fushën e Maqellarës, a i hiqet titulli simbol i asaj kohe “Laureat i Çmimit të Parë të Republikës?

Po Sefedin Qorlazes, kryegjeologut të Bulqizës që i dha jetë dhe hap të gjatë minierës së Bulqizës dhe Batrës a i hiqen dy herë radhazi titulli “Laureat i Çmimit të Parë të Republikës”?

Po Todo Manços, kryeinxhinierit dhe drejtorit të minierës së Bulqizës që pas pushkës partizane mori “martelin” për t’i dhënë atdheut një ndër vendburimet më të mëdha të kromit në botë ku nxirreshin deri në 500 mijë tonë krom në vit, a do t’ia hiqni titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste” siç i hoqët minierës emrin e tij?

Po 11 heronjve të gjeologjisë të Batër Martaneshit që dhanë jetën për t’i dhënë atdheut një minierë po kaq të madhe sa ajo e Bulqizës, a do t’ua hiqni titullin e lartë, ashtu si i hoqët minierës emrin e tyre?

Po Ismail Loshës simbol i punëtorit të gjeologjisë e më pas drejtues i ndërmarrjes gjeologjike të Bulqizës, a ka forcë kush t’ia heqë simbolin e lartë të njeriut të përkushtuar të punës?

Gollobordasit ndërtuan Shqipërinë. Nuk ka vepër që nga themelet e deri në majë të oxhaqeve të lartë që të mos ketë djersën lumë të ndërtuesve duarartë të kësaj treve të Dibrës ku, siç thonë, “Fëmijët lindin me mistri, sqepar e nivelë uji në dorë”.

Njëmbëdhjetë heronj të punës socialiste ka Trebishti. Po përcjell një fotografi të katër prej tyre, të katërt me yllin e artë të Heroit të Punës Socialiste në gjoks. A ka burrë nëne në politikën shqiptare që të shqyej gjokset e tyre punëtore si askush dhe tua marrë yllin e lartë, fryt i dijes dhe i djersës së tyre mbi vepra  të mëdha ndërtimore?

“Luan i tuneleve”  quhej Sabri Shini. Çau tunelin e Dajtit dhe i dha Tiranës “Ujë e dritë në dhjetëvjetor” (1951), siç thotë kënga. Çau edhe tunelet e Shkopetit ku ishte edhe drejtor i punimeve në të dytin hidrocentral të madh të kohës (1962) dritën e të cilit e marrim edhe sot, megjithëse nëpërmjet blerësve të lidhur me politikën e allishverisheve mbushje xhepash të pistë.

“Luanë të tuneleve” ishin Darnjanët, Çidhnakët, Reçjanët, Katërgrykasit, Muhurrakët, Luznakët…që çanë tunelet e Vaut të Dejës, Fierzës dhe Komanit duke derdhë jo vetëm djersë por edhe gjak që u bë dritë për të gjithë Shqipërinë; dje, sot dhe nesër. Pa këta njerëz, pa këta “Luanë të maleve të Dibrës”, mund të them me plot gojën, se sot nuk do të ekzistonin këto tre vepra të mëdha fryt, dije e djersë e një treve dhe një populli punëtor.

Epo Selim Alliut nuk mund t’i preket, madje as mund ta marrë nëpër gojë kush e të thotë t’ia heqim simbolin “komunist”, “Mësues i Popullit”. Se ai ishte me të vërtetë Mësues i Popullit, i Dibrës dhe më gjerë. Ai e mori arsimin në Dibër me 32 shkolla fillore me 1280 nxënës e 62 mësues (dhe me themelet e shkulura të Internatit të Kastriotit”) për ta ngjitur në vitin 1966 në 192 shkolla fillore e tetëvjeçare me 17.012 nxënës e 604 mësues, me një shkollë pedagogjike me 187 nxënës e 7 mësues (1947) dhe me një shkollë të mesme bujqësore me 217 nxënës e 14 mësues (1959). (Shemsi Hoxha: Vjetari statistikor i rrethit të Dibrës 1966)

Për ta vazhduar Ai dhe brezi i nxënësve të tij, tashmë mësues, deri në 188 shkolla fillore e tetëvjeçare me 28.700 nxënës e 1.244 mësues dhe 19 shkolla të mesme shtrirë deri në zonat më të thella të Dibrës si Reçi, Lura, Klenja, Selishta… me 2.419 nxënës… (Flamur Cena, Vjetari statistikor i Dibrës 1980, dorëshkrim).

Në këtë dritare të madhe të dijes në Dibër vlerën e pishtarit e ka Mësuesi i Popullit Selim Alliu. A mund të shuhet ky pishtar vetëm e vetëm sepse u vlerësua dhe u ngrit në piedestalin më të lartë të arsimit masiv shqiptar nga shteti “komunist”?

Dibra që mposhti me një heroizëm të pashoq pasojat e tërmetit të 30 nëntorit 1967, që e bëri “orën minutë e hapin kilometër” me aksionin e 14 dhjetorit 1969 në ndërtimin e kanalit Fushë Alie – Vakuf, kanal që vuri nën ujë të bollshëm tokat më pjellore të luginës së Drinit të Zi, e të tjera dhe të tjera, e ka merituar yllin e artë të heroit të punës

Jo zoti Rama, kryeministër, as ti z. Basha “dibran” dhe as ti z. AliBeu, e bashkë me ju tërë kopeja blegëruese antikomuniste nuk mund t’ia hiqni Dibrës “Yjet e Artë” të punës e të trimërisë në shekuj e në katër dekadat e regjimit komunist, ndaj mos llapni me gjuhën jashtë.

Dibra është një ndër trevat që në shekuj ka folur me shpatë, pushkë e me kazmë e mistri, me gjak e me djersë.

Tetëmbëdhjetë beteja numëron historia që Gjergji i Gjon Dibranit, siç e ka thërrit Voltarreno, i ka zhvilluar në Dibër, që nga e para, Torviolli, e deri tek e fundit, pas vdekjes tij, pushtimi i vendorigjinës së Kastriotëve, Çidhnës nga hordhia më e madhe e kohës, turqit osmanlinj. Masakra e paimagjinueshme për kohët ku një trevë e tërë u dogj dhe u kalua me pleq e fëmijë në tehun e shpatës, flet për sakrifica supreme të Dibrës në historinë e Shqipërisë.

Asnjë trevë, jo e Shqipërisë por e Evropës, nuk është përgjakur, shkatërruar ekonomikisht, shkulur rrënjësh sa Dibra nëpër të cilën kaluan të gjitha ekspeditat osmane drejt Krujës, Albulenës e viseve të tjera. Me dhunën e ushtruar as bari nuk pritej të mbinte në Dibër. Megjithatë ajo qëndroi duke treguar se e donte vendin e të parëve duke mprehur shpatat e mbushur hutat me barut, ndër të tjera duke lënë nam me betejën kundër Hajredin pashës e Hysni pashës, e më vonë kundër Serbisë në vitet 1913-1922 që lakmonte të dilte në Durrës nëpërmjet Dibrës e për ta zhbë Shqipërinë.

Segmente që nuk e kanë dashtë, nuk e duan dhe nuk do ta duan asnjëherë, kërkojnë me shkrim e me gojë vesh më vesh, t’i heqin Gjergj Kastriotit Skënderbeut titullin e lartë Hero Kombëtar. Presidentë të shtetit shqiptar ka ndodhë që në pritje të ndonjë delegacioni turk të heqin bustin e Skënderbeut nga salla zyrtare e pritjes në Pallatin e Brigadave (!)

Rama, Basha dhe Meta, çuditërisht nga ky sulm i egër ndaj Heroit tonë Kombëtar, nuk kanë reaguar në sallën e Kuvendit apo atë të Presidencës (!)Në Luftën e madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare Dibra derdhi gjak heronjsh e dëshmorësh në themelin e luftës botërore antifashiste.

A mund t’i hiqet titulli i lartë Hero i Popullit, Gjokë Doçit i cili në nëntor 1943 ra në një betejë të pabarabartë me forcat gjermane në Symizë të Mallakastrës e që populli i kësaj zone, në respekt për Dibranin trim e ruan lapidarin si vlerë të një lufte të madhe antifashiste shqiptare.

Po Nazmi Rushitit që i tha federalit fashist: “Me ngadalë fashist i qenit/ T’ka ardh’ sahati mos luej prej venit/ Se ky popull ka djem me huqe/ Këmishën e zezë ta bën të kuqe”, a mund t’i hiqet ylli i artë pesëcepësh pse ai ishte komunist?

Po Ramiz Varvaricës, heroit të Spanjës që ra në përpjekje me nazifashistët që do t’i bënin gjëmën Evropës a do t’ia merrni yllin e artë?

Haxhi Lleshit, krijuesit të Çetës së parë në Dibër, e të dytë në Shqipëri, mund t’ia merrni ato pesë gram arë që ka ylli i Heroit të Popullit, por do të duhet tu ktheni pasardhësve të tij mushkat me florinj që dha për Luftën e Madhe Antifashiste për Çlirimin e Shqipërisë dhe radhitjen e saj midis fitimtarëve të mëdhenj antifashistë botëror.

Me bashkimin e votës së zezë në parlament (nuk po them Kuvend) ju mund të bëni çfarë të doni, por vetëm një gjë nuk mund ta bëni, të shuani nga kujtesa e popullit heroikën shqiptare në shekuj dhe në dyzet vjetët e diktaturës komuniste. Populli tashmë e ka në gjen atë kohë dhe ata njerëz që hynë dhe mbetën në kujtesën e tij.

Athinë, 25 shtator 2017