Shaban Dervishi, një jetë me krenari dhe dinjitet


Nga Faik Xhani

Më 31 korrik 2017 pushoi së rrahuri zemra e Kryetarit të Nderit të Shoqatës “Bashkimi i Pergjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë” Shaban Dervishit.

Shaban Elez Dervishi lindi më 2 tetor 1936 në Lugjej (Dardhë) të Dibrës. Rrjedh nga një famije me tradita patriotike dhe bujarie.

Babai i tij, Elezi, kryesisht u mor me blegtori. Ai gjatë Luftës Nacionalçlirimitare u lidh me lëvizjen dhe ndihmoi me sa mundi për çlirimin e atdheut. Kryesish u njoh dhe ndihmoi komandantin e Çetës së Dibrës, Haxhi Lleshin dhe Gaforr Korçën etj., të cilët jo vetëm s’e harruan, por edhe e ndihmuan gjatë rrugëtimit jetik të tij dhe kryesisht Shabanin.

Shabani kreu mësimet e para në vendlindje, pastaj një shkollë profesionale 1 vjeçare për kohën dhe fitoi profesionin e karpentierit, me vonë kursin e kuadrove dhe atë tremujor të Partisë.

Që në moshë të re mori rrugën e kurbetit dhe punoi si shërbyes në familjet e mëdha tiranase, thuajse për kafshatën e bukës. Veçanërisht shkolla profesionale i dha mundësi për t’u punësuar dhe për të shpalosur aftësitë e tij profesionale, organizuese e formuese.

Fillimisht punoi në Ndërmarrjen e Përpunim Drurit në Peshkopi, më pas në Ndërmarrjen Bujqësore Kamëz.  Atje -ish drejtori, Gafurr Korça, një kuadër me emër dhe i përkushtuar, e  ndihmoi jo vetëm për të punuar, por edhe per t’u bërë një veprimtar i dalluar.

Në vitet 1955-1957 u mobilizua ushtar. Nga viti 1957-1959 punoi në Përpunim Druri, pastaj 4 vjet magazinier në tregti.

Për 9 vjet drejtues lokal, sekretar e kryetar lokaliteti, ku punoi me ndërgjegje e përkushtim, duke gëzuar simpatinë dhe respektin e komunitetit.

Lidhi jetën me Amedije Ferrën nga Blliçja e Dibrës, me të cilën lindën, rritën dhe edukuan 5 fëmijë, secili më i mirë e më i zot se tjetri; tre djem: Besniku, Dëfrimi e Vladimiri dhe vajzat Flora e Drita.

Në vitet 1973-1975 Shaban Dervishi mori drejtimin e kooperativës bujqësore të Zall-Dardhës, një nga kooperativat më me probleme. Por Shaban Dervishi, i ndërgjegjshëm, inciator e organizator, u bëri ballë më së miri atyre vështirësive, duke e çuar vlerën e ditës së punës nga 1.8 lekë në 8-10 lekë.

Në rrugëtimin e tij jetik kaloi një kalvar të vështirë në sajë të cmirës e të thashethemeve. Viti 1975 rezultoi fatal për Shaban Dervishin. Ai, padrejtësisht, përjashtohet nga partia. Lirohet dhe nga detyra e kryetarit të kooperativës. U ndëshkua rëndë, por nuk u dorëzua. Ishte i sinqertë dhe i pastër, prandaj qëndroi i vendosur në kërkesat e tij për t’u rehabilituar.

Pas disa peripecish nuk u kthye në parti, por në punë. Nuk pranoi të marrë përgjegjësi.

Të gjithë ata që e ndëshkuan, u penduan për  çfarë i kishte ndodhur Shaban Dervishit, por nuk mundën t’i jepnin atë që meritonte. I dhanë të drejtën e punës deri në përgjegjës sektori, por ai nuk e pranoi.

Luftoi me të gjitha padrejtësitë, duke fituar dinjitetin e nëpërkëmbur dhe fitoi. Nuk mori detyra me përgjegjësi, por punoi kryesisht magazinier, duke qenë vazhdimisht i pastër dhe menaxher i talentuar, pa i lëvizuar asnjë qindarkë gjatë gjithë kohës që punoi me vlera materiale.

Veçanërisht tranzicioni e vuri në provë të vështirë. Ai nuk u tjetërsua, nuk pranoi detyra në këmbim të dinjitetit.

Veçanërisht iu besua administrimi i magazinës së furnizimit me drithërat e bukës të Shqipërisë së Veriut në Stacionin e Trenit Milot, në periudhën më të vështirë 1990-1994. Dhe Shaban Dervishit, edhe pse plumbat i vërtiteshin orë e sekond nga trupi, nuk u përkul, qëndroi burrëror, trim, iniciator, i përkushtuar e i devotshëm, derisa në fundin e vitit 1994 e mbylli karrierën e tij të punës si më i miri, me faqe të bardhë.

Doli në pension i nderuar dhe i qetë. Edhe gjatë kësaj periudhe nuk u mbyll brenda mureve të shtëpisë. Ishte mësuar të rrinte me burra dhe me burra u mor. U anëtarsua që në themelim në Shoqatën “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë“.

E filloi që kur ishtë kryetar Prof. Hasan Banja e deri para pak kohësh kur u sëmur. I kaloi të gjitha shkallët, nga anëtar i thjeshtë, anëtar kryesie, sekretar i përgjithshëm dhe për disa vite kryetar i “BPPSH”, gjithmonë i papërtuar, i ndërgjegjshëm e i përkushtuar. Kryesia e përgjithshme e ka shpallur  “Kryetar Nderi” të Shoqatës “BPPSH” dhe të tillë do ta kemi gjithmonë.

Shaban Dervishi qe një kuadër i devotshëm, një veprimtar shembullor, një familjar i rregullt, një qytetar i civilizuar e një prind shembullor, që do na mungojë përgjithmonë.

Ngushëllime familjes, që aq shumë e deshën e bënë për të.

I paharruar kujtimi dhe ndihmesa e Kryetarit të Nderit të Shoqatës BPPSH!