kujtesë
Hasan Çipuri, profesori i terminologjisë ushtarake


Rruga drejt dijes ushtarake

Hasan Çipuri ka u lindur në vitin 1935 në Tomin të Dibrës, në një familje atdhetarësh të njohur, në luftërat për liri dhe pavarësi. Aty kreu shkollën 7-vjeçare “Demir Gashi” (1946-1950), skënderbegas që 13 vjeç 1950-1952, duke ndjekur studimet e mesme në shkollën ushtarake “Skënderbej”, të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1952.

Ndërsa në vitet 1952-1954 përfundoi studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, më tej përfundon në vitet 1963-1967 Fakultetin Histori-Filologji, në degën Gjuhë-letërsi. Studimet pasuniversitare në UT i kreu në periudhën 1985-1986.

Në vitin 1987 mbrojti me sukses njëherësh gradat shkencore “Kandidat i Shkencave” dhe “Doktor i Shkencave”, ndërsa në vitin 1995 mori titullin akademik “Profesor”.

Shërbeu në Forcat e Armatosura, mësoi serbokroatishten dhe u bë specialist i kësaj gjuhe. Punoi me ngulm për të zotëruar mirë edhe gjuhë të tjera të huaja, si rusishten, anglishten, italishten, frëngjishten. Me vullnet të paepur për të ecur më tej në rrugën e dijes, ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Tiranës (1967). Këtu kreu edhe studimet pasuniversitare dhe mbrojti me sukses doktoratën e shkallës së dytë (1987). Monografia e tij “Terminologjia ushtarake e gjuhës shqipe” (1993) mbetet punimi themelor në fushën e terminologjisë ushtarake.

Hasan Çipuri ka qenë për disa vjet me radhë pedagog titullar i serbishtes dhe kroatishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe ka botuar fjalorë serbisht-shqip, kroatisht-shqip e anasjelltas dhe metodën e mësimit të serbishtes dhe tekste të tjera mësimore.

Në fushën e terminologjisë ushtarake

Puna e gjerë dhe cilësore e Hasan Çipurit në fushën e terminologjisë ushtarake, të leksikografisë, të enciklopedisë, të historisë ushtarake është themelvënëse dhe e pakrahasueshme. Ai do të mbetet një shembull i madh në historinë e shkencës shqiptare. Ai mbante gradën madhore ushtarake në Forcat e Armatosura të kolonelit.

Ndër veprat kryesore të tij janë: “Terminologjia Ushtarake e Gjuhës Shqipe”, “Fjalori Ushtarak serbokroatisht-shqip”, “Fjalori ushtarak italisht-shqip”, 15 Fjalorë terminologjikë disa-gjuhësh të llojeve të forcave, armëve e shërbimeve (Tiranë 1985-1992), “Fjalori i termave ushtarake të NATO-s” (tri-gjuhësh), “Fjalori i shkurtesave dhe akronimeve të NATO-s”, “Fjalori i termave të përgjithshme ushtarake” shqip-anglisht dhe anglisht -shqip, fjalori 5 gjuhësh për fëmijë (me figura), “Fjalori serbisht-shqip” me 40.000 fjalë, Fjalor shqip-serbisht me 45.000 fjalë dhe 25.200 shprehje frazeologjike, fjalori shpjegues i termave të biografisë ushtarake (bashkautor), Fjalor 3-gjuhësh dhe shpjeguesi termave të ndërlidhjes (bashkautor dhe kryeredaktor, Tiranë, 2008, libri historik “Çlirimtarët shqiptarë nga Dibra në Zagreb” (bashkautorë, red. përgjegjës), 6 punime kriptografike, 76 buletine e manuale ushtarake, 6 tekste mësimore, 100 zëra enciklopedik për Fjalorin Enciklopedik Ushtarak, 60 zëra enciklopedik për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim II dhe 12 libra me karakter historik e ushtarak të përkthyer nga kroatishtja e serbishtja për interesat e mbrojtjes.

Gjatë viteve të hartimit të “Fjalorit enciklopedik shqiptar” në tri vëllime (2008-2009), me përkushtimin e tij në punë, me përvojën dhe dijet e tij në fushën e historisë ushtarake prof. Hasan Çipuri dha një ndihmesë themelore që historia ushtarake e popullit dhe e vendit tonë të zërë vendin e duhur e të merituar në atë fjalor.

Ka kryer edhe kurse e specializime jashtë shtetit, si seminar në Komandën e NATO në Bruksel (prill 2000), kurs për terminologjinë e Agjencinë e Standardizimit, terminologjinë Ushtarake të NATO-s, në Bruksel (qershor 2000), kurs për Terminologjinë Ushtarake të NATO, në krahun Jugor të NATO-s në Napoli, Itali (dhjetor 2003), seminar ndërkombëtar dhe provime pasuniversitare për Kroastikën, në Dubrovnik (Kroaci)-diplomë. Zotëron gjuhën ruse, kroate, serbe, angleze, italiane etj.

Anëtar i disa redaksive

dhe shoqatave

Prof. Hasan Çipuri ka qenë anëtar i Këshi-llit Shkencor të Akademisë së Mbrojtjes (1983-2000), anëtar i Redaksisë së Përgjithshme të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar-2 në Akademinë e Shkencave (1997-2010), sekretar shkencor për Fushën e Mbrojtjes, Rendit dhe Historisë Ushtarake në Qendrën e Enciklopedisë Shqiptare në Akademinë e Shkencave (1996-2010), anëtar i Shoqatës së Historianëve Ushtarakë (nga viti 1995), anëtar në Bordin Drejtues të Kërkimeve Shoqërore në Institutin Biografik Amerikan, Drejtor i Përgjithshëm Nderi për Evropën i Qendrës Biografike Ndërkombëtare në Kembrixh, punon si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, është emëruar anëtar i Bordit të Këshilltarëve të Institutit Biografik Amerikan (në Karolinën e Veriut). Ka kryer detyrën e dekanit të Fakultetit të Mësuesisë në Universitetin Privat “Mbretëresha Gjeraldinë”, në Burrel.

Vlerësuar me çmime në arenën ndërkombëtare

Prof. Dr. Hasan Çipuri ishte Drejtor i Përgjithshëm Nderi për Europën, i Qendrës Biografike Ndërkombëtare në Kembrixh, anëtar i Bordit të Këshilltarëve të Institutit Biografik Amerikan (në Karolinën e Veriut). Nga Universiteti i Kembrixhit është shpallur “Personalitet Ndërkombëtar i vitit 2000” dhe po nga ky institut i është dhënë Titull Nderi “Evropianët e shquar të shekullit XX” (2003) ndërsa Instituti Biografik Amerikan i ka akorduar “Çmimi Universal i realizimeve shkencore” (2001).

Ndërsa nga shteti shqiptar ishte vlerësuar dhe dekoruar me 8 urdhra, medalje pune e shërbimi.

Gjithmonë në memorien e Forcave të Armatosura

Prof.Dr. Hasan Çipuri në Forcat e Armatosura ka lënë një pasuri të madhe, hulumtuese e botuese, me shumë vlera për historinë e tonë, dhe ushtarake në veçanti. Ai do të ngelet gjithmonë një vlerë e shtuar për Forcat e Armatosura që i deshi fort dhe dha shumë për to, ai ishte krenaria e tyre, krenaria e historisë ushtarake shqiptare.

Prof.Dr. Hasan Çipuri gjithmonë do të jetë i pranishëm në auditoret e shkollave ushtarake dhe të Akademisë, pasi pas ai ka lënë një pasuri të madhe shkencore, por ka lënë dhe sjelljen e urtë prej një të dituri, mendjen e një shkencëtari të ushtrisë.

Ndaj dhe pjesëtarët e Forcave të Armatosura, ndjehen krenar për veprën e tij, për njohuritë dhe për punën e madhe shkencore që ai realizoi me shumë përkushtim, profesionalizëm dhe korrektësi gjatë gjithë jetës së tij të vyer.

Ndaj këto ditë atij ju dha lamtumira fizike, ndërsa vepra e tij e shkruar do të jetë, se la pas emër dhe punë të arrira që do të vlerësohen në shekuj nga brezat e rinj të Forcave të Armatosura.

Fotografia që më ngeli pa dhuruar…

Në bibliotekën e Akademisë të Forcave të Armatosura gjendet një koleksion mjaft i pasur i serisë së literaturës së shkruar në vite. Duke punuar për një studim historik për historinë ushtarake, midis të tjerave gjeta në gazetën “Luftëtari” një foto ku shkruhej: “Skënderbegasi Hasan Çipuri, ka dalë vazhdimisht shkëlqyeshëm në të gjitha mësimet, është lavdëruar dhe shpërblyer shumë herë me radhë dhe fotografia e tij është vendosur në tabelën e nderit. Për suksese në punë dhe për ndihmë që ju është dhënë shokëve, mori pjesë në Konferencën e III të të dalluarve të Ushtrisë dhe u dekorua me shenjën “ushtar i dalluar”.

Këtë foto e shkëputa nga gazeta, dhe e takoj profesorin, ku i them se gjeta një foto të tij, si dhe të prof. Shahin Leka, të cilit ia dhurova se m’u krijua mundësia, ndërsa prof. Hasanit nuk arrita t’ia dhuroja… këtë foto tashmë po e bëj publike pas më shumë se 65 vitesh.