Për fe apo për atdhe thuri lavdi Skënderbeu?


Shkruan shumë gazeta, më tepër se për çdo problem tjetër, edhe se për problemet e jetesës. U fol në tërë televizionet, u bë bujë e madhe se myslimanët paskan vendosur një perde para tyre për të shkëputur shikimin nga përmendorja e Skënderbeut. Kujtesa ime fluturoi larg, shumë larg në kohë. Ishte mars i vitit 1953. Isha në shkollë. Aty ku sot ngrihet krenar monumenti i Skënderbeut, qëndronte mbi këmbë guri monumenti i J. V. Stalinit. Ai vdiq e la pas kujtimin e miliona rusëve të vrarë e të persekutuar egërsisht.

Tërë populli i Tiranës mbushi sheshin para monumentit. Kish aq shumë njerëz: burra, gra, nxënës shkollash e të rinj. Të tërë ishin të zymtë; kishin zi. Para mijëra njerëzve, ballë për ballë me Stalinin bronz, ishte vendosur byroja politike me Enver Hoxhën në krye. Edhe ata pasqyronin vuajtjen e madhe të shpirtit të tyre për shpirtin e Stalinit “të madh”. Të tërë e kishin përqendruar shikimin te Stalini. Askush nuk fliste. Ishin mbledhur për t’u betuar. Vunë ballin në tokë dhe u betuan para trupit akull të Stalinit se do të ruanin përgjithmonë në zemër bëmat e tij. Do të bënin si ai duke ndjekur atë rrugë në tërë jetën e tyre.

Zotni shkrues i artikullit për përmendoren e Skënderbeut, a thua ishte aty shpirti i Stalinit, a e dëgjoi ai betimin, e nëse e ka dëgjuar, me siguri është kënaqur?! Në rreshtat e parë të turmës ishte edhe udhëheqja e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Vetëm këta dhe një pjesë e nxënësve të medresesë nuk e vunë ballin në tokë, e pësuan. H. Musa Basha, ish kryetar i Komunitetit Mysliman u pushua nga puna edhe pse shtëpia e tij kish qenë strehë partizanësh dhe e Enver Hoxhës.

Ne, myslimanët, e kemi ligj të padiskutuar: nuk u falemi as njerëzve, as skulpturave e pikturave. Besojmë një Zot, atë që krijoi qiell e tokë, njeriun dhe gjithçka në hapësira e në thellësi të tyre. Kjo është arsyeja që ndahemi gjatë faljes nga këto objekte me një perde si ajo që kanë vendosur ditën e Bajramit para monumentit të Skënderbeut. Kështu veprohet vetëm gjatë faljes.

Mungesa e njohurive nuk duhet të bëhet shkak për të shfryrë mllefin për fenë islame. Sheshi Skënderbej është i të gjithëve, sepse edhe ne, myslimanët, që përbëjmë mbi 70% të popullsisë shqiptare kemi kontribuar për të. A thua e prisni një ditë që myslimanët të mos kalojnë në këtë shesh?! Gabimi i të shkolluarit është i rëndë e nuk rregullohet lehtë.

A luftoi Skënderbeu për fe e, nëse po, për kë? A e shfaqi Skënderbeu ndonjëherë besimin e tij fetar? – Kurrë jo. Nëse thonë po, gënjejnë e historia nuk thuret me gënjeshtra. Skënderbeu u mor peng nga osmanët kur ishte në moshë të re. U arsimua në medresetë e Perandorisë. Njihte disa gjuhë. Ndërroi me dëshirë fenë dhe u bë synet. Sipas fesë islame nuk ka detyrim për të pranuar e as për të ndërruar fenë (Kur’an, 2: 256). Skënderbeu ishte shumë i zgjuar, trim, besnik, besnik i sulltanit e ky i fundit për merita i dha gradën “Bej”. Gjergji u emërua Iskender, pra Skënderbej. Kështu u thirr tërë jetës. Kështu thirret edhe tani, 450 vjet pas ndërrimit jetë. Ai kurrë nuk kërkoi e as nuk pranoi të thirrej Gjergj, pra ruajti emrin mysliman Skënderbej. Me këtë emër mysliman bashkoi shqiptarët pa dallim feje. Lidhjen e Lezhës me këtë emër e bashkoi, fitoi betejën e parë në Torvioll të Dibrës kundër turqve myslimanë; me këtë emër fitoi 24 beteja të mëdha kundër turqve të komanduar nga dy sulltanët më me emër të perandorisë. Pas vdekjes, por edhe sot me këtë emër myslimani ne bashkohemi për interesat e kombit e të vendit tonë. Skënderbeu me këtë emër i kërkoi ndihmë Papës e ky i dha vetëm disa batanije. Me këtë emër ai ndihmoi të krishterët e Napolit kundër të krishterëve të Romës. Me këtë emër ai shpëtoi Evropën. Më këtë emër myslimani Skënderbeu dërrmoi në të njëjtën kohë edhe ushtrinë krishtere të Venedikut, me këtë emër luftoi kundër dredhive serbe, sllave e greke. A nuk donin të krishterët e Venedikut të na merrnin Shkodrën, Durrësin etj.? A nuk qenë të krishterët venedikas që helmuan Skënderbeun?

Për kë luftoi Skënderbeu?

Skënderbeun e thirrën shqiptarët të kthehej në atdhe për t’u vënë në udhëheqje, se vendi ynë i pushtuar kërcënohej nga perandoria osmane, por edhe nga venedikasit e krishterë, nga sllavët dhe grekët. Frontin e Evropës kundër rrezikut osman e udhëhiqte J. Huniadi. Skënderbeu nuk u bashkua me Huniadin se nuk ishte qëllimi i tij krishterimi. Ai erdhi në vendin e Kastriotëve, në Dibër, e pasi mori bekimin e tij, mori edhe dibranë me vete dhe shkoi në Krujë ku ngriti flamurin shqiptar, flamurin e lirisë e të pavarësisë. Është e vërtetë që fronti shqiptar ndaloi ushtrinë e Perandorisë më të fuqishme të kohës të përparonte në Evropë. Feja islame sot, pa luftë, po përhapet me shpejtësi në Evropë. E po të mos ishin gabimet e myslimanëve të paformuar, numri i tyre do të ishte shumëfishuar në Evropë dhe në botë.

A luftoi Skënderbeu kundër fesë? Kundër cilës fe luftoi? Mllefi dhe injoranca nxisin të deklarosh apo të pranosh se Skënderbeu luftoi fenë islame, luftoi kundër myslimanëve. Jo. Ai luftoi kundër pushtuesve të atdheut, luftoi kundër tradhtarëve, duke përfshirë edhe nipin e tij, djalin e vëllait, Hamzain.

Lexoni me kujdes Kur’anin e do të bindeni se ai të bën atdhetar, trim, të besës, të dashurisë për njeriun. Në suren “Huxhurat”, ajeti 13, thuhet: “O njerëz, (Ne) ju krijuam prej një mashkulli dhe një femër, ju bëmë popuj (kombe) e fise që të njiheni ndërmjet jush. Tek Allahu më i miri prej jush është më i devotshmi”. Më tej – ndër argumentet më të forta është se secili komb ka gjuhën e tij. Ky urdhër hyjnor secilit popull i siguron liri, pavarësi, pronësi dhe të drejtën për të mbrojtur vendin e tij, për ta zhvilluar popullin e tij. Skënderbeu e njohu mirë Kur’anin, prandaj e kreu më së miri këtë detyrë. Nëse mësimet e Kur’anit do të praktikoheshin, nuk do të kishte pushtime e robëri. Skënderbeun e bënë hero kombëtar. Kush? 70% e popullsisë shqiptare është e fesë islame. Të tjerët së bashku janë 20%. Myslimanët e duan Skënderbeun, gjatë tërë jetës janë udhëhequr nga vepra dhe emri i Skënderbeut. Lidhja e Prizrenit u stimulua e mori forcë nga bëmat e Skënderbeut. Ajo u drejtua nga dibrani Iljaz Pashë Qoku, Haxhi Zeka i Kosovës, Abdul Frashëri i jugut… Qindra e mijëra të tjerë, që kishin mësuar në medresetë islame, u bënë pjesë e Lidhjes së Prizrenit, i dhanë drejtim e forcë luftës për pavarësi. A nuk ishin myslimanët: Ismail Qemali, Haxhi Vehbi Dibra, të krishterët Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kaçorri, drejtues të luftës për pavarësi?! Ishin mijëra myslimanë e të krishterë që luftuan pushtuesit: turq, italianë, grekë, serbë, francezë, austriakë, gjermanë etj., e së bashku i dhanë lirinë dhe pavarësinë popullit tonë. Mos more Agron Gjikmarkaj, mos e nëpërkëmb shkollën që ke bërë, mos nxit shqiptarët kundër shqiptarëve. Populli ynë i paepur luftoi gati dy mijë vjet e nuk u zhduk, as nuk u dorëzua. Gati 1500 vjet i pushtuar nga të krishterët evropianë dhe afërsisht 500 vjet i nënshtruar nga turqit myslimanë dhe formojnë një raport 3 me 1. Sot jetojmë në kushte të tjera, prandaj duhet të krijojmë baza të reja për të qenë më të bashkuar, se kështu do të jetojmë pa mbarim. Fetë nuk kanë vendlindje tokën, prandaj nuk kanë as atdhe. Atdheu i fesë është zemra e njeriut.

Po prekim një problem tjetër serioz. Ju shkruani në gazetën “Panorama” 2 shtator 2017: “Ata mund t’i mbulojnë gratë e tyre, por jo gratë tona”. Zotni, nuk i ndalon askush gratë tuaja të marrin pjesë edhe në konkursin brazilian për të fituar disa dollarë; gjithashtu mund t’i dërgoni edhe në azilin e Parisit, i cili do të ngrihet shumë shpejt për të jetuar atje “nudo”. Askush nuk ju ndalon. Gratë tona do të vishen, nuk do të jenë pre e punëkeqit, do të vendosin edhe shami, e cila është edhe pjesë e kostumit tonë kombëtar që nga koha e pellazgëve, e ilirëve, e arbëreshëve dhe sot e shqiptarëve.

Pse kërkohet kaq shumë Skënderbeu nga gazetarë, politikanë e qeveritarë të paformuar apo nga të krishterët? Në vitet e krizës qeveritare 1997-2000 në Shqipëri erdhën nga Evropa qindra misionarë të krishterë për t’i bërë thirrje popullit tonë: “Kthehuni në fenë e të parëve tuaj, në fenë e Skënderbeut”. Ndër më aktivët ishte italiani Mark Klark, misionar i Jehovait, i cili nuk përtonte të takonte qindra myslimanë në ditë e t’u thoshte se Skënderbeu ka qenë i krishterë, prandaj edhe ju duhet të mbani fenë e tij. A ishte Skënderbeu i krishterë? Kur e morën Skënderbeun në Turqi ishte i ri. Atë e dërguan në shkollë, pranoi fenë islame, ndërroi emrin nga Gjergj në Skënder dhe u bë synet. Thonë se edhe Gjoni, i ati, e pat pranuar fenë islame. Skënderbeu kurrë, gjatë jetës së tij, nuk iu kthye emrit Gjergj. Me emrin mysliman u bë i famshëm, me këtë emër u kthye në Shqipëri, me këtë emër iu drejtua Papës, me këtë emër dërrmoi pushtuesit e tij, myslimanët turq, me këtë emër e me shpatën e tij luftoi kundër pushtuesve të krishterë venedikas, me këtë emër lindi edhe fëmijë. Skënderbeu futi në kanunin e tij ligje islame. Për gjakmarrje kufizoi vrasjen masive me dënimin vetëm të personit që vret dhe pajtim, siç e thekson Kur’ani.

Në Kur’an ndalohet lufta. Ajo lejohet vetëm kur ta imponon kundërshtari. Lufta fetare është më e tmerrshmja, më e tmerrshme se luftërat botërore, sepse arrin deri në familje e çon në zhdukjen e saj, në zhdukjen e njerëzimit. Nuk duhet nxitur kjo luftë, nuk i duhet fryrë këtij zjarri që fillon nga një gazetar i papërgjegjshëm e përhapet në tërë botën pa përjashtim. Mos e trazoni Skënderbeun. Ai e kreu më së miri detyrën e tij dhe ne myslimanët e kemi hero kombëtar, e kemi simbol të bashkimit pa dallim besimi, e kemi simbol atdhedashurie, simbol trimërie, vendosmërie, bese, simbol lirie e pavarësie.

* Ish Myfti i Dibrës