Përse ma dogje pyllin, të vraftë Zoti?


U largova i pezmatuar nga fshati midis ujërave, kodrave majëmprehta e të rrumbullakta, luginave të shtruara e lëndinave të shumta. Njerëzit ishin zgavëruar nga pesimizmi, dukeshin nga fytyra, por edhe nga bisedat. Dritat e shpresës ishin shuar si vetëtima në të mijtën e sekondës edhe pse bubullimat të zgjonin edhe nga një gjumë i thellë. Por unë lashë prapa kodra, shpate, qafa, lugina të gjelbërta nga dushkajat të harlisura. Kurorat e larta, trupin e drejtë me rrënjët e tyre të e shumta ngulur thellë në tokën e trashë, i rezistonin vapës përvëluese të kësaj vere të pazakont për mrekulli. Ndaj në shpirtin tim u mboll pema e besimit dhe e mirënjohës e njerëzve të fshatit të lindjes që punonin e gëlonin të kalonin ditët muajt e vitet përmes dhimbjes së papunësisë e varfërisë, sëmundje që po vazhdon me kohë tejet të gjatë.

Por ja, ndjellakeqit nuk i shpëtuan masivet prej bunge, shpardhi, qarri, frashëri, dëllinje etj. Ato u thanë, u vyshkën, u përzhitën, morën ngjyrën e mykut të bukës nga gjuhët e zjarrta të flakëve të pabesisë. Po kush ishte ajo dorë e zezë, ajo ndërgjegje e shfytyruar? Njeriu që u shit për para! Ndoshta! Apo nga ato që morali u ishte shëndruar në mace të zezë! Pse jo ishte ndonjëri që në sofrën e drunjtë nuk kishte as bukë për fëmijë! Bari nuk ishte, sepse këndej nuk rekton as edhe një këmbë dhie apo deleje! Mundet të ketë qenë një i ri, mesoburrë, ku një ziliqar partie e ndërsej për  hakmarrje, për të mbjellë panik nëpërmjet tokës së djegur. Hamendjet bredhin në hapësirën e mendimeve si yjet e shuar nga retë e zeza sterrë që përgatitin shtërngata shkatërrimtare shiu e furtune.

Nuk thotë kot populli: “Mali ka veshë, fusha ka sy…” Vërtet kështu ndodhi një orë para dreke, kur banorët e pakët të Fushë Muhurrit lajmëruan me za të dridhur e telefonat e xhepit se në faqen lindore të malit të Mollës mbi Duksën e Vogël kishte filluar një zjarr në pyjet e dushqeve. Ishte e enjte, njëzetë e katër gusht të vitit dymijë e shtatëmbëdhjetë. Tymi dhe flaka filluan aty ku kalon rruga këmbësore që fillon në Fushë Muhurr, kalon përfund Kodrës së Balle, pastaj përshkon mes për mes zabelet e Hoxhe, Duksën e Vogël, burimin e ujit në mes dy Duksave e lënë sipër saj, pastaj kalon Rrafshën e Merke, ku lidhet me Qafën e Shëne Premtes. Aty ku historia fsheh ende nën qyrkun e saj të zi, banorët e këtyre dy emrave me domethënie të madhe. Pra, të Dukës si njeri i pasur, me mend dhe me banorët e shumtë përreth, në këto pyje madhështorë, të dendur e trup lartë të dushqeve ndoshta qindra e qindra vjet më parë.

Ndërsa zjarri i filluar në tre vatra përgjatë kësaj udhe po pushtonte me shpejtësi murrani e gjuhëza flakësh tmerrndjellëse, pyjet e dushqeve drejt tre majave të Mollës, të Shqutit e të Rame në kujtesën dhe historinë e këtij fshati të shkruar në libra apo të transmetuara ndër brezni, mbinë si pishtar heroizmi i fshatarëve, e cila përbën një akuzë të rëndë për të kaluarën jo dhe aq të largët dhe të sotmen shkatërrimtare të natyrës me mori të pafund ngjarjesh, përleshjesh, dyluftimesh për të mbrojtur pasuritë e gjelbërta të këtyre pyjeve.

Rreth viteve 1800, pikërisht këtu pranë zjarrit përvëlues, ndodhen mbetjet arkeologjike dhe toponimet si dëshmitare të pakundërshtueshme ku jetonin me shtëpia përdhese fiset Mikli e Rama në Kudhane, Kurti Preçi Balla në Degjane, ndërsa Hoxha e Lala në Kullane. Pikërisht është faqja lindore e këtij mali, nga ku kufizohen me Prroin e Sul Muliut e deri tek Prroi i Gjonit ishin tokat e tyre bujqësore, vreshtat dhe pyjet ku jetonin në harmoni me pronësit dhe prodhimet e tokës së tyre, ndërmjet fiseve dhe familjeve.

Në këtë periudhë krahina e Muhurrit sundohej nga beu i Karasanit të Brezhdanit, të cilët ishin të lirë të bënin drutë e zjarrit për gatim, ngrohje për dimrat e ashpër, në pyjet e këtyre familjeve e fiseve, pasi banorët të kishin prerë gjeth dushku si ushqim dimërore për blegtorinë. Por vuajtjet e tejzgjatura e me plot dhimbje, trajtimi i keq me gjithçka sa mundte Karasani, shtoi urrejtjen që rritesh si ortek dita-ditës, vit pas viti, duke i shtyrë që ta hiqnin qafe zgjedhën mallkuese e drobitëse. Një ditë prej ditësh iu zunë prit hyzmeqarëve në pronat e tyre ku ato erdhën për të pre dru zjarri, fisi Hoxha dhe Lala. Atëherë kur zgjidhja paqësore dhe  marrëveshja me biseda e problemeve nuk dhanë rezultat, krisi pushka me shkëmbim zjarrit në mes dy palëve. Në luftime e sipër trimi Elmaz Lala vrau të 13 hysmeqarët e beut. Lisat në trungje e kurora u lanë me gjak dhe plumbat mbetën disa në drurët dhe degët e pyjeve të dushqeve. U deshën vite e vite të mbylleshin plagët e hakmarrjes.

E ndërsa sot në këto ditë gushti zjarri po zhduk gjithçka me drurët dy deri në tre metra, me shkurre, kafshët e shumta e insektet që ikin të lemerisura ose shkrumbohen bashkë me dushqet e njoma e të thata, me humusin etj. Zjarri, pasi pushtoi majat, kaloi në faqet perëndimore dhe jugore, duke përfshirë faqen mbi Kodrën e Balle, Rrafshën e Madhe dhe të Vogël, shpatet mbi Manin e Mustafës dhe Lisin e Aliut, vazhdoi mbi Arën e re, duke kaluar atë të Menës. Në këto anë u ndalua vazhdimi i djegjes nga një aeroplan i mbrojtjes civile, që e fiku me ujin e marrë nga Drini, që pikërisht këtë pasdite kishte shtuar fatmirësisht shumë. Njerëzit vetëm mallkonin, punonin në arat, kopshtet e tyre ose pinin kafe në klubet që nuk janë të pakta. Çuditërisht, fatkeqësisht, askush nuk mori kazmën, lopatën apo sopatën për të hapur kanale apo hapur  korridore që të ndalohej vazhdimi i këtij shkatërrimi barbar të kurorës së gjelbërt të lagjes Hoxhe, Prençe, Kurte dhe Mëzeze dhe gjithë fshatit Fushe Muhurr.

Por gjatë natës zjarri u riaktivizua, ndoshta nga djegja nëntokësore e humusit dhe legushës, ose zjarrvënësi kriminel dhe armik i betuar i pyllit dhe i fshatarëve ia vuri zjarrin përsëri. Kështu që ai vazhdoi me plot energji, forcë e vrullpushtues, shkatërrues, zhdukës, shëmtues i peizazheve, duke u përhapur ditën e dytë edhe në qindra e qindra hektarë të tjerë pyjesh, si shpateve të stërmëdha të përroit të Derrit, kurrizit të Kuajve, gjithmonë zjarri vazhdonte triumfator mbi rrugën e re automobilistike, ndërtuar aty rreth mesit të viteve shtatëdhjetë të shekullit që kaloi. E kapërceu përroin e Gurit të Kuq, shpatet e arës së Seferit, ose Gjetanet mbi Gurin e Zi dhe kaloi te kufiri tokësor e pyjor me fisin Cane. Kështu që gjuhët e flakëve kaluan mbi ish Minierën e Mermerit buzë rrafshës së Merke, ku u ndërprenë aty, sepse pyjet e dikurshme janë shkulur deri me cungje për të hapur toka buke në vitet ’80  të shekullit që perëndoi, pra, shkretëtira e ndaloi marshimin përbindësh, zjarrshkatërrues.

E gjithë kjo hapësirë pyjesh prej afërsisht treqind e pesëdhjetë hektarësh, e bërë kurban e shkretuar ditën e dytë që përbëhej nga masive dushkajash cungishte mbi  tridhjetëvjeçare, me lartësi mbi dy metra e gjysmë, me relieve të buta, por me shumë kodra, lugina, shpate, dikur peizazhe mahnitëse që të ndillnin veçse kënaqësi, sot krejtësisht të kthyera në hi të zi dhe panorama rrënqethëse. Më shume se një shekull nuk mbahet mend apo të jetë shkruar mbi ndonjë zjarr në këto pyje, qoftë pyje private apo shtetërore.

Këto pyje janë të fiseve Mëziu e Krrashi, të përcaktuar qartësisht me kufij prej gurësh të zgjedhur. Këto të ndara sikur të ishin inxhinierë ose teknikë mbarështues të vendosura në kurrize, maje kodërzash, përrenj e prroskash, pra, të dallueshme, të dukshme, të pazhdukshme, sepse janë kufij natyrorë. E megjithatë, secili prej këtyre ndarjeve është i shoqëruar me kufij prej një guri të madh në formë shpatulle i ngulur thellë, me drejtimin e pjesës së mprehtë nga vazhdon kufiri dhe dy  gurë anash  që i mbështeten në dy anët gurit kufi.  Sigurisht këto nuk janë djegur, ato e kryen në shekuj dhe do ta kryejnë funksionin e tyre ndarës të pronave mbi sipërfaqet pyjore. Por ato nuk e mbrojtën atë nga zjarrvënësi zullumqar e gjakhumbur. Sepse shteti komunist dhe aspak, ai njëzetë e shtatë vjeçar i vetëquajtur demokratik, nuk e njeh me ligje pronën private mbi pyjet. E prandaj masive të tëra u shkrumbëzuan e nuk u shfrytëzuan për të mirën e pronarëve, pra, popullsisë fshatare përqark.

Por si kanë mbetur të ngulitur në mendjen e fshatarëve dhe të kohërave këto kufij? Janë linja, virtuale, idesh, përfytyrimesh, hamendjesh apo reale, të prekshme, të materializuara mbi sipërfaqe apo objekte prodhuese?

Për këto kufij, shenjtërinë e tyre, ndarjen me drejtësi urtërore nga vetë këshilli pleqnor ose ligjet kanunore të fshatarëve të varfër ekonomikisht, por të gjerë e të pasur shpirtërisht, tregohen histori e ngjarje nga më të dhimbshmet, gjurmëlënëse, tejet të zgjuara, por mbi të gjitha mësimdhënëse për sot dhe për nesër. Sipërfaqet me pronësi private pyjesh, secila prej tyre janë shitur për kafshatën e gojës, për t’i shpëtuar vdekjes nga uria familjarisht, për të ndërtuar shtëpi ose martuar etj. Ndërsa janë blerë me djersën, vuajtjet e pashkruara e treguara me gjakun e kurbetlinjve në Turqi, Egjipt, Siri, etj. Por janë larë edhe me gjakun e luftërave ndërmjet ngatërrestarëve, grabitqarëve të druve për shtylla, lëndë shtëpish apo sherreve të kufijve që i lëviznin  natën ose kohën kur ndonjë burrë i familjes emigronte për dhjetëvjeçar e nuk dukej këtyre anëve. Prandaj ato janë të shenjtë dhe do të mbeten të tillë për jetë të jetëve. Por mjerisht pseudodemokratët e qeveritarët nuk e njohin psikologjinë e fshatarit, nuk njohin aspak lidhjen jetësore të tyre me tokën bujqësore, pyjore, livadhore që ka qenë e mbetet, burim ushqimi jetese për ato.

Por këto ligje, ngjarje, shkëmbimi prone private me para, kufijtë tokësorë të pronave mbi pyjet nuk janë vetëm në Dibrën e Poshtme, jo kurrën e kurrës, ato njihen në pronësinë e pyjeve me gështenja të Reçit, të Shkodrës, të pyjeve me dushqeve të Skurajve – Shkopet të Lezhës e Matit, në masivet e ndryshme të pyjeve të Zagorisë në Gjirokastër, në Baldushk, Fark e Kashar të Tiranës, në Bogovë të Skraparit, në Xibrake e Poroçan të Librazhdit. Në pishnajat e Voskopojës, Korçë, etj. etj.

E ndërsa pyjet prej dushku shungullonin nga flakët e tmerrshme, të frikshme, inatçore të përbindshme, fshatarët ngritën kokën nga qielli dhe hapën dy duart të shtrira në formë lutëse dhe filluan me kor të bërtisnin me zërat e dhimbsur, por revoltues, kumbues në Grykën e Murrës e Drinit plak: Përse ma dogje pyllin, të vraftë Zoti i madh?

10.09.2017