Dibra në një muaj


Dita e Kurban Bajramit

Data 1 shtator këtë vit erdhi ndryshe për të gjithë besimtarët myslimanë në të gjithë botën, njëkohësisht edhe në Dibër. Dihet tashmë që pjesa dërmuese e popullatës së rrethit janë të besimit mysliman dhe rrjedhimisht kjo ditë ka qenë ditë festive për të gjithë. Stadiumi i qytetit u zgjua ndryshe të premten e 1 shtatorit, kësaj rradhe jo me lojtarët e Korabit, por me qindra qytetarë dhe besimtarë myslimanë, të cilët vendosën të falnin Bajramin pikërisht aty.

Festa e Kurban Bajramit është një nga dy festat më të rëndësishme të besimtarëve myslimanë. Sipas traditës islame kjo festë nderon gadishmërinë e Ibrahimit që flijoi djalin e tij Ismailin si vepër e nënshtrimit ndaj urdhërit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë përmes ëngjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është bërë tashmë.

Me pak fjalë fjala Kurban Bajram është festa e mposhtjes së nepsit që gjithmonë kërkon të jetë para. Pas faljes së namazit qytetarët u drejtuan në shtëpitë e tyre duke bërë kurban një kafshë të imtë e më pas duke e shpërndarë mishin te familjet që nuk kanë mundësi ekonomike ta kenë atë në këtë ditë të shënuar. Vizitat në familje të dashamirësve dhe shokëve nuk munguan gjatë gjithë ditës duke uruar dhe drekuar.

Atë ditë një pjesë e madhe e bizneseve dhe të gjithë institucionet ishin të mbyllura duke qenë që kjo festë është festë shumë e rëndësishme dhe festë kombëtare. Zyrtarë, përfaqësues se komitetit mysliman dhe myftynia e Dibrës uruan qytetarët për këtë ditë. Festa e Kurban Bajramit ndikoi pozitivisht për tregtarët, sepse puna ato ditë u shtua ndjeshëm duke qenë që qytetarët shpenzojnë më shumë se ditët e tjera për konsum.

Ulja e temperaturave

Me ardhjen e muajit shtator duket se trokitjet e para të vjeshtës u dëgjuan tashmë. Vapa iku me gushtin, kjo tashmë është vërtetuar mjaft mirë në muajin shtator, ku vapa përvëluese që ishte këtë verë i la radhën aromës së vjeshtës. Ulja e menjëherëshme e temperaturave dhe rreshjet e shijut dhe pse jo me një intensitet të lartë kanë bërë që dibranët të nxjerrin nga garderoba e tyre rrobat e tyre të dimrit.

Shirat e rënë gjatë këtij muaji ndihmuan ndjeshëm në shuarjen e zjarreve që shkatërruan masivisht mijëra hektarë pyje e kullota. Ndryshimi i menjëhershëm i klimës duket se ka ndihmuar ndjeshëm virozat dhe gjendjet gripale, duke bërë që vizitat në urgjencat dhe në qendrat shëndetësore të jenë më të shumta. Më të prekurit kanë qenë fëmijët dhe të moshuarit, por sipas mjekëve nuk është diçka serioze, pasi ndryshimi i menjëhershëm i temperaturave sjell këto viroza. Sipas sinoptikanëve ulja e temperaturave në këtë periudhë është diçka normale, pasi tashmë jemi në një stinë që karkaterizohet nga ky lloj moti. Stina e vjeshtës i paraprin një dimri të gjatë dhe të ftohtë, ku gjatë kësaj periudhe të gjithë bëjnë përgatitjet për të përballuar me sukses dimrit.

Vjeshtë…

Stina e vjeshtës erdhi dhe për të gjithë dibranët duhet të themi që kjo periudhë është periudha e përgatitjeve për t’i përballuar me sukses dimrit të ftohtë dhe të acartë. Detyrat disa herë janë të ndara e disa jo, por e rëndësishmë është që të gjithë po përpiqen që të kontribojnë sadopak. Përgatitjet nisin nga sigurimi i lëndës drusore për të gjithë stinën e dimrit, sigurimi i ushqimit të bagëtisë apo dhe sigurimi i të mirave materiale të nevojshme. Gratë e zonës janë të njohura si mjeshtre të gatimit dhe përgatitjeve të zahireve të dimrit. Vjeshta njihet ndryshe dhe si stina e të vjelava dhe për këtë arsye këto gra përgatisin specialitete të ndryshme me perimet dhe frutat e stinës.

Filloi viti i ri shkollor

Të hënën e 12 shtatorit startoi viti i ri shkollor 2017-2018. Një ditë mjaftë e veçantë për të gjithë nxënësit e shkollave fillore, 9-vjeçare apo të gjimnazeve, të cilët i dhanë një ngjyrim tjetër qytetit dhe fshatrave. Drejtoria Arsimore Rajonale Dibër në bashkëpunim dhe me aktorë të ndryshëm, bënë që kjo ditë të jetë sa më e veçantë për çdo nxënës që ulet në bankat e shkollës. Organizata të ndryshmë dhe Shërbimi Social Shtetëror dhuruan një numër të madh çantash dhe mjetesh shkollore për fëmijët e familjeve me pamundësi ekonomike. Një sasi e konsiderueshme mjetesh kancelarike të mundësara po nga organizatat u shpërndanë në pothajse gjithë shkollat kryesore të qytetit dhe komunave rreth saj. Drejtoria Arsimore Rajonale Dibër së bashku me Zyrat Arsimore Mat dhe Bulqizë ka nën juridiksionin e saj dhe administron në arsimin parashkollor 145 kopshte me 4238 fëmijë nën kujdesin e 247 edukatoreve. Ndërsa në arsimin 9 vjeçar 96 drejtori shkollash me 25,160 nxënës dhe 1580 mësues. Në arsimin e mesëm me kohë të plotë 24 shkolla, 8 gjimnaze, të mesme të bashkuara 14 dhe 2 shkolla tekniko-profesionale me 6603 nxënës dhe 318 mësues.

Korabi debuton në stadiumin

e tij me fitore

Ekipi i futbollit të qytetit të Peshkopisë që vitin e kaluar debutante në më të mirët e Shqipërisë është rikthyer të luajë në stadiumin e qytetit të tij, kësaj radhe si ekip i kategorisë së parë. Klubi në bashkëpunim me Bashkinë Dibër organizoi një festë mikpritje ekipit.

Ndeshja kundër ekipit të Burrelit ishte ndeshja e dytë e ekipit të Korabit për sezonin futbollistik 2017-2018. Një pjesë e parë tërësisht dominuese e ekipit tonë ku u fiksua dhe rezultati i pastër 3-0. Në minutën e 11 i riu dhe i talentuari i Korabit Armend Murrja shënoi golin e parë, më pas është Peci që dyfishoi shifrat në të 28-tën. Në minutën 28 sërish Murrja shënoi golin e dytë personal në ndeshje. Një pjesë e dytë disi e balancuar pa ndonjë rast shënimi. Të pranishëm në stadium ishin një numër i konsiderueshëm tifozësh, të cilët duket se nuk e kanë tradhëtuar ekipin e tyre më të dashur, pavarësisht kalvarit të vuajtjeve dhe rezultateve aspak pozitive që ka pasur.