Regjisori Bajram Torba vë në skenë “Fjala gdhend gurin”


Aktiviteti pati karakter konkurrues të fjalës artistike, me poezi të përzgjedhura nga poetë shqiptarë. Ideja dhe regjia e këtij aktiviteti ishin nga Bajram Torba, ndërsa moderimi u bë nga Eltona Lakuriqi.

Në këtë aktivitet morën pjesë 16 konkurrentë recitues: Sibora Huta, e cila ishte më e reja nga të gjithë konkurentët pjesëmarrës, e cila vinte nga Tirana, pastaj vinin: Lediona Braho, Dritan Thomorai, Artiola Hoxha, Fjola Gjonaj, Xhiliola Lamaj, Adela Hila, Elsard Ngjeci, Netida Mata, Gerta Cano,  Klea Rrapaj, Emelinda Sheti, Eglantina Babqori.

Juria, e cila ishte e përbërë nga: poetesha Lola Shehi, Fejzi Murati dhe nga aktori Franc Bregu, akordoi disa çmime.

Çmimi i parë u fitua nga Gerta Cano, e cila performoi me Monologu i Plakës Nicë. Çmimi i dytë iu akordua Enida Shehit, e cila recitoi “Lakonti” të I. Kadaresë. Ndërsa çmimi i tretë iu dha Lediona Brahos.

Në fjalën e tij të hapjes, ideatori dhe regjisori i këtij aktiviteti, Bajram Torba u shpreh: “Ky aktivitet, me grupmosha të ndryshme, të rinj e të reja, shërben për mëtej të nxisë fjalën artistike, e cila nga dita në ditë po sfumohet.”

Gjatë aktivitetit u recituan poezi të Ismail Kadaresë, të Martin Camajt, Ali Podrimjes etj.

“Me këtë trupë amatore dhe me këto shfaqje, së pari ngre emrat e poetëve të cilët kanë ngelur në hije dhe së dyti, për të përzgjedhur elementë të rinj artistikë. Vlen të theksohet se kjo shfaqje u bë pa vlera monetare”, – thotë regjisori Torba.

“Ditët e sotme nuk nuk punohet me fjalën artistike. Nga ana tjetër fjala është gjë e shtrenjtë, sepse edhe Ezopi e Homeri, me anë të fjalës bënin magji”, shton më tej ai.

Regjisori Bajram Torba shprehet se me trupën amatore teatrore “Rikthimi”, synojmë rikthimin jo të veprave të huaja me autorë të huaj, por të vetë veprave dhe dramave shqipe, me dramaturgë, shkrimtarë dhe poetë të vendit tonë.

Këto elementë janë përzgjedhë nëpër shkolla dhe nuk janë një trupë statike, sepse secili ka angazhimet e veta. Por unë kam  bërthamën 7 artistësh, ku dy prej tyre janë instrumentistë. Sigurisht që në të ardhmen synojmë ta zgjerojmë me përzgjedhje të reja

E gjitha kjo bëhet në kuadër të ndërtimit dhe të rikthimit të traditës së trupave amatore jo vetëm në Kamëz, por edhe në vende të tjera të Shqipërisë.

Alban Tufa