Mbi përkatësinë etnike të Vojsava Kastriotit


Studiues e historianë sjellin fakte dhe argumentojnë se trojet etnike të shqiptarëve deri vonë kanë qenë mbi 99 mijë kilometër katrorë. Si pasojë e pazareve për të kënaqur lakmitë grabitqare të fqinjëve tanë, trojet tona u rrudhosën deri në 28 mijë km katrorë, ose 28.3% të tyre. Tendenca të tilla shfaqen edhe sot në ditët tona, sidomos në Jug të Shqipërisë çka do të thotë se lakmitë e tyre për të na grabitur edhe më shumë nuk kanë të ndalur.

Studiues e historianë të huaj nga vende shumë të zhvilluara janë shprehur e vazhdojnë të shprehen, se Shqipëria (e zvogëluar) është e ngjarjeve të mëdha në histori. Edhe në këtë fushë tendencat e mohimit, të tjetërsimit, të grabitjes, kanë qenë e vazhdojnë të jenë të etshme, sistematike e të pandërprera. Nga fqinjët tanë na kërkohet deri dhe të ndryshojmë tekstet e historisë sonë, që ata të pastrohen nga patriotizmi, atdhedashuria, që të mohohet dhe kontributi historik i martirëve të këtij kombi të rënë në mbrojtje të territoreve tona në luftë pikërisht me paraardhësit e këtyre pushtuesve. Ndonese për interesat e tyre ata janë nacionalist ekstrem, ne na rekomandojnë dhe na vënë dhe kushte për të qenë liberalë.

Për rreth dy shekuj historianë të vendeve fqinje u përpoqen që Kastriotët e famshëm, që tronditën botën me veprën historike që na lanë, t’i bënin të tyre sllav, apo grek, qe ky kontribut i jashtëzakonshëm i tyre të mos ishte i Heroit tonë e i shqiptarëve, por i sllavëve, apo i grekëve. Dalja në dritë e dokumenteve e dëshmive të bashkohësve të Skënderbeut, si të Gjon Muzakajt, Barletit, studiuesit italian Rafael Volaterano e të tjerë, shënoi fundin e këtij debati, dështimin e tyre. Ky kapitull u mbyll plotësisht nga dëshmia e vet Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, në letrën që i dërgoi princit të Tarentit Xhovani Antonio Orsini, më 31 tetor 1460, kur heroi ynë vetdeklaroi origjinën shqiptare të Kastriotëve.

Në histori sillen plot shembuj që shpjegojnë se perandorë e mbretër nga vendet e ndryshme kanë qenë të martuar me gra nga shtresat e larta të kombësive të tjera. Martesa të tilla bëheshin për qëllime politike me interesa të ndërsjelltë. Nuk kemi lexuar, as informuar nga të tjerët, të jetë debatuar mbi përkatësinë etnike të ndonjërës nga gratë e tyre, siç është debatuar mbi përkatësinë etnike të Vojsava Kastriotit, të shoqes së Gjonit, të ëmës së Skënderbeut. Në thelb të çdo orvatje të fqinjëve tanë qëndron e njëjta strategji, tendeca e mohimit të çdo vlere shqiptare, tjetërsimi, dhe më pas përvetësimi i saj prej tyre.

Kush shërbeu si bazë rreth debatit mbi përkatësinë etnike të Vojsava Kastriotit?

Së pari, autorët bashkëkohës të Skënderbeut si Gjon Muzakaj, Barleti, Volaterano e të tjerë, në shkrimet e tyre nuk u shprehën mbi përkatësinë etnike të Vojsava Kastriotit, jo se nuk e dinin, por ngaqë dihej nga të gjithë për kohën e tyre, e quajtën të panevojshme. Kjo u dha shkas studiuesve të mëvonshëm të ndaheshin në dy grupe. Disa prej tyre janë shprehur për Vojsavën si arbëre, të tjerë e paraqesin atë si sllave.

Së dyti, mendimet e disa autorëve mbi Vojsavën si sllave i përkasin kohës kur debatohej edhe për Kastriotët si sllav, pasi ende nuk kishin dalë në dritë dokumente autentike e dëshmi bashkëkohëtarësh mbi përkatësinë etnike të Kastriotëve. Për inerci, por edhe për interesa të caktuara, ata ecën në këtë linjë duke e paraqitur Vojsavën të përkatësisë etnike sllave.

Së treti, disa studiues janë mbështetur në burime jo të sakta. Të tjerë nuk janë treguar të saktë e real, për shkak të distancës së largët, mosnjohjes së terrenit, administrimit të tij, sidomos të Pollogut, që zotërohej nga i ati i Vojsavës.

Së katërti, edhe trajta sllave e emrit të saj ka ndikuar në animin e tyre mbi përkatësinë etnike sllave të Vojsavës. Por, shqiptarët në asnjë periudhë, ashtu si në ditët tona, ne përdorimin e emrave nuk janë ndikuar nga përkatësia etnike së cilës i përkasin emrat.

I pari që flet për Vojsava Kastriotin është Barleti (1508). Ai shkruan, se ajo ishte e shoqja e Gjon Kastriotit, bija e princit fisnik të Tribaleve, por nuk përcakton përkatësinë etnike të saj.

Muzakajt kishin lidhje miqësore të ndërsjelltë me Kastriotët. Gjon Muzakaj mik i familjes së Skënderbeut, bashkëkohës i tij, në “Memorada” shkruan: “Gjon Kastrioti, i ati i zotit Skënderbeg, pati për grua zonjën Vojsava Tribalda, me të cilën lindën katër fëmijë meshkuj edhe pesë fëmijë femra”. Sipas Fan S. Nolit, është Gjon Muzakaj i pari që përmend mbiemrin Tribalda të Vojsava Kastriotit. Gjon Muzakaj shkruan: “E ëma e të thënit zotit Skënderbeg, gruaja e të thënit zotit Gjon, pati emrin Vojsava Tribalda dhe vinte nga një derë e fisme”.

Lind pyetja; Pse Gjon Muzakaj nuk u shpreh mbi përkatësinë etnike të Vojsava Kastriotit? Ai ishte mik i kësaj familje, kushëri i parë i Donika Kastriotit sipas prof. dr. Kristo Frashërit. Përkatësia etnike e Vojsaves ka qenë e ditur jo vetëm prej tij, por edhe nga të tjerët bashkëkohës të Muzakës, të trashgimtarëve të tyre, rrethit miqësor e të tjerë. Është një arsye për t’u bashkuar me mendimin e disa studiuesve seriozë rreth këtij problemi, të cilët thonë se, meqenëse dihej përkatësia etnike e saj nga Muzakaj e të tjerët në kohën e tij, nuk ka qenë e nevojshme të trajtohej më tej problemi i saj, përkatësia e saj etnike.

Është momenti të ndalemi në një çështje. Historiani nga Zvicra O. Shmitt në librin e tij “Skënderbeu”, botimi i vitit 2007 rezulton të ketë shfrytëzuar shumë burime arkivore, sidomos sllave rreth Kastriotëve. Mbi përkatësinë etnike të Vojsavës ai nuk arriti të gjejë ndonjë dokument të besueshëm e bindës, por u detyrua të bazohej në një supozim të paargumentuar (përrallë), kur në fq. 37 të librit të tij shkruan: “…duhet supozuar se Vojsava do të ketë qenë e bija e Grgur Brankovicit”. Mbi bazën e këtij supozimi ai nxjerr edhe përfundimin absurd: “…princi Gjergj Brankovic, padyshim kushëri i Skënderbeut” fq. 55. Pra sipas tij Vojsava Kastrioti duhet të kishte mbiemrin (Vojsava) Brankoviç dhe jo (Vojsava) Tribalda siç shkruan Gjon Muzaka. Kush ka të drejtë Gjon Muzaka, që ka jetuar me Vojsava Kastriotin, apo ky O. Shmitti nga Zvicra, që ka lindur 6 shekuj pas tij. Ja sa qesharake përpara shkencës së historisë bëhen historianë të tillë si dhe ky Zvicerani, që falsifikon historinë për interesa të caktuara.

Në ndihmë të përkatësisë etnike të Vojsava Kastriotit na vijnë dokumente bashkëkohëtarësh të saj, që shprehen se ajo mbante të njëjtin mbiemër (Tribalda) bashkë me Vrana Kontin. Gjon Muzaka për Vrana Kontin shkruan: ”Një princ shqiptar me titullin “Markeze” di Tribalda, i cili rronte në Itali pas vdekjes së Skënderbeut, kishte gjak prej të Muzakajve”. Pra ky komandant i shquar në ushtrinë e Skënderbeut, që shkëlqeu edhe në ushtrinë e mbretit të Napolit, duk i Ferandines dhe “Markeze” i Tribaleve, që ishte gjak i pastër arbër, mbante të njëjtin mbiemër me Vojsavën, mbiemrin Tribalda. Kjo do të thotë, se ata ishin të një gjaku, arbër, kishin të njëjtën përkatësi etnike dhe që të dy vinin nga një degëzim i familjes fisnike të Muzakajve.

Zotëruesi i krahinës së Pollogut nga disa studiues na jepet i ati i Vojsava Kastriotit. Këtë dëshmojnë autorët; Anonimi në veprën: “Punët e ndritshme të zotit Gjergj Kastriotit Skënderbeu” (1539), Françesko Sansovani (1568), Lavardini (1577) e të tjerë. Këta shprehen se Vojsava ishte e bija e princit të Pollogut.

I cilës etni ka qenë princi i Pollogut, i ati i Vojsavës?

Pas vdekjes se Stefan Dushanit dhe shembjes së perandorisë së tij serbe, sipas disa burimeve historike, fisniket arbër u ngritën dhe rimorën territoret e tyre të humbura. Prof. Pëllumb Xhufi në studimin e tij ”Zotërimi i Gropave të Dibrës në shek. XIII-XIV, “na sjell një fakt interesant. Pas vdekjes së S. Dushanit zotëruesi i trevës së Dibrës përmendet zhupani i madh Andrea Gropa. ”Ky arriti të presë monedhën e tij, gjë që tregon se ai kishte mundur të ngrejë një principatë mjaftë të fuqishme”. Më tej autori shpjegon se A. Gropa i shkoi në ndihmë despotit të Beratit, vjehrrit të tij, Andrea Muzaka, për marrjen e Kosturit, i cili sundohej nga princi serb Marko Krajleviç. Me rënien e tij, Kosturi u kaloi Muzakajve, kurse Andrea Gropa u bë sundimtar dhe i Ohrit. Të njëjtin fat me atë të M. Krajleviçit patën edhe princër të tjerë serb, që sunduan në territoret shqiptare, të ardhur në pushtet gjatë sundimit të S. Dushanit.

Studiues e historianë të kësaj periudhe, ndër këta Fan S. Noli argumentojnë, se gjatë shekujve XIII-XIV fisnikët arbër sundonin deri në rrjedhën e sipërme të Vardarit, që nga Balshajt, Gropajt, Muzakët, Kastriotët e të tjerë. Brenda këtij territori përfshihej edhe Pollogu, zotërues i të cilit ishte i ati i Vojsavës. Sipas tyre princi i Pollogut duhet të ishte arbër, pasi një princ serb nuk mund të ushtronte pushtetin e tij në një territor të rrethuar nga fisnik arbër. Rreth popullimit të këtij rajoni me shqiptar, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare është shprehur: “Ështe absurde, që shqiptarët nga majat e larta të Shqipërisë të mos e kishin vërejtur një fushë aq pjellore para hundës së tyre, e serbët gjoja e paskan parë këtë fushë të begatshme, që përtej Danubit, nga Rusia e largët”.

Mbi përkatësinë etnike të princit të Pollogut na sjell një informacion më shumë interes studiuesi dibran Hilmi Sadiku. Në studimin e tij ai pohon se Andrea Engjell Flav Komneni, Vojsava Kastriotin e nxjerr nga familja e Muzakajve. Po në këtë punim të tij rreth përkatësisë etnike të Vojsavës thuhet se Kostandini, djali i Gjon Muzakës, mbështetur në gjenealogjinë që i dërgoi Andrea E. F. Komneni i bëri një shtesë kronikës së të atit (Gjonit), për t’ua lënë pasardhësve në të cilën thuhet: “Vojsava jepet e bija e Momcinit, që u bë shoqja e Gjonit, të cilëve u lindi Gjergj Kastrioti”. Kostandin Muzaka princin e Pollogut na e paraqet të kombësisë arbëre, për pasojë i kësaj etnie rezulton edhe e bija e tij Vojsava.

Aleksandër Cutolo në veprën e tij “Skënderbeu” fq. 20 botuar në Milano në 1940 shkruan: “Gjoni mori për grua princeshën Vojsava, të bijën e një kreu tjetër shqiptar të shkëlqyer, zotit të Pollogut”. Ky autor zotin e Pollogut, të atin e Vojsavës e paraqet arbër të shkëlqyer.

Fan S. Noli, në punimin e dytë mbi “Skënderbeun” 1947, duke iu referuar K. Hoph në “Croniques”fq. 308 shton: “Muzaka thotë se Vojsava ishte shqiptare nga gjaku i Muzakajve”.

Mbështetur në dëshmitë e Muzakajve rreth Vojsava Kastriotit (Tribalda), në burimet që flasin për sundimin e fisnikëve arbër në lindje deri në rrjedhën e sipërme të Vardarit përfshirë këtu edhe Pollogun, në atë që na sjellin Andrea E. F. Komnen, Fan S. Noli, A. Cutolo e të tjerë, si dhe në mungesë të ndonjë dokumenti argumentues dhe bindës të kundërt me këta, mendojmë se hidhet mjaftueshëm drite për të pranuar se Vojsava Kastrioti, e ëma e Skënderbeut, i përkiste etnisë arbëre dhe jo asaj sllave. E bëra këtë studim mbështetur në disa burime rreth kësaj çështje me dëshirën për të hedhur sado pak dritë rreth këtij problemi.

Shpreh shqetësim dhe keqardhje, kur në mediat e shkruara, ndonjë pedagog i yni, pseudoanalist të ushqyer nga kuzhina antishqiptare  rreth nesh, duke paraqitur  Vojsava Kastriotin me origjinë serbe, tradhtojnë interesat e kombit të tyre dhe insistojnë që Skënderbeun ta bëjnë dhe gjak serb për t’u faturuar atyre, jo pak nga vlerat e mëdha të historisë së heroit tonë kombëtar. Nuk është normale që intelektualë të këtij niveli, mbi bazën e konstatimeve të sipërfaqshme e të pabazuar, ose të qëllimshme sipas detyrave të dhëna, të sjellin dëshmi të tilla. Ata kanë për detyrë të mbrojnë historinë e kombit të tyre, për shkak të profesionit që ushtrojnë dhe pozicionit që kanë.