Mbyllet tenderi për Rrugën e Arbrit. “Gjoka Konstruksion” drejt firmosjes së kontratës
Oferta: 33,6 miliardë lekë


Paraqiten tri kompani; njëra rezulton fiktive, tjetra nuk paraqet ofertë financiare, ndërsa “Gjoka Konstruksion” formalisht me letra në rregull. Komisioni i ofertave po shqyrton dokumentacionin, 60 ditë afat për të dhënë vendimin.

Kompania “Gjoka Konstruksion” drejt finalizimit të kontratës për ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Pas hapjes së dokumentacionit të tenderit më 2 tetor në mjediset e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, rezultoi se kompania e vetme që ka plotësuar dokumentacionin dhe ka dhënë një ofertë financiare është “Gjoka Konstruksion”.

Në njoftimin e publikuar nga Ministria thuhet se “Komisioni i dhënies me koncesion të procedurës me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”, nga shqyrtimi i sistemit elektronik rezultoi se kishin shprehur interes tre operatorë ekonomikë. Dy nga këto kompani kishin mangësi në dokumentacion, ndërsa “Gjoka Konstuksion” sh.a kishte paraqitur gjithë dokumentacionin e kërkuar.

“Operatori ekonomik “Adem Pojani”, nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se kishte paraqitur disa dokumente, të cilat nuk rezultojnë të mjaftueshme për t’u konsideruar ofertë zyrtare”, thuhej në njoftimin e Ministrisë. Gjithashtu, edhe “operatori ekonomik shoqëria “Alb-Star” sh.p.k., nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se kishte paraqitur disa dokumente, por nuk u konstatuan të dhënat e ofertës financiare”. Ndërsa “operatori ekonomik shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a; nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se kishte paraqitur dokumentacionin teknik, financiar dhe ligjor si dhe kishte paraqitur Propozim Financiar. Nga shqyrtimi paraprak i Propozimit Financiar rezultoi se operatori ekonomik shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a kishte propozuar si vlerë projekti shumën prej 33,6 miliardë lekë.”

Njoftimi i Ministrisë nuk jep hollësi të mëtejshme, por thekson se për dhënien e një vendimi përfundimtar  “në përputhje me përcaktimet ligjore, brenda afatit ligjor 60 ditor, komisioni do të kryejë shqyrtimin e plotë dhe të detajuar të ofertave të paraqitura dhe do të dalë me vendimmarrjen përkatëse”.

Kush janë operatorët

e përfshirë në tender?

Nga tre operatorët ekonomikë që janë paraqitur në tender, duket se vetëm “Gjoka Konstruksion” është e interesuar për procesin, pasi dy kompanitë e tjera, njëra nuk ka lidhje me fare me infrastrukturën rrugore, ndërsa tjetra nuk ka paraqitur një ofertë financiare.

“Adem Pojani”, sipas ekstraktit historik të QKR, është një biznes që merret me “Servis automjetesh”. Që prej shtatorit të vitit 2016 pajisjet e tij janë vendosur në “sekuestro konservative”, pasi nuk ka shlyer detyrimet ndaj OSHEE. Ndërsa aktualisht nuk ka asnjë licencë aktive.

Për shoqërinë tjetër “Alb-Star” nuk dalin të dhëna nga regjistri tregtar i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, por nga faqja e saj në internet, mësojmë se është një kompani që operon në fushën e infrastrukturës, inxhinierisë dhe ndërtimeve civile. Është themeluar në vitin 1995 në Fier, ku vazhdon të ushtrojë veprimtarinë kryesore. Kompania është e specializuar në fushën e projektimit të punimeve civile dhe industriale dhe ka një veprimtari të gjerë në të gjithë vendin, si dhe është e pranishme edhe në rajon. Ajo ka bashkëpunuar me disa financues të huaj dhe shtetërorë, si Banka Botërore, Grupi bankar gjerman Kfw, Programi Phare, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Qeveria Holandeze, Delegacionit Evropian, qeveria shqiptare etj., në ndërtime ujësjellësash, kanalizime, rrugë  etj.

“Gjoka Konstruksion”, pas dështimit të negociatave me kompaninë kineze, e cila kishte shfaqur interes për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, dha një ofertë të pakërkuar në prill të këtij viti. Qeveria shqiptare i dha 10 pikë bonus, duke e favorizuar kompaninë, e cila, duke u mbështetur edhe në projektin e investimeve të qeverisë shqiptare “1 miliardë për rindërtim”, duket se është e favorizuar për të nisur punimet.

Sipas faqes në ëeb të kompanisë, ajo është krijuar në vitin 1994 nga Rrok Gjoka, i cili është pronari i vetëm dhe përfaqësuesi ligjor i kompanisë.

“Gjoka Konstruksion” sh.a. e konsideron veten si një ndër kompanitë që ka vendosur standarde në fushën e ndërtimit në Shqipëri. Sot është një ndër kompanitë më të mëdha në vend. Ata kanë ndërtuar rrugë, autostrada, ura, tunele, hidrocentrale, infrastrukturë ujore, ndërtesa banimi etj.

Kompania ka realizuar disa investime publike në Dibër si rrugën Shulbatër-Gurrë, disa segmente të Rrugës së Arbrit, ujësjellësin e fshatrave të Melanit, si dhe disa rrugë të tjera kombëtare si në Sarandë, Fier, Tiranë etj.  Është një ndër kompanitë që po realizo investimet në Ujësjellësin e Tiranës, si dhe ka një bashkëpunim edhe me projektin TAP.

* * *

Ky tender është i pari që parashikon ndërtimin e gjithë segmentit të mbetur të Rrugës së Arbrit si dhe dy akseve lidhëse me Peshkopinë dhe Klosin. Sipas dokumentacionit të paraqitur në tender nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, kompania fituese do të rishohë një plan tërësor të rrugës, duke rritur parametrat e rrugës dhe sigurinë e saj. Kompanisë do t’i lejohet të marrë nënkontraktor për realizimin e punimeve, por kjo gjithmonë do të kryhet me miratimin e qeverisë.

Megjithëse në terma bëhet fjalë për një koncesion, qeveria shqiptare akoma nuk ka vendosur nëse rruga do të jetë me pagesë apo ndërtimin e saj do ta përballojë nga buxheti i shtetit.

Sipas dokumentacionit të tenderit, periudha e koncesionit parashikohet të jetë 13 vjet, duke filluar nga nënshkrimi i kontratës.

Të dhëna mbi projektin.

Autoriteti Kontraktues ka përfunduar analizat e mëposhtme, raportet e të cilave janë vënë në dispozicion për Ofertuesit e Mundshëm në Faqen Virtuale të të Dhënave:

Rruga e Arbrit është: (i) përfunduar plotësisht në 20.12 km, (ii) përfunduar pjesërisht në 15.175 km, si dhe (iii) ka një projekt ekzistues edhe për 26.372 km. Në total janë 61.667 km të projektuar për gjurmën kryesore me standardin C3, nga të cilët 26.372 km nuk janë prekur me punime ndërtimi. Sipas Studimit te fizibilitetit te hartuar rreth vitit 2005 e gjithë gjurma Tiranë-Bllatë sipas këtij varianti pritet të jetë afërsisht rreth 73.5 km e gjatë, çka do të thotë që afërsisht ne total 11.8 km rrugë janë ende të pa projektuar ( gjatësi ne skajin e lidhjen me Tiranën dhe gjatësi në skajin e lidhjes me Blladën – pika kufitare).

Në këto kushte Projekt Ideja për “Përmirësim, Ndërtim, Operim, dhe Mirëmbajte e Rrugës se Arbrit” për kompletimin e të gjithë gjurmës së Rrugës së Arbërit qe përfshin: projektet e segmenteve të pa projektuar( skajet lidhëse) , përmirësimin e projekteve të segmenteve ku punimet janë ende të papërfunduar me synimin e përmirësimit të tyre nga standardi C3 te standardit te vitit 2001 në atë C2 sipas standardit te vitit 2015, përmirësimin e projekteve të zbatimit për segmentet ku ka projekt zbatim por qe nuk është ndërtuar duke përmirësuar standardin C3 te rrugës sipas standardit te vitit 2001 në atë C2 sipas standardit te vitit 2015 dhe mirëmbajtjen e segmenteve te ndërtuara.

Ne projekt ide, të nxitur nga rëndësia që ka segmenti Zall Bastar-Dalja e Urës së Vashës, që është sa 1/3 e të tërë Rrugës së Arbrit është studiuar dhe projektuar sipas standardit C2 te vitit 2015 ku është projektuar edhe lidhja e Rrugës së Arbrit me Klosin. Ne projekt ide është marr ne konsideratë distance kohore më e shkurtër, siguria e kërkuar në tunele, pasi parashikon edhe një tub emergjence, krahas atij kryesor dhe aksesi me i shpejt i rrugës nga banoret e Matit përmes lidhjes me Klosin. Kështu, në Projekt Ide, Rruga e Arbrit nga Tirana deri në Bllatë skematikisht në mënyrë të njëpasnjëshme është e ndarë në 8 segmente si më poshtë:

Segmenti 1, fillon në dalje të Tiranës, aty ku mbaron rruge ekzistuese, dhe përfundon tek Ura e Brarit, aty ku kane filluar punimet për ndërtimin e rrugës. Gjatësia e tij është 1.153 km.

Segmenti 2 : Ura e Brarit – Zall Bastar, me L=5.46 km.

Segmenti 3: Zall Bastar – Dalja e Urës së Vashës, sipas projekt idesë eshte me gjatësi L=23.188 km.

Segmenti 4: Dalja e Urës së Vashës – Bulqizë, me gjatësi L=9.715 km.

Segmenti 5: Bulqizë-Ura e Çerenecit, me L=20.12 km, i përfunduar në v. 2009 dhe 2011.Nuk është pjese e Projekt Idesë.

Segmenti 6: sipas studim-projektim qe lidh Urën e Çerenecit me rrugën Maqellarë-Pika kufitare Bllatë. Gjatësia e tij është L=9.111 km.

Segmenti D (7): Për të plotësuar nevojat e trafikut të ardhshëm, rruga ekzistuese Maqellarë-Pika kufitare Bllatë duhet të rikonstruktohet në standardin e një rruge urbane për shpërndarjen e të tërë trafikut të Rrugës së Arbrit në Drejtim të Peshkopisë (Maqellarë) dhe Maqedonisë (Pika kufitare Bllatë).

Segmenti K (8) është degëzimi Dalje Ura e Vashës – Klos (Segmenti K) me L= 3.092 km.

Projektet e segmenteve 1 deri 6 (pervec segmentit 5-qe nuk është pjese e Projekt Idesë) janë hartuar sipas Standardin C2 të Manualit për Projektimin e Rrugëve Shqiptare – MPRrSh 2 – Projektimi Gjeometrik (viti 2015). Ky standard kënaq kërkesat që burojnë nga Studimi i Fizibilitetit për Rrugën e Arbëri. Ky standard, kërkesat evropiane të sigurisë për rrugët automobilistike dhe elementëve përbërës të tyre.

Segmenti D është projektuar për të plotësuar nevojat e kalimtarëve, trafikut urban dhe ato në interes të Rrugës së Arbrit. I vetmi Segment i projektuar në standardin C3 është ai i degëzimit për në Klos (Seg. K), kjo në përputhje me volumit e trafikut në atë rrugë.