Sokoli, njeriu që gjeti suksesin te gurrat e Kovashicës
Nga Osman Xhili


Sokol Shtrezi as që e kishte menduar ndonjëherë, se do t’i futej një sipërmarrje të tillë apo do të ndiqte rrugën e biznesit. Bashkë me dy vëllezërit e tjerë, Gëzimin dhe Xhevahirin, ishin rritur me shumë varfëri, në fshatin e Kovashicës, në Shupenzë. Teksa ndiqte shkollën e mesme në komunën e tij, mësonte shumë mirë dhe “raskazet“ e rusishtes, duke marrë vlerësime maksimale nga mësuesi i kësaj lënde, Jashar Demiri. Por vitet nëntëdhjetë ishin sa të bukur, aq dhe të vështirë për shqiptarët. Djaloshi i atëhershëm plot ëndrra dhe energji, ishte i etur për dije, por dhe për para. Kë do të zgjidhte? Për çudi vrapoi pas të dytës, se ndoshta e dyta do ta sillte sërish të parën. La në mes shkollën dhe vitet studentore dhe u nis në Greqi, ku zgjodhi ishullin e bukur të Kretës. Natyrisht, jo për turizëm, atij luksi nuk ia kishte ngenë për momentin. Punoi jo pak, por dhjetë vjet, bashkë me vëllezërit. Sokoli  kujton pronarin, një njeri i mrekullueshëm. Super i pasur dhe superhuman, kështu e portretizon njeriun që i dha punë, strehë dhe ushqim. Pas kaq shumë vitesh punë, ishin grumbulluar jo pak para dhe djali mendonte ç’do të bënte me to. Mendja i thoshte të blejë një shtëpi në Tiranë. Kishte ardhur koha që dhe ai të jetonte si një qytetar i zakonshëm i këtij vendi, larg fshatit provincial, ku hodhi shtat e u burrërua. Të dukej në sy të të tjerëve që kishte bërë pak prokopi. Pronari e nuhati dilemën e djalit dhe e pyeti si do t’i përdorte paratë e fituara. Djali nuk e fshehu idenë që kishte, por tjetri e kundërshtoi fort.

    Paratë janë të tuat, je i lirë të zgjedhësh, por unë të këshilloj të  blesh tokë në bregdet. Do t’i vijë koha turizmit. Djali ishte disi skeptik për këtë, ndaj ai vazhdoi. – Po fshati juaj, nuk ka ndonjë gjë të veçantë?

Sokoli kujtoi fshatin e  tij të varfër, atë pak tokë, rrugën gropa-gropa, kodrat e malet që e rrethonin, por dhe tre gurra që buronin një ujë të kristaltë. Kur i përmendi gurrat, pronari u entuziazmua.

– Keni një pasuri të tillë në fshat dhe më rrin këtu! Ti mund të bësh atje një rezervat të mrekullueshëm peshku. Unë të mbaj gjithë jetën me punë, por më mirë shko në vendin tënd dhe ngrije atje folenë. Punëso veten dhe të tjerët në biznesin tënd, në fshatin tënd.

Për pak minuta Sokoli fërkonte ballin, ku lëvrinin mendime të shumta. Plani i shtëpisë në Tiranë u la mënjanë. I tregoi vëllait, Gëzimit, bisedën me pronarin dhe ai e mbështeti pa hezitim.

– Hajde vëlla, ta provojmë njëherë. Greqinë e kemi sërish këtu.

Trastat e kurbetqarit në krahë dhe u kthyen në vendlindje. Pyeti dhe studioi jo pak rreth këtij biznesi dhe krijoi ca njohuri të përgjithshme. Më pas u ngritën vaskat e para, pak poshtë burimit të ujit dhe nuk mbetej gjë tjetër, veçse të gjente rasatin e ta hidhte në vaskë. Sokoli tregon peripecitë e shumta dhe marrjen e rasatit në Vërtok të Gostivarit. Ndërsa hidhnin peshqit e vegjël në ujin e oksigjenuar, Sokoli pyeste veten nëse do mundej, që dhe ai të prodhonte vetë rasatin e peshkut, ndonjë ditë. Një zë i brendshëm i jepte forcë dhe i thoshte se po, ai mundej. Dy javë më vonë u kthye sërish në Gostivar. Kishte mbushur dy çanta me ushqime dhe pije për punëtorët që shërbenin aty. Shkurt, donte t’u “vidhte“ zanatin. Në fakt, ata i treguan shumë gjëra, si pastroheshin vaskat, si vilej peshku, si fekondoheshin vezët e vjela e plot të tjera si këto. Njëri nga punëtorët i tha: “Mbaje mend, po nuk u bëre ti që të vijmë ne të marrim rasat prej teje”. Vite më vonë u vërtetua profecia e punëtorit. Rasati i prodhuar nga Sokoli furnizon vaskat e tij dhe shpërndahet në Shqipëri e më gjerë.

Përvoja e çmuar nga Danimarka

Ishte viti 2007 dhe Sokoli kishte pesë vite që punonte në biznesin e tij dhe bashkëpunonte me një kompani holandeze, duke marrë prej tyre ushqimin e peshkut. Kompania kishte menduar që të organizonte një tur të vogël me bashkëpunëtorët e saj në shtatë shtete të Europës, kryesisht në ferma që kultivonin peshkun.

“Më pëlqeu një fermë në Gjermani, – tregon Sokoli, – por pastaj mësova se Danimarka është numri një në botë, në këtë drejtim. Shpreha dëshirën për të shkuar atje dhe vërtet kompania ma mundësoi e ma bëri realitet. Por projektet u vonuan për nja gjashtë muaj, pasi duhej perfeksionuar më tepër gjuha angleze, për të komunikuar me të huajt”.

Herën e parë Sokoli qëndron tre muaj në Danimarkë. Teknologjia e lartë dhe disiplina e fortë ishin shtyllat e suksesit të atyre njerëzve. Ferma ku qëndronte Sokoli prodhonte 800 ton peshk në vit me vetëm tre punëtorë. Për të prodhuar 500 ton peshk pronarit të fermës i duheshin  jo më shumë se 36 litra ujë për sekondë dhe jo më shumë se tre punëtorë. Duke qenë se vinte nga një vend me teknologji të dobët, shqiptarit iu dukën disi të pabesueshme shifrat dhe i thotë danezit mendimin e tij. I huaji nuk nguroi t’i tregonte se me pak marifete të vogla,duke shtuar fuqinë e ujit me anë të rrymës, apo duke e ngopur ujin me oksigjen të lëngët, gjërat e pamundura në dukje, bëheshin të mundura. Në mendje i shkoi uji i gurrës së tij atje në fshat, që kishte gati 150 litra ujë për sekondë dhe oksigjeni i tretur arrinte deri në 11 ppm.  Temperatura e ujit  ishte konstante prej 9, 8 gradë celsius. Sokoli nuk kishte nevojë t’i përmirësonte parametrat e ujit të tij, vetë Zoti i kishte rregulluar në mënyrë të përsosur. Prej tij kërkohej vetëm pak punë e përkushtim.

   Në fermën tjetër, në Alborg, qëndroi 45 ditë. Ndërsa tek e para mësoi plot gjëra, si bëhej rritja e peshkut për konsum, tek e dyta mësoi teknologji të reja për prodhimin e rasatit. Atje i përzgjidhnin femrat që prodhonin vezët. I shihnin nga trupi, që të mos kishin bark të fryrë, ti kishin velëzat e rregullta, lëkura të shkëlqente e plot tipare të tjera. I shihnin nga mosha, të mos kalonin vitin e gjashtë e për më tepër, të mos kishin bashkëgjakësi me meshkujt, që pllenonin dhe fekondonin vezët e vjela. Po të mos kishte shkuar në këtë vend të mrekullueshëm, ca gjëra prej tyre nuk do t’i kishte mësuar, sikur gjithë jetën të merrej me rritjen e peshkut. Atje pa se si punohej e vrojtohej me mikroskop, për detaje që syri i njeriut nuk mund t’i kapë, kur asnjë nga fermat e kultivimit të peshkut në Shqipëri, nuk e përdor këtë mjet të domosdoshëm.

Këmbëngulja dhe përkushtimi i tyre në punë, thotë Sokoli, ishin vërtetë për t’u admiruar. Ai kujton një rast kur bashkë me danezin po bënin vjeljen e vezëve nga femrat, duke shtypur lehtë barkun e tyre. Të nesërmen kjo procedurë përsëritej sërish, pasi përfitohej dhe një numër vezësh ekstra. Kishim punuar gjithë ditën dhe mezi prisnim të pushonim. Një peshk rrëshqet akoma pa i vjelur vezët. Nuk ishin vetëm se diku tridhjetë vezë dhe i thashë ta linte se nuk përbënte ndonjë problem të madh. Por jo, danezi nuk më dëgjoi, shkoi ta kapë sërish peshkun që i shpëtoi vjeljes dhe pse iu desh,diku tek çerek ore kohë.

    Sokoli u habit, kur mësoi se ushqimi që përdornin këtu në Danimarkë ishte gati një me një, që do të thoshte se një kilogram ushqim i konsumuar, prodhonte gati një kilogram peshk. E përse të merrte akoma ushqim nga Holanda e të mos e merrte këtu. Jo vetëm kaq, por u bë distributor zyrtar i firmës “Alleraqua”, për të sjellë ushqimin e peshkut në Shqipëri. Një mirënjohje e një falenderim del thellë nga zemra e Sokolit për këtë vend të bukur e miqësor, për këta njerëz të mrekullueshëm, që dinë të bëjnë gjëra të mëdha dhe kur kanë vetëm pak mjete në dispozicion.

Sytë nga e ardhmja:

Investime në turizëm

Pronari grek i pat folur për turizmin shqiptar, por atëherë i qe dukur pak herët. Tani Sokoli mendon që është koha për turizmin malor në fshatin e tij, në Kovashicë. Plot të huaj kërkojnë të vizitojnë dy rezervatet e tij në këtë vend, që vetë Zoti e ka bekuar. Uji i gurrës rrjedh përmbi vaska me një nanurimë të këndshme, siç derdhen notat në pentagramin e kompozitorit. Lugina e Kovashicës plot lule në pranverë dhe verë, kodrinat me shkozë e dushk, mali i Bllacës, ai i Homeshit dhe mali i Bardhë, i qëndrojnë si kurorë këtij peizazhi mahnitës. Në faqen e kodrinës, përmbi ujin e gurrës së Kovashicës, biznesmeni i ri do që të ngrejë shtëpitë e para për turistët. Ndoshta do të jenë të punuara prej guri me damarë të bukur, të punuar nga mjeshtra të këtij zanati. Mishi i peshkut, i kecit, i  shpendëve, bashkë me ushqimet bio, bashkë me mikpritjen e banorëve, do të ishin një tundim i papërballueshëm, për të huaj e vendas. Fshati me historinë e tij, me lashtësinë e tij, me mullirin dyqind vjeçar të fisit Leka, me “gropat e Ukut“, ku u mblodhën fshatarët kryengritës dhe plot asete të tjera, flet shumë. Ata që duan më tepër se kaq, mund të shfletojnë librat e profesorit dhe historianit Bajram Xhafa, bir i këtij fshati dhe të shuajnë kuriozitetin e tyre.

Sokoli ka krijuar miq, lidhje dhe hapësira të reja. Një pjesë e kohës së tij kalon në Ukrainë, Kirgiztan, apo vende të tjera ruse, me të cilat e lidh një biznes i ri, tregtia e frutave të thata. Ai sjell prej andej ara të thata, lajthi, pse jo dhe fasule, të gjitha këto me një cilësi teje të lartë. Ndoshta në të ardhmen mund të punojë dhe në sensin e kundërt, të dërgojë në tregun rus prodhime të fermerëve shqiptarë. Sa herë i shkon mendja te mësuesi i dikurshëm i rusishtes dhe raskazet që kishte mësuar në rini të tij. Asgjë nuk shkoka kot në jetë, duhen koleksionuar gjuhët, zanatet, dituritë.

Koha rrjedh në shtratin e saj si ujët e gurrës së Kovashicës. Sokoli do vetëm pak infrastrukturë dhe ndihmesë të vogël nga shteti. Për të tjerat kujdeset vetë, pasi ashtu siç ka dhe emrin, është një “Sokol” i bizneseve të reja dhe të suksesshme në Dibër.