Variante të këngës historike për luftën në Qafë të Kolesjanit
Nga Dr.Fejzulla Gjabri


Beteja e Qafës së Kolesjanit, e cilësuar si “Termopile Shqiptare” u zhvillua në truallin Nangë-Bicaj-Kolesjan. Organizatori është prijësi popullor Islam Spahia. Ndaj dhe personazhi kryesor në këngë është po ky Islam Spahia, person e familje me mjaft ndikim në ato vite të vështira të kombit shqiptar. Gjithesi jemi te kënga.

Brenda Lumës ka disa variante që nga Vermica e deri në Veleshicë, që nga Drini i Zi e deri në malet e Sharrit. Variantet nuk mungojnë në Dibër, Kosovë, Has, Mirditë e më tej. Përgjithësisht nuk mungojnë 4 vargje, gati si të eposit: “Sheja e Vogël kullon gjak,/ po i thotë Drinit:-Nihmom pak” dhe “Kllade t’mdhoja jam te çue,/ N’Shkodër t’Vogël me i kalue”. (Bicaj) Kënga bazë e Luftës së Lumës më 1912, pothuajse është e njohur, ndaj duke i kaluar disi anash në ketë material, tani për tani, hyjmë në organizatorët, luftëtarët dhe shehitët e kësaj beteje. Populli të gjithë të rënëve në luftë kundër serbit, u thotë shehitë. Të gjithë këtyre organizatorëve dhe të rënëve, folklori i ka shpërblyer me këngë. Së pari, Islam Spahinë, organizatorin dhe luftëtarin më pranë betejës: “Islam Spahia burrë i thajm,/ me Serbien tajm e n’tajm,/Tajm e n’tajm mu te kulla,/ E mtoj Serbia se paska burra./ …/ “(Kolesjan). (mtoj-e pa).

Përtej truallit të Luftës

Lusna kishte prijës Ramadan Çajkun, që “s’u ndanë asnjëherë me Islam Spahinë” (T.Kolgjini, Luma dhe luftërat e saj, shënimi i Agim Spahisë). Vargjet: “Huxhum Lusna e Ramadani,/Bini gjem se shkoi vatani,/Ç’ka me ba Ramadani i zi,/Te luftu me di krajli,/Karadak e me Serbi./…/,” (Lusën). Një këngë radomirase ngre lart figurën e Ibrahim Haxhi Zeqirit: ”Radomira me bajrak,/S’nalet sërpi jo pa gjak,/…./Brahim Haxhi Zeqiri,/Pushkë e kollan,/mirë i lidhi,/Merr avdes e del n’mejdan,/Jo për nesër, po sot ban bam./…/.” (Radomirë)

Riti i abdesit sikur forcon besimin në fitore, si shprehje e psikikës së luftëtarëve. Ankimet e armikut janë të kreut të tij: “Qysh se u nisa nga Beligradi,/Nuk kam pa ksi mahlukati,/…./ Nuk ka udhë e nuk ka shtek,/Ven për ven pushka kërset./Tan serbia ktu me ardhë,/Sall te nja s’pështon i gjallë.” (Lumë)

Kënga veçon e përgjithëson. Veçon organizatorë, vlerëson shehitë, ngjall vrull: “Qazim Lika e Bajraktari,/Qazim Lik’e e Beram Gjana,/Rrallë ksi trimash i ban nana,/…/ (Bushtricë).

Ndihma e Elez Isufit

Në Bicaj: ”Pak pa plasë boumes ia ngjiti,/Stojniçit ia kthej opet,/ e la dekun me gjyle t’vet…”. Është fjala për Nexhip Dullën. Një këngë e këtyre kohëve tregon për lidhje me Hasan Prishtinën e në ndihmë të tij të dyqind djemëve lumjanë: “N’kullë të Lumës janë bashkue,/Dyqind gjem kanë bisedue,/Sulë Elezi foli ni fjalë:/-Kush asht burrë e kush asht gjalë,/Hasan Prishtinës zot me i dalë,…/(Morin). Ndihma e Elez Isufit dhe e Baftjar Dodës vlerësohen në këngën lumjane, si organizatorë e si luftëtarë. Duke përmendur topat, duket sikur rritet vlera e ndihmës: “N’Kolesjan kallet baroti,/Ndihmë po vjen Elez Isufi./ Vjen Elezi me di topa,/ ki Sen Daci i komandoka.” (Kalis). Këngë me ketë tëmë gjen për çdo fshat. Ka Bardhoci, Shtiqni, Pobregu, Ujmishti, Surroi, Mamëzi, etj.

Dhimbja për të rënët

Grimcat e shënuara janë vetëm ilustrim i një qëndrese, ndoshta pas gjëmës së madhe të masakrave serbe, ndoshta si kundëpeshë e dhimbjes së madhe. Dhimbja e parë është humbja e luftëtarëve e drejtuesve popullorë në këtë luftë, të cilët nuk janë pak. Ne jemi mësuar vetëm të dëgjojmë humbjen e 12 mijëve të serbit, po, me që kënga i ka përjetësuar njerëzit tanë, duket si lehtësim i dhimbjes për ta. Ata janë shumë. Do jetë nder e shenjë kulture e qytetërimi, sikur t’i kemi të shënuar të gjithë në një memorie të veçantë, ku të lexohen në raste përkujtimore. Kjo, se kënga duket pak a më saktë, një rreth i ngushtë njeh vetëm të vetët. Dhimbja e dytë janë masakrat pas 1912-ës. Tash më jo me burra, po me “cullë e gra”. Këtu bien këngët dhe shtohet pesha e dhimbjes. Memoriali i cekur më parë, për të parët e të dytët (të masakruarit), do ishte shenj qytetërimi, ku dhe të tjerë do mësonin gjëmën.

Variante dhe luftëtarë

Deri këtu janë cekur vargje të këngës lumjane. Dihet se ushtima e kësaj beteje i kalon caqet lokale. Me këtë lëndë (të Betejës Lumës), janë thurur këngë nga dibranët, gjakovarët, mirditorët, në mbarë Kosovën etj. Këngët e cituara janë në funksion të identitetit, që folklori e ka detyrë parësore të japë këngë për bëma të tilla, po gjithnjë sipas ligjeve të veta. Në Dibër këndohet: “N’at Stamoll këndon gazeta,/Mjer dovleti për ilçe t’veta,/…./

N’Prizren po ban kuven,/I thotë Lumës:-Lirom ven,/Lirom ven, lirom vatan,/Të piqëmi n’Kolesjan”. (Dibër, 1944). Në Kosovë: “Ça kan’ kodrat qi gjimojnë?/Has e Lumë, medet po luftojnë,/N’at Serbi shumë vajtojnë,/…/Shum’ askeri ma myt n’Dri,/Shumë milet m’ka metë n’Shqipni,/Me tefter dymdhet mijë!” (Kosovë, 1939).

Në Shupenzë të Dibrës, një variant përmend emrat e luftëtarëve Ramadan Selmani e Hoxhë Mehmeti, duke marrë thelbin e këngës “Luma e serbi po luftojnë”: “….,/Kur fikati Ramadan Selmani,/Bini, voca, se shkoi vatani,/Kur fikati Hoxhë Mehmeti,/Ka krisë pushka, gjimoi kepi./…/.(E.Historike 3, F.79). Në Mirditë kënga përmend Reç e Dardhë që: “…,/Luftojnë trimat malsisë,/Për të drejtat e Shqipnisë./Prej Reçi e n’Kolesjan,/Për liri e për vatan,/…/”. (Kurbnesh, 1960). Në fshatin Grevë të Dibrës me një variat të kësaj kënge, shton shehitët e Betejes së Lumës me Has Fidën e Xhemali Ramën, që vihen në krah të Islam Spahisë: “-Ku i ka shokët Islam Spahia,/N’at Gjalicë e nër frengjia,/Nër fregjia tuj çënrue,/Hikën sërpi, majtet n’prrue./…,/Çaj Has Fida n’tum’të ferrës,/Sa ma shpejt i jep manzerres,/…/Kur bërtajti Xheladin Rama,/N’Stamoll i ka shkue xhama.” (K.Historike 3,f.84).

Kënga ndër botime

Kënga bazë, siç mund ta quajmë atë të krijuar e kënduar afër një shekull në Lumë, (Ka 69 vargje e botuar në “E.Historike 3), ka më tepër se të gjitha variantet, heronj që veprojnë e nxisin luftën. Veç Islam Spahisë, Dy Ramadanëve e të tjerëve, janë Molla Xhema, Hoxhë Bicani, Ali Bakalli si dhe kundërshtarët Krajl Nikolla e Petro Krajli.(E.Historike 3,f.80).

Para se të japin vlerat përgjithësuese të këngës së 1912-ës, që shtrojnë çeshtjen e sakrificës në altarin e atdheut, si kërkesa të shejta e legjitime, të ndalemi pak në atë gëzim të pakët të ngritjes së flamurit. Brenda trevës së Lumës çështja e flamurit ishte vetë lufta. Haberet nga Vlora nxjerrin urimin: “/…/Tungjatjeta, Smail, qysh thue,/Për flamur n’kam jem çue,/…,/” (Shalqin, 1978).

Siç kuptohet edhe nga këto vargje, lufta bëhet për flamur. Duket si një mesazh i dyzuar. Së pari urimi dhe së dyti njoftimi. Urimi për flamurin dhe së dyti se edhe ne po për ketë luftojmë. Disa krijime të tjera, të thurura vonë, nuk e marrin vlerën e qarkullimit, pasi kanë në kompozimin e tyre pjesë shkollareske. Ja një shembull: “….,/Bashkë me trima, bijë të Arbërit,/Nga Dyrrahi, n’bjeshkë t’Korabit,/E prej Shkupit në Janinë,/ N’Vlonë shpallën Pavarësinë,/…/”(K.Historike, 1985). Me gjithë konceptimin e qartë, duket dora e thurjes jashtë ligjeve të folklorit.

Mesazhi referencial dhe estetik

Këto do të ishin disa vargje të këngës me temë Luftën kundër serbit më 1912, që po të sistemohen do ishte një epos në vete. Kënga e plotë, me të gjitha variantet jep mjaft mesazhe. Mesazhi i parë është referencial: Po bëhet luftë kundër një ushtrie të organizuar: “Xhit kanë malet që gjëmojnë?/-Gjemt e Lumës po luftojnë”. Thirrjet “bini burra!”, “bini gjem” e të tjera të këtij lloji kanë karakter emotiv dhe hynë natyrshëm në kompozicionin e këngës. Shpesh këngët kanë edhe mesazh urdhërues-betues, kjo veçmas për armikun: “Tan Serbia ktu me ardhë,/Sall te nja s’pështon i gjallë!”. Mesazhi estetik synon të tërheqë vëmendjen e marrësit, gjegjësisht të lexues – dëgjuesit. Vetë struktura e këngës është e tillë që rrëfimi kombinohet me elemente lirike, që zhvillojnë imagjinatën, të bën të meditosh. Do t’ia vlente ta ilustronim me shumë vargje, të cilat nuk mungojnë, ndër të cilat po veçojmë : “Po rrjedh Sheja plot me gjak,/Po i thotë Drinit: -Nihmom pak!”. Ky përfytyrim eposi, na çon në hershmëri, na bën të mendojmë për fenomenet e natyrës dhe mrekullitë natyrore, huazime të njeriut modern, që i merr nga lashtësia. Me ketë gjuhë, me gjuhën e artit, këngët shfaqin fakte kulturore të një populli të lashtë, siç është populli shqiptar në Ballkan. Këto mesazhe janë kode të kulturës tonë në përbërje të gjithë kulturës ballkanike e më gjerë. Do të ishin këto disa fakte me të cilat ne komunikojmë me historinë tonë, e cila flet se është më shumë e dhimbshme e pak e gëzueshme.

KOMENTI JUAJ