Çfarë pritet nga mbledhja e qeverisë në Peshkopi


Qeveria shqiptare do të zhvillojë    11 nëntor në Peshkopi mbledhjen e radhës, në serinë e mbledhjeve qeveritare qytet më qytet, që kryeministri ka premtuar ta khejë në një traditë.

Mbledhja e qeverisë në Peshkopi do të jetë një ngjarje e madhe për qytetin e vogël e të harruar në lindje të vendit. Aq më tepër, kjo mbledhje merr rëndësi të veçantë, pasi në dy vitet e fundit Peshkopia ka qenë në qendër të kronikave skandaloze të sjelljes së pushtetit me qytetarët dhe pikë debati mes partive politike mbi modelin e zgjedhjeve dhe manipulimin e tyre.  Socialistët në Peshkopi kanë kaluar në vendin e tretë si parti politike, pas aleatit të saj në këtë rajon, PDIU, e cila renditet e para dhe PD. Skandali i ish kryebashkiakut të shkarkuar pas aferave seksuale që lidheshin me postin e tij publik, çoi në zgjedhjen e një kryetari të ri, i cili ditët e fundit është akuzuar nga ata që e zgjodhën, si shpërdorues të pushtetit bashkiak. PDIU akuzoi edhe nga foltorja e parlamentit Ramën e vogël të bashkisë, i zgjedhur me bekimin e vetë kësaj partie, për paaftësi dhe korrupsion.

Megjithatë, dibranëve pak u interesojnë partitë, pasi këto 20 vite i kanë ndërruar ato si “xhaferri simitet”, sipas interesit, punës dhe korrupsionit, njëlloj siç kanë bërë edhe liderët lart, ndaj presin që qeveria në Dibër të marrë vendime të rëndësishme për ta. Dibranët presin shumë vendime, por unë po numëroj vetëm 7…

7 vendimet e Qeverisë

E para: Qeveria duhet të firmosë kontratën për ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Mjaft më me ndjekje procedurash, afate, vështirësi të paparashikuara, mungesë projekti e projekt të keq, e plot argumente pa kuptim, vetëm e vetëm me qëllim shtyrjen e afatit të fillimit të punës. Nuk ka kohë më as për 45 ditë… Kështu që ajo duhet të vendosë firmën mbi kontratë dhe të nisin punimet…

E dyta, është një vendim që të garantojë se HEC i Skavicës dhe çdo hec tjetër në luginat e bukura të Dibrës nuk do të ndodhë pa miratimin e banorëve. Madje, për Skavicën duhet të garantojë se nuk do të vazhdojë asnjë negociatë, pa një referendum popullor. Është e turpshpme që qeveria flet herë pas here për Skavicën dhe banorët e atyre anëve jetojnë me frikën e humbjes a grabitjes së pasurisë së tyre.

E treta, të miratojë Statusin e Minatorëve. Eshtë një premtim elektoral që 5 vite më parë, por akoma nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Dhe bashkë me vendimin e statusit të minatorëve të garantojë që në Bulqizë nuk do të ketë më fëmijë që lënë shkollën dhe punojnë për bukën e gojës.

E katërta, të miratojë vendimin për ndalimin e çdo leje koncensionare për shfrytëzimin e pyjeve. Masakrat me leje në pyjet janë më dëmtuese se prerjet e tyre pa leje.

E pesta, të garantojë me vendim qeverie që çdo prodhim bujqësor, blektoral e në frutikulturë të mos prishet më në këtë rajon të harruar. Prodhimet bio të Dibrës kanë nevojë për ndihmën e shtetit për të dalë në treg.

E gjashta, të angazhohet që lëvizje e lirë e njerëzve dhe e mallrave nga dogana në Bllatë të lehtësohet. Të kalohet sa më parë në një pikë kontrolli dhe mundësisht të hapen sa më shpejt edhe pikat e tjera doganorë në Tërnovë e Steblevë.

E shtata, t’u ktheje shkollën qytetarëve. Gjimnazi në qendër të qytetit iu dhurua një universiteti. Universitetin e mbyllën, në kundërshrtim me premtimet që kishin dhënë, por tani t’ua rikthejë sërish nxënësve dhe komunitetit.  Nuk zhvillohet Dibra duke prishur shkollat.

***

Tani që mora guximin të them se ç’duhet të bëjë qeveria, po marr edhe guximin tjetër të them se çfarë duhet të bëjnë qytetarët.

Banorët e Peshkopisë dhe të Dibrës nuk duhet të rrinë para televizorit dhe të shohin live se çfarë do të vendosë Edi Rama dhe qeveria e tij për ta. Ata duhet të mbushin shëtitoren e qytetit. Të mos bëhen bashkë – si turmë –  dhe të shajnë e fyejnë, të djegin dhe thyejnë (edhe në bëfshin kështu, nuk është hera e parë, se ata që qeverisin sot edhe i kanë vënë flakën ndonjë makine), por të të ulen këmbëkryq në bulevardin/shëtitoren e shtruar me pllaka. Dhe të mos flasin, por të vendosin një parullë (Jo atë: Fajet i ka Saliu/LSI), por të shkruajnë aty hallin e tyre.

E para, çidhnakët ta ftojnë të vizitojë Setën që po shkatërrohet nga hidrocentralet. T’i tregojnë kryeministrit se emrat e tyre janë në dokumentacionin për lejen e heceve, por ata nuk kanë firmosur. Pra, është dhënë një leje bazuar me falsifikime. Dhe ai që ka udhëhequr falsifikimin, në vend që të mbajë përgjegjësi, qoftë edhe penale, është emëruar nënkryetar bashkie…. (Kryeministri nuk duhet ta neglizhojë këtë grup, pasi thonë se pas firmës ndërtuese të HEC-eve mbi Setë, fshihet Gramoz Ruci… Kështu që ose duhet ta sqarojë, ose duhet ta pranojë).

E dyta, është parulla e bulqizakëve. Parulla e tyre duhet t’i tregojë Kryeministri Rama dhe qeverisë së tij, se megjithëse jetojnë mbi pasuri, po vuajnë për bukën e gojës. Ti kërkojnë ndal abuzimit të punës së fëmijëve në stoqet e kromit dhe sa më parë miratimin e statusit të minatorit.

E treta, fermerët në vend të parullave, të nxjerrin prodhimet e tyre dhe t’i kërkojnë qeverisë t’i ndihmojë të shkojnë në treg ose të shohë edhe njëherë vendimet e qeverisë mbi subvencionet…

E katërta duhet të jetë parulla e banorëve të fshatrave të Bulqizës, Lukanit, Lurës etj., të cilët i kërkojnë qeverisë të shkojë njëherë në ato anë, pasi koncensionet e dhëna për shfrytëzimin e pyjeve po ua shkatërrojnë jetesën dhe mjedisin. Dhe, bëjnë mirë t’i tregojnë edhe kush i vë zjarrin pyjeve, në mënyrë që të pastrojnë edhe etiketimin e tyre si zjarrvënës.

E pesta duhet të jetë parulla e blektorëve, të cilët duhet t’i thonë kryeministrit se, megjithëse kanë qindra kokë dele secili, ka vite që nuk marrin asnjë ndihmë nga shteti… Ndihmat po ua grabit pushteti…

E gjashta , dhe më të shumtët, janë gjimnazistët dhe prindërit e tyre, në parullat e të cilëve lexohet kërkesa për t’u rikthyer shkollën e grabitur. Gjimnazi i Peshkopisë është një pasuri e të gjithëve, një pikë referuese për Peshkopinë,  dhe nuk ka të drejtë askush t’i ndërrojë destnacionin. Jo vetëm se u takon, jo vetëm se i kanë degdisur në një kotec  në periferi, por ua kanë dhënë edhe atyre që nuk punojnë: punonjësve të bashkisë. A ka kuptim që mjedise të mëdha e të hapura, plot dritë e hapësirë, aq të nevojshme për shkollën, t’u jepen zyrtarëve burokratë e të paaftë që ngjeshen pas karrikeve, e të vetmin profesion  kanë shpifjen dhe thashethemet, pa llogaritur ndryshimin e partive?

Dhe parulla e shtatë duhet të jetë e atyre qytetarëve që pronat dhe shtëpitë e tyre përmbyten nga Skavica (e madhe a e vogël, nuk ka rëndësi). Parullat e tyre duhet t’i tregojnë kryeministrit që kanë shekuj që jetojnë aty. Herë të varfër e herë pa shpresë, por në ato toka kanë vjelë misrin e kanë mbushur barkun me bukë, dhe nuk kanë qenë të detyruar të bëhen lypsarë. Dhe as tani nuk kanë nevojë t’i luten kryeministrit si lypsarë, por t’i kërkojnë që asnjë vendim mbi Skavicën të mos merret pa pyetur ata. Ndryshe, qeveria po sillet me ta si pushtuese dhe uzurpatore.

Mund të kishte edhe parulla për rrënimin e llixhave, një nga pasuritë më të mëdha të qytetit. Për ndryshimin e projektit të shëtitores, që në vend të ishte për njerëzit, është kthyer në parkim për makinat, për unazën e qytetit që është kthyer në legjendë, që nuk mbahet mend kur ka filluar e nuk dihet kur do mbarojë, e plot parulla të tjera…

Për të gjitha këto, Rama i Madh duhet të mbajë pas edhe “Ramën e vogël”. Që njerëzit të mësojnë se kush është mëkëmbësi i tij në Peshkopinë që po ndryshon çdo ditë për keq.