Kristo Frashëri: Gollobordasit, me vullnetin e tyre kanë të drejtën të vetdeklarojnë kombësinë, por toka e Gollobordës është tokë shqiptare


Ditët e fundit, një ligj për minoritetet po diskutohet në komisionet parlamentare. Nisur nga ky fakt, disa shoqata me qendër në fshatrat e Krahinës së Gollobordës, kanë marrë nisma për shpalljen e kësaj krahine si minoritet maqedonas. Ky fakt do ngjallë shumë reagime në komunitetin vendas dhe shoqërinë shqiptare. Ndaj, edhe për informacion te lexuesit, ne po përcjellim një prononcim të prof. Kristo Frashërit 9 vite më parë, më 28 maj 2008, gjatë një ceremonia të marrjes së titullit “Qytetar nderi” i komunës së Arrasit.

“Kohët e fundit  po diskutohet  në Kuvendin e Shqipërisë  Ligji  për minoritetet në Shqipëri. Kjo është gjë e mirë. Edhe pjesëmarrja e grupeve të interesit apo minoriteteve në këtë diskutim është normale. Por jo normale dhe e rrezikëshme  për shoqërinë shqiptare është tendenca e disa grupeve ekstremiste në Gollobordën e Dibrës që përpiqen ta quajnë Gollobordën e Dibrës si minoritet, në një kohë që nuk është i tillë.

Përgjigjen e këtij pretendimi e ka dhënë historian  Hilmi Sadikaj me librin e tij “Gollobordasit e Dibrës”  botuar pas viteve 90, ku argumenton edhe arsyet e dygjuhësisë në këtë krahinë.

Përgjigjen e kësaj pyetjeje e ka dhënë  edhe historiani Kristo Frashëri që në vitin 2008, përgjigje që do ta ribotojmë edhe në numrin e sotëm.

Përgjigjen e ka dhënë populli trim i Gollobordës me luftërat e tij  kundër pushtuesve serbë dhe bullgarë.

Gjatë ceremonisë së akordimit të titullit “Qytetar Nderi” nga Komuna e Arrasit e Dibrës, në Muzeun Historik Kombëtar me datën 26 maj 2008, historiani prof. Kristo Frashëri  ju përgjigj edhe një pyetjeje    bërë  për Gollobordën.

Pyetja ishte: Gollobordasit janë minoritet  maqedonas, minoritet bullgar apo janë shqiptarë?

“Historia shkruhet dhe argumentohet me dokumenta”, – theksoi Frashëri. Sipas tij,në Gollobordë banojnë tre grupe njerëzish:

Në Gollobordën Përëndimore  ka fshatra shqipfolës, identiteti i tyre as që vihet në dyshim që janë shqiptarë.

Në Gollobordën Lindore ka fshatra dy gjuhë folës, shqip dhe bullgarisht.

Rajoni i Vjetër i Maqedonisë  ka qenë përbërë nga helenët, ilirët dhe thrakët. Pra nëqoftëse bëjmë fjalë për maqedonas etnikë, janë ilirët.

Republika Jugosllave e Maqedonisë u krijua pas vitit 1945. Pra varianti i gjuhës maqedonase dhe etnisë maqedonase bie poshtë. Fshatrat e Gollobordës lindore flasin dhe shkruajnë shqip dhe vetëm e flasin bullgarishten e vjetër, e cila për hir të së vërtetës është mbushur me fjalë shqipe. Problemi i dygjuhësisë ka ardhur si rezultat i pushtimeve bullgare. Për këtë problem ka botuar studimin e tij edhe historiani dibran nga fshati Trebisht Hilmi Sadiku. Dyndjet bullgare të shek VII dhe vecanërisht pushtimet bullgare të vitit 1916, raprezaljet dhe vrasjet masive shkaktuan terror dhe frikë në tokat shqiptare të Dibrës dhe vecanërisht në ato të Gollobordës për të pranuar edhe tutelën bullgare, pasi në këtë zonë banojnë edhe sllavë ortodoksë.

Në kuadrin e kartës së OKB, theksoi historiani Frashëri, ortodoksit e zonës së Gollobordës mbi bazën e vullnetit të tyre kanë të drejtën të vetdeklarojnë shtetësinë dhe kombësinë e tyre. Vetëm një gjë duhet patur mirë para sysh se toka e Gollobordës është tokë shqiptare dhe për mbrojtjen e saj nga pushtuesit serbë dhe bullgarë kanë dhënë jetën shumë patriotë të kësaj zone, kanë vdekur edhe gra e fëmijë.

Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve pas vitit 1913 i përbërë nga italianë, francezë e rusë që ka vazhduar për ratifikimin e tyre deri në vitin 1920 ka marrë parasysh gjuhën shqiptare dhe kërkesat e kësaj zone me gjithë kundërshtimet e rusëve dhe për këtë ka fakte e dokumente, njerëz që kanë dhënë jetën në mbrojtje të kufijve. Për këtë problem unë kam patur debate edhe me historianë bullgarë dhe maqedonas.

Të ngresh teza të tilla dhe pretendime  pa baza se në Gollobordë jetojnë qindra e mijëra bullgarë apo maqedonas, ndërkohë që Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria janë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Europian, janë teza shoviniste antishqiptare dhe njëkohësisht antieuropiane, përfundoi  përgjigjen e tij Profesor Kristo Frashëri.

Historia e Dibrës

Akademik Kristo Frashëri: “Unë e mendoj historinë e Dibrës jo si një histori pushke, luftëtarësh, siç e kanë qejf shumë malësorët e Dibrës kur flasin e tregojnë trimëritë. Unë dua bashkë me trimëritë, bashkë me gishtin – si i thonë pushkës, – kam dashur të shoqëroj dhe mendjen. Se Dibra ka pas edhe njerëz të mendimit. Ka dhe një prodhim që është prodhimi intelektual popullor, edhe prodhim intelektual që quhet refleksiv shkencor. Por Dibra në tërësinë e saj ka një pasuri të madhe aspektesh të jetës shoqërore, të jetës familjare edhe të jetës krahinore. Këtë kam dashur të përshkruaj në këtë libër, nuk e di sa ia kam arritur.”