Rifat Asllan Vrenezi, njeriu i sakrificave


Rifat Asllan Vrenezi u lind në fshatin Staravec të Peshkopisë në një familje atdhetare të lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit të vendit ai mbaroi në Peshkopi në shkollën fillore dhe shkollën 7-vjeçare në Tiranë. Si kudo, edhe rinia e Staravecit u inkuadrua me gjithë popullin në punë për ndërtimin dhe rindërtimin e vendit në bujqësi, për pjesëmarrje në aksione dhe punë vullnetare.

Rifati u zgjodh sekretar i organizatës së rinisë dhe bashkë me shokët e organizatës shkoi vullnetar në Minierën e Kromit të Bulqizës, ku punoi 3 muaj dhe u kthye me fletë nderi dhe me stimulim sulmues.

Pas shkollës 7-vjeçare mbaroi shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Rifati pas shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” shkoi për studime në Moskë në shkollën e nivelit të lartë të aviacionit, vazhdoi akademinë ushtarake “Zhukov” të aviacionit, ku vazhdoi 3 vjet, dhe kur u prishën marrëdhëniet e shtetërore me BRSS u kthye në atdhe.  Të gjitha shkollat i ka përfunduar rme rezultate të shkëlqyera. Mbas kthimit në Shqipëri është emëruar si oficer në funksione të ndryshme në repartet e aviacionit ushtarak, në fillim në qytetin “Stalin”, më vonë sipas nevojës dhe kohës të mbarimit të shkollave si shef stërvitje me komandën e aviacionit në Rinas, si zëvendës komandant për degën mësimore në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” në Tiranë.

Rifati ka qenë një prind shembullor që ka ditur me bashkëshorten të edukojë 2 djem të mrekullueshëm, Edin dhe Mondin, të cilët kanë shërbyer me përkushtim në sektorë të ndryshëm të vendit.

Mbas daljes në pension u anëtarësua në Organizatën e Veteranëve të LANÇ në njësinë administrative nr. 8, zona nr. 8, duke qenë kryetar i këshillit zonal Nr. 8 të veteranëve, ka qenë i përkushtuar në zbatimin e detyrave, në mbrojtjen e vlerave të LANÇ, si dhe propagandimin e tyre në radhën e brezit të ri. Për kontributin e dhënë i është dhënë titulli i lartë: “Nderi i organizatës së Veteranëve të LANÇ, nga Komiteti Kombëtar i Shqipërisë.

Për punë të mirë është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me disa medalje dhe urdhra.

U nda nga jeta më 19.09.2017 dhe u përcoll në banesën e fundit me të gjitha nderimet.